Most read

Mendja kreative përballë religjionit digjital

Hoxhë Nehat Ismaili

Një nga disfatat më të rrezikshme në jetën e popujve është disfata intelektuale, kur një person është i bindur se ajo që të tjerët kanë është më e mirë dhe se ai nuk i ka përbërësit për mbijetesë dhe vazhdimësi nëse nuk është i varur prej tjerëve, dhe kjo është arsyeja pse ne shpesh dëgjojmë përvoja të suksesshme në Perëndim dhe nuk gjejmë dikë që flet për përvoja të suksesshme të tjerëve. Mediat bashkëkohore në kontinuitet promovojnë mendjet kreative dhe progresive në ndërkohë shumë pak ndëgjojmë për përvojat njerëzore dhe mendjet kreative jo-perëndimore.

Familja si një institucion shoqëror brenda së cilit specia njerëzore prodhohet në mënyrë të caktuar, ku bashkëshortët rregullojnë lidhjen e tyre, ku prindërit dhe fëmijët ndërtojnë një marrëdhënie të sinqertë, të ngrohtë dhe që të jep besim e siguri, sot ky koncept ka filluar të zbehet dhe të humb kuptimin në saje të zhvillimit marramendës të mediave sociale. Kjo lidhje gjaku (familja) tashmë ka filluar të bëhet nëpërmjet lidhjes të ndërtuar në internet. Brezi i ri, sot njeh një koncept tjetër të familjes, si p.sh.shprehjet « familje ime e Facebook-ut», familja ime e Instagramit, populli im i Twitter-it.

Brezi i ri, më shumë diskuton për problemet me familjen e tij të re në Facebook sesa me familjen e tij të vërtetë. Rrjetet sociale janë faktorët determinant që drejtojnë vetëdijen dhe sjelljen e të rinjëve, ai ndan çdo sekret me familjen e tij ne Instagram, Twitter dhe Facebook, çfarë hanë dhe si flen, vendet ku frekuenton, çdo gjë ndan me familjen e tij të re, praktikisht kemi krijimin e një «Unë» të ri, dhe ky duhet ti përshtatet rregullave të platformave sociale, ndërsa rregullave të familjes së tij të vërtetë as që i bëhet vonë, sepse ky tani e tutje është bërë një individ i familjes së medias sociale.

Familja virtuale është gjithmonë pran nesh, në gëzime dhe hidhërime, në raste mortore dhe sëmundje. Vlera dhe rëndësia që na jep kjo familje, zgjat sa për të shtypur butonin «like» (pëlqej). Aq shumë jemi të dhënë pas familjes së medias sociale saqë harrojmë familjen tonë të vërtetë.[1] Çdo gjë që thuhet aty e marrim si të vërtetë dhe të gatshme, kjo ka të bëjë edhe me veshjen, mënyrën e të ushqyerit por edhe me konceptin e fesë.

Me përparimin e madh digjital, kanë filluar të shfaqen sjellje që përbëjnë rrezik për egzistencën fizike dhe shpirtërore të njerëzimit. Këtyre sjelljeve psikologjike të formuara tek individët ndryshe njihen si «4  kalorësit e errësirës», të tilla si sadizmi, pikopatia, narcizmi dhe makjevelizmi. Këtë sjellje në të kaluarën mund të dukeshin në individ të caktuar dhe në momente të caktuara ndërsa sot përshkak se mjedisi kibernetik është pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë, këto karaktere mund të na dalin përpara në botën digjitale akoma më të komplikuar.[2]

Në këtë realitete ka prej muslimanëve në perëndim që jetojnë në situata histerike dhe të çuditshme, që nuk gjejnë një trajtim të mirë nga ana e disa predikuesve fetar, të cilët nuk e vlerësojnë seriozitetin e këtyre rasteve që lidhen me mendjet, botëkuptimet dhe aspektin shpirtëror të individit. Jemi dëshmitar nga të vetquajturit predikues fetar që «specializohen në leximin e ajeteve të caktuara të Kur’anit» mbi pacientët që ankohen për gjendje të thella psikologjike si pasojë e mungesës së njohurive të duhura për realitetin, teksa jetojnë duke përjetuar goditje elektrike në drejtim të ruajtjes së identitetit, integrimit dhe frikës nga asimilimi dhe tjetërsimi në botën perëndimore.

Dhe kjo është arsyeja pse ne u bëjmë thirrje muslimanëve të ndryshojnë marrëdhëniet e tyre me Librin e Zotit, sepse Kurani si një libër i shenjtë që ushqen mendjen dhe intelektin njerëzor ai i fton njerëzit të meditojnë dhe sodisin rreth universit dhe jo për të kufizuar atë për disa rituale gjatë shërbimeve mortore.

Periudha aktuale në përgjithësi flet për një krizë intelektuale të predikuesve të fesë, është një fazë e rrezikshme në të gjitha kuptimet e fjalës. Ka prej tyre që mendojnë se janë zgjuar nga letargjia, por realisht ata nuk janë zgjuar plotësisht, dhe ka të tjerë që flejnë në pikë të dritës, por nuk e dijnë se janë në një gjumë të thellë, dhe midis këtyre dy grupeve ka shumë grupe tjera, Ka prej tyre që bëjnë thirrje për kthim në Islam, por asnjëri prej tyre nuk ka busullën drejtuese. Përkundrazi, ata në diskursin e tyre pohojnë për domosdoshmërinë e rikthimit në bazat dhe fillesat e para siç veproi profeti i Zotit, dhe nga ana tjetër egzistojnë grupe që janë tjetërsuar intelektualisht, dhe ata bëjnë thirrje pa fije turpi për t’u zhveshuar nga lëkura qoftë edhe nën ndikimin e forcës së pushtetit nën preteksin që islami nuk është kompatibil me zhvillimet dhe trendet bashkëkohore, të tillët punojnë për të ndryshuar kurrikulat arsimore dhe pedagogjike që ishin modifikuar fillimisht dhe rezultuan të dështuara. Kjo periudhë kohore karakterizohet nga një dukuri në të cilën manifestohen disa mendësi brenda ummetit musliman, duke veçuar prej tyre :

Mendje të pushtuara dhe nënshtruara nga të tjerët, që janë përgatitur dhe trajnuar në shkollat e shërbimeve të inteligjencës për të luajtur në rol të caktuar në periudhë të caktuar kohore. Për këtë arsye i sheh të zëshëm në luftimin e teksteve fetare në emër të filtrimit të tyre me fjalë boshe duke promovuar një fetari të rrejshme dhe sterile. Kjo vërehet më së miri në platformat e ndryshme mediatike, i sheh të bezdisshëm dhe jokampatibil me realitetet bashkëkohore.

Nuk jemi kundër metodës shkencore për një qasje kritike ndaj teksteve dhe transmetimeve, por ajo që ne refuzojmë është sulmi i ashpër ndaj Shpalljes për përfitime meskine, që zakonisht rezultojnë të jenë ide të mendjeve të pushtuara dhe nënshtruara të cilët i dinë pikat e forta të fesë dhe kjo është arsyeja pse është planifikuar të prishet fortesa nga brenda.

Lloji i dytë është mendja e cila është zhytur në letargji të thellë, por që në disa momente kthjellohet duke jetuar momente tjera që nuk ka të bëjë me realitetet që ballafaqohet shoqëria jonë, me mentalitet tribal por fizikisht prezente në shoqërinë tonë, duke luajtur role të paracaktuara nga «miqtë» e fesë. Grupi i parë e dinë se çfarë bëjnë, sepse kanë krijuar bindje për këtë metodologji «ar.menhexh» por grupi i dytë punojnë në këtë projekt pa e kuptuar se i shërbejnë tjerëve dhe në asnjë mënyrë shoqërisë sonë, përdoren lehtësisht nga «miqtë» e fesë. Shumica e atyre që i përkasin këtij grupi janë mendje besimtare të devotshme por të pavetëdijshme, dhe kjo është arsyeja pse ata janë herë në letargji të thellë e herë të kthjellët ndërsa ideologët e këtij grupi kanë gurmazin e fortë me piskama saqë mendon se je në kazermë ushtarake. Njerëzit me të drejtë pyesin, si mund të jetë gjendja e një populli që ballafaqohet me këto dy mendësi?

Eksitojnë mendje që janë të magjepsura pas mësimit përmendësh të fjalë për fjalshëm pa e kuptuar thelbin e tekstit. Disa prej dijetarëve inkurajojnë nxënësit për rëndësinë e ruajtes së teksteve përmendësh, që është një hap i mirë por nuk është hapi i kërkuar dhe i vetëm. Gjeneratat e para të hadithologëve para se të mësonin përmendësh hadithet ata përpiqeshin t’i kuptonin drejtë, mbi të gjitha të kuptonin intencën e teksit, për këtë arsye shohim kolosët e mëdhenjë si Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe shumë të tjerë, në mënyrën e regjistrimit dhe përdorimit të tekstit të hadithit, dhe mosshkëputjen e tij nga konteksti duke nënvizuar shkakun e sjelljes së hadithit në atë kapitull dhe intencën e tij.

Lloji më i vështirë i mendësisë mund të llogaritet mendja e ngurtë, e cila mundohet të lexojë jetën në kohën e kaluar, pasi ato janë mendje të ngurtësuara në kohë dhe fanatike në raste të tjera, dhe ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis ngurtësisë dhe fanatizmit.

Mendja e ngurtë shenjtëron idenë dhe nuk e respekton logjikën, ecën pas idesë dhe nuk kërkon argumente, parapëlqen të dëgjojë dhe urren të diskutojë, sepse është programuar nga të vdekurit që u përballën me prova të jetës së tyre.

Çfarë duhet të bëjmë?

Ne sot jemi duke përjetuar një «shok kulturor», dhe kjo çon vazhdimisht në krizat intelektuale e cila ka përfshirë komunitetit musliman, dhe për këtë kanë foluar shumë mendimtarë dhe filozofë. Ata kanë targetuar krizën nga e cila vuan komuniteti ynë, duke e identifikuar si kriza e të menduarit dhe për këtë është vetëm një zgjidhje, është zgjidhja intelektuale dhe asgjë tjetër.

Sot më shumë se kurrë duhet të ndërtojmë mendjen kreative, atë mendje që nuk ka frikë nga ballafaqimi, por që është e pajisur me njohuri të gjera enciklopedike dhe të sakta, dhe vetëm me këtë ne mund të çlirohemi nga kriza e pushtimit të mendjeve, nga letargjia duke e shndërruar atë në një depo të ideve për shoshitje të tyre dhe larg fanatizmit të verbër duke i filtuar të gjithë idetë dhe mendimet progresive.

Ndërtimi i një mendje kreative dhe progresive është një detyrë e madhe dhe arritja e saj nuk është e lehtë, por është ajo që kërkohet, përkundrazi është domosdoshmëri e kohës dhe obligim i padiskutueshëm për periudhën aktuale. Ka përfunduar koha e vetëdijësimit të rremë, e njohurive të cekëta, e leximeve të mangëta, të hutuara e të papërfunduara.

Ne duhet ti japim vendin e duhur mendjes dhe logjikës së shëndoshë, sepse pa të nuk ka as renesancë e as progres. Mendja është fillimi, është ajo e cila çlirohet nga vartësia ndaj pyetjeve dhe diskutimeve, ajo nuk shenjtëron një mendim, pa marrë parasysh sa i madh është autori i fjalës, por shenjtërimi i takon  provës dhe argumentit.

Kurani fisnik është përplot shembuj nga jeta e profetëve të cilët popujt e tyre i ftonin duke ngacmuar sistemin e tyre të të menduarit rreth universit. Të gjithë profetët e Zotit në misionin e tyre i flisnin arsyes dhe çdo gjë sillej rreth arsyes e cila shpie në njohjen e Zotit. Debati shkencor i Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, me popullin e tij që adhuronin diellin, hënën dhe yjet[3]  si dhe grupi tjetër që adhuronin hyjnitë dhe perënditë në formë të statujave, ishin debate që bazoheshin në përdorimin jashtëzakonisht të madh të arsyes dhe njoftimin e tyre me realitet universale.

Kurani fisnik përmend udhëtimin intelektual të Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, për të takuar një njeri të devotshëm në pikëtakimin e dy detrave, përkatësisht Hidrin. Kurani flet që Musai i kërkoi Hidrit me shumë mirësjellje dhe dashamirësi që ta shoqëroj në mënyrë që të përfitoj nga dituritë e tij, por që Hidri iu përgjigj duke i thënë që : «Ai (Hidri) tha: “Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua!” « Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar?”[4] .

Ajetet kuranore që shtjellojnë këtë tematikë flasin për një çështje serioze në ndërtimin e mendjes shkencore, progresive dhe inovative, se të mësuarit kërkon shoqërim me dijetarin dhe librin për një kohë të gjatë, dhe jo vetëm duke dëgjuar disa ligjërata pesë minutëshe në kanalin youtube, por që njeriu duhet t’i përkushtohet seriozisht dhe me shumë pasion diturisë, studimit multidisciplinar duke kërkuar diturinë nga referencat, dorëshkrimet origjinale dhe burimet e saj.

Çështja e dytë është durimi në të mësuarit, në studimin e ideve dhe diskutimin e mendimeve të kundërta në mënyrë që të arrijmë të dëshiruarën. Kurani fisnik e konfirmon këtë kuptim më shumë se një herë në rastin e Hidrit dhe Musait, sepse shumica e njerëzve duan të dinë çështjet precize të njohurive dhe ideve në kohën më të shkurtër të mundshme.

Prandaj ndodh rreziku, dhe është gjëja e tretë, e cila është që njerëzit nuk mund të durojnë me ato që nuk i dinë qëllimet dhe sekretet e saj, dhe për këtë zgjidhja është refuzimi, dhe jo hulumtimi nga të gjitha anët.

Mendja e kreative e kërkuar është ajo që sjell diçka të re dhe nuk përsërit  informacionet tashmë të njohura, atë mendje që lirohet nga kufizimet por nuk kërcen mbi principet, nuk është një mendje endacake, as një mendje absurde, por më tepër një mendje shkencore që respekton provat, diskuton përmes argumenteve, përgjigjet me prova të qarta dhe pranon mendimin e të tjerëve pa hezitim bazuar në dituri dhe fakte të pakontestuara.

Kurani fisnik inkurajon mendjen e njeriut që të sodis, të analizoj dhe të përfitoj nga forca krijuese e Zotit në Univers, ai i drejtohet mendjes krijuese dhe progresive që të meditoj për një çast përmes fjalëve joshëse : « A nuk i shikojnë devet se si janë krijuar? Edhe qiellin se si është ngritur lart! Edhe kodrat se si janë venduar! Edhe tokën se si është shtruar!».[5]

Ky lexim metodologjik krijon mendjen metodologjike dhe kërkuesin e së vërtetës në univers, në histori, në parim dhe në zhvillimin e mendimit njerëzor. « Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi, pastaj All-llahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Është e vërtet se All-llahu ka mundësi për çdo send.»[6]

Kur’ani, si një referencë përfundimtare për të gjithë njerëzit, i mëson pasuesit e tij se besimi Islam është i bazuar në prova, fakte dhe dituri, se një musliman i vërtetë nuk është një iluzionist që ka krijuar një perceptim të shtrembëruar dhe të gabuar dhe se nuk është e mundur në asnjë mënyrë askush të pushtojë mendjen e besimtarit, sepse ai ka një mendje të gjallë dhe vigjilente, përfaktin që libri hyjnor i Zotit e nxori atë nga bota e varësisë në botën e pavarësisë.

Mendja kreative muslimane nuk e refuzon të vjetrën për shkak të lashtësisë së saj, dhe nuk e pranon të renë vetëm pse se i përket epokës moderne , por ajo pranon dhe refuzon me një metodologji të rreptë, dhe për këtë krijon dhe vjen përmes studimeve të përpikta të ideve të vjetra dhe të reja, përmes bluarjes, filtrimit dhe miratimit të tyre. Ajo nuk ka frikë nga e reja, e as nuk është e impresionuar nga ajo pse është e re, e as nuk e përbuz të vjetrën pse është e vjetër. Ajo nuk i shenjtëron, dhe përpiqet të përfitojë nga e kaluara, e konsideron atë, dhe jeton në momentin e saj duke bashkëvepruar me çështjet e kohës, duke u përgatitur për të ardhmen dhe surprizat e saj, dhe në këtë mënyrë ajo rinovohet dhe përtëritet, sepse ajo gjithmonë lexon, dhe kurrë nuk ndalet në një stacion specifik.

Unë kam parë predikues të fesë që shfaqen në mihrabe, në tribuna shkencore dhe media, të cilët më tepër i japin përparësi dukjes së jashtme sesa përmbajtjes intelektuale, flasin për çështje serioze dhe të rëndësishme në ndërkohë për çështjen në fjalë nuk kanë lexuar më shumë se një libër dhe më pas shkojnë në media dhe i drejtohen publikut dhe kjo është një rënie morale para se të jetë një rënie intelektuale.

Predikuesit e fesë duhet të fokusohen në temat aktuale, ata duhet të marrin mbi supe përgjegjësinë e orientimit të rinisë, përndryshe do të ballafaqohen me një brez të ri që dëshirojnë të bëhen youtubera sesa besimarë të devotshëm.  Shumë të rinjë po tërhiqen pas feve digjitale, ndoshta nuk do mbesë nga islami që dimë pos shehadetit, ritualeve dhe adhurimeve në formë por të zbarazura nga shpirti dhe besimi. Ateizmi është në rritje të sipërt në mesin e komunitetit tonë andaj duhet moblizim intelektual që të në ardhmen të jipen përgjigje të sakta, bindëse dhe argumentuese në lidhje me të gjitha çështjet që prekin brezin e ri dhe përgjithësisht me fenë.

Individi dhe familja nuk do të jenë një soj pas 20 vitesh, ajo që nuk ka vlerë sot në percpetimin dhe rregullat e fesë reklamohet si vlerë dhe e mirë, që don të thotë se ka filluar rrënimi i vlerave, i familjes pse jo edhe i fesë, duke zbehur ndikimin e saj, më tepër për fajin tonë sesa të tjerëve. Për këtë arsye nevojitet një diskurs i ri, i arsyeshëm, bindës dhe bashkëkohor për të qenë më kreativ dhe bindës.

Mendja kreative përfiton nga rrethanat përreth, ka zona të caktuara që ndihmojnë kreativitetin dhe ato janë vendet ku civilizimet takohen, kështuqë individët që jetojnë dhe veprojnë në shoqëri multikulturore dhe multikonfesionale kanë më shumë gjasa të jenë mendje kreative.

Populli ynë pret shumë nga brezi aktual i predikuesve të fesë në diasporë për një mendim islam kreativ dhe progresiv, për një mendje intuitive dhe racionale si një përpjekje e re për një mendësi intelektuale krijuese, një propozim dhe trajtesë të shquar, prandaj do të ishte më mirë për ne që të lexojmë më shumë, të studijojmë mes tjerash shkencat humane, të njihemi me kulturat dhe civilizimet e kombeve dhe religjioneve, duke besuar se këto përpjekje serioze do të kthehen në projekte kulturore që do të ndërtojnë mendjen kreative dhe nga këtu do të jetë fillimi i ngritjes së civilizuar, e cila do t’i përgjigjet nevojave të kohës si dhe mbarë shoqërisë njerëzore.

11.02.21, Aarburg

_______________________

[1] Dr.Murat Dagitmaç dhe Neuropsikologu Shehadet Ekmen, Revolucioni Psikologjik Digjital,bot.1-rë, Shtëpia botuese Motto,Prizren, 2020 fq.116-117.

[2] Po aty,fq.161-162.

[3] Kaptina El En’am, 75-79.

[4] Kaptina El Kehf,67-68.

[5] Kaptina El Gashijeh,17-20.

[6] Kaptina El Ankebut,20.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP