Most read

Letra e nënave dhe bijave ministre rrezikon familjen si vlerë

Bashkim Aliu

Burrat nën hije,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!

(A.Z. Çajupi)

Tetë zonja ministre të qeverisë majtiste të Shqipërisë, i kanë dërguar një letër qeverisë dhe parlamentit të Holandës për mosbllokimin e negociatave me Shqipërinë.

Kjo letër ka shkaktuar  reagime të bashkësive fetare dhe disa subjekteve dhe individëve, ngase përmbajtja e saj prek çështje të cilat që  më parë kanë nxitur debate të gjëra në shoqëri. Nisur nga kjo, letra duhet analizuar si nga qëllimi, ashtu edhe nga përmbajtja.

Ajo që bie në sy, në rend të parë nga letra, është ajo se nënshkruese të saj janë vetëm disa gra, gjegjësisht gratë anëtare të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Është e qartë se këto zonja janë nënshkruese, por nuk mund të thuhet me siguri se ato janë edhe shkruese të kësaj letre, jo se nuk dinë të shkruajnë, por për faktin që në vendet e Ballkanit, në veçanti në Shqipëri, si në kohën e Enverit, ashtu edhe tash, urdhërat lëshohen prej zyrave të partisë. Dallimi është se atëherë ka patur vetëm një parti, e tash ka më tepër se një, në numër.

Në këtë letër është përdorur dimensioni femëror për t’u bishtnuar rezultati negativ i qeverisjes së keqe, që gjeneroi azilkërkues të shumtë dhe radhë të gjata të shqiptarëve, të cilët kanë marrë rrugët e Evropës.

Adresimi me letër, në këto rrethana, është hap i gabuar, i pa menduar mirë dhe autogol. Nuk mund që me letra drejtuar qeverisë dhe parlamentit të Holandës, të kamuflohet dështimi i klasës politike të Shqipërisë, sjellja joevropiane e pushtetit dhe opozitës në menaxhimin e politikës së vendit, si pushteti ashtu edhe opozita, çdo njëra palë në fushën e veprimit të vet, si dhe klima e pasigurisë, mjerimi dhe dëshprimi që mbretëron në vend, për shkak politikave të gabuara dhe kapjes së shtetit. Ju zonja ministre,  si eksponente politike, jeni duke vjelur në Vjeshtë, atë që pushtetarët e Shqipërisë po e mbjellin disa pranvera rresht. Para Amsterdamit, është dashur që ta shihni Tiranën dhe çunat e politikës, të cilët janë shndërruar në simbol dëshprimi dhe dështimi për brezat e rinj. Këtyre është dashur t’u drejtoheni live, para se me letër t’i drejtoheni Amsterdamit.

Nga aspekti përmbajtësor, letra është kontradiktore dhe me një kolizion te hatashëm. Ashtu siç raportohet në disa mediume, zonjat ministre e fillojnë letrën me deklarimin se janë nëna dhe bija dhe se luftojnë për familjet dhe për kombin e tyre, e më poshtë, shprehin admirimin e tyre për Holandën duke u shprehur se në Shqipëri sinqerisht çmohet Holanda për shkak se, ndër të parët në botë, ka legalizuar abortin dhe ka qenë vendi i parë në botë që ka legalizuar martesën e së njejtës gjini në vitin 2001. Pra, duke qenë nëna dhe bija, çmojnë një vend për shkak se ka legalizuar vrasjen e njeriut duke qenë në formë embrionale në mitër. Tash ec e merre vesht çka kanë dashur.

Letra, në përmbajtjen e saj, është tentim që në aparencë të tjetërsohet tradita dhe memorja e popullit shqiptar që këto fenomene çdo herë i ka trajtuar përbuzëse dhe negative, jo kompatibile me realitetin historik, religjioz dhe traditën e popullit shqiptar. Nga ana tjetër, tenton të trand themelet e forta mbi të cilat shqiptarët e ndërtuan të ardhmen e tyre, e ndërtuan konceptin e tyre mbi shtetëdërtimin dhe marrëdhëniet me tjerët me miqësi me dinjitet, e jo me servilizëm poshtrues tregtar duke qenë të gatshëm të bëjnë pazar për vlerat më sublime që ky popull i kultuvoi shekuj me radhë. Zonjat ministre, e kanë harruar se këto gjëra për të cilat ato e lavdërojnë Holandën, kundërshtohen edh vetë brenda Evropës nga rryma të ndryshme. Pastaj, ato si e çmojnë Holandën për shkak të legalizimit të abortit dhe martesave të të njejtës gjini, kur vetë ato janë nëna.

Kriza e thellë politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri është shkaku i skepticizmit evropian nda integrimit te Shqipërisë, e jo ndryshimi i thelbit të debatit për problemet reale të shoqërisë dhe shkaqet e mbylljes së dyerve të UE-së. Letra e ministreve tregon dëshprimin dhe dështimin e drejtuesve të vendit, të cilët nuk e udhëhoqën shtetin, siç thotë populli, si burra, dhe tash fshihen pas grave.

Rruga e Shqipërisë për në UE nuk sfidohet për shkak lejimit të abortit, paradave të komunitetit LGTB, martesave me partner të të njejtës gjini, siç lavdërohet Holanda për këto gjëra nga zonjat ministre  të Shqipërisë, nënshkruese të kësaj letre, por për shkak dështimit të klasës politike rozë e blu që të ndërtojnë shtet të së drejtës, të mundësojnë shanse të barabarta dhe mirëqenie sociale, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në republik të kanabisit, bandave, krimit, nepotizmit, korrupsionit dhe mos funksionimit të shtetit. Pikërisht, kjo klasë politike avanturiere, stimuluese e korrupsionit dhe krimit institucional, e penalizoi Shqipërinë. Kjo letër dhe materja e saj nuk mund të pretendohet se përbën një betejë emancipuese, ngase klasa politike e Shqipërisë janë në paqë dhe koekzistencë me krimin dhe korrupsionin, dhe ky është prioriteti i betejës së diskursit publik dhe njerëzve të lirë në hapësirën demokratike, si dhe forcave progresive. Gjuha e përdorur në këtë letër, ku theksohen forca të errta që nuk e duan rrugën evropiane të Shqipërisë, me qëllim që të ngelin në të kundërtën e asaj për çka nënshkrueset e letrës e admirojn Holandën, është më e afërt me gjuhën ordinere që në një mënyrë etiketon forca të caktuara se paraqesin rrezik për Evropën moderne.

Si duket, i preokupuar me formimin e një “Shengeni” Ballkanik, gjegjësisht një neojugosllavie, në Serbi, i pari i dhomës së ministrave të Shqipërisë ka zgjedhur që vetë të qëndrojë nën hije, siç ka qenë zakon i burrave në Shqipëri në kohën e Çajupit, e në vend të tij të flasin gratë.

Comments

be the first to comment on this article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Go to TOP