“O ju që besuat, largohuni nga bixhozi që të jeni të shpëtuar”
Hfz. Mehas Alija
Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. (Maide, 90).
I nderuar xhemat!
Ky ajet kur’anor dhe kjo thirrje hyjnore na bëjnë me dije se besimtari dhe besimtarja nuk kanë asgjë të përbashkët me alkoholin, bixhozin dhe lojërat e fatit. Besimtarët e vërtetë kujdesen shumë dhe kanë një qasje serioze ndaj pasurisë se tyre. Ata nuk e harxhojnë kot pasurinë dhe nuk investojnë në çështje që janë të dyshimta dhe të pasigurta.
Besimtari i mirë punon, planifikon dhe investon në mënyrë të ndershme, kështu që mundohet maksimalisht që në rrugën e hallallit të fitojë kafshatën e bukës për të dhe për familjen e tij. Përveç kësaj, ai e ruan pasurinë e tij dhe e investon aty ku i sjell dobi, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër dhe, assesi, nuk e harxhon atë nëpër lokale të natës, bastore dhe lojëra të tjera të fatit.
Besimtari i vërtetë e di se një gjë të tillë, para së gjithash, ia ka ndaluar vetë Furnizuesi i tij, All-llahu Fuqiplotë, e pastaj edhe vetë logjika e tij e shëndosh, e cila i thotë se përmes bixhozit dhe kumarrllëkut nuk mund që njeriu të pasurohet dhe të lumturohet. Përkundrazi, ai është i vetëdijshëm se një vepër e tillë e çon njeriun kah dembellëku, varshmëria dhe ngatërresat.
Përhapja e prostitucionit, alkoholit, drogës dhe kumarllëkut nuk shkatëron vetëm individin, por prish familje, shoqëri, popuj, kultura dhe qytetërime. Kur’ani fisnik na tregon se si popujt e mëhershëm janë shkatërruar pikërisht se janë dhënë pas këtyre anomalive dhe antivlerave shkatërruese.
I dashur xhemat, ndonëse në Zvicër nuk duket se kumarrllëku është shumë i përhapur, por mendoni pak për qytetin tuaj të vendlindjes se sa bastore ka, e sa kazino ia kanë zënë frymën qytetit, e sa shumë gra e fëmijë vuajnë për shkak se burrat humbasin paratë në ato lokale. Kam parë shumë burra të falimentuar, por nuk kam parë të falimentojnë bastoret dhe kazinotë.
A e dëgjojmë thirrjen e Zotit, i Cili me dhembshuri na thërret: “O ju që besuat, largohuni nga bixhozi, lojërat e fatit, kumari, ashtu që të jeni të shpëtuar.”
Po ashtu, All-llahu xh.sh. na thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar…” (El-Bekare, 188). Ky ajet donë të thotë se mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit, ndersa një ndër padrejtësitë dhe zullumet më të mëdha është edhe bixhozi dhe kumarllëku. Prandaj, të gjithë këto vepra janë haram në fenë tonë.
Muhammedi a.s. ka thënë: “Nuk i është bindur All-llahut dhe të Dërguarit të Tij ai i cili merret me bixhos.” (Imam Maliku). Ndërsa në një hadith tjetër ka thënë: “Shembulli i një namazliu që merret me bixhoz është sikur shembulli i atij që merr abdes me qelb dhe gjak, e pastaj ngrihet të falet.” (Imam Ahmedi).
Një ditë Sa’d ibn Ebi Vekkasi r.a. e luti Muhammedin a.s. që ai ta luste All-llahun xh.sh., ashtu që S’adit t’i pranoheshin lutjet. Pejgamberi a.s. i tha: “Ushqehu hallall dhe fito në mënyrë të ndershme, kanë për të t’u pranuar lutjet.”
Xhemat i respektuar, çështja është e qartë dhe thirrja e Zotit është bindëse. Të largohemi nga këto të këqija njëherë e përgjithmonë, ashtu që të arrijmë atë që dëshirojmë dhe të shpëtojmë në të dyja botët.
E lus All-llahu xh.sh. që të na ruaj neve, fëmijët dhe pasardhësit tanë nga çdolloj e bixhozit, kumarit, drogës, alkoholit, si dhe të na ndihmojë që të fitojmë dhe të harxhojnë në rrugë të hallallit.
(Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen të Zvicrës, 27.09.2019)
Comments