Most read

NATA E KADRIT, FRONTET E REZISTENCËS DHE BRIGADA E MANTELBARDHËVE

Bashkim Aliu

DHJETË DITËT E FUNDIT TË RAMAZANIT, NË KOHË PANDEMIE

Muaji i bekuar i Ramazanit ka një vlerë dhe pozitë të veçantë te muslimanët për shkak begative të shumta të cilat i sjell për njerëzit, e që përfitojnë nga këto begati ata të cilët i përkushtohen këtij muaji me bindje, seriozitet dhe shpresë në arritjen e asaj që i Lartrmadhërishmi ka premtuar për të devotshmit. Sdo mend se Ramazani, edhe pse çdo ditë, bile çdo çast, i tij është i veçantë dhe i begatë, megjithatë, ka disa momente ekskluzive, si në kuptim të freskimit të memorjes për thesarin e madh që e lanë trashëgimi brezat e kaluar në fusha të ndryshme shkencore dhe në ndërtimin e identitetit civilizues të komunitetit musliman, ndërtimit të shtetit-që tharmin e ka në qytet-shtetin e Medines pas Hixhretit të madh- si dhe mbrojtjes së fortesave të shoqërisë, komunitetit dhe shtetit, nga shembja e përkulja para shtërngatave të tiranisë dhe dhunës sistematike e cila kishte kapluar botën e atëhershme, kryesisht politeiste, me disa hapësira modeste të ithtarëve të besimeve fetare me bazë në shpallje hyjnore, e që mund ta ilustrojmë me betejën e Bedrit dhe çlirimin e Mekes, si dy ndodhi grandioze në historinë islame dhe botëtore në përgjithësi, po ashtu, edhe në kuptim të përshpirtësisë së lartë që reflekton te njeriu nga përjetimi i momenteve që tejkalojnë kufijtë kohor, vendor dhe të eventeve speciale, duke marrë sihariq nga vetë Krijuesi i Madhërishëm, siç është nata e Kadrit dhe dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Këtu pushojnë kufijtë kohorë, ngase nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj:<<Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj>>[el-Kadër: 3]. Këtu nuk ka vend për mburrje me madhështi eventi karshi këtij spektakli shpirtëror kur:<<Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje>>[el-Kadër: 4]. Në këtë natë s’ka arsye për kufij vendor, ngase:<<Ajo (që përcakton Zoti) është paqë deri në agim të mëngjesit>>[el-Kadër: 5].

Shembull më të mirë të përkushtimit në adhurim dhe aktivitet  e angazhim shpirtëror, e kemi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të. Ai, në këto dhjetë ditë, e në veçanti në natën e Kadrit, ishte në veçanti i dhënë në adhurim, në lutje, në lexim Kur’ani, si dhe në interesin që edhe familja e tij ta shoqërojnë në këtë angazhim adhurimi, duke i zgjuar nga gjumi që të bëjnë adhurim. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me te, gruaja e të Dërguarit të Allahut, rrëfen për momentet e tij në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe thotë:”I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, angazhohej në dhjetë ditët e fundit (me ibadet dhe vepra të mira) jo sikurse në ditët tjera (por shtonte dhe përpiqej më shumë)“. Hadithin e transmeton Muslimi. Në një transmetim tjetër qëndron:”I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, i ngjallte netët (me ibadete), zgjonte familjen e tij prej gjumi, përpiqej (për ibadet të shumtë), dhe shtrëngohej (për ibadet)“. Hadithin e transmeton Muslimi. Bile edhe “ largohej nga marrëdhëniet seksuale me gratë (e veta)”.

DHJETË DITËT E FUNDIT, NATA E KADRIT DHE MOMENTI I PËRGJEGJËSISË

Megjithë vlerën e madhe që kanë dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, si dhe në veçanti nata e Kadrit, i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, në një moment bën një kthesë të madhe në përceptimin e drejtë të vlerave dhe mirësive, duke e vënë prioritet interesin kolektiv mbi atë individual, dhe na kthen në esencën e mirësisë, e cila është madhore, kur është kolektive. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, në një moment ka thënë:”A t’ju tregoj për një natë e cila është më e vlefshme se nata e Kadrit? (Natën që e kalon) Rojtari që bën roje në vendet e frikshme, ndoshta ai nuk kthehet te familja e vetë”. Hadithin e ka transmetuar Nesaiju dhe tjerë. Ndërkaq, në një rast tjetër ka thënë:”Të qëndrosh disa çaste në rrugë të Allahut në një front, është më mirë se sa ta kalosh natën e Kadrit duke u falur te Guri i Zi në Qabe”. Hadithin e kanë transmetuar Ibn Hibbani dhe Bejhekiju.

Këto janë momentet e kthesës në të kuptuarit e përgjegjësisë ndaj brezave, shoqërisë dhe njerëzimit në përgjithësi. Ky është momenti i reflektimit për përgjegjësitë kolektive dhe prioritetet. Ky është momenti i promovimit të vlerave të vërteta si: liria, drejtësia, të drejtat e njeriut, ushtrimi i besimit i lirë, mirëqenia sociale, kohezioni shoqëror etj. Kjo, ngase pushtimi i sjell të kundërtat e këtyre që përmendëm, si dhe shumë të zeza tjera. Së këtejmi, duke zhvilluar konceptin e mbrojtjes, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, zhvillon konceptin identitar, komunikimin inter dhe intra kulturor, kontributin civilizues mbarënjerëzor, mirëqenien sociale dhe paqën si postulate fundamentale të shoqërive njerëzore. Së këtejmi, ne kemi përgjegjësi kolektive, të cilat renditen me më prioritet se sa ritualet dhe metafizika, në kontekst të ndërtimit dhe zhvillimit të shoqërisë dhe bashkësisë. Për atë, këto momente në pozicionet e duhura mbrojtëse për synime të larta humane dhe civilizuese (fi sebililah-në rrugë të Allahut), janë më të vlefshme edhe se sa vetë kalimi i natës më të vlefshme se sa një mijë muaj, pra natës së Kadrit me namaz jo obligativ, edhe atë, në vendin më të vlefshëm në tokë, ku një namaz shpërblehet sa njëqind mijë namaze, pra te Guri i Zi në Qabe.

FRONTET E REZISTENCËS MË TË VLEFSHME SE POZICIONI NË NAMAZ VULLNETAR 10 NETËT E FUNDIT TË RAMAZANIT

Hadithet e përmendura vënë në spikamë vlerën e pozicionimit në frontin e rezistencës për të mbrojtur pragun e derës dhe nderin e familjes dhe të popullit. Kjo është krejt e qartë dhe duhet të kuptohet drejtë, ngase koha kur ka folur i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, është dalluar me luftërat ekspansioniste të fuqive të mëdha të asaj kohe, nënshtrimin e popujve dhe skllavërimin e njerëzve. Mirëpo, thëniet e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, janë multikuptimore dhe të liruara nga limitet kohore, ngase ai është i dërguar i Zotit për të gjitha kohërat dhe për mbarë njerëzimin. I gjithë ekstrakti civilizues dhe progresiv, kompatibil me çdo kohë dhe vend, mishërohet në theksin e tij që aktiviteti të jetë “fi sebililah-në rrugë të Allahut”. Me fjalë tjera, në rrugë të Krijuesit të Gjithësisë dhe njeriut, e që vetvetiu të kthen në vlerat mbarënjerëzore që përmban ky nocion.

Të qenit në rrugë të Krijuesit të Madhërishëm, nuk nënkupton vetëm një segment të aktivitetit njerëzor; si dhe të qëndruarit në një pozitë në front, në mbrojtje të vendit, nuk nënkupton vetëm frontin luftarak dhe as vetëm luftën me armë, gjë që ka qenë tipar dallues i kohëve më të hershme, por çdo pozitë pozitive dhe konstruktive që mundëson mirëqenie, paqë dhe stabilitet, si dhe çdo front që mbron vlerat. Ja disa fronte:

-FRONTI I MANTELBARDHËVE: Të qëndruarit disa çaste në pozicion roje, në front, ku rrezikohet vendi nga invazioni i huaj, është më e vlefshme se sa të kalosh natën e Kadrit me namaz. Po, ashtu është, dhe pikërisht në këtë kohë, kur jemi sulmuar nga ushtria e padukshme e Coronës në krye me komandant Covid-19,  brigadat mantelbardhe-mjekët, duke qëndruar në frontin e mbrojtjes së shëndetit të njerëzve nga predhat virale, janë duke demonstruar patriotizëm të paparë deri më tash, duke ia ekspozuar veten edhe rrezikut të infektimit, por assesi të tërhiqen nga fronti përballë komandantëve të padukshëm të Coronës.

Së këtejmi, garda manetelbardhe, pozitën më të vlefshme në këto ditë të rënda për njerëzimin- pa mos u futur në teoritë e konspiracionit dhe pa mos dhënë vlerësim se si e shoh këtë ndodhi, por bazuar nga ajo që është prezente në çdo shoqëri- e kanë duke bërë roje në sallat e spitaleve, dhomat e pacientëve, laboratoret e analizave dhe ambulantat e kontrolleve mjekësore, për t’u dalë në ndihmë të infektuarve dhe të sëmurve. Po, bile edhe në këto dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, si dhe në veçanti në natën e Kadrit, natë më e vlefshme dhe punë më e vlefshme se sa edhe kalimi i tërë natës në namaz jo të oblgiueshëm, është të bërit roje në frontin më të rrezikshëm për njerëzimin:sistemi imunitar i organizmit i sulmuar nga ushtria e pa dukshme Covid-19.

Nëse të kaloj kjo natë e Kadrit pa namaz nafile, o mantelbardh, mos u dëshpro dhe mos u brengos, se ti me qëndrimin tënd në spital, dhe me punën tënde me pacientë, ke kaluar një natë më të vlefshme se sa nata e Kadrit, dhe ke bërë aktivitet më të vlefshëm se sa namazi jo obligativ, tërë natën e Kadrit, bile edhe te Guri i Zi në Qabe.

Nata e Kadrit, dhe më të vlefshme se ajo, për ju, janë momentet dhe çastet që i kaloni pranë pacientëve, dhe punë më e vlefshme se sa namazi jo obligativ në natën e kadrit, janë injeksionet, infuzionet, matjet e temperaturës, kontrollet dhe çdo gjë tjetër që ju e bëni për pacientët.

Kjo, dhe mos të flasim për punën hulumtuese të shkencetarëve në laboratore dhe qendra hulumtuese, për të gjetur medikamentin adekuat kundër këtij virusi.

-FRONTI I LOGJISTIKËS HUMANITARE: Një aradhë tjetër e rëndësishme e betejës mbarënjerëzore kundër ushtrisë së padukshme të komandant Covid-19 dhe ushtrisë së Coronës, janë veprimtarët humanitarë, segment ky i rëndësishëm për përparimin e luftës së ushtrisë  WHT (World Human Treaty)-Aleancës Humane Botërore kundër hordhive coroniane.

Puna e tyre e palodhshme duke trokitur derë në derë dhe duke vrapuar në çdo anë të dëgjojnë zërin e nevojtarëve, jetimave, grave të veja, hallexhinjve, të paaftive, pleqve të mbetur dhe të çdo njërit që ka nevojë, është më e vlefshme në këto dhjetë ditë të fundit të Ramazanit dhe në natën e Kadrit, se sa mbyllja në banesë dhe kalimi i tërë natës me namaz nafile.

Aktivistët humanitarë, logjistika e aleancës humane globale  kundër ushtrisë coroniane dhe shërbimeve sekrete të saj, këtë Ramazan, në dhjetë ditët e fundit dhe në natën e Kadrit, namaz nafile dhe angazhim të veçantë në adhurim, e kanë punën humanitare. Allahu j’ua bekoftë heroizmin.

-FRONTI I SHËRBIMEVE CIVILE: Të gjithë ata, të cilët qëndrojnë në vendet dhe pozitat e tyre të duhura për t’i shërbyer njerëzit me gjërat e nevojshme, në këtë sulm të ashpër nga komandatët e Coronës, janë duke kryer punë që meriton çdo respekt. Zjarrfikësit, organet e rendit, shërbimet komunale etj., kalojnë momente të veçanta, më të vlefshme edhe se namazi jo obligativ natën e Kadrit, në këto rrethana të vështira. Bile, puna e bukëpjekësve dhe qëndrimi i tyre para furrave të bukës, që të ofrojnë bukë për njerëzit, në këto momente, është më e vlefshme se sa namazi jo obligativ gjatë tërë natës së Kadrit.

-FRONTI I KËSHILLUESVE: Mos të kalojmë pa përmendur segmentin mjaft të rëndësishëm të aleancës humane njerëzore për rezistencë ndaj armikut të padukshëm Covid-19, atë të këshilluesve, të cilët me fjalimet, këshillat dhe mesazhet e tyre, e mbanë moralin lartë te popullata, si dhe i stimulojnë palët tjera të cilët janë në vijën e parë të frontit, që të vazhdojnë fuqishëm në punën e tyre. Këtu pa dyshim bëjnë pjesë teologët, psikologët dhe palë tjera të kësaj fushe.

Të gjithë këta janë në front, çdo njëri në mënyrën e vet. O Allah i Lartmadhërishëm, ndihmo ata që janë në rrugë të mbarë, dhe udhëzoji ata që kanë devijuar, na fal e na forco në rrugën Tënde.

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

Go to TOP