Most read

Racizmi antimusliman në Zvicër

Rehan Neziri

Më 27 shkurt 2025 në Bernë është prezantuar një studim empirik lidhur me racizmin antimusliman në Zvicër. Me porosi të Zyrës për Luftimin e Racizmit (FRB), Qendra Zvicerane për Islam dhe Shoqëri (SZIG) pranë Universitetit të Freiburgut ka kryer për herë të parë një studim gjithëpërfshirës mbi racizmin antimusliman në Zvicër. Ky studim, brenda 83 faqeve, i analizon si bazat teorike, ashtu edhe përvojat konkrete të personave të prekur dhe formulon rekomandime për parandalimin e këtij fenomeni. Studimi e plotëson serinë e kërkimeve shkencore të FRB mbi format e ndryshme të racizmit në Zvicër.

Studimi në fjalë i ndjek dy qëllime kryesore: Së pari, ai ofron një përkufizim (definicion) të racizmit antimusliman duke iu referuar literaturës shkencore; së dyti, ai vendos në qendër të një analize cilësore (kualitative) përvojat e personave të prekur. Anketimet tregojnë se si racizmi antimusliman ndikon në jetën e individëve, cilat strategji përballimi ata i zhvillojnë dhe cilat struktura shoqërore e forcojnë përjashtimin. Kjo qasje mundëson një të kuptuar të gjerë dhe të diferencuar të racizmit antimusliman në Zvicër, e cila është e domosdoshme për punën e mëtejshme të autoriteteve, organizatave, shoqërisë civile dhe profesionistëve në hartimin e masave konkrete për parandalim.

Personat e prekur raportojnë përjashtime (ekskluzione) nga të tjerët për shkak të emrit ose pamjes së tyre, që perceptohen si “muslimane”, në shkollë, në vendin e punës dhe në jetën e përditshme. Kjo reflektohet edhe në studimet dhe kërkimet në terren. Këto dhe njohuri të tjera janë përmbledhur në studimin “Racizmi antimusliman në Zvicër”, të cilin SZIG e ka realizuar me porosi të FRB midis viteve 2023 dhe 2024. Ky është studimi i parë gjithëpërfshirës mbi këtë formë specifike të racizmit në Zvicër.

Definicioni

Racizmi antimusliman përshkruan modele përgjithësuese dhe përçmuese të mendimit, perceptimit dhe veprimit ndaj muslimanëve dhe personave që perceptohen si muslimanë. Ai shkon përtej një qëndrimi armiqësor ndaj muslimanëve nga individë të veçantë: ai duhet kuptuar si një marrëdhënie shoqërore e formuar historikisht brenda shoqërisë.

Në procesin e racifikimit, muslimanët ose ata që perceptohen si të tillë paraqiten si një grup homogjen me tipare të pandryshueshme. Racizmi antimusliman shprehet, ndër të tjera, në mohimin e pluralizmit: ndërsa grupi i vet perceptohet si i larmishëm dhe heterogjen, muslimanët reduktohen vetëm te përkatësia e tyre fetare, duke i injoruar aspektet e shumta të identitetit të tyre. Kjo krijon idenë se të gjithë muslimanët ndajnë vlera të njëjta ose madje të njëjtin qëndrim politik. Shpeshherë, atyre u atribuohen në mënyrë të përgjithësuar – ndër të tjera – homofobia, seksizmi, antisemitizmi, rezistenca ndaj demokracisë ose një prirje për dhunë.

Një tjetër aspekt i racizmit antimusliman është fakti që muslimanëve u atribuohet një natyrë e pandryshueshme. Kjo i privon ata nga çdo mundësi zhvillimi dhe ndryshimi. Nëse muslimanët shprehin moskuptim ndaj polemikave, për shembull në lidhje me simbole fetare që kanë rëndësi për ta, kjo shpesh shihet si dëshmi e paaftësisë së tyre për të pranuar kritika – dhe për pasojë, si një tregues i papajtueshmërisë së tyre thelbësore me vlerat që konsiderohen si “evropiane”.

Diskurse dhe narativa

Mënyra se si mendojmë dhe si i perceptojmë gjërat ndikon në veprimet tona. Modelet e mendimit, perceptimit dhe veprimit që lidhen me racizmin antimusliman janë thellësisht të rrënjosura. Për shembull, rrëfimi mbi një “marshim kërcënues islamik” në Evropë daton që nga shek. VII. Ndërkohë, diskurset koloniale tregojnë se si “Orienti” është shndërruar në një hapësirë projeksionimi, si për ekzotikën, ashtu edhe për inferioritetin. Në Zvicër, rrëfimi i “mbi-migrimit” (Überfremdung) është i rrënjosur historikisht dhe ka ndikuar në debatet mbi emigracionin dhe integrimin që nga fillimi i shek. XX. Ky koncept është përdorur ndër dekada kundër grupeve të ndryshme – dhe së fundmi edhe kundër muslimanëve.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 përbëjnë një ngjarje kyçe globale për diskurset moderne rreth Islamit dhe muslimanëve. Pas këtyre ngjarjeve, në Zvicër emigrantët nga Ballkani dhe Turqia filluan të perceptoheshin kryesisht si muslimanë dhe, në kontekstin e akteve të dhunës, shpesh shiheshin si një kërcënim për shoqërinë zvicerane. Në nivel politik, miratimi i iniciativës për ndalimin e minareve në vitin 2009 përfaqëson një pikë kulmore. Debatet rreth këtij referendumi kontribuan më tej në problematizimin e muslimanëve në diskursin publik. Kjo pasqyrohet edhe në numrin e madh të nismave politike që u drejtohen drejtpërdrejt personave muslimanë. Për më tepër, analizat e raportimeve mediatike tregojnë një rritje të vazhdueshme të artikujve që fokusohen në radikalizimin dhe terrorizmin, duke ndihmuar në thellimin e stereotipeve negative për muslimanët që jetojnë në Zvicër. Ndërlidhja mes diskursit mbi “të huajt” dhe racizmit antimusliman ishte e dukshme edhe në vitin 2004, kur në referendum u hodh poshtë natyralizimi i lehtësuar për gjeneratën e dytë dhe të tretë të emigrantëve. Megjithëse propozimi nuk u referohej në mënyrë specifike muslimanëve, fushata kundërshtuese i kishte ata si objektiv kryesor. Iniciativa për ndalimin e mbulimit të fytyrës, e miratuar nga votuesit në vitin 2021, u drejtua në mënyrë të tërthortë kundër pakicës muslimane. Në diskursin publik u bë e dukshme se si imazhet e të qenit “i huaj” ndërthuren me çështjet gjinore: gruaja muslimane paraqitet si e shtypur, ndërsa burri musliman si seksist.

Faktet dhe gjetjet

Në Zvicër ekzistojnë disa studime mbi racizmin antimusliman. Ndër të tjera, analizohen edhe qëndrimet e popullsisë ndaj muslimanëve nëpërmjet të dhënave empirike. Sipas anketës “Bashkëjetesa në Zvicër” (ZidS) të Zyrës Federale të Statistikave (BFS), armiqësia ndaj muslimanëve është ndër më të lartat, duke u renditur menjëherë pas asaj ndaj personave të huaj. Për më tepër, rreth një e treta e popullsisë që nuk i refuzon stereotipet ka prirje ndaj stereotipeve shumë negative për muslimanët (ZidS 2016-2020).

Vendi i punës dhe arsimimi

Në përgjithësi, diskriminimi racor në tregun e punës është i dokumentuar gjerësisht me anë të studimeve. Sipas Monitoring FRB, përvojat e racizmit përjetohen më shpesh në mjedisin e punës. Shumica e personave të prekur e kanë përjetuar diskriminimin gjatë kërkimit të punës ose në përditshmërinë e tyre profesionale.

Hulumtimet tregojnë se muslimanët preken veçanërisht nga diskriminimi në tregun e punës. Për shembull, punëkërkuesit me emra kosovarë, të cilët mund të perceptohen si muslimanë, kanë më pak gjasa të ftohen për intervista pune. Një studim mbi hendekun e punësimit të muslimanëve (Muslim Employment Gap) tregon se ata kanë një rrezik më shumë se dyfish më të lartë të papunësisë krahasuar me ata që nuk janë muslimanë. Posedimi i një pasaporte zvicerane nuk ndikon në këtë hendek punësimi dhe as një diplomë universitare nuk e përmirëson dukshëm qasjen e tyre në tregun e punës.

Një i anketuar tregon se, nga mbi 160 aplikime të dërguara për punë, ka marrë përgjigje vetëm nga persona që ai i perceptonte si me prejardhje të huaj. Një grua, pavarësisht një diplome të lartë, nuk po gjente punë për një kohë të gjatë, ajo u këshillua nga Zyra Rajonale e Punësimit që të aplikonte pa shami.

Ka pak studime mbi racizmin në sistemin arsimor zviceran. Nga hulumtimet dihet se përkatësia në një shtresë socio-ekonomike të pafavorizuar dhe një histori migrimi e rrit rrezikun e diskriminimit. Të dyja këto dimensione i prekin shumë muslimane dhe muslimanë, duke i bërë ata potencialisht të ndikuar nga pabarazitë në arsim.

Një komponentë strukturore janë gjithashtu përshkrimet stereotipike në materialet mësimore. Në klasë, fëmijët dhe të rinjtë muslimanë shpesh, pa dëshirën e tyre, shihen si “ekspertë” të Islamit dhe sikur janë të detyruar ta sqarojnë e komentojnë Kur‘anin – ndërsa aspekte të tjera të identitetit të tyre mbeten në hije. Njëra nga të anketuarat, e cila ka shkuar në shkollë me shami, është përballur me një mësues që i ka thënë se, për shkak të pamjes së saj, “nuk do të arrijë asgjë në jetë” dhe se duhet ta rimendojë mbajtjen e shamisë.

Gratë me shami

Gratë muslimane përjetojnë forma të ndryshme diskriminimi krahasuar me burrat muslimanë. Në debatin publik shamia, si një simbol i dukshëm, luan një rol të rëndësishëm.

Sipas ekspertëve, gratë që mbajnë shami dhe përjetojnë diskriminim, shpesh perceptohen si të huaja – pavarësisht shtetësisë, nivelit arsimor apo përkatësisë së tyre shoqërore. Një studim tregon se mbajtja e shamisë paraqet një pengesë kryesisht në arsimin profesional, ndryshe nga universitetet. Edhe me dëftesa të shkëlqyera, për vajzat e reja me shami është e vështirë të gjejnë një vend praktikimi (Lehrstelle).

Eksperimentet në terren tregojnë se gratë me shami trajtohen ndryshe në situata të përditshme krahasuar me gratë pa shami. Për shembull, gratë me shami morën më pak ndihmë kur iu drejtuan të tjerëve për të përdorur telefonin e tyre për një thirrje urgjente. Një tjetër eksperiment në një shkallë lëvizëse tregoi se gratë me shami qortoheshin më shpesh kur nuk e ndiqnin rregullin “qëndro djathtas, ec majtas”.

Perspektivat e të prekurve

Si ndikon racizmi te personat e prekur dhe si e përballojnë ata këtë? Përgjigjet e të intervistuarve për këtë studim ilustrojnë se si muslimanet dhe muslimanët në Zvicër e përjetojnë racizmin dhe çfarë strategjish kanë zhvilluar për ta përballuar atë.

Të anketuarit përmendin kryesisht tri veçori që lidhen me perceptimin e tyre si “të huaj” ose “të ndryshëm”: emrin, pamjen e jashtme dhe, te gratë, shaminë.

Pothuajse të gjithë e përjetojnë që vlerësimi i emrit të tyre si “musliman” sjell përjashtim dhe diskriminim.

Edhe pamja e jashtme duket se luan një rol të rëndësishëm. Gratë e anketuara tregojnë se, pa shami, shpesh perceptohen si spanjolle ose italiane – dhe për rrjedhojë, si të huaja “jo problematike”. Ndërkohë, gratë muslimane që mbajnë shami përballen me sjellje të ndikuara nga stereotipet. Atyre u atribuohet veçanërisht supozimi se jetojnë në marrëdhënie familjare dhe gjinore patriarkale. Edhe burrat muslimanë përjetojnë stereotipe të bazuara në pamjen e tyre të jashtme – për shembull, kur veshin pantallona sporti në kohën e lirë dhe perceptohen si kërcënues. Veçanërisht tek burrat, duket se veshja e caktuar shoqërohet me perceptimin e tyre si “të huaj” dhe si pjesë e një shtrese të ulët shoqërore.

Muslimaneve dhe muslimanëve u atribuohet gjithashtu mungesa e njohurive gjuhësore dhe një nivel i ulët arsimor.

Të anketuarit përmendin gjithashtu imazhin negativ dhe të padiferencuar të Islamit: ata ofendohen si “terroristë” ose akuzohen se duan ta përhapin Islamin në shoqërinë zvicerane.

Përveç kësaj, shpesh u mohohet e drejta për të marrë vendime të lira. Për shembull, heqja dorë nga alkooli interpretohet si një detyrim fetar, ndërsa te personat jomuslimanë kjo shihet si një zgjedhje e pavarur.

Të anketuarit raportojnë përvoja të diskriminimit strukturor edhe në fusha të tjera të jetës: në sistemin shëndetësor, në hapësirat publike, në lagje, si dhe në kontakt me policinë dhe autoritetet. Përvojat e tyre tregojnë gjithashtu një nën-raportim të theksuar të racizmit antimusliman: shumë të prekur nuk e denoncojnë diskriminimin, pasi shpesh ndihen sikur raportimi nuk do të ketë asnjë pasojë.

Rekomandime për një parandalim dhe luftim më të mirë

Studimi përfundon me rekomandime konkrete për parandalimin e racizmit antimusliman. Këto përfshijnë:

–  Zgjerimin e mbështetjes dhe shërbimeve këshilluese për personat e prekur, për t’u ofruar atyre ndihmë efektive dhe qasje më të lehtë në mbrojtje ligjore.
–  Rritjen e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të institucioneve dhe publikut mbi këtë problematikë, nëpërmjet trajnimeve, fushatave informuese dhe edukimit nëpër shkolla.
–  Përdorimin e një qasjeje ndërsektoriale, duke marrë parasysh ndërthurjen e formave të ndryshme të diskriminimit, si ai mbi bazën e përkatësisë fetare dhe gjinisë, për t‘i adresuar më mirë nevojat specifike të grupeve të prekura.
–   Thellimin e studimeve shkencore në gjurmimin dhe vlerësimin sistematik të këtij fenomeni.
Këto rekomandime do të integrohen gjithashtu në strategjinë kombëtare dhe në planin e veprimit kundër racizmit dhe antisemitizmit, të cilat do të hartohen në muajt e ardhshëm nën drejtimin e FRB.

Qendrat e këshillimit dhe raportimit

Rrjeti Kombëtar i Këshillimit për Viktimat e Racizmit (Beratungnetz für Rassismusopfer) përfshin 23 qendra të specializuara, të cilat ofrojnë mbështetje për personat që përjetojnë diskriminim racist në të gjitha rajonet gjuhësore të Zvicrës.

Më poshtë janë disa organizata këshilluese dhe qendra raportimi të specializuara për muslimanët ose për rastet e racizmit antimusliman:

• Komisioni Musliman i Baselit (BMK), për kantonet Basel-Stadt dhe Basel-Landschaft
• De l’Individuel au Collectif (DIAC), për kantonin e Gjenevës
 Federata e Organizatave Islame të Zvicrës (FIDS)për mbarë Zvicrën (raportimi mund të bëhet edhe me anë të aplikacionit për celularë „SwissMosque“ – „Raporto islamofobinë“)
• Tasamouh, për kantonin e Bernës
• Shoqata e Organizatave Islame të Cyrihut (VIOZ), për kantonin e Cyrihut

Burimi: 
Antimuslimischer Rassismus in der Schweiz – Kurzfassung zur Grundlagenstudie

Kreuzlingen, 10.03.2025

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP