Most read

Çlirimi i Mekes – fitore e shumëfishtë

Bashkim Aliu

Çlirimi i Mekes është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë islame e cila dëshmoi për fitoren e madhe të besimit në një Zot mbi politeizmin, dhe të besës mbi tradhëtinë.

Mekeja është qyteti në të cilin lindi Muhamedi s.a.v.s. dhe aty i zbriti shpallja, e para kësaj, ky qytet u formua nga dy njerëz të lavdishëm të historisë islame, Ismaili paqa e Allahut qoftë mbi të dhe nëna e tij Haxhereja, Allahu e mëshiroftë. Allahu i Madhërishëm e urdhëroi Ibrahimin a.s. që ta dërgojë Haxheren dhe Ismailin në këtë luginë e cila më pas do të banohet dhe aty do të ngritet qyteti i Mekes. Në këtë vend, Allahu e urdhëroi Ibrahimin paqa e Allahut qoftë mbi të, që ta ndërtojë Qaben, faltoren në të cilën do t’i bëhet adhurim vetëm Allahut Nji e të pashok.

Mirëpo, me kalimin e kohës besimi i pastër u ndryshua nga njerëzit, ashtu që në këtë qytet dhe faltore të besimit të vërtetë në Allahun nji, u sollën idhuj dhe statuja të cilët besoheshin përskaj Allahut të Madhërishëm.

Muhamedi s.a.v.s. e filloi misionin në këtë qytet, dhe Mekeja është djepi i shpalljes. Por, banorët e saj mosbesimtarë u treguan shumë të ashpër ndaj thirrjes islame dhe muslimanëve, ashtu që Muhamedi s.a.v.s. bashkë me muslimanët, me lejen e Allahut, u larguan nga Mekeja dhe u shpërngulën në Medine, duke ngelur edhe më tutje Mekeja bastion i fortë i idhujtarëve në Gadishullin Arabik.

Së këndejmi, qyteti i besimit të vërtetë, duhej çliruar nga mortaja e idhujtarisë dhe duhej dhënë fund dhunës e terrorit që mbi njerëzit ushtronin krerët e tërbuar të idhujtarisë në Mekë, duke mos lënë hapësirë për banorët e saj që të mendojnë se a është e logjikshme të vazhdohet në këtë besim të trashiguar idhujtarë i cili ishte i prishur në thelb. Nga ky qytet, lansohej vetëm e keqja dhe tradhëtia, izolimi dhe shpifjet, dehumanizimi i njeriut dhe imitimi i verbër. Së këndejmi, ishte më se e nevojshme që të çlirohet Mekeja nga idhujtaria dhe plangprishësit idhujtarë.

Shkas i drejpërdrejtë i marshimit të ushtrisë islame për në Mekë, në muajin Ramazan të vitit të tetë të hixhretit, shënohet tradhtia dhe shkelja e besës nga ana e aleatëve të idhujtarëve mekas, në bashkëpunim me vetë ata. Me fjalë tjera, edhe pse në Hudejbije muslimanët dhe mekasit idhujtarë kishin bërë marrëveshje për armëpushim dhe mossulmim të njëri-tjetrit dhe të aleatëve të tyre, aleatët e mekasve, pas konsultimit me ta, i sulmuan aleatët e muslimanëve duke vrarë e plagosur disa prej tyre. Me këtë veprim, ata i dhanë fund marrëveshjes me tradhëti. Për këtë shkas, i dërguari i Allahut s.a.v.s. nisi me ushtrinë e tij për në Mekë dhe pa telashe e rezistencë të theksuar e çliroi Meken në muajin Ramazan.

Çlirimi i Mekes është një oqean i madh mësimesh, porosishë, domethëniesh e mesazhesh madhore, e ne me këtë rast do të përmendim si vijon:

-Çlirimi i Mekes është një nga momentet më të rëndësishme në histori, pasi me të iu dha grushti i fundit dhe më i fortë idhujtarisë, duke e çrrënjosur njëherë e përgjithmonë nga toka e shenjtë e Mekes. Në këtë ditë, bota pari rast ta shohë fuqinë e muslimanëve dhe ngadhnjimin e tyre mbi politeizmin, i cili në këtë rast është sinonim i tërë ideologjive tjera, ndërkaq çlirimi i Mekes paraqet dominimin e Islamit mbi to gjatë tërë historisë.

-Çlirimi i Mekes për banorët e saj agoi me kaltërsinë e një mëngjesi që vuri pikë në historinë e kaluar të këtij qyteti. Me këtë akt, gjegjësisht ditën kur u kthye Pejgamberi s.a.v.s. në Meke, këtij qyteti iu kthye nuri dhe buzëqeshja që e kish humbur më parë nga mbrapshtitë e idhujtarëve dhe shndërrimin e saj në qendër të besimit të tyre të errët. Në këtë ditë, banorët e këtij vendi në veçanti, kurse arabët në përgjithësi, iu kthyen vetes dhe të kaluarës së largët të tyre të lavdishme, të cilën e kishin njëllosur. Këtë ditë ata e kthyen famën dhe autoritetin e vet, e ripërtrinë integritetin dhe dinjitetin e vet.

-Çlirimi i Mekes është sinonim i ngadhnjimit pas mundimeve, torturave e vështirësive tjera jetësore, kur ato janë në emër të Allahut të Madhërishëm.
Ky çlirim dhe ngadhnjim i muslimanëve në kohën e Muhamedit s.a.v.s., është vërtetim nga Allahu i Madhërishëm për të gjitha brezat e bijve të këtij umeti në histori se do të jenë ngadhnjimtarë dhe fitues në luftën e tyre kundër të pavërtetës, po sado të fortë të jenë mbështetësit e të pavërtetës dhe sado të ushtrojnë terror dhe dhunë mbi ithtarët e të vërtetës.

Kjo ngjarje paraqet dy kushte të suksesit: ngritjen e zërit kundër të pavërtetës dhe flijimin për idealet e Islamit me të vetmin qëllim:Kënaqësia e Allahut të Madhërishëm; dhe maturia e muxhahidinëve në luftën e tyre, duke ndjekur mundësitë dhe kushtet e veprimtarisë në aksionet e tyre, pasi këtë e gjejmë në vetë jetën e Pejgamberit s.a.v.s., i cili një herë filloi fshehurazi, pastaj doli haptazi pa i luftuar armiqtë me armë, por pastaj, kur iu ofruan mundësitë me ndihmën e Allahut të Madhërishëm që të themelojë shtet, kaloi në fazën e duelit luftarak.

-Çlirimi i Mekes në Ramazan, ka rëndësi të veçantë, ngase dëshmon se Ramazani nga Pejgamberi s.a.v.s. dhe brezi i artë i muslimanëve, shokët e të dërguarit të Allahut, nuk është kuptuar si kohë e gjumit, përtacisë dhe mosaktivitetit, por në të kundërtën, është kuptuar si muaj i aksionit, aktivitetit, dinamizmit, planifikimit, mobilizimit etj. Ja, në muajin Ramazan ata e çliruan Meken, pra u nisën për duel luftarak. Po ashtu, për në luftë nuk niset pa strategji dhe përgatitje, që do të thotë se në muajin e Ramazanit muslimanët bënin strategji, përgatitje dhe mobilizoheshin për luftë. Krahasoe këtë me gjendjen e muslimanëve të sotëm në kohën e Ramazanit. Mendoj se s’do koment.

Muhamedi s.a.v.s., pejgamber i mëshirës

Muhamedi s.a.v.s. është dërguar mëshirë për njerëzit, dhe kjo veti është mishëruar në jetën e tij. Me këtë demantohen shpifjet e atyre të cilët tentojnë ta paraqesin Muhamedin s.a.v.s. si njeri jo tolerant dhe promotor të dhunës. Allahu i Madhërishëm për Muhamedin s.a.v.s. ka thënë:<< E ne nuk të dërguam ty (Muhamed), përveç se mëshirë për botërat>>[El-Enbija, 107]. Po ashtu, me rastin e çlirimit të Mekes, kjo u pa qartë në praktikë, si që u pa edhe në shumë raste tjera. Në disa nga përmbledhjet e hadithit dhe në librat e histories islame [shih: Ibn Kajjim, Zadu-l-Mea’d, vëll.III, f.408], qëndron se kur hyri në Mekë, i dërguari i Allahut s.a.v.s. i tuboi Mekasit, të cilët deri dje ia kishin bërë atij dhe muslimanëve gjitha ato të këqija, dhe i pyeti: Çka mendoni se do të bëj me ju? Ata i thanë: Ne presim mirë, se ti je vëlla i ndershëm dhe djal i vëllaut të ndershëm. Atëherë, i dërguari i Allahut në mes tjerash u tha: Shkoni jeni të lirë.
Pra, në momentin kur kishte ushtri të madhe dhe fuqi që të hakmerret, i dërguari i Allahut s.a.v.s ua fali kundërshtarëve të deridjeshëm, dhe me këtë tregoi se vërtetë ai ka ardhur mëshirë për njerëzit e nuk ka ardhur për dhunë e terror.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP