Most read

Si e njoha Mulla Jakup Asipin?

Hoxhë Nehat ISMAILI

Unë nuk kam njohur  mendimtar dhe imam shqiptar më të guximshëm se hoxhë Jakup Asipi, Allahu e mëshiroftë! Nuk kam njohur komentues të Kur’anit Fisnik më të zhdërvjelltë, më të sinqertë dhe më inteligjent se Mulla Jakupi. Ai ishte një mendimtar dhe imam me dituri enciklopedike në epokën moderne. Ai nuk kishte përvetësuar ngurtësinë metodologjike në interpretimin e fesë por ishte shumë fleksibil sa i përket materializimit të ideve të tij dhe konvertimit të tyre në programe praktike dhe vizione politike. Ishte një intelektual me një nivel të lartë profesionalizmi, e kjo vërehej sidomos gjatë interpretimit të teksteve të kuranit fisnikit që tek njeriu krijojnë ndjesinë sikur lundronte nëpër oqeane. Idetë dhe mendimet e tij ishin cilësore, ndonëse ai nuk la shumë libra pas vetes shkaku i natyrës së veprimtarisë së tij, por ato që i la ishin me bollëk njohurish, fjalë të urtëra, mesazhe, analiza dhe vizione për të ardhmen të mbështetura mbi forcën e argumenteve dhe provave, mbi forcën e mendimit.

Ishte i larmishëm gjatë ligjërimit të tij, teksa komentonte Kur’anin Fisnik, kombinonte midis qetësisë shpirtërore dhe suksesit, midis teorisë dhe praktikës. Ai i drejtohej rinisë shqiptare bashkëkohore duke ju thënë « Ju duhet të lexoni libra cilësorë e jo me cilësi të lartë të kopertinës e as me cilësi të dobët të mendimit». Ishte si një dritare e re që jepte shpresë për një të ardhme më të mirë për rininë shqiptare dhe për shqiptarët e proviniecës myslimane viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, që për të gjithë, feja ishte një botë e re deri atëherë shumë pak e njohur përpos disa njohurive elemtare të ilmihalit dhe një grupi të kufizuar që praktinon faljen e namazit.

Ai fliste  për bukurinë e Kur’anit, magjinë e Kur’anit, qartësinë e Kur’anit, ndikimin e Kur’anit dhe larminë e metodave të Kur’anit, por të gjithë këto i interpretonte në një gjuhë të bukur, me një stil unik dhe në një formë të mrekullueshme prej një oratori të rrallë dhe mendjendrituri, Zoti e mëshiroftë. Ai përfitoi nga filozofi dhe mufesiri i madh Fahrudin er- Razi, të cilin e kishte lexuar disa herë me rradhë. Dhe sa herë që e pyesja për ndonjë ajet dhe domethënien e tij me shumë kënaqësi dhe buzëqeshje karakteristike duke e tundur kokën thoshte  «kështu e ka komentuar Imam Raziu» thoshte i ndjeri, rahmet i pastë shpirti!

Mulla Jakupi, përpos që ripërtriu mendimin dhe diskursin fetar ndër shqiptarët, ai nuk ishte vetëm një përsëritës i ideve të vjetra, por ato i diskutoi, i futi nën thjerrzën e kritikës shkencore, shumë të tilla i refuzoi dhe disa i pranoi. Nga gjërat më të mira që ai i bëri ishte që ai kërkoi jetën e Kur’anit në tekstet e tij, në stilin e tij, dhe ndaloi në çdo tekst duke i bërë analizë gjuhësore dhe përmbajtësore. Ai me të drejtë mund të llogaritet një mufesir i rrallë ndër shqiptarët, sepse ai nuk përdori gjuhën e juristëve myslimanë pasi ajo mbart disa kuptime gjuhësore e as që përdori gjuhën e filozofëve modernistë duke përfshirë vështirësitë dhe misteret që përmban, por më tepër ai përdori gjuhën shkrimtarit dhe bukurinë e gjuhës së popullit, dhe kjo ishte ajo që e bëri unik dhe të veçantë.

Kam patur nderin dhe rastin të bisedoj shpesh herë për tema më komplekse, por sinqerisht ai njeri ishte një gjeni i vërtetë përplot dituri të thella, teza të ndryshme dhe të llojlloshme. Ai kishte një lexim cilësor të librave të besimeve qiellore, leximi i tij nuk ishte konfuz dhe sipërfaqësor por me një qëndrim prej intelektuali i diskutonte dhe analizonte tekstet e librave të besimeve qiellore sepse kishte një metodologji të rreptë shkencore.

Vetëm një besimtar si ai mund ta bëjë këtë krijimtari me argumente të besimit, një njeri i cili dëshironte që rininë shqiptare ta largojë nga bota e dyshimit në botën e bindjes ndaj Zotit dhe dorëzimit ndaj Tij. Ai kishte marrë përsipër vendosmërinë për t’i çliruar shqiptarët nga injoranca, nga ndikimi i idologjisë komuniste dhe ateiste dhe për t’i çliruar nga varësia mendimit marksisto leninist. Prandaj oratoria e tij ishte e bukur për nga performanca, stili dhe diskursi i tij ishin shumë të fortë për sa i përket koherencës metodologjike.

Ishte rebel ndaj stereotipeve, refuzonte traditën e deri atëhershme të intepretimit të fesë e cila në vitet tetëdhjeta ishte në rol defanziv, ishte i pasionuar pas ripërtëritjes së mendimit dhe diskursit fetar,  ithtar i denjtë dhe i pasionuar për lirinë e kombit shqiptar (ishte pjestar i UÇK-së në konfliktin e 2001-shit) dhe kishte dëshirë të jashtëzakonshme për të thyer mitologjitë dhe bestytnitë që ishin të shenjta në emër të traditës.

Ai nuk dorëzohej lehtë dhe nuk i pëlqente të jetë si të tjerët, sepse ishte unik në ide, veprimtari dhe metodologji, dhe si i till edhe ia dorëzoi shpirtin Zotit të Plotfuqishëm.

Rahmet pastë shpirti Yt Hoxhë Jakup Asipi!

07.01.2021

Aarburg, Zvicër

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP