Most read

Statuti

DAIGS 

DACHVERBAND DER ALBANISCH-ISLAMISCHEN GEMEINSCHAFTEN IN DER SCHWEIZ UNION DES COMMUNAUTÉS ISLAMIQUES ALBANAISES EN SUISSE UNIONI I BASHKËSIVE ISLAME SHQIPTARE NË ZVICËR 

STATUTI 

2017 

PËRMBAJTJA: 

  1. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME ………………………………………………………………………………………. 3 
  2. ANËTARËSIA …………………………………………………………………………………………………………………… 4 
  3. MJETET FINANCIARE ……………………………………………………………………………………………………… 6 
  4. ORGANET ………………………………………………………………………………………………………………………… 7 
  5. KUVENDI ……………………………………………………………………………………………………………………….. 7 
  6. KRYESIA ………………………………………………………………………………………………………………………… 8 
  7. REVIZORËT ………………………………………………………………………………………………………………… 10 
  8. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE …………………………………………………. 10 
  1. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME 

Emri dhe selia 

Neni 1 

1.1 Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër (shkurt: UBISHZ) është një shoqatë në kuptim të nenit 60 ff. të Kodit Civil të Konfederatës Zvicerane (ZGB). 

1.2 UBISHZ-ja selinë e saj e ka në Cyrih. 

1.3 UBISHZ-ja është e regjistruar në regjistrin tregtar të Zvicrës. 

Synimet 

Neni 2 

2.1 UBISHZ-ja është Union i bashkësive, shoqatave dhe organizatave islame 

shqiptare që shtrihen në të gjitha kantonet e Zvicrës. 

2.2 Synon ruajtjen dhe avancimin e interesave të anëtarëve të saj në mbarë vendin. 

2.3 Përfaqëson çështjet e anëtarëve të saj në shoqërinë zvicerane e në veçanti pranë institucioneve fetare dhe politike në nivelin federal, kantonal dhe komunal. 

2.4 Veprimtarinë e vet e mbështet në burimet e shëndosha të Islamit, në kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Zvicrës si dhe në këtë statut. 

2.5 Angazhohet për integrim dhe pjesëmarrje aktive të muslimanëve në shoqërinë zvicerane duke e ruajtur integritetin e tyre fetar. Me këtë rast, ai bart qëndrimin e mesëm në interpretimin e Islamit. 

2.6 Ekstremizmi dhe/ose fanatizmi i çdo lloji as nuk tolerohet e as nuk mbështetet nga ana e UBISHZ-së. 

2.7 Angazhohet dhe kërkon respektimin e vlerave të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë si lirinë, barazinë, drejtësinë dhe të drejtat njerëzore. 

2.8 Angazhohet për një bashkëpunim të mirë e të ngushtë me të gjitha organizatat islame në Zvicër, që ndajnë të njëjtën filozofi veprimi me të UBISHZ-së. 

2.9 Angazhohet për një bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e religjioneve dhe kulturave të tjera në vend me qëllim që ta nxisë dialogun dhe mirëkuptimin e Islamit dhe të muslimanëve kundrejt publikut. 

2.10 I ruan marrëdhëniet shpirtërore me Bashkësitë Islame të vendlindjes: Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe Lugina e Preshevës. 

2.11 Nuk ndjek synime politike dhe është shoqatë jofitimprurëse. 

  1. ANËTARËSIA 

Pranimi i anëtarëve 

Neni 3 

3.1 Organizatat ose bashkësitë islame shqiptare në Zvicër, të cilat janë të gatshme të ndjekin synimet e UBISHZ-së dhe të veprojnë nën çatinë e saj, mund të shtrojnë kërkesë për anëtarësim. Kërkesa me shkrim i drejtohet kryesisë së UBISHZ-së. 

3.2 Bashkë me kërkesën me shkrim për anëtarësim organizata në fjalë i emëron edhe dy përfaqësues/delegatë të saj për në UBISHZ: imamin dhe një anëtar kryesie. Secila anëtare ka të drejtë që në çdo kohë ta shkarkojë përfaqësuesin e saj civil, jo edhe imamin, dhe në vend të tij ta caktojë një përfaqësues të ri. Xhamitë që nuk kanë imam të punësuar, përfaqësohen me dy anëtarë kryesie të organizatës së tyre. 

3.3 Kryesia e analizon kërkesën në fjalë dhe ia paraqet kuvendit në takimin e parë të radhës me propozimin e vet të arsyetuar. Kuvendi pastaj vendos për kërkesën, me këtë rast pranimi në anëtarësi kërkon pëlqimin e më së paku 2/3 të kuvendarëve të pranishëm me të drejtë vote. Refuzimi eventual duhet të arsyetohet me shkrim. Dorëheqja ose largimi 

3.4 Largimi i një organizate a bashkësie nga UBISHZ-ja mund të bëhet me një afat 6 mujor para përfundimit të vitit kalendarik. 

3.5 Largimi duhet t’i drejtohet kryesisë së UBISHZ-së me letër rekomanduese. 

3.6 Kompensimi apo rikthimi i tërësishëm ose i pjesshëm i anëtarësisë tanimë të paguar nga organizata që jep dorëheqje, nuk mund të realizohet. 

Përjashtimi 

3.7 Një organizatë apo bashkësi islame mund të përjashtohet me efekt të përnjëhershëm bazuar në një vendim konkret të kuvendit të UBISHZ-së, nëse: 

1) organizata në fjalë nuk i plotëson detyrimet statutare, sidomos pagesën e anëtarësisë vjetore, edhe pas dy vërejtjeve me shkrim, 2) ajo pa arsye nuk merr pjesë radhazi në dy mbledhje të kuvendit, 3) ajo vepron në kundërshtim me interesat e UBISHZ-së. 

3.8 Vendimi i kuvendit për përjashtim duhet të bëhet me pëlqimin e më së paku 2/3 e kuvendarëve të pranishëm me të drejtë vote. Organizata e theksuar për përjashtim, në këtë mbledhje të kuvendit nuk ka të drejtë vote. 

3.9 Para dhe gjatë marrjes së vendimit për përjashtim nga ana e kuvendit, organizatës në fjalë duhet t’i mundësohet e drejta e dëgjimit juridik. Kryesia e UBISHZ-së në raste të këtilla para se të mbahet seanca e kuvendit mund ta ftojë organizatën në fjalë të deklarohet rreth arsyeve të përjashtimit. 

3.10 Kryesia e UBISHZ-së ka të drejtë që para se kuvendi të vendosë për përjashtimin e një organizate, këtë organizatë ta suspendojë deri në mbajtjen e mbledhjes së radhës së kuvendit, nëse konstaton se janë përmbushur arsyet për përjashtimin e saj. Gjatë kohës së suspendimit organizata në fjalë nuk ka të drejtë vote në kuvend dhe nuk mund të bashkëveprojë në punët e UBISHZ-së. 

3.11 Anëtarët e larguar vetvetiu apo të përjashtuar, me përfundimin e anëtarësimit të tyre në UBISHZ, i humbasin të gjitha të drejtat dhe obligimet e tyre. Pas kësaj ata nuk mund të pretendojnë asnjë të drejtë në pronën e UBISHZ-së. 

3.12 Anëtarësimi i një organizate përfundon në mënyrë automatike me mbylljen, likuidimin apo përfundimin për çfarëdo arsye të tjera të ekzistimit të saj. 

3.13 Në qoftë se një organizatë shkrihet në një organizatë tjetër, e cila nuk është anëtare e UBISHZ-së, përfundon anëtarësimi i saj po ashtu me shkrirjen definitive, pa marrë parasysh nëse organizata në fjalë në këtë shkrirje fiton rol dominues ose të dominuar. 

3.14 Një organizatë anëtare e UBISHZ-së mund të jetë anëtare edhe në ndonjë shoqatë a organizatë tjetër islame këtu në Zvicër, me kusht që organizata e tretë të ndajë synime dhe filozofi të përafërt me të UBISHZ-së. Nëse ky kusht nuk plotësohet, atëherë kërkohet nga organizata anëtare e UBISHZ-së të përcaktohet për njërën prej tyre. 

Autonomia e anëtarëve 

3.15 Secila organizatë a bashkësi anëtare e UBISHZ-së, sa i takon organizimit dhe menaxhimit (sidomos të financave) të saj të brendshëm, mbetet plotësisht autonome. 

3.16 UBISHZ-ja nuk mund të mbahet përgjegjëse në asnjë formë për veprimet e papërgjegjshme të organizatave anëtare të saj. 

Detyrimi i lojalitetit dhe i informimit 

3.17 Secila organizatë a bashkësi anëtare e UBISHZ-së obligohet: 

3.17.1 ta respektojë statutin e UBISHZ-së dhe të veprojë nën çatinë e saj, 3.17.2 t’i çojë në vend në mënyrën më të mirë të mundshme vendimet e marra nga ana e kryesisë ose e kuvendit të UBISHZ-së, 3.17.3 t’i paguajë në kohë kontributet vjetore të anëtarësisë (në 3 muajt e parë të vitit kalendarik), 3.17.4 ta informojë me kohë dhe me shkrim UBISHZ-në për çdo ndryshim të statutit të saj, të shkrirjes/fuzionimit eventuale në ndonjë organizatë tjetër si dhe ndryshimet në strukturën e kryesisë së saj. 

  1. MJETET FINANCIARE 

Burimet financiare 

Neni 4 4.1 UBISHZ-ja financiarisht nuk varet nga asnjë organizatë e vendit apo nga jashtë. 

4.2 UBISHZ-ja financohet kryesisht nga: 

1) kontributet vjetore të anëtarësisë, 2) donacionet/dhuratat e pakushtëzuara, 3) testamentet dhe trashëgimitë, 4) një pjesë e kontributeve fetare si zekati, sadakatul-fitri etj., 5) të ardhurat nga organizimet dhe aktivitetet personale. 

4.3 UBISHZ-ja nuk pranon donacione/dhurata nga persona a organizata të dyshimta. 

Lartësia e kontributeve të anëtarësisë 

4.4 Lartësinë e kontributeve vjetore të anëtarësisë e cakton kuvendi i UBISHZ-së. 

4.5 Për projekte që kushtojnë më pak se 10’000.- Fr. kryesia ka të drejtë të veprojë e pavarur. Kurse për projektet që kushtojnë mbi 10’000.- Fr. kryesia paraprakisht duhet të marrë pëlqimin e kuvendit të UBISHZ-së. 

4.6 Viti i shoqatës korrespondon me vitin kalendarik. 

Garancia 

4.7 Për obligimet e veta UBISHZ-ja përgjigjet ekskluzivisht vetëm me pasurinë e vet. 4.8 Prona dhe pasuria private e anëtarëve përjashtohet nga përgjegjësitë e UBISHZ-së. 

  1. ORGANET 

Neni 5 5.1 Organet e UBISHZ-së janë: 1) Kuvendi, 2) Kryesia, dhe 3) Revizorët. 

  1. KUVENDI 

Neni 6 6.1 Kuvendi i të gjithë anëtarëve të UBISHZ-së është organi më i lartë normativ i saj. 

6.2 Kuvendin e përbëjnë imamët si dhe nga një anëtar kryesie i bashkësive apo qendrave islame shqiptare në Zvicër që janë anëtarë të UBISHZ-së. Xhamitë që nuk kanë imam, përfaqësohen me dy anëtarë kryesie. Në mbledhjet e Kuvendit marrin pjesë edhe anëtarët e kryesisë si dhe revizorët e UBISHZ-së me të drejtë vote. 

6.3 Mandati i kuvendarëve zgjat katër vjet me të drejtë për rizgjedhje. 

6.4 Kuvendi ka kryetarin dhe nënkryetarin e tij, të cilët duhet ta kenë të kryer së paku një arsim të mesëm (gjimnaz etj.) dhe të cilët zgjidhen nga mesi i anëtarëve të kuvendit. Mandati i kryetarit dhe nënkryetarit të kuvendit zgjat katër vjet me të drejtë edhe për një rizgjedhje. 

6.5 Kryetari, në mungesë të tij nënkryetari, udhëheq mbledhjet e kuvendit. 

6.6 Kuvendi thirret aq shpesh sa ka nevojë veprimtaria e UBISHZ-së, por më së paku një herë në vit. 

6.7 Kuvendi thirret nga kryesia e UBISHZ-së me kërkesë: të kryetarit të kuvendit; të kryetarit të kryesisë; të shumicës së anëtarëve të kryesisë ose të 1/5 së anëtarëve të kuvendit të UBISHZ-së. Ftesa bëhet me shkrim, duke ia bashkëngjitur edhe rendin e ditës, në afat prej 15 ditësh para mbajtjes së kuvendit. 

Neni 7 7.1 Kuvendi ka këto kompetenca: 

1) ndryshon dhe miraton statutin e UBISHZ-së, 2) vendos për anëtarësimin e ndonjë organizate të re, 3) zgjedh, resp. shkarkon kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit, 4) përcakton numrin dhe zgjedh, resp. shkarkon anëtarët e kryesisë, 5) përcakton numrin dhe zgjedh, resp. shkarkon revizorët, 6) propozon dhe miraton rregulloret e posaçme për punën e organeve të UBISHZ-së, 7) jep udhëzime dhe sugjerime për punën e kryesisë dhe të revizorëve, 8) miraton raportin dhe llogarinë vjetore, 9) miraton buxhetin vjetor të propozuar nga kryesia, 10) cakton lartësinë e kontributit vjetor të anëtarësisë, 11) miraton projektet e kryesisë që kushtojnë më shumë se 10’000.- Fr., 12) krijon komisione të përhershme dhe/apo të përkohshme për punë të caktuara të kryesisë, 13) sjell vendime – në përputhje me ligjet e Zvicrës – për të gjitha çështjet tjera që nuk janë paraparë me këtë statut. 14) vendos dhe miraton shpërbërjen e UBISHZ-së sipas nenit 12. 7.2 Kuvendi vendimet për propozimet e anëtarëve të kuvendit, të kryesisë, dhe të revizorëve i sjell me shumicë të thjeshtë votash. Në rast të barazimit të votave kryetarit të kuvendit i njihet vota e dyfishtë. 

7.3 Anëtarët (secila bashkësi a organizatë) kanë nga dy vota. E drejta e votës ushtrohet përmes dy delegatëve: imamit dhe anëtarit të kryesisë së bashkësisë apo qendrës. Bashkësitë apo qendrat islame që nuk kanë imam të punësuar, përfaqësohen nga dy anëtarë të kryesisë së tyre. 

7.4 Anëtarët e kuvendit punën e tyre e kryejnë pa pagesë. 

  1. KRYESIA 

Neni 8 8.1 Kryesia është organi ekzekutiv i UBISHZ-së. Numrin e anëtarëve të saj e përcakton sipas nevojës dhe ata i zgjedh, respektivisht i shkarkon kuvendi. 

8.2 Për anëtarë kryesie mund të zgjidhen vetëm përfaqësuesit e organizatave ose bashkësive islame anëtare të UBISHZ-së. 

8.3 Kuvendi e zgjedh kryetarin dhe anëtarët tjerë të kryesisë, kurse konstituimin e brendshëm e bëjnë vetë anëtarët e kryesisë. 

8.4 Kryesia ka: kryetarin, nënkryetarin, sekretarin, arkëtarin, kontabilistin, referentë për sektorë të ndryshëm si dhe zëdhënësin për mediat. 

8.5 Punët e kryesisë i udhëheq kryetari. Në mungesë të kryetarit, atë e zëvendëson nënkryetari. 

8.6 Kryetar zgjidhet personi që së paku ka të kryer arsimim superior (fakultet) islam, që e njeh mjaftueshëm një gjuhë të vendit dhe që ka përvojë pune së paku pesë vjet si nëpunës fetar në Zvicër. 

8.7 Mandati i anëtarëve të kryesisë zgjat katër vjet me të drejtë rizgjedhjeje deri në dy herë. 

Neni 9 9.1 Kryesia i kryen këto detyra: 

1) i kryen punët e UBISHZ-së dhe e përfaqëson atë në publik, 2) zbaton vendimet e kuvendit të UBISHZ-së, 3) kujdeset për realizimin e plotë dhe konsekuent të synimeve të UBISHZ- së, 4) siguron mjetet financiare për funksionimin e UBISHZ-së, 5) udhëheq racionalisht me pasurinë e UBISHZ-së dhe mban kontabilitet, 6) propozon buxhetin dhe bën llogarinë vjetore të UBISHZ-së, 7) me kërkesë të kryetarit të kuvendit, të kryetarit të kryesisë, të shumicës së anëtarëve të kryesisë ose të 1/5 së anëtarëve të kuvendit të UBISHZ- së, kryesia fton mbledhjet e rregullta dhe të jashtëzakonshme të kuvendit, 8) paraqet raport dhe program vjetor për punën e vetë në kuvendin e UBISHZ-së, 9) i propozon kuvendit krijimin e komisioneve të përhershme dhe/apo të përkohshme për punë të caktuara të saj, 10) ka të drejtë të angazhojë njerëz kompetentë për realizimin e projekteve ose kryerjen e punëve të caktuara të saj që kërkojnë aftësi dhe zotësi të veçanta. Këta paguhen dhe janë përgjegjës para kryesisë së UBISHZ-së. 11) Jep mendimin me shkrim për pranimin e imamëve të rinj shqiptarë në Zvicër. 

Neni 10 

10.1 Kryesia mban mbledhje aq shpesh sa këtë e kërkon nevoja, më së paku një herë në çdo tre muaj. Mbledhjet e saj i fton kryetari me kërkesë të vet ose me kërkesë të më së paku 3 anëtarëve të kryesisë. Mbledhjet i udhëheq kryetari, kurse në mungesë të tij, nënkryetari. 

10.2 Vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash, me këtë rast secili anëtar kryesie ka të drejtë një votë. Në rast të barazimit të votave kryetarit i njihet vota e dyfishtë. Kryesia mund të sjellë vendime në rast se të pranishëm janë së paku gjysma e të gjithë anëtarëve të kryesisë. Vendimet mund të merren edhe me shkrim përmes postës normale ose asaj elektronike. Edhe vendimet e këtilla duhet të protokollohen. 

10.3 Për secilën mbledhje të kryesisë mbahet procesverbal në gjuhën gjermane nga ana e sekretarit dhe i njëjti arkivohet. 

10.4 Dokumentet zyrtare të UBISHZ-së nënshkruhen gjithnjë nga dy persona: kryetari dhe një anëtar i kryesisë 

10.5 Anëtarët e kryesisë punën e tyre e kryejnë pa pagesë. Atyre u kompensohen vetëm harxhimet e rrugës, postare dhe të tjerat që kanë të bëjnë me punët e UBISHZ-së. 

  1. REVIZORËT 

Neni 11 

11.1 Kuvendi i UBISHZ-së e cakton numrin e revizorëve dhe i zgjedh ata për një periudhë dyvjeçare. 

11.2 Revizorët mund të zgjidhen nga mesi i delegatëve të kuvendit ose edhe nga njerëz të jashtëm që janë kompetentë për këtë punë. 

11.3 Revizorët e kontrollojnë llogarinë vjetore dhe për këtë i raportojnë me shkrim kuvendit. 

  1. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE 

Neni 12 

12.1 Ndryshimi dhe plotësimi i këtij statuti bëhet vetëm në kuvend me vendim të 2/3 e kuvendarëve të pranishëm. 

12.2 Shuarja eventuale e UBISHZ-së mund të bëhet vetëm në mbledhje të jashtëzakonshme të kuvendit, e cila thirret vetëm për këtë çështje dhe me lajmërim të vendimit të propozuar së paku 1 muaj përpara. Për këtë nevojitet prania e më së paku 2/3 të kuvendarëve dhe me së paku vota e shumicës absolute të kuvendarëve. 

12.3 Në rast shuarjeje, pasuria ekzistuese e UBISHZ-së i dhurohet ndonjë organizate islame në Zvicër, e cila ndjek synime dhe filozofi të përafërt me të UBISHZ-së. Për këtë vendos kuvendi. 

12.4 Gjuhë komunikimi brenda UBISHZ-së është shqipja, sipas nevojës edhe ndonjë gjuhë tjetër, ndërsa dokumentacioni mbahet vetëm në gjuhën gjermane. 

12.5 Në rast të mosmarrëveshjeve midis organeve të ndryshme të UBISHZ-së mund të angazhohet një gjykatë arbitrazhi në qytetin e Cyrihut. Vendimet e kësaj gjykate janë përfundimtare. 

12.6 Për të gjitha çështjet tjera që nuk janë përmendur në këtë statut vlen e drejta civile zvicerane (ZGB). 

12.7 Ky statut hyn në fuqi në datën e miratimit nga ana e kuvendit. 

Miratuar në Wil, më 10.12.2017 

Go to TOP