Most read

Ramazani prej një këndvështrimi tjetër

Hoxhë Nehat Ismaili

Kur’ani fisnik si një Libër i Zotit është i mrekullueshëm në vetvete dhe mbart brenda tij një projekt të integruar për të kuptuar jetën ashtu siç është, jo siç duam ne, dhe problemi është gjithmonë në sytë që lexojnë këtë Libër të shenjtë, a do ta lexojmë me sy të përgjumur, të sëmurë apo të vdekur, sepse një mendim i gabuar riprodhon një botëkuptim të gabuar, praktikisht një veprim të gabuar.

Çuditërisht shumë shpejtë kaloi gjysma e parë e muajit të bekuar të Ramazanit dhe ne po shtegtojmë rrugës për në gjysmën e dytë, e sidomos në dhjetëditëshin e tretë të artë të ramazanit kur duhet edhe më shumë intensitet, përkushtim, lutje dhe përgjërim.

Kur’ani fisnik përmes mesazheve të tij orienton besimtarët që në vazhdimësi të bëjnë përpjekje për të kuptuar misteret e universit, misionin e krijimit të njeriut dhe rolin e tij në univers si vepër më madhështore e Zotit. Kur’ani u thotë besimtarëve..mos u ndalni, sepse koha nuk ndalet, dhe mos mendoni se vetëm e kaluara është e bukur, apo se e tashmja mund të jetë e shumtuar ndërsa e ardhmja e paqartë…kurrsesi! Ecni me kohën ashtu siç lëvizë koha, mos lejoni të jeni vetëm numër por të jeni një numër shumë i rëndësishëm, një protagonist i padiskutueshëm dhe pjesmarrës aktiv në krijimin e ngjarjeve e jo vëzhgësues pasiv.

Kurani fisnik përmes përshkrimit të ngjarjeve mbi profetët e Zotit dhe popujt e tyre në mënyrë të shkëlqyer pasqyron një mesazh shumë të rëndësishëm duke na informuar se ka prej njerëzve që jetojnë sipas parimeve dhe të tjerë që jetojnë pa ndonjë ideal dhe synim të qartë. Të parët e kërkojnë lumturinë në parime dhe ide ndërsa të dytët në gjëra të pavlera. Mbase grupi i dytë që jeton pa ndonjë ideal të qartë mund të jetë i suksesshëm në arritjen e disa sukseseve kurse grupi i parë mund të humb nga sukseset e synuara por historia do ti mbajë mend në kujtesën e saj për shekuj me rradhë grupin e parë, atë të parimeve, ideve dhe vlerave.

Duke shfletuar trashigiminë fetare do të lexojmë që gjatë kohës së Imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, kishte shumë të pasur, dhe të tjerë që kishin pushtet absolut duke menduar që asnjëherë nuk perëndon dielli i tyre i lavdisë dhe sundimit, teksa në anën tjetër një imam i nderuar, shumë i zgjuar dhe inteligjent rrefuzon ofertën që të bëhet gjykatës i lartë gjatë dinastisë së Emevitëve, praktikisht për këtë qëndrim rrefuzues burgoset, torturohet duke ushtruar dhunë ndaj një prej dijetarëve më eminent të asaj kohe dhe më vonë, siç ishte Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë. Ndonëse u burgos, u maltretua fizikisht dhe psiqikisht shkaku që refuzoi ofertën që të emërohet si gjykatës i lartë në dinastinë emevite, ai mbeti i gdhendur në kujtesën e ummetit mysliman si themeluesi i një prej shkollave juridike më madhështore që ka njohur bota myslimane.

Në të njëjtat sprova dhe sfida kaloi edhe Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, i cili u përball me sfidën e (krijimit të Kuranit) me durim, mençuri dhe në saje të principeve dhe synimeve sublime, teksa shumë dijetarë tjerë të kohës së tij pranuan favore dhe i vetmi që qëndroi stoik dhe me dinjitet në këtë sfidë ishte Imam Ahmedi, por që të gjithë dijetarët e kohës së tij shkuan pa u përmendur ndërsa Imam Ahmedi mbeti aq fuqishëm si një mal mbi tokë.

Kur’ani na mëson që kush jeton për ide do të jetojë si njeri madhështor ndërsa kush jeton vetëm sa për të ngrënë e pirë do të jetë i parëndësishëm. Ai që mbartë ide dhe pranon sfidat me guxim ai do të jetoj i lirë kurse ai që mbartë ide por rrefuzon sfidat do të jetoj i shkëputur nga zhvillimi i ngjarjeve në histori. Heroizmi nuk është vetëm në pozicione, por heroizmi i vërtetë manifestohet në shndërrimin e idesë në programe dhe projekte.

Ramazani pas vetes ka një projekt, një ide sublime duke na treguar që uria, abstenimi nga haja dhe pija nuk është qëllimi i agjërimit përkundrazi është një mjet, dhe njerëzit shpesh e ngatrrojnë faktin midis qëllimit dhe mjetit. Ata mendojnë se duhet të jenë të uritur shkaku i urisë, dhe pas përfundimit të ramazanit ata i rikthehen ngopjes fizike duke mos e kuptuar intencën e agjërimit që manifestohet në pastrimin e shpirtit, mendjes dhe kalitjen e moralit. Dhe kjo ndodh zakonisht shkaku që qëllimi ka ndryshuar dhe ka munguar ideja.

Pas muajit të bekuar të ramazanit qëndron një program dhe prapa këtij programi qëndron një vizion. Ramazani është një shkollë spirituale për ngritjen dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Aty është integruar një sesion intelektual në mënyrë që të ndikojë në zgjerimin e horizonteve; një sesion tjetër me një projekt të qartë fizik për të përmirësuar aspektin shëndetsor të një personi. Dhe sy duket këto vlera mungojnë në shtëpitë e myslimanëve dhe ndoshta për këtë muaji i ramazanit është bërë një zakon dhe traditëve vjetore prej eventeve të mëdha pa ndonjë ndikim të theksuar.

Ramazani ka si qëllim final ngritjen dhe zhvillimin e devotshmërisë, mbase është qëllimi themelor i edukimit islam. Disa mendojnë që vetëm civilizimi perëndimor ndërton shoqëri të lira dhe demokratike, por gjatë studimit analitik të Kuranit fisnik do të kuptohet që edhe Feja Islame thërret në ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe të pavarur por përmes devotshmërisë.

Pas idesë së agjërimit të ramazanit synohet të krijohet një individ i cili kërkon të arrijë nivelin e devotshmërisë, mirënjohjes, të qenurit falenderues dhe arritjen e racionalitetit intelektual dhe mendor. Tekstet e kur’anit që flasin mbi agjërimin në fund përfundojnë me maksimën «që të bëheni të devotshëm», «që të jeni falënderues» etj. Në momentin që njeriu arrinë shkallën e devotshmërisë ai do të ketë një ndërgjegjë të gjallë, dhe kur të arrijë nivelin e mirënjohjes dhe falenderimit, ai mund të kontrolloj vetveten, të jetojë në mënyrë të ekuilibruar, praktikisht do të kemi një person me një pjekuri të lartë në të menduarit dhe vepruarit në jetën e përditshme.

Sigurisht që nga mësimet dhe nga gjërat më të rëndësishme që ka nevojë një individ në këtë moment në dhjetëditëshin e fundit gjatë ramazanit është suksesi në ndërthurrjen e shpirtshmërisë së ramazanit gjatë ditës përmes projektit të privimin nga mirësitë e shumta dhe kalimi i netëve të saj përmes lutjeve, falenderimeve dhe pendimit ndaj Zotit të Lartësuar, kështuqë është e pashmangshme të kombinohen në mënyrë që ramazani të reflektojnë me synimet e tij në jetën e besimtarëve myslimanë.

Zvicër, 28.04.21

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP