Most read

Edukata dhe sjellja e mirë krahas një fetarësie të mirë

Hfz. Mehas Alija

Edukimi shpirtëror dhe sinqeriteti, si një reflektim i edukatës dhe sjelljes së njeriut, paraqesin thelbin e adhurimit dhe se krejt suksesi në këtë botë dhe në botën tjetër varët nga ky element. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. na ka njoftuar se humbësi më i madh, ai i falimentuari i vërtetë, është ai i cili do të vijë në Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim dhe ibadete të tjera të shumta, por që morali dhe sjellja e tij nuk kanë qenë në përputhje me vlerat e fesë dhe të besimit. Me gjuhën e tij ka fyer dhe ka sharë të tjerët, kurse me dorën e tij ka prekur nderin dhe ka derdhur gjakun e dikujt tjetër, dhe kështu, në Ditën e Gjykimit, do t’i shpaguaje krejt këto të këqija me veprat e tij të mira, gjegjësisht nga ibadetet e tij, derisa nuk i mbetet asnjë vepër e mirë për të patur mundësi të hyjë në Xhennet.

Nga ana tjetër, sipas haditheve të Muhammedit a.s., kuptojmë se njerëzit do të ngriten në nivele të larta në Xhennet vetëm për shkak se kanë qenë të pajisur me sjellje dhe morale të bukura e të mira.

“Në peshoren e matjes së veprave në Ditën e Gjykimit nuk do të rëndojë asgjë më shumë se sa morali i mirë.” Ose në hadithin tjetër thuhet: “Te All-llahu janë më të dashur ata që kanë moralin më të mirë”. Po ashtu: “Besimtarët me nivelin më të lartë të moralit janë ata që kanë sjelljen më të bukur.” “Kush beson në All-llahun dhe në Ditën e Gjykimit, le të fletë mirë ose le të heshtë.”

Të nderuar vëllezër e motra! Të kesh moral të mirë nuk donë të thotë se të përfitosh vetëm në botën tjetër, Ahiret. Me moralin e mirë dhe të bukur njeriut i hapen shumë dyerë të mirësisë edhe në këtë botë, pra qysh në dynja. Njerëzit e këtillë janë burimi i çdo të mire. Zoti i ka përshkruar në suren Hashr besimtarët e mirë, të pajisur me moral, të cilët përveç se luten për veten e tyre, luten edhe për të tjerët, duke thënë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve; O Zoti ynë, Ti je, me të vërtetë, i mirë dhe mëshirues!” (Hashr, 10). Kjo lutje nuk ka se si të mos jetë si fryt i një morali të bukur, e një dashamirësie edhe për të tjerët.

Kjo është teoria, por nëse i kthehemi praktikës dhe realitetit tonë muslimanë, do të shohim se kemi shumë mangësi. Ne, gjithë ditën, mund të themi se Islami është fe që nxit në urtësi, sinqeritet, fisnikëri, butësi dhe në pikëpamje të tjera të moralit të mirë, mirëpo praktika jonë e dëshmon të kundërtën e kësaj. Më e keqja ndodh kur muslimanë të caktuar, edhe pse falen dhe kryejnë ibadete, tregojnë se e kanë keqkuptuar fenë dhe dëshmojnë për një mungesë të sjelljes së bukur dhe dështim në përditshmëri, ashtu që bëhen pasqyrë e keqe në prezantimin e Islamit dhe të vlerave tona shpirtërore e zakonore. Ne duhet medoemos ta kuptojmë se me sjellje negative do të vazhdojmë ta dëmtojmë vetveten, vlerat tona fetare dhe bashkësinë tonë muslimane.

Vëllezër besimtarë, për një njeri do të themi se është adhurues i madh, ibadetçi i vërtetë, atëherë kur ibadeti do të reflektojë në sjelljet e tij të mira. A nuk na edukon edhe Kur’ani në këtë frymë? Ja se çfarë thotë All-llahu xh.sh.: “Namazi, me të vërtetë, të largon nga të irituarat dhe nga çdo vepër e shëmtuar.” (El-Ankebut, 45). E nëse namazi, që e falim pesë herë në ditë, nuk do të ndikonte që t’i përmirësonim sjelljet tona, atëherë cila punë tjetër do të ndihmonte më shumë?

Sjellja e mirë nuk ka të paguar në fenë tonë, por edhe në të gjitha religjionet dhe drejtimet e tjera.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP