Most read

Tekstet fetare si balsam shërues për shoqërinë dhe Covid-19

Hoxhë Nehat Ismaili

Trashëgimia fetare është një thesar i shkëlqyeshëm i njohurive dhe një trashëgimi e pasur që karakterizohet me vlerat e saj të moderimit, tolerancës, horizontit, përmbledhjes së ngjarjeve të paparashikuara dhe zhvillimeve bashkëkohore. Thirrja për të ripërtirë dhe zhvilluar këtë trashëgimi buron nga fakti që trashëgimia fetare zotëron këto tipare, aftësinë e vet për të ndjekur këtë rrugë, me kusht që mendjet të çlirohen nga ideologjitë e rrepta, të evokojnë realitetin e shoqërisë njerëzore, kushtet dhe rrethanat e tyre dhe të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet e tyre dhe kjo është arsyeja pse termi ngurtësim i interpretimit të teksteve fetare na referon drejtpërdrejt në një problem “vetëdije e ngurtësuar”, që është problem thelbësor që disa e hasin në trashëgiminë fetare në pamundësi për të absorbuar dhe perceptuar tërë atë trashigimi nga e kaluara dhe në pamundësi për ta lexuar dhe interpretuar drejtë në suaza të zhvillimit të ngjarjeve të paparashikuara dhe zhvillimeve aktuale.

Sa i përket trashëgimisë sonë fetare, teksteve dhe interpretimeve, ajo gjatë dhjetëra shekujve gjithmonë ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i jurisprudencës islame , një balsam shërues për shoqëritë dhe një prelud i civilizimeve. Në trashëgiminë tonë kulturore ne gjejmë një diskutim të një njiveli të shkëlqyer midis juristëve dhe studiuesve të shkencës së Usulu-l-fikh (shq. Baza e Jurisprudencës Islame), për tërheqjen e një paralele midis dy çështjeve më thelbësore të universaleve të islamit që janë «ruajtja e vetvetes (ar.hifdhu-n-nefs) dhe ruajtja e fesë (ar.hifdhu-d-din)».  Meqë kjo çështje nuk mund të detajohet duke përmendur të gjitha mendimet, thëniet dhe argumentet përkatëse, në këtë rast i referohemi atyre bazamenteve të shkëlqyeshme të një klasi të lartë që trashëgimia fetare i vendosi si norma për këtë çështje dhe studiuesit u mbështetën në to në vendosjen e doktrinave të tyre, duke i diskutuar ato sot e kësaj dite, siç janë: “E drejta e njeriut peshohet përballë të drejtave të Zotit”, “Dhënia përparësi të drejtës së robit përballë të drejtave të Zotit të Plotfuqishëm”, “favorizimi i interesit të njeriut përballë interesit të fesë» dhe « dhënia përparësi ruatjes së shpirtrave, organeve dhe përfitimeve nga veprimet kundrejt adhurimeve (ar.ibadat)».

Nuk ka dyshim se disa mendje të «kufizuara» janë të shqetësuar nga këto pikënisje njerëzore të mbërthyer me një histeri shpirtërore, por që juristët tanë me mburrje dhe krenari e përcaktojnë atë në dorëshkrimet e tyre dhe pohojnë që « e drejta e njeriut është e ndërtuar mbi vështirësitë ndërsa e drejta e Zotit e ngritur mbi faljen». Të gjitha ato principe dhe norma juridike të tjera në «heqjen e vështirësive dhe evitimin e dëmit», si dhe «Pesë Universalet  ose Pesë Domosdoshmëritë» (ar. Ed-darurijjat el khamseh) janë platformë e shëndoshë që sot prej tyre inspirohen Këshillat e Lartë Fetar për Fetva, dijetarët e mëdhenjë dhe institucionet islame ndërkombëtare, siç janë: Unioni Botëror i Dijetarëve Muslimanë, Akademia Europiane për Gjurmime dhe Fetva, Këshilli i Lartë Fetar për Amerikën e Veriut dhe shumë institucione dhe institute tjera ndërkombëtare të rëndësishme, disponojnë me një zonë të gjerë dhe një fushë pjellore juridike. Mbështetur në këtë që përmendëm, myftiu e gjen veten duke krijuar zgjidhje të mrekullueshme dhe paraqet fetva logjike dhe të akceptueshme si përgjigje racionale dhe fetare ndaj kufizimeve të kësaj pandemie, epidemive dhe shumë problemeve bashkëkohore tjera, me respekt të plotë për zgjedhjet e institucioneve fetare të shteteve të caktuara sipas asaj që i përgjigjet realitetit të secilës shoqëri dhe rrethanave të tyre.

Vëzhguesi i kësaj trashëgimie të jurisprudencës islame në pamje të parë po thuajse mendon se ato tekste dhe principe janë zbuluar për realitetin tonë dhe pandemia Covid-19 që përfshiu rrëmbyeshëm globin sikur të ishte ndërthurur me këto parime, ku studiuesit e mëhershëm të shkencës së Usulu-l-Fikh, kanë përfaqësuar një nga shembujt më të ndritshëm për situatën dhe të nevojën që jemi sot, dhe ata e kanë diskutuar këtë çështje dhjetëra shekuj më parë “Mos faljen e xhumasë dhe namazet me xhemat», edhe atë duke u nisur nga premisa ruajtja e diçkahit nga pasuria « ruajta e pasurisë» (ar.hifdhu-l-maal), a thua vallë si do të ishte çështje po të vihej në diskutim ruajtja e jetës së njeriut ( ar.hifdhu-n-nefs)?!

Ajo që bota po përjeton sot nga pandemia Covid-19  duke e shpallur atë një pandemi globale, përhapja dhe rritja e saj ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë edhe në shumë vende që janë befasuar prej saj, madje dhe agjencitë shëndetësore, qofshin ato globale apo lokale, kanë theksuar më shumë se njëherë mundësinë e përhapjes së tij përmes kontaktit ose shtrëngimit të duarve, ose për shkak të kollitjes ose teshtitjes. Të gjitha këto të dhëna sugjeruan që qeveritë të ndërmarrin masa parandaluese dhe masa paraprake shëndetësore, ndër më të rëndësishmet ishte kufizimi dhe ndalimi i tubimeve dhe takimeve njerëzore, sepse pa dyshim që është një nga arsyet më të rëndësishme për transmetimin dhe marrjen e kësaj sëmundje.

Dhe duke qenë se xhamitë dhe vendet e adhurimit janë ndër vendet e pakta brenda tubimeve njerëzore në disa raste gjatë ditës dhe natës, rreziku i përhapjes së infeksionit për shkak të takimit në xhami është mjaft evident, veçanërisht pasiqë pozicioni i trupit gjatë kryerjes së namazit konsiston me konsolidimin e rreshtave dhe bashkimin e parakrahëve ndërmjet vete të anëtarëve të xhamisë, atëherë nuk përjashtohet mundësia që personi të infektohet me Covid-19, nëse në mesin e tyre ka ndonjë të infektuar dhe paraqet rrezik potencial për personat tjerë të shëndoshë.

Për këto arsye – veçanërisht ato raporte mjekësore që paralajmërojnë për rrezikun e tubimeve njerëzore – mbyllja e xhamive është bërë e përkohshme dhe tubimi i njerëzve aty është ndaluar me qëllim të kryerjes së namazeve, qoftë namazi i xhumasë apo falja e pesë kohëve të namazit; një domosdoshmëri e imponuar nga interesi publik, rregullat ligjore dhe intencat e jurisprudencës islame të konsideruara.

Një nga dijetarët e mëdhenjë të shkollës juridike hanefite vjen për të përmbledhur urtësinë e shkencëtarëve të Usulu-l-fikh dhe vërejtjet e tyre që thonë për dhënien përparësi të « ruajtjes së vetvetes dhe pasurisë përballë universales «ruajta e fesë», dhe ai konstaton që mbi këtë bazë ndërtohet qëndrimi fetar mbi «mos faljen e xhumasë dhe namazeve me xhemat». Kështu që Ibn Emir El-Haxhxh në librin e tij mbi bazat e jurisprudencës islame « Et-Tekriir ue Tehbiir» (vdiq.897) thotë: « dhe është thënë : Përparësi i jepet pasurisë (hifdhu-l-maal) d.m.th. ruajtes së saj përskaj ruajtjes së shpirtit (ar.hifdhu-n-nefs) mendjes (ar.hifdhu-l-akl) dhe gjenezës (ar.hifdhu-n-neseb) kundrejt ruajtjes së fesë (hifdhu-d-diin), siç është transmetuar nga më shumë se një dijetarë, dhe sigurisht do të ishte më mirë sikur këto katër universale të favorizohen kundrejt universales «Ruajtja e fesë» (ar.hifdhu -d-diin), sepse ato janë të drejta të njeriut  dhe si parim është ndërtuar mbi vështirësinë  dhe hapësirën dhe natyrisht që dëmtohet me humbjen e tij, ndërsa universalja «ruajtja e fesë» është e drejtë e Zotit e ndërtuar mbi principin e lehtësimit dhe tolerancës dhe Zoti është i pasur dhe i plotfuqishëm dhe nuk dëmtohet nga mos praktimi i kësaj universale, Pra, duke i dhënë përparësi këtyre katër universaleve të fesë vijnë në konstatimin e «mos faljes së xhumasë dhe namazeve me xhemat ne xhami» për faktin që këto dyja janë qiellore për të ruajtur pasurinë (hifdhu-l-maal), d.m.th kapitalin që është tokësore). (3/231).

Përskaj kësaj që u tha, janë edhe dhjetëra ajete nga Kurani Fisnik që flasin dhe trajtojnë me shumë dinjitet rrëndësinë e ruajtjes së jetës së njeriut. Prej tyre veçojmë fjalët e Zotit të Madhërishëm :

«…e mos hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë All-llahu i do bamirësit.» (el Bekare,195). Fjalët e Zotit : « dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i mëshirueshëm për ju.» ( Nisa,29),

Frika për shpirtin dhe shkatërrimi i saj nga kjo epidemi, është bërë një rrezik serioz, sipas dëshmisë së ekspertëve dhe mjekëve. Kjo frikë e realizuar dhe e pritur është ndër shkaqet e konsideruara dhe arsyet legjitime të lejuara për mos faljen e namazit me xhemat.

Siç u përmend në hadithin autentik të transmetuar nga Ibn Abasi, i cili ka thënë : I Dërguari i Zotit, lutjet dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë : “Kush e ka dëgjuar thirrësin dhe nuk e ka penguar atë që ta ndjekë pos arsyes ” Ata thanë : e cila është arsyeja? Pejgamberi tha: “Frika ose sëmundja …”

Ne, më shumë se kurr kemi nevojë të rilexojmë trashigiminë fetare në mënyrë që të nxjerrim në pah mirësitë dhe urtësitë nga ai thesar shekullor i mijëra mendjeve të ndritura që janë balsam për shoqërinë njerëzore dhe realitetet bashkëkohore.

Xhamitë janë Shtëpitë e Zotit të Plotfuqishëm, Ai i nderoi ato, e lartësoi statusin e tyre, ato janë banesë  e robërve adhurues të Tij, ato janë kështjella besimi, përkushtimi, pendimi dhe përgjërimi, janë vend në të cilat zbret mëshira e Zotit të Madhërishëm, vend i lutjeve dhe strehimit shpirëror për të gjithë, mbi të gjitha janë vend adhurimi. Tani është koha të lutemi nga shtëpitë tona, të lutemi për stafin mjekësor dhe të gjithë njerëzit që janë në shërbim për shpëtimin e mijëra njerëzve të prekur nga kjo pandemi. Të lutemi të gjithë së bashku që Zoti i Madhërishëm ta largojë nga njerëzimi këtë pandemi shkatrruese dhe vdekjeprurëse.

………………………………………………………………………

Për me tepër :

  1. https://islamqa.info/ar/ (Shqyrtim konciz mbi intencat e jurisprudencës islame. Me datë : 08.07.2019)
  2. https://sotor.com (Muhammed Salim, me date : 05.02.2020)
  3. https://almunajjid.com/courses/lessons/235
  4. https://www.aliqtisadalislami.net .. Sesioni i 24-të i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam
  • Konferencë nën moton « Domosdoshmëria e respektimit të intencave të jurispridudencës islame gjatë strukturimit të produkteve financiare islame» më datë : 30.11.2019.
  1. «Intencat e jurisprudencës islame» Muhammed Tahir ibn Ashuur (vdiq.1393, viti hixhrij) nën redakturën e Muhammed el Habib ibn Khuxheh, viti i botimit 2004. ( verzioni online .. https://shamela.ws/index.php/book/17094)
  2. http://www.iumsonline.org/ar/ContentDetails.aspx?ID=11138 Fatva Nr. 2: “Çështje nga jurisprudenca islame dhe etika juridike ligjore në ballafaqimin me sfidat e Epidemisë së Koronës” me datë : 21.03.2020. po aty ..Fetva e Unionit në lidhje me faljen e namazit të xhumasë në shtëpi (më datë 03.04.2020).

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

Go to TOP