Most read

A lejohet përmes injeksioneve të përcaktohet gjinia e dëshiruar e foshnjeve?

PËRGJIGJJA:

Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqa qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tonë, Muhammedin s.a.v.s.

Komisioni për Çështje Fetare pranë Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër e shqyrtoi pyetjen e dërguar nga Abdulkerim Sadiku, dhe pas analizës dhe diskutimit për çështjen në fjalë, arriti në përfundimin vijues:

I – Interesi për identifikimin e gjinisë së fetusit dhe kërkimi i mënyrave për ta arritur këtë, nuk është çështje e re, por një çështje që ka një histori të lashtë. Ajo që është e re, në këtë rast, është përparimi i bërë në mënyra dhe mjete me të cilat mund të përcaktohet gjinia e fetusit qoftë mashkull apo femër. Njerëzit, si në të kaluarën, po ashtu edhe sot, kanë përdorur dhe përdorin mënyra dhe forma të ndryshme në përcaktimin e llojit të gjinis së fetusit (fëmijës). Dhe kjo duke u bazuar në tradita, legjenda, dhe tash, në kohën moderne, kjo realizohet përmes metodave shkencore në mjekësi.

II – Kjo çështje, në këtë formë si realizohet sot, pra përmes injeksioneve, nuk ka qenë e njohur më herët. Për atë, si temë debati, për këtë mënyrë përzgjedhjeje të gjinisë së fetusit, është shtruar nga dijetarët bashkëkohorë, dhe ata kanë dhënë mendime të ndryshme.

Për çështjen në fjalë ka tre mendime nga dijetarët bashkëkohor:

1. Përcaktimi dhe zgjedhja e gjinisë së fetusit – fëmijës në esencë është e lejuar, sepse nuk ekziston ndonjë argument i fortë në jurisprodencën islame që e ndalonë një veprim të tillë. Nga dijetarët bashkëkohor që kanë dhënë një mendim të tillë se lejohet zgjedhja dhe përcaktimi i gjinisë së fëmijës, janë: shejh Abdullah El-Besam, shejh Mustafa Ez-Zerka, shejh Dr. Jusuf el-Kardawi, shejh Abdullah bin Bejje, shejh Nasër Ferid, shejh Tekijuddin el-Othmani, Muhamed ibn Salim Abdu-l-Vedud, shejh Ibrahim ed-Desuki, shejh Salih ibn Humejd, shejh Dr. Alij Xhumua, etj. Të këtij mendimi janë edhe Akademia e Fetvave të Jordanit, Ekipi i Fetvave pranë Ministrisë së Vakëfeve të Kuvajtit.

2. Ndalohet në çdo mënyrë ndërhyrja e faktorit njeri, në çfardo forme qoftë, në përcaktimin e gjinisë së fetusit. Të këtij mendimi janë: shejh Muhamed Ravi, Shejh Ahmed el-Kurdij, Dr.Abdu Nasir Ebu-l-Besal, shejh Fejsal Mevlevij, Shoqata e dijetarëve  të mëdhnj në Arabinë Saudite, etj.

3. Moratoriumi në çështje. Pra, disa dijetarë nuk kanë thënë as se lejohet dhe as se nuk lejohet, marrë parasysh se ka shumë polemika dhe këndvështrime të ndryshme për argumentetet e palëve të përmendura, dhe nuk ka një tekst të qartë dhe autentik fetar që e lejon qartë apo që e ndalon qartë. Këtë qëndrim e mban Shejh Omer Sulejamn el-Eshkar, Shejh Teufik el-Va’i, etj.

Palët kanë përmendur edhe argumentet e tyre fetare, mirëpo çdo argument është kontestuar, apo është dhënë për të një interpretim tjetër nga pala që mendon ndryshe. Për këtë, nuk e pamë të përshtatshme t’i përmendim për shkak laramanisë dhe debateve për to. Por, ajo që konfirmojmë ne si komision, në bazë të  analizës dhe shpjegimeve të dijetarëve, është se për çështjen në fjalë nuk ka një argument të qartë, të drejpërdrejtë dhe autentik që e ndalon në mënyrë të qartë apo që e lejon këtë gjë.

III – Kërkesa dhe ndërhyrjet e faktorit njeri për përcaktimin e gjinisë së fetusit, nuk janë në kundërshtim me vullnetin, caktimin dhe dijen e Zotit të Madhërishëm, dhe nuk janë ndryshim i krijaturës së asaj që e krijon Krijuesi Fuqiplotë. Kjo, ngase Zoti i Plotfuqishëm është Ai që dinë ekzistencën edhe para se ne të kemi qenë në mitrat e nënave, dituria e Tij është e plotë dhe absolute, duke përfshirë gjithëçka që ka në mitra, te çdo lloji krijese që ka mitër, pastaj Ai dinë se cila do të jetë gjendja e tyre, vepra dhe fati i tyre si dhe dituria se kur do të lind e kur do të vdesë. Njeriu nuk mund të bëjë asgjë jashta vullnetit të Zotit Fuqiplotë. Për këtë, edhe kjo ndërhyrje në përcaktimin e gjinisë së fetusit, nëse ndodh, ndodh me vullnetin e Zotit, e jo jashta Tij, dhe as përkundër vullnetit dhe caktimit të Zotit.

Nisur nga kjo, konkludojmë se:

Nuk e shohim të lejuar ndërhyrjen e faktorit njeri, përmes injeksioneve, për përcaktimin e gjinisë së fetusit pa kushte dhe limite, duke u thirrur në atë që ne e quajmë argument moral. Me fjalë të tjera, hapja e derës për çdo kënd, në çdo rast, pa kushte dhe limite, do të ishte çrregulluese dhe çështja do t’u lihej dëshirave të njerëzve, që mund të ketë rezultate negative.

Mendojmë se lejohet përcaktimi i gjinis së fëmijëve në raste  të kufizuara, sipas nevojës e mos të mbetet çështje e hapur e që pastaj njerëzit të bëjnë çrregullime. Prej nevojës mund ta numërojmë mbrojtjen nga sëmundjet, nëse njëra gjini e fëmijëve te personi përkatës lind me sëmundje të caktuara, e vërtetuar nga një mendim konzoliar i një grupi mjekësh, si dhe për arsye të tjera të ngjashme të justifikueshme fetarisht.

Përcaktimi i gjinis së fetusit të bëhet me pëlqimin e të dy prindërve.

Kërkesa për këtë ndërhyrje të mos bëhet për motive urrejtje ndaj një gjinie, dhe as për bindje se njëra gjini ka përparësi ndaj gjinisë tjetër.

Në fund, edhe njëherë theksojmë se kjo çështje është diskutabile dhe ka më tepër mendime. E këtillë duhet të shihet nga të gjithë që kërkojnë përgjigje, dhe e shohim të pa vend fanatizmin apo injorimin e plotë të mendimeve të cilat nuk pajtohen me mendimin që e mban një palë.

Allahu e di më së miri.

Komisioni për Çështje Fetare pranë Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër.

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP