Most read

Falja e namazit të xhenazes për mbetjet e hirit të të vdekurit në rast se kufoma digjet

FETVA-ja (28/30)

PYETJA:

Nëse ndodh që autoritetet në një shtet të marrin vendim për djegien e kufomave të personave të cilët kanë vdekur si shkak i infektimit me Covid-19, a u falet namazi i xhenazes mbetjeve të tyre mortore, apo atyre u falet namazi i xhenazes në mosprezencë-salatu-l-gaib? Si të veprojnë muslimanët para një vendimi të këtillë?

PËRGJIGJJA:

Fillimisht duhet konfirmuar se Feja Islame e ka nderuar qenien njerëzore dhe e ka ngritur në pozitë të lartë. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Ne, vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)…>>[el-Israë: 70]. Islami urdhëron që i vdekuri të varroset në varr i cili hapet në dhe. Kur’ani na ka treguar për rregullat e varrimit të të vdekurit në rrëfimin e dy bijve të Ademit, Habilit dhe Kabilit, në fillim të historisë së gjinisë njerëzore. Allahu i Madhërishëm ka thënë:<<Allahu dërgoi një sorrë, e cila groponte në dhe, për t’i treguar atij se si ta mbulojë trupin e të vëllait…>>[el-Maide: 31]. Tekstet fetare bëjnë thirrje për sjellje të dinjitetshme ndaj kufomës së të vdekurit duke e obliguar larjen e kufomës, mbështjelljen me qefin, faljen e namazit të xhenazes dhe në fund varrimin e kufomës. E gjithë kjo duhet të bëhet me butësi. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:”T’ia thesh ashtin të vdekurit, është sikur t’ia thesh të gjallit”. Hadithin e kanë transmetuar Ebu Davudi dhe Ahmedi me zinxhir autentik transmetuesish-sened sahih. Kjo dhe sipas njohurive tona, shtetet evropiane i respektojnë veçoritë religjioze të të vdekurit. Nisur nga kjo, muslimanët duhet t’u drejtohen autoriteteve kompetente në çdo vend që të ofrojnë varreza apo hapësirë të veçantë për muslimanët në kuadër të varrezave publike, ku ata do t’i varrosin të vdekurit e tyre. Në veçanti, kjo vjen në shprehje në rrethanat aktuale, kur muslimanët nuk mund t’i transportojnë të vdekurit e tyre në vendet e origjinës, ashtu që imponohet nevoja e varrimit në vendin ku kanë vdekur, por kjo duhet të ndodh konform ritualeve të fesë së tyre.

Mirëpo, nëse ndodh që autoritetet e një vendi të caktuar, t’i detyrojnë të gjithë banorët e vendit përkatës që t’i djegin kufomat, përfshi këtu edhe muslimanët që jetojnë në atë vend, gjë që do binte ndesh me rregullat që do të duhej të vlenin, atëherë muslimanët do të duhej ta falin xhenazen e të vdekurve  para se të digjen, apo ta falin xhenazen e mbetjeve të kufomës. Nëse nuk mund ta falin as namazin e xhenazes për mbetjet mortore ps djegies, atëherë e falin namazin e xhenazes në mosprezencë-salatu-l-gaib. Namazi për të vdekurin është lutje për mëshirë dhe falje për të vdekurin, e çdo i vdekur ka nevojë për këto lutje.

KEFGJ u rekomandon muslimanëve që të shkruajnë testament të vërtetuar ligjërisht (notarizuar) ku do të kërkojë që pas vdekjes, kufoma e tij të trajtohet konform rregullave islame, me qëllim që ta evitojë çdo trajtim tjetër të kundërt.

[Këto fetva jepen në rrethana të Pandemisë Covid-19, ashtu që duhet të kuptohen në kontekst kohor të situatës së krijuar nga Pandemia Covid-19, si dhe konform metodologjisë së Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, e cila i konsulton mendimet e të katër shkollave juridike islame, si dhe dijetarëve tjerë islam, por KEFGJ nuk e obligon veten që të jep fetva sipas një shkolle të caktuar juridike islame. B.A.]

Përktheu nga arabishtja: Bashkim Aliu

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP