Most read

Përkëdhelja hyjnore në obligueshmërinë e agjërimit

Hfz. Mehas Alija

Fillimisht t’i lexojme ajetet e agjërimit në suren El-Bekare, 183-187):

«O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar me Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni. Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. All-llahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhami, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen.»

Të respektuar vëllezër e motra!

Nëse u bëjmë një vështrim pak më ndryshe ajeteve të agjërimit, mënyrës se si është obliguar dhe sqaruar ky adhurim, do të shohim se në to fshihen sekrete mësime dhe urtësi të bukura.

Vetëm thirrja e All-llahut xh.sh. dhe mënyra se si e arsyeton detyrën e dhënë ndaj besimtarëve, të bënë të lumtur, të gëzueshëm dhe të bindur ndaj urdhrit hyjnor.

Le t’i shikojmë së bashku motivet nxitëse për agjërimin:

– O ju që keni besuar… Një thirrje specifike, imanore, klasifikuese, që prej fillimi tërheq vëmendjen e robërve të Tij të përzgjedhur.

– Nuk jeni të vetëm në këtë detyre. Ka pasur edhe përpara jush që kanë kryer të njëjtën gjë, të njëjtin obligim. Pra, më përpara ka pasur burra e gra, djem e vajza, pleq e fëmijë që kanë agjëruar. Këtu shohim inkurajimin, nxitjen dhe përkëdheljen e Allahut.

– Me qëllim që ju ta arrini takvallëkun (devotshmërinë). Pra, asgjë nuk keni për të humbur. Me anë të devotshmërisë do të arrini shumë, e mbi të gjitha: kënaqësinë e të nënshtruarit ndaj All-llahut xh.sh. dhe ndjeshmërinë e zemrave tuaja. Me anë të devotshmërisë ne kemi një garancë për pranimin e veprave tona. (Innema jetekabelullahu minel muttekine – Vërtetë Allahu xh.sh. pranon vetëm prej të devotshmëve. Maide, 27).

– Janë vetëm disa ditë. Pra, nuk kërkohet agjërimi i tërë vitit apo tërë jetës, edhe pse All-llahu është Zot dhe mund të vendos për robërit e Tij atë Ai dëshiron.

– Shpallja e Kur’anit në muajin Ramazan, agjërimi si mirënjohje në të. All-llahu na njofton se muaji i Ramazanit është muaji që e ka përzgjedhur për të agjëruar, i cili ose është 29 ose 30 ditë.

– All-llahu dëshiron lehtësim për robërit e Tij dhe nuk dëshiron vështirësim. Në fakt, kjo paraqet edhe shpirtin e Islamit, të sistemit dhe mësimit të tij, gjë që shihet edhe te adhurimet e tjera, e jo vetëm te agjërimi. Feja nuk i detyron njerëzit në besim duke i lidhur me zinxhirë, porse me anë të devotshmërisë.

– Lutmëni, ju përgjigjem. Kjo është dhurata e agjërimi. Të jesh rob i Zotit nuk është sikur të jesh rob i ndonjë zotëriu tjetër. Zoti si shpërblim për robërimin, të dhuron të mira të pafundta, ndërsa, zotëria nga robi merr dhe shfrytëzon të mirat dhe dobitë e tij. Prandaj, Zoti, si shpërblim për agjërimin që i bëjmë, na thotë kërkoni prej meje, lutmëni që t’ju përgjigjem.

Të gjitha këto elementë që i paraqitëm tregojnë për faktin se Zoti me anë të një obligimi të caktuar, në këtë rast agjërimit, na paraqet dashurinë dhe mëshirën e Tij të madhe që ka ndaj robërve të tij. Ai na përkëdhel, duke na dhënë kurajo dhe duke na ngushëlluar.

Po kështu, e njëjta gjuhë, e njëjta filozofi dhe dashuri manifestohet te kumtimi dhe lajmërimi pejgamberik në lidhje me obligueshmërinë e agjërimit. Muhammedi a.s. në një hadith shprehet:

„Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. All-llahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Xhehennemit, si dhe lidhën shajtanët. Në këtë muaj është nata, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtetë i privuar, i pafat.“

Vëllezër e motra të nderuara!

Dua të ritheksoj edhe njëherë se qëllimi i agjërimit është shumë i lartë. Ai mund të jetë i dukshëm dhe i fshehtë. I dukshmi, që të bëhemi të devotshëm, kurse qëllimi i fshehtë është që të testojë besimtarët (mu’minët) në sinqeritetin e tyre. Agjërimi është eksluzivisht për All-llahun, prandaj dhe ka thënë: “Agjërimi është i Imi dhe unë shpërblej për të.” Në adhurimet e tjera mund të ketë përzierje në nijetin e njeriut, për t’u dukur përpara njerëzve apo për ta kryer pastër për All-llah.

Lutem me shpirt e zemër që All-llahu xh.sh. të na e lehtësojë agjërimin e ditëve të Ramazanit dhe netët e tij t’i bëjë arenë e kënaqësive tona familjare. Paçim një Ramazan të begatë dhe të lehtë, inshallah!

25.04.2020, St.Gallen

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

Go to TOP