Most read

Falja e namazit të xhumasë dy herë në një xhami

FALJA E NAMAZIT TË XHUMASË DY HERË NË NJË XHAMI, ME ARSYE

Pyetja:

Disa xhami kanë problem në ditën e Xhuma, ngase tubohen shumë njerëz për ta falur namazin e xhumasë, ndërkaq xhamia nuk është aq e madhe, gjë që i detyron disa të falen jashtë në rrugë. Mirëpo, ky veprim, ka shkaktuar pengesa për këmbësorët dhe lokalet afariste, ashtu që disa prej tyre janë ankuar në polici. Në disa raste, organet kompetente e kanë ndaluar faljen e namazit në rrugë, bile në disa raste xhamia është kërcënuar me mbyllje. Për këtë, a lejohet që përgjegjësit e xhamisë të organizojnë faljen e namazit të xhumasë në dy turne, në të njejtën xhami? Nëse kjo lejohet, pyetja tjetër është, a do ta fal xhematin i njëjti imam që e ka falur namazin e Xhumasë në turnin e parë, apo patjetër duhet të del imam një tjetër i cili nuk e ka falur namazin e xhumasë me turnin e parë?

Përgjigjja:

Juristët islamë që nga kohët më të hershme, e kanë shqyrtuar çështjen e faljes së namazit të xhumasë, në më tepër xhami, në një vend. Kjo, ngase zgjerimi i qyteteve çoi në shtimin e numrit të xhamive, dhe për rrjedhojë edhe faljen e namazit të xhumasë në disa xhami. Kështu, juristët islamë kanë patur qëndrime të ndryshme, ashtu që disa e kanë ndaluar, disa tjerë mendojnë se valid është ai namaz i të xhumasë që falet në xhaminë më të vjetër, disa tjerë mendojnë se valid është ai namaz i të xhumasë që falet para. Kjo e ka shtyrë dijetarin e njohur, imam es-Subkijun, që të publikojë një fetva për faljen e namazit të xhumasë në dy xhami, në një vend. Shkak i polemikave për këtë çështje është mosekzistimi i një teksti konkret fetar që e urdhëron apo e ndalon këtë veprim. Në mungesë të një teksti konkret fetar për këtë çështje, juristët islamë kanë anuar kah ndalimi i faljes së  namazit të xhumasë në më shumë xhami në një vend, me qëllim që mos të shkaktohen trazira, ndasi dhe përçarje në popull.

Në kohën tonë, numri i xhamive ku falet namazi i xhumasë, është shtuar, pasi nevoja e kërkon një gjë të tillë dhe nuk janë prezente pengesat që kanë qenë prezente më herët. Pyetja e parashtruar për çështjen në fjalë shihet në këtë kontekst. Kjo ndodh, disa herë, për shkak se vendi nuk është shumë i madh, ndërkaq numri i pjesmarrësve për namazin e xhumasë është i madh; disa herë tjera, kjo bëhet për shkak se njerëzit nuk mund të tubohen në të njejtën kohë për ta falur namazin e xhumasë, gjë që varet nga angazhimet dhe koha e punës së njerëzve në Evropë, ndërkaq numri i xhamive, në një qytet, disa herë është i vogël. Nisur nga kjo, Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime nuk sheh ndalesë që namazi i xhumasë të falet dy herë në të njejtën xhami, pasi për këtë veprim ka shkak të arsyeshëm, si që është vendi jo i mjaftueshëm i xhamisë, apo pamundësia që njerëzit të tubohen në të njejtën kohë. Nëse do të ndalohej ky veprim, do të kishte pasoja negative, ngase shumë muslimanë do të privoheshin nga falja e namazit të xhumasë, që konsiderohet nga ritualet madhore në Islam. Namazi i xhumasë ka edhe objektiva tjera të vlefshme, si: bashkimi i muslimanëve dhe afrimi i tyre, njohja mes muslimanëve, si dhe këshillat, mësimet dhe instruksionet.

Mirëpo, Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime e konfirmon domosdoshmërinë që falja e dy namazeve të xhumasë në të njejtën xhami, duhet të jetë nën mbikëqyrje të kryesisë së qendrës islame apo xhamisë. Kryesia vendos se si do të zhvillohet ky proces, e zgjedh imamin dhe kohën kur do të falet namazi i xhumasë për së dyti herë.

Më mirë është që namazin e dytë të xhumasë në atë xhami, ta fal një imam tjetër, e jo imami i parë. Por, nëse nuk ka imam tjetër, apo nuk mund të gjindet për shkaqe të caktuara, nuk ka ndalesë që edhe xhumanë e dytë ta fal imami që e ka falur xhumanë e parë me xhemat. Kjo bazohet në veprimin[1] e Muadh ibn Xhebelit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili e ka falur namazin e Jacisë si xhemat pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., pastaj ka shkuar në xhaminë e Kubasë (Mesxhidi Kuba), dhe u ka dalur imam njerëzve në namazin e Jacisë.

Përktheu nga arabishtja:
Bashkim Aliu

__________________

[1] Ky është qëndrimi i Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, dhe ky është komenti i tyre për veprimin e Muadh ibn Xhebelit, Disa dijetarë tjerë kanë dhënë shpjegime tjera për këtë veprim të Muadhit r.a. Sipas disa prej tyre, ky veprim është bërë për shkak se nuk ka patur njerëz që dinë ta falin namazin, dhe ka qenë e domosdoshme që ai që din, t’ua falë namazin njerëzve si imam, edhe nëse e ka falur një herë pas të Dërguarit të Allahut. Pastaj, po ashtu, kanë thënë se Muadhi r.a., nuk është falur dy herë si imam, por një herë xhemat, e së dyti si imam, duke bërë me këtë një dallim mdërmjet faljes dy herë si imam  dhe një herë si imam e një herë si xhemat. Edhe për faljen e xhumasë dy herë nga i njejti imam, jo të gjithë dijetarët janë të një mendimi. Megjithatë, më duhet të konfirmoj se qasja e Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime është i përshtatshëm dhe lehtësues për muslimanët të cilët jetojnë në Perëndim, duke mos nguruar që të gjejnë imam që do ta falë xhumanë e dytë me xhematin në xhaminë përkatëse. Në veçanti kjo fetva fiton në peshë në kohën e Panedmisë Covid-19, kur ka kufizime për numrin  e pjesmarrësve në namaz nga ana e autoriteteve shtetërore në vendet Perëndimore në veçanti, po edhe në vende tjera (B.A.).

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP