Most read

Islami përballë terrorizmit

Hoxhë Nehat Ismaili

Kujt i shërben terrorizmi? Kush dëshiron që problemet e Lindjes së Mesme t’i transferoj në botën perëndimore? Kush dëshiron që t’i etiketojë shqiptarët e proviniencës islame si terroristë? A janë muslimanët fetarë terroristë?

Këto pyetje dhe shumë të tjera kanë nevojë për përgjigje të sinqertë, të qartë, objektive, larg improvizimit, spontanitetit dhe subjektivizmit. Kush e krijoi terrorizmin? A është terrorizmi sajesë fetare apo sajesë e industrisë politike e monarkive të korruptuara dhe sistemeve politike të brishta totalitare arabe? Apo është sajesë e oligarkëve ndërkombëtarë në mënyrë që të ushtojnë ndikim politik dhe ekonomik ndaj vendeve të caktuara për arsye korruptive?

Këto pyetje kanë nevojë për përgjigje shkencore, të dokumentuara dhe objektive, por shtypi i sotshëm shpesh herë është i njëanshëm dhe në momente të caktuara ndjell frigën nga islami se gjoja është një fe e cila kërcënon kulturën perëndimore. Prandaj sot kemi përgjigje të përgatitura paraprakisht nga disa cionistë arab, orientalistë fanatikë dhe sekularistë ekstremistë, dhe ka përpjekje të vazhdueshme për të heshtur mendjet e pavarura të proviniencës muslimane siç bënë më herët me Roger Garaudy dhe shumë të tjerë (në nivel të organizatave, instituteve dhe akademive shkencore islame me renome botërore) të cilët diskutojnë me botën perëndimore në mënyrë objektive dhe me një diskurs të avansuar politik, intelektual dhe shkencor.

Në anën tjetër, terroristët me krimet e tyre të tmerrshme nën “flamurin e Islamit”, kishin vënë në shënjestër burra, gra dhe fëmijë muslimanë, Ata tmerruan gjithë rajonin e botës arabe duke egzekutuar dhe prerë kokat e muslimanëve para kamerave televizive të shoqëruara me thirrjen Allahu Ekber dhe me imazhe rrënqethëse për të ndjellur bindjen se ky është islami i vërtetë, i cili nuk pranon dialog me tjerët pos me tehun e shpatës dhe se politikat globale duhet urgjentisht të merren me këtë çështje për të shpëtuar botën nga tragjedia e mëtejme e njerëzimit. Këto pamje ishin të përditshme pothuajse në botën arabe, që ishte përkeqardhje. U rrënuan shtete të tëra, u vranë qindra mijëra njerëz, miliona të tjerë lanë vatrat e tyre dhe u tretën si rrefugjatë nëpër botë etj. Këto skena të dhimbshme ishin përkeqardhje por dorën në zemër asnjëherë nuk kishim menduar se ajo e keqe do të vijë edhe në Perëndim. Ne sot jemi dëshmitarë të akteve të tilla terroriste edhe në kryeqendrat europiane, dhe muslimanët jetojnë me ankth, sepse pas çdo sulmi terrorist, sikur vihen në shënjestër, janë të dyshuar, ndihen të pafuqishëm për të parandaluar këtë të keqe dhe në të shumtën e rasteve nuk dijnë çfarë po ndodh.
Studimet e fundit të qendrave hulumtuese serioze rezultojnë që shumica e të rinjëve europianë të besimit islam që përfunduan në vatrat e luftës nuk janë fetarë, ose fare pak janë fetarë, madje ata vijnë nga familje që shumë pak kanë njohuri mbi islamin. Më tepër është çështje e margjinalizimit në shoqëritë e tyre përkatëse, egzistimi i ndenjës së inferioritetit, diskriminimi social, ashpërsia e tjetërsimit psikologjik midis të rinjëve, mungesa e vlerave, e etikës dhe mësimeve fetare si rezultat i vakumit shpirtëror të ndikuar nga shumë faktorë bashkëkohorë.

Me shumë keqardhje duhet të themi që nocioni “ terrorizëm islamik” i propaganduar nga qarqe qëllimkëqija këtë gënjeshtër tinëzare e kontrabanduan dhe e besuan të gjithë në perëndim në ndërkohë muslimanët kanë bërë shumë përpjekje dhe kanë harxhuar shumë energji dekadave të fundit dhe pas çdo akti terrorist duke e gjykuar në formë të deklaratave publike, përmes distancimit dhe shumë herë duke e mbrojtur islamin nga akuzat që i mvishen padrejtësisht si fe e terrorizmit. Është koha që muslimanët të reflektojnë dhe të ekspozojnë qëllimet e këqija të terrorizmit si dhe të fushatave sistematike agresive mediatike që patën sukses në krijimin e opinionit të rrejshëm duke ndjellë frikë nga islami, përmes pasqyrimit të imazheve më brutale dhe barbare me ç’rast arritën të t’merrojnë të rinjtë, fëmijët, gratë dhe burrat në botë nga kjo fe.

Në epokën e globalizmit zhvillohen debate në nivele të kulturave dhe civilizimeve, është një pazar ku secili e nxjerr mallin e vet për ta shitur. Andaj, sot më shumë se kurrë duhet armatosur me arsye dhe inteligjencë. Fatkeqesësisht, disa predikues fetar në relacion me kulturat dhe religjionet tjera po përballen me një gjuhë emocionale larg arsyes dhe zgjuarsisë. Është imperativ i kohës që duhet të kuptojmë gjuhën e epokës sonë, gjuhën e komunikimit, të arsyes dhe argumentit. Ju nuk mund të përballeni me tjerët pa «armë» dhe «arma» e kësaj epoke është « mënyra e të menduarit» dhe kush nuk e ka këtë armë është i mposhtur që në fillim në fushbetejë. Piskamat në rrjetet sociale, të qajturit para xhematit, rrëfimet emocianale, kapja pas së kaluarës së lavdishme të civilizimit islam në këtë periudhë kohore janë të papranueshme dhe nuk pinë ujë.

A duhet Perëndimi të frikësohet nga Islami?! Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë! Sepse është një fe që nuk bie ndesh me instinktet, nuk bie ndesh me abc-në e logjikës së shëndoshë, nuk mbart në vetvete kontradikta intelektuale dhe nuk është jashtë kontekstit kohor dhe vendor, por ka karakteristikën e ripërtëritjes dhe zhvillimit, dhe ka një hapësirë të madhe për t’u përshtatur me ndryshimet pa humbur karakteristikat e saj si një fe hyjnore. Kombinon statikën me fleksibilitetin, hyjnoren me njerëzoren, arsyen me frymën e shenjtë, dhe për këtë nuk pranon ngecje, por përkundrazi ka karakteristikën e zhvillimit, dhe prej këtu ka arritur të tërheqë mendje të mëdha nga gjitha anët e botës. Islami është një fe larg krizës, ai ka përgjigje racionale për krizat, dhe ka një forcë të jashtëzakonshme për të jetuar me të gjitha rrethanat pa humbur origjinalitetin, dhe kjo është ajo që e bëri fenë e vetme që mund të tërheqë mendjet e hutuara në kohë të ndryshme.

Edhe pse Islami filloi në Gadishullin Arabik, ai nuk mbart frymë nomade, sepse nuk është një fe lokale prandaj u përhap në të gjithë botën. Fetarizmi mund të ngjyroset me kulturën lokale, por Islami e tejkalon këtë karakter, sepse nuk është produkt njerëzor, ndonëse ai ka zënë një hapësirë të madhe në prodhimin e trashëgimisë njerëzore në emër të civilizimit islam.

Andaj intenca e kohëve të fundit për një islam allafrënga përmes diktateve politike është kundërproduktive. Por një kuptim i saktë, i duhur dhe i veçantë mund të bëhet për muslimanët në Perëndim, dhe këtë po përpiqen të bëjnë organizatat muslimane në Perëndim dhe institute të specializuara nga mendjet më të ndritura të proviniencës muslimane nëpërmjet udhëzimeve dhe decizioneve juridike (ar.fetva) në botën perëndimore.

Çdo periudhë kohore ka të kuptuarit të veçantë të fesë, çdo moment ka burra që shfaqen në mbrojtje të vlarave universale të njeriut, në çdo epokë ka heronjë, kjo periudhë është predikuesve dhe dijetarëve me pikëpamje dhe sfond reformist, të tillët po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të ripërtrijnë frymën dhe thelbin e fetarisë, të tillët janë që përballen me fetarinë e gabuar dhe tendencën për tjetërsimin e islamit nga tjerët me mençuri, durim dhe dinjitet.

AARBURG, 27.11.2020

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP