Most read

URIMI ME RASTIN E FITËR BAJRAMIT PËR VITIN 2022

Të nderuar vëllezër e motra!

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër njofton të gjithë xhematet dhe besimtarët muslimanë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, se dita e parë e Fitër Bajramit është më 02 maj 2022, e hënë.

Besimtarë e besimtare të nderuara, ju që i plotësuat ditët e caktuara të agjërimit, që madhëruat Zotin dhe u afruat me Të, dijeni se është koha të kënaqemi dhe të gëzohemi për afërsinë e Krijuesit tonë dhe të vazhdojmë tutje, në ditët dhe muajt e vitit, si adhurues të bindur ndaj Tij. Sepse ne nuk adhuruam Ramazanin, por Zotin e Ramazanit, të Kur’anit, të universit dhe të njerëzimit.

Muaji Ramazan mbaroi, por pas tij fillon një jetë e re. Fundi i tij është, në fakt, fillimi i një jete dhe angazhimi të ri për atë që agjëroi dhe e respektoi Ramazanin. Në Ramazan, besimtari dhe besimtarja e freskojnë dhe e rigjallërojnë shpirtin, duke e pastruar atë nga të gjitha të metat e shkaktuara nga dëshirat e tepërta të trupit. Në këtë mënyrë, shpirti ndjehet më i lirë, më i fuqishëm dhe më i gatshëm të vazhdojë rrugën drejtë përkushtimit sa më të mirë të Krijuesit të gjithësisë, All-llahut fuqiplotë.

Të respektuar vëllezër e motra!

Në prag të festës së madhe të Fitër Bajramit, urimin tonë, urimin e Kryesisë së Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, e përcjellim, në radhë të parë te muslimanët në Zvicër, te xhematet dhe familjet tona, pastaj te të gjithë ata muslimanë që jetojnë dhe veprojnë në shtetet fqinje, për muslimanët tanë shqiptarë në vendlindjet tona dhe për të gjithë botën mbarë muslimane.

Po ashtu, le ta ndajmë këtë gëzim tonin edhe me të tjerët, me jomuslimanët, me fqinjët dhe bashkëpunëtorët tanë! Le ta falim njëri-tjetrin dhe le të bëhemi zemërgjerë me çdokënd që takohemi dhe me secilin që kontaktojmë.

Zoti ynë, begatoje gjendjen tonë, ashtu që të jetojmë në paqe dhe në dashuri!

Zoti ynë, shëroi të sëmurët, mëshiroi të vdekurit, si dhe forcoi në rrugën e mbarë dhe të lumturisë të gjithë ata që punuan për të mirën e njerëzimit. Amin!

Urime dhe me fat u qoftë festa e Fitër – Bajramit!

Hfz. Mehas Alija
Kryetar i KMSHZ

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP