Most read

“Shyqyr o vëlla që e arritëm muajin e Ramazanit”

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi më i parë i takon All-llahut Fuqiplotë. Atij i takojnë lutjet tona, deri sa t’i pranojë ato dhe i takon çdo gjë që ekziston në tokë dhe në qiej. Përshëndetjet dhe nderimet tona ia dedikojmë pejgamberit tonë të dashur, Muhammedit alejhis-selam, ndërsa lutemi vazhdimisht që Zoti ynë të bekojë dhe të nderojë, lartë e më lartë, familjarët e tij, si dhe shokët besnikë, as’habët

Ajeti:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183)

Hadithi:

“Kush e agjëron muajin ramzan, me iman dhe shpresë, do të falet nga mëkatet e së kaluarës.” (Buhari)

Vëllezër dhe motra të nderuara!

Në këtë hutbe dëshiroj të tregoj për atë se si Muhammedi a.s. e lajmëronte ardhjen e muajit të Ramazanit dhe se si ai e përjetonte , së bashku me sahabët, këtë muaj të ndritur dhe të bekuar.

Kur afrohej fundi i muajit Sh’aban dhe fillimi i Ramazanit, Muhammedi a.s. i uronte shokët e tij kështu: “O njerëz, ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët. Allahu në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Imam Ahmedi, Imam Nesaiu).

Nuk ka njeri në botë që e ka shfrytëzuar më mirë dhe më arsyeshëm mirësinë dhe begatinë e Ramazanit sesa Muhammedi a.s. Ai arriti në jetën e tij t’i agjëroj vetëm nëntë ramazane, por mos pyetni se sa të bukur ishin ato. Ai në këtë muaj ishte si era, që lëvizte herë andej e hërë këndej, për të qenë më bujari prej të gjithëve.

Nga ana tjetër, edhe vetë sahabët, të edukuar dhe mësuar nga mësuesi i njerëzisë, Muhammedi a.s., ramazanin nuk e kishin sikur muajt e tjerë.

Enesi r.a. na tregon se “shokët e Muhammedit a.s. kur e shihnin hënën e muajit Sha’ban e kapnin mus’hafin dhe fillon me leximin e Kur’anit. Atëherë muslimanët përgatiteshin ta ndanin zeqatin nga pasuria, ashtu që t’i forconin dhe mobilizonin të dobëtit dhe fukarenjve t’ua lehtësonin ramazanin. Njerëzit e pushtetit i dënonin delikuentët që meritonin dënimin, kurse të tjerëve ua falnin lirinë. Tregëtarët paguanin borxhet dhe merrnin ofertat e tyre. Ndërkoh, kur e shihnin hënën e Ramazanit, atëherë pastroheshin dhe i përkushtoheshin plotësisiht ibadetit.” (Esh-Shejh në El-Gunj).

Është pyetur sahabiu i nderuar, Abdullah ibn Mesudi, se si e pritnin ata muajin e bekuar të Ramazanit, ai është përgjigjur: “Kur vinte muaji i Ramazanit, në zemrat tona nuk kishte asnjë urrejtje ndaj askujt.”

Po ashtu tregohet se kur vinte nata e parë e Ramazanit, shokët e Muhammedit a.s. e kapnin njëri – tjetrin për qafe dhe me lot në sy thoshin: “Shyqyr o vëlla që e arritëm muajin e Ramazanit”. Ata përqendroheshin tek vetja e tyre me duatë, me dhikrin, namazet dhe me leximin e Kuranit, sikur nuk njihnin asnjë njeri tjetër.

Po kështu edhe prindërit tanë përgatiteshin për muajin e Ramazanit. Lyenin dhomat me gëlqere, pastronin shtëpitë, agjëronin ditë të tëra para ramazanit, kërkonin hallallin njëri-tjetrin, bënin teube dhe istigfar, përgatitnin fëmijët, etj. Gjithandej, nëpër lagjet tona ndihej gëzimi dhe ndjehej ardhja e Ramazanit.

Të dashur xhematlinj!

Dua që t’i ndaj me ju edhe disa porosi të veçanta për këtë ramazan:

– Dijeni, të dashurit e mi, nëse shihni se u janë mbyllur dyert e tokës, të dynjasë, me ramazanin u hapen dyert e qiellit, u hapet dera e xhennetit, Rejjan. Në ramazan, hape derën e pendimit, të shpresës, derën e jetës së re, të rilindjes.

– Pasi në Ramazan, Allahu xh.sh urdhëron të lidhen shejtanët, atëherë e jona është ta lidhim çdo gjë që na e vjedh kohën tonë, që prish rahatinë, mendjen, besimin, shëndetin dhe lumturinë tonë.

– Në Ramazan mbyllen dyert e Xhehennemit, ndërsa ne duhet të mbyllim çdo derë të dështimit, të fesadit, të mëkatit, të përçarjes, të dembelizmit, etj.

– Në ramazan shtrohet sofra e Allahut xh.sh., sofër me begati të mëdha shpirtërore dhe materiale. Muhammedi a.s. thotë: “Me të vërtetë Allahu xh.sh. ka sofrën që syri se ka parë, veshi se ka dëgjuar, e as mendja se kap dot. Në atë sofër ulen vetëm agjëruesit.” (Taberani).

Le ta shtrojmë sivjet edhe ne një sofër të madhe ramazani, ku aty do të jetë agjërimi, leximi i Kur’anit, namazi, sadakaja, pendimi, falja, ndihma, mirëkuptimi, toleranca, buzëqeshja, butësia, harmonia, jeta e re, fillimi i ri, ndryshimi, progresi, bashkimi, fitorja, etj.

Për fund, na qoftë për hajr ardhja e Ramazanit të këtij viti. Ia kalofshim me lehtësi dhe me përfitime të mëdha inshallah. Një lutje të veçantë për ata që punojnë: E paçi ndihmën e madhe të Allahut gjatë agjërimit dhe netëve të taravive.

(Hutbeja e mbajtur sot në Xhaminë El-Hidaje, St. Gallen të Zvicrës, 03.05.2019)

Comments

be the first to comment on this article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Go to TOP