Most read

Vetëvrasja si një plagë e dhimbshme e shoqërisë sonë

Hoxhë Nehat Ismaili

Zvicër, 16.01.2021

Vetëvrasja është një nga temat më komplekse, më të dhimbshme dhe më shqetsuese në botë, një temë që ka impakt të thellë kulturor dhe shoqëror, e cila merr shumë forma dhe trajta, prek të gjitha shoqëritë, të gjitha grupmoshat dhe të gjitha nivelet kulturore. Studimi i fenomenit të vetëvrasjes kërkon dekonspirimin e jetës së një shoqërie të tërë në të gjitha nivelet fetare, politike, ekonomike, sociale, estetike dhe psikologjike për të njohur detajet e jetës së ndryshme dhe të shumta të individëve.

Fenomeni i vetëvrasjes në shoqëritë perëndimore është studiuar më parë, kështu që gjejmë, për shembull, nga Max Weber, i cili studioi fenomenin e vetëvrasjes në shoqërinë gjermane, zbuloi se vetëvrasja midis çifteve të martuar që nuk kanë fëmijë është më e lartë se ata çifte që kanë fëmijë. Por pyetjet që lindin sot në shoqërinë shqiptare: A është vetëvrasja për shkak të një ndjenje të tepruar inferioriteti për shkak të presioneve materiale dhe imponimit të një rendi jetësor që dëmton dinjitetin njerëzor? Apo vetëvrasja është për shkak të natyrës së shëndetit shoqëror dhe psikologjik të lidhur me sistemin bashkëkohor të konsumit në periudhën e globalizmit?

Jeta bazohet në ekuilibër dhe në një sistem ekonomik, shoqëror dhe kulturor të qenësishëm të njeriut, dhe që mbulon kërkesat materiale, morale dhe shëndetësore të jetës së tij. Vetëvrasja do të thotë zhdukje e këtij ekuilibri nga sistemi i jetës dhe ndjenja e bllokimit të rrugës së jetës, me të cilën personi humb veçorinë dalluese, dhe në të cilën mendja është e barabartë me emocionet dhe është i bindur të heqë dorë nga e drejta për jetë, sepse jeta i është bërë rutinë duke parë vdekjen si mëshirë në mungesë të një shpëtimtari, dhe për të është i parëndësishëm ndikimi negativ dhe traumat që do të shkaktojë vetëvrasja e tij në rrethin familjar.

Struktura e qenies njerëzore si tërësi kërkon angazhimin e njeriut në mënyrë permanente. Besimi fetar u përkujdes për të për të gjitha fazat e jetës, e porositi atë që nga mosha e fëmijërisë të mësoj shkrim leximin, nga mosha madhore të praktikojë lutjet fetare, nga mosha e postadoleshencës të angazhohet aktivitete dhe punë primare, e udhëzoi atë që të njekë një sistem të ekuilibruar të jetës, midis plotësimit të kërkesave të natyrshme për veshmbathje, për t’u ushqyer, për edukim, arsimim, tregti, avansim në jetën profesionale, për të qenë aktor aktiv në jetën sociale, kulturore, politike, si dhe në anën tjetër duke mos harruar asnjëherë aspektin shpirtëror shumë të rëndësishëm, meditim mbi jetën përtej vdekjes, mbi parajsën si një shpërbim madhor dhe qëllim final për një besimtar për shkak të përkushtimit dhe dinjitetit të tij, që veprimtaria e tij ka qenë në përputhshmëri me vullnetin hyjnor të Zotit të Gjithësisë.

Në periudhën moderne, metodologjia e shumicës së individëve bazuar në dritën e lirisë për të përzgjedhur një sistem për jetën individuale sipas organizatave për të drejtat e njeriut, të cilat në shumë raste vendosën qëllime të paqëndrueshme dhe të paarsyeshme, madje të gjitha qëllimet i kufizuan në materializëm dhe estetikë në kurriz të vlerave shpirtërore, dhe si pasojë kemi shumë projekte të dështuara të martesave dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, me çrast funksionimi i strukturës njerëzore shfrytëzohet në mungesë të një të impulsi fetar dhe moral.

Gjithashtu, shkenca ka provuar që sistemi i konsumit ka një impakt në jetën e njeriut, dhe kjo ka shkaktuar përhapjen e sëmundjeve psikologjike dhe organike në ndërkohë në periudhën e fundit janë zbuluar edhe sëmundjet mendore që shumica e njerëzve janë të prekur nga këto simptome të depresionit të thellë dhe sëmundjeve të ndryshme psikologjike, si pasojë një numër i madh i këtyre çregullimeve psikologjike janë vështirë për t’u trajtuar dhe ndonjëherë përfundojnë me vetëvrasje.

Vetëvrasësi arrin në një gjendje të tillë shpirtërore dhe mendore saqë ai nuk e ndjen se ka fëmijë të vegjël nëse është i martuar dhe ka fëmijë, ose prindër apo familje. Ai nuk e ndjen vlerën e tij shpirtërore nëse nuk është fetar dhe nuk e ndjen Krijuesin e tij i cili ndalon të bëjë diçka që dëmton qëllimet nëse nuk është monoteist. Psikika dhe mendja e vetëvrasësit kthehen në një ndjenjë të errët, melankolike të përkëdhelur nga dëshpërimi, zhgënjimi, depresioni, në një gjendje shpirtërore të zymtë e të rënë që është pushtuar nga një trishtim i thellë, i trishtuar deri në palcë, i paaftë për t’i bërë ballë problemeve dhe për të shikuar në ballë realitetin.

Vetëvrasjet në epokën moderne janë shtuar aq tepër saqë shifrat janë alarmante. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë,  bazuar në statistikat e saj në nivel botëror, raporton mbi 800 000 raste në vit nga vetvrasjet në nivel global dhe se vetëvrasja është shkaku i tretë i vdekjes për njerëzit midis moshës 15 dhe 19 vjeç, njëashtu vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme zënë 79% të vetëvrasjeve në botë.[1] Në Shqipëri gjendja është alarmante, dhe sipas burimeve të policisë së shtetit të cilët për revistën «Monitor»konfirmuan se numri i vetëvrasjeve në vitin 2018 në total ka qenë 183 ndërsa i vrasjeve 68, për të mos folur për tentimet e dështuara për vetvrasje që kapin shifra marramendëse.[2]

A ka ndryshuar bota përreth nesh? A mos vallë shija e jetës është bërë e hidhur ndërsa e vetëvrasjes së imponuar është bërë e ëmbël?! Apo kemi hyrë në epokën e modës së vdekjes së papritur në mënyra dhe rrethana misterioze? A i ka ardhur fundi epokës së ambicies dhe ëndrrës për avansim profesional apo jemi të tunduar dhe pushtuar nga serialet kinematografike të jetës bolivudiane të vetë-hakmarrjes si mëkat që shkakton vrasjen dhe vetëvrasjen?! A mos vallë ka vdekur ndërgjegjja jonë?! A mos vallë roli i fesë ka vdekur dhe bashkë me të kanë vdekur edhe vlerat e kulturës në shoqërinë tonë, saqë që dëshira për të bërë vetëvrasje është bërë një çështje normale?

Apo ndoshta ka përfunduar epoka e monitorimit dhe ndjekjes morale të jetës së përditshme të qytetarëve,  të cilët vuajnë nga problemet psiqike, që janë të varuar nga konsumimi i ilaçeve, të cilët kanë nevojë për trajtim dinjitoz dhe monitorim permanent të tyre, për t’ua lehtësuar atyre vuajtjet ekonomike dhe sociale, sidomos në periudhën e pandemisë së koronavirusit por besa edhe pas pandemisë e cila do të shkaktojë shkarje edhe më të thella në shoqëri dhe do të prekë fundin e xhepin e qytetarit të varfër, duke i shkaktuar trauma të mëtejshme.

Në përgjithësi dhe ajo që duket të jetë ndër shkaqet që çojnë në vetëvrasje, dhe të qëndrojnë në disa aspekte në studimin e fenomenit dhe me qasje të ndryshme për të arritur të vërtetën duke filluar nga supozimi se struktura e shoqërisë është indolente dhe painteresuar, ftohje e marrëdhënieve familjare që ka shkaktuar një krizë brenda familjes e cila më nuk është një strehë e ngrohtë dhe e sigurtë, mungesa e shpresës për një të ardhme më të mire në një shoqëri që perceptohet si e rraskapitur dhe dërmuar kulturalisht dhe ekonomikisht, që shkakton depresion dhe kryesisht sëmundje psikologjike, poashtu supozimi se shoqëria është e rezervuar për fenomenet dhe anomalitë e tilla të cilat qëllimisht fshihen dhe heshten, dhe se fenomeni i vetëvrasjes fsheh mjerimin shpirtëror të shoqërisë moderne të ngritur mbi bazën e materializmit.

S’do mend që presionet ekonomike dhe kushtet e këqija materiale kanë një ndikim në jetën e individëve, pasi kostot materiale të konsumit janë rritur në këmbim të shpërndarjes së dobët të pasurisë, mungesës së të ardhurave dhe më pak mundësi pune, e cila ka shkaktuar varfërinë, dhe bashkë me të edhe vështirësinë e jetës dhe vështirësitë për të arritur kërkesat e një jetese të denjë. Vetëvrasja është alarmante edhe në shoqëritë e zhvilluara kapitaliste ku nuk mungojnë luksi dhe komoditeti por si pasojë e konsumimit të substancave narkorike, alkoolit, depresionit të thellë etj.

“O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i mëshirueshëm për ju”. [Kuran 4:29].

Vetëvrasja sipas besimit islam është rreptësisht e ndaluar, është krim i pafalshëm, është turp dhe njollë e zezë për vetvrasësin. Vetëvrasësi jo vetëm që ka vrarë vetveten por me aktin e tij të turpshëm ka vrarë edhe familjen e tij duke u shkaktuar trauma të përjetshme. Vetëvrasja është një nga shtatë mëkatet më të mëdha që shkatrrojnë individin dhe shoqërinë, dhe kjo më së miri pasqyrohet në një thënie të profetit Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të kur shprehet : “ Qëndroni larg shtatë mëkateve shkatërruese për njeriun…Politeizmi ndaj Zotit, vrasja dhe vetëvrasja, ngrënia e pasurisë së jetimit, arratisja nga lufta, shpifja për amoralitet për një grua të ndershme”

Presionet sociale llogariten nga çështjet më komplekse për shkak të lidhjes së tyre me jetën familjare, lidhjet farefisnore, martesat dhe manifestimet e dhunës që rezultojnë në divorc, prishjen e marrëdhënieve që prodhojnë divorc, zhvendosjen e fëmijëve për arsye të parëndësishme, rritjen e dukurisë së tradhëtisë, prishjen e familjeve dhe çregullimin e jetës emocionale dhe seksuale midis individëve si dhe shqetsimin psikologjik dhe shëndetësor.

“Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh”. [Kuran 17:31]

Po ashtu faktor i rëndësishëm është zbrazëtia dhe vakumi shpirtëror, largësia nga njohja e Zotit si Krijuesi i Universit, mosrespektimi i fesë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe mbajtja e rritjes së fëmijëve larg shtegut të qëllimeve më të rëndësishme në jetë, të tilla si ruajtja e shpirtit, ruajtja e fesë, ruajtja e mendjes, ruajtja e pasardhësve dhe ruajtja e kapitalit. Madje shumë individë të painformuar drejtë e konsiderojnë braktisjen e fesë një arsye për të mos mbetur në rrethin e varfërisë e cila nuk ofron zgjidhje materiale për kërkesat e jetës dhe ato e kufizuan funksionin e fesë në adhurim dhe praktikat rituale rutinore … E gjithë kjo mungesë ka krijuar një vakum në jetën e individëve dhe ka tharë marrëdhëniet dhe raportet, ku tërheqja e rëndësishme shpirtërore e individëve dhe mungesa e besimit fetar në jetën e individëve çon në endje, thyerje, humbje të shijes për jetën, si dhe lehtëson që individi të preket nga depresioni dhe dëshprimi, për shkak të ndarjes së qëllimit material në jetë nga qëllimet fisnike dhe fitimit moral.

Krejt në fund, psikologët sygjerojnë dhe të gjithë duhet ta dimë se çrregullimet psikologjike kanë një ndikim shkatërrues në kualitetin e jetës me konsekuenca serioze në nivel personal, emocional, familjar dhe social. Njerëzit me simptome dhe probleme të tilla duhet të konsultohen me profesionistë të shëndetit mendor, dhe të trajtohen pasi neglizhimi dhe injorimi i këtyre simptomeve dhe problemeve në kohë mund të çojë në akte ekstreme si vetëvrasja.

Arsyeja e parë e vetëvrasjes mbetet depresioni, sigurisht që nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë edhe faktorët tjerë. Studimet  OBSH-së në vitin 2018 ngrenë shqetsim dhe i mëshonin këmbanave se depresioni do të jetë sëmundja e shekullit duke lënë në vend të dytë sëmundjet kardiovaskulare.

Përpjekjet për parandalimin e vetëvrasjes kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim të shumë sektorëve të shoqërisë, përfishirë sistemin shëndetsor, sistemin arsimor si dhe rolin e insitutucioneve fetare në vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin e individit dhe shoqërisë.

Besimi në Zot, praktikimi i fesë si dhe meditimi në natyrë janë ilaç më i mirë për shërimin e depresionit dhe parandalimit e vetëvrasjes.

____________________

[1] https://www.who.int/ar/news-room/fact-sheets/detail/suicide

[2] https://www.monitor.al/vetevrasjet-tre-here-me-te-larta-se-vrasjet-shkaqet-dhe-kostot-ekonomike/

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP