Most read

Drejtësia është emri tjetër i besimtarit musliman

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe ‎udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij ‎dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.‎

“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro All-llahun se All-llahu di hollësisht për atë që veproni.” (Maide, 8).

“Drejtësia është e bukur, por edhe më e bukur është kur vjen nga njerëzit që kanë pushtet.” (Dejlemiu)

Xhemat i nderuar, sot do të ndajmë me ju një thirrje tjetër hyjnore, e plotfuqishme dhe aktuale, thirrje kjo që ndjehet sikur të ketë zbritur sot e jo para 15 shekujsh. All-llahu i Madhërishëm, sikur te çdo ajet tjetër, edhe te ky ajet na thërret te vlerat dhe baraspesha në raport me Zotin dhe njerëzit.

Një nga obligimet që Krijuesi i universit ka caktuar për besimtarët është edhe drejtësia. Drejtësia është më e dashur, më e madhe dhe më e çmuar se çdo interes tjetër, madje edhe më shumë se sa vetë familja, miqësia, puna, bashkësia, subjekti politik, etj. Andaj, nëse dikush bënë ndonjë gabim, qoftë ai dikush që e duam apo e urrejmë, besimtari i vërtetë nuk i lejon vetes të sillet në mënyrë të padrejtë me të. Drejtësia është emri tjetër i muslimanit, është sinonim i besimit të tij, që donë të thotë se nuk mund të paramendohet një musliman, që është besimtar i mirë, të jetë i padrejtë, zullumqar dhe mohues i së vërtetës.

Muhammedi a.s. ishte ai i pari që dëshmoi gatishmëri dhe tha fjalët historike në lidhje me respektimin e drejtësisë kur tha: “Sikur edhe e bija ime, Fatmija, të kishte vjedhur, do ta kisha dënuar dhe do ta kisha çuar në vend drejtësinë.”

I dashur xhemat, është shumë lehtë të jesh një njeri i mirë, një qytetar i mirë, një udhëheqës i mirë, një bashkëshort dhe prind i mirë, por të bëhesh i drejtë në pozita të tilla është e vështirë. Kështu edhe Viktor Hygo thoshte: “Të bëhesh i mirë është gjë e lehtë, kurse të bëhesh i drejtë është e vështirë.” Duke e pasur parasysh këtë fakt, feja jonë e bukur i dha vend të veçantë drejtësisë, i ka lartësuar të drejtët dhe, si mos më keq, i ka paralajmëruar zullumqarët.

Ajeti në fjalë vazhdon dhe thotë: “dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë”, pra,për t’u realizuar drejtësia, nuk ka vend paragjykimi dhe urrejtja. Një dijetar i nderuar, imam Sujutiu, në lidhje me këtë pjesë të ajetit, komenton kështu: “Ky ajet ka të bëjë me hebrenjtë, ndaj të cilëve kërkohet që muslimanët të sillen me drejtësi, edhe pse ata vazhdonin të thurnin plane për vrasjen e Muhammedit a.s.” (Ed-Durrul-mensur, 5, 219)

Për në fund dua t’i shtoj edhe këto porosi: Për një musliman që thirret në emër të All-llahut, drejtësia është mënyrë jetese, është stil veprimi, pavarësisht se me kënd komunikon dhe me kë ka punë. Nëse duam siguri sociale dhe prosperitet shoqëror e shtetëror, themel i tërë kësaj është drejtësia. Një shoqëri e drejtë dhe pa fe është më e mirë se një shoqëri fetare dhe pa drejtësi.

All-llahu ynë na e bëj të dashur drejtësinë, ashtu siç na e ke bërë të dashur besimin dhe fenë! Amin!

(Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen të Zvicrës, 20.09.2019)

Comments

be the first to comment on this article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Go to TOP