Fjalimi i kryetarit të UBISHZ-së me rastin e hapjes së xhamisë se re në Grenchen
Fjalimi i kryetarit të Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, hfz. Mehas Alija, mbajtur në qytetin e Grenchenit, kantoni i Solothurn-it, me rastin e inaugurimit të xhamisë së re.
28.04.2019, e diel
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
I nderuari kryetar i xhamisë “Ebu Hanife” në Grenchen
I nderuari kryetar i BISHZ
I nderuar kryetar i qytetit të Grenchen-it
Të respektuar përfaqësues të organizatave fetare nga Zvicra dhe diaspora,
Të dashur hoxhallarë dhe kryesi të xhamive
Të respektuar përfaqësues të mediumeve televizive dhe të shkruara
Të nderuar mysafirë, vëllezër dhe motra të pranishme…
Ju përshëndes me zemër dhe me respektin më të madh dhe ju them es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berakatuhu – Paqja, selami, mëshira dhe begatia e All-llahut qofshin mbi ju!
Të dashurit e mi, kam kënaqësi që t’ju përcjell fjalët më të bukura dhe selamet më të ngrohta të miat dhe të kryesisë së Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare, si dhe të të gjithë xhamive anëtare tonat, përfshirë imamët dhe kryesitë e tyre, duke ju uruar kështu këtë xhami të re, këtë oazë të paqes dhe sigurisë, këtë shtëpi të re tuajën, e cila, shpresoj shumë, do të jetë e dashur dhe bekuar për ju.
Është bindje e jona, se me ndërtimin e xhamive të reja, duke i ngritur ato nga themeli, po hapet një faqe e re e historisë dhe e institucionalizimit të Islamit në këtë vend.
Një Islam me institucione të hapura, funksionale dhe me frymë integruese, do të jetë më i dashur dhe më i admiruar për vetë ne, sikur edhe për gjithë të tjerët.
Ne, si muslimanë që jetojmë në këtë shtet, kemi para vetes tri rrugë: rrugën e izolimit, të asimilimit dhe të integrimit. Si e para, edhe e dyta nuk na bënë dobi. Rruga e shpëtimit tonë është integrimi. Që të mund të integrohemi sa më mirë, na duhet medoemos ta njohim dhe ta plotësojmë vetveten, gjegjësisht identitetin tonë fetar e kombëtar, sepse integrim për ne është: të kesh vlera se çfarë do të japësh dhe kesh aftësinë për të ditur se çfarë do të marrësh.
Të respektuara motra, të nderuar vëllezër
Deri tani kemi organizuar dhe përshtatur xhami vetëm për vetveten, kurse tani, mendojmë se ka ardhur koha të ndërtojmë xhami edhe për të tjerët. Edhe për ata që nuk janë muslimanë, por t’i ndjejnë si shtëpitë e tyre, si tempuj që zbukurojnë lagjet dhe qytetet e tyre.
Sot, falë Zotit, po ndërtohen qendra islame në të gjithë globin, përfshirë edhe ato këtu në Zvicër, të cilat reflektojnë në shumë dimensione, kështu që xhamive po ju kthehet qëllimi parësor i ekzistimit të tyre. Secila xhami duhet të kthehet në një qendër të gjallë, qendër e cila do të përfshihet në aktivitete fetare, shoqërore, sociale, kulturore, arsimore, kombëtare, integruese, etj. Në këtë kohë të materializmit ekstrem dhe të përhapjes së mëkateve, xhamitë janë ato oaza shpëtimi dhe sigurie, të cilat, përveç që na ftojnë për namaz dhe shpëtim, na mbajnë larg devijimit, përhumbjes, degjenerimit, shthurjes morale dhe veprave të liga. A e dimë vërtetë rëndësinë e tyre? A jemi të vetëdijshëm për domethënien e ezanit? A e dimë se përse muezini na theret me këto shprehje: Ejani në namaz, ejani në shpëtim? Fakti që muezini i përsërit këto shprehje gjatë thirrjes së ezanit, tregon qartë që shpëtimi ynë varet, pikërisht, nga përgjigjja jonë për të shkuar dhe të qenë i lidhur me xhaminë.
All-llahu i Lartë na njofton se ai i cili falet, është i mbrojtur dhe nuk vepron punë të këqija dhe të liga. „Vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju.“ (Ankebut, 45).
Se sa janë me vlerë dhe sa të rëndësishme janë xhamitë, tregon fakti se ato janë vendet më të dashura të Krijuesit tonë. Në një hadith të Muhammedit a.s., thuhet: „Vendet më të dashura për All-llahun janë xhamitë.“ (Muslim)
Mendoni vetëm se sa mëshirë lëshon All-llahu mbi ata që vizitojnë xhamitë, tek sa falen, luten dhe lexojnë Kur’anin famëlartë, të cilët, gjithashtu, i mbulojnë me bereqet melaqet e Zotit. Është për të të ardhur keq kur shohim se si një musliman në xhami ndjehet sikur peshku jashtë ujit, që mezi pret që të mbarojë namazi dhe dersi të jetë sa më i shkurtër.
Të dashur vëllezër dhe të nderuara motra, për kënaqësinë time dhe tuajën, po e sjell edhe një hadith të bukur të Muhammedit a.s., i cili në një rast pati thënë:
„Kur shihni ndonjë person që e viziton xhaminë, dëshmoni për imanin dhe islamin e tij.“
Nëse ky hadith flet për vlerat që ka një person që është i rregullt në xhami, atëherë çfarë mund të themi ne për ata që ndërtojnë dhe sakrifikojnë nga jeta dhe pasuria e tyre për ndërtimin dhe mbarëvajtjen e një xhamie? Ja All-llah, dëshmo përpara melaiqeve dhe krijesave të tjera për imanin dhe islamin tonë!
Vallë, çfarë paraqesin xhamitë për ne?
Xhamitë për ne janë të bereqetshme dhe se, gjithçka që është rreth tyre, marrin një kuptim dhe dimension tjetër, duke filluar nga shtëpitë, oborret, rrugët, lulet, lumenjtë, natyra, gjallesat, e sidomos njerëzit.
Xhamitë për ne janë udhëzim dhe orientim, pa të cilat do të ishim shumë të dobët përballë sfidave, sprovave dhe vesveseve të djallit të mallkuar. Ato na dëftojnë dhe rikujtojnë se nga kemi ardhur në këtë botë, përse jemi këtu dhe cili është rrugëtimi ynë pas vdekjes.
Freskia e xhamive është ilaçi i shpirtrave tanë, kupolat e tyre janë identiteti ynë, mihrabet e tyre janë drejtimi dhe frymëzimi ynë, minberet e tyre janë shenja të gjallërisë sonë, mektebet e tyre janë shkollat ku përgatitet dhe piqet ardhmëria jonë, ku mësojmë harfet dhe shenjat e jetës dhe botëve, si dhe abdeshanet e tyre janë burimet e pastrimit tonë nga ndotja dhe mëkati.
Atëherë kur ne i bëjmë xhamitë, me to, gjithmonë, jemi krenarë, me to lavdërohemi, i mbajmë dhe përkujdesemi me përkushtim, i pastrojmë dhe i parfumojmë. Edhe atëherë kur nuk mund t’i vizitojmë, tek to e kemi mendjen dhe për to na bie malli.
Kushdo që i prek dhe i sulmon ato, nuk ka dëmtuar vetëm muret, kupolat, gurrët dhe drunjtë e tyre, porse ka goditur në besimin dhe shpirtrat tanë. Ndërsa, kush i respekton ato, ka nderuar dhe respektuar gjëtë më të dashura dhe më të shenjta tonat.
Kushdo që hap dyert e tyre me respekt, ka hapur edhe shpirtrat dhe zemrat tona; kushdo që prek me nderim qilimat e tyre, ka prekur dhe përkëdhelur ndjenjat tona.
Ja, pra, këto janë xhamitë tona, që mendoj se çdo shtëpi e Zotit duhet kështu konsideruar, ndërsa ato i ndërtojnë: „ata që besojnë fuqishëm në Zotin një, dhe në botën tjetër, që falin namazin dhe japin zeqatin, si dhe nuk i frikësohen askujt tjetër përpos Atij. Mu këta janë ata të udhëzuarit drejtë.“ (Teube, 18).
I dashur xhemat i xhamisë së Grenchen-it, si dhe ju të gjithë të pranishëm, pa dashur të zgjatem më tepër, dua ta them edhe një gjë për në fund. Gati të gjithë ne e kemi përjetuar ose mund ta kuptojmë se sa gëzim i madh është kur hapen dyert e një shtëpie. Pra, të një shtëpie, të cilën e dimë se nuk na takon neve gjithmonë dhe se, siguri dhe rahati, na ofron vetëm në dynja. Me këtë rast, dua që t’ju them, punoni dhe kontribuoni pa hesap në këtë shtëpi të Zotit që keni ndërtuar, se ka me u dhënë siguri dhe rahati edhe në dynja, edhe në Ahiret.
Paçi bekimet dhe ndihmën e All-llahut të Madhërishëm sot e mot, përgjithmonë. Mirë u pafshim në raste të tjera, e sa më shpejt t’ju gëzohemi sukseseve dhe hapërimeve të mëtutjeshme të përparimit dhe lartësimit tuaj.
Me shume selame të sinqerta!
Comments