Most read

Pse njerëzve të mirë ju ndodhin sprova dhe gjëra të këqija?

I nderuar xhemat!

Vëllezër të shtrenjtë, nga ajeti i lexuar në fillim, Allahu xh.sh. na e bënë të qartë dhe në mënyrë direkte se përse jemi krijuar: “Nuk i kam krijuar xhinnët dhe njerëzit për tjetër veçse të më adhurojnë Mua.” (Edh-Dharijat, 56). Nga ky ajet kuptojmë se qëllimi kryesor dhe elementar i krijimit tonë është që ne ta njohim Zotin dhe ta adhurojmë vetëm Atë.

Nga ana tjetër, jeta, përveç që na ofron mundësinë e të qenit robër të mirë të Zotit, ngandonjëherë ajo na sfidon me vështirësi të ndryshme. Shpesh, nga sprovat që mund të na godasin, pyesim veten nëse jemi njerëz të mirë apo jo? Ose thënë më origjinal: Pse njerëzve të mirë ju ndodhin sprova dhe gjëra të këqija?

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është kjo: Njerëzve të mirë, besimtarëve të drejtë, asnjëherë nuk ju ndodhin gjëra të këqija. Në bazë të botëkuptimit islam, çfarëdo që t’i ndodh besimtarit apo besimtares, ajo është e mirë për të dhe assesi e keqe. Ndoshta dikush me çudi mund të pyes se si është e mirë për dikë kur humbë më të dashurin, sëmuret, apo mbetet pa shtëpi dhe pasuri? Ose për dikë tjetër si mund të jetë fatkeqësi kur arrin të fitojë një vend pune, të fitojë para apo të arrijë diç tjetër profitabile?

Për t’i dhënë një shpjegim kësaj, ne themi: Problemi i kësaj është te vetë definicioni i së mirës dhe së keqes. Pra, çfarë është sukeses dhe çfarë dështim? Nga aspekti islam, sukses është gjithçka që na orienton dhe na mbanë në rrugën e adhurimit të Zotit, pra te qëllimi i krijimit, kurse dështim është e tërë ajo që na largon nga qëllimi i krijimit tonë.

Me fjalë të tjera, suksesi ynë nuk varet nga arritjet dhe privilegjet në dunja, e as nuk është dështim kur humbim diç nga ajo. Sot, për fat të keq, njerëzit e kanë ngatërruar definicionin e së mirës dhe së keqes. Prandaj dhe sot dëgjojmë që lakuriqësinë ta mësojmë si si art, mashtrimin si aftësi, vjedhjen si zotësi, gënjeshtrën si oratori, sëmundjen dhe sprovën si fatkeqësi, modestinë si dobësi, fetarësinë si demode, etj..

Vetë Muhammedi a.s. thoshte: “Jam çuditur me çështjen e besimtarit. E gjithë çështja e tij është e mirë dhe kjo nuk ndodh vetëm se me besimtarin. Kështu, nëse i ndodh ndonjë gëzim apo e mirë, falënderon, gjë që është mirë për të. Ndërkaq, nëse e godet ndonjë gjë e keqe, ai duron dhe kjo është, përsëri, mirë për të. (Imam Muslimi)

Ja pra, besimtari, sukseset dhe mossukseset në jetë, i sheh me dritën e qëllimit të krijimit të tij: gjithçka në jetë që e afron me Zotin, e konsideron sukses dhe të mirë, dhe gjithçka që e largon nga Ai, e konsideron humbje dhe të dështuar.

Allahu xh.sh. na bëftë prej të tillëve që të ecim rrugës së paqes, të sigurisë dhe suksesit të vërtetë, duke mos harruar qëllimin e krijimit dhe të ekzistencës sonë.

hfz. Mehas Alija

12.11.2020, e premte

Xhamia El-Hidaje në St.Gallen

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP