Most read

Konferencë virtuale, organizuar nga Komuniteti Musliman Shqiptarë në Zvicër

Irfan Agushi

Në mbrëmjen e së shtunës, më 06.02.2021, Komuniteti Musliman Shqiptarë në Zvicër organizoi një Konferencë virtuale në të cilën morën pjesë mbi 37 persona. Kryesisht të ftuar ishin imamët që veprojnë në Zvicër, ndërsa enkas në këtë Konferencë u kyçën edhe përfaqësuesit e dy subjekteve fetare islame nga vendlindja. Shaqir ef. Fetahu, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Naim ef. Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Unioneve të qendrave Islame në Gjermani Mensur ef. Halili, nga Austria Vahidin ef. Beluli dhe nga Italia Reshat ef. Ibishi. Këta të fundit patën rastin të paraqiten me një fjalë përshëndetëse, me ç’rast informuan të pranishmit për mbarëvajtjen e jetës fetare në këto tri shtete, me theks të veçantë në periudhën e pandemisë së koronavirusit COVID-19.

Konferencën e parë të këtij lloji të diktuar nga kushtet e Pandemisë, e hapi kryetari i KMSHZ-së, Mehas ef. Alija. Ai falënderoi pjesëmarrësit e në veçanti dy mysafirët panelistë: Naim ef. Tërnavën dhe Shaqir ef. Fetahun, të cilët u paraqiten me dy tema shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht aktuale: “Institucionet fetare dhe sfidat e reja, si dhe konteksti juridiko islam”, ishte tema mbi të cilën u fokusua Kryetari i BI-së së Kosovës, Naim ef. Tërnava, ndërsa në temën “Bashkëveprimi i Institucioneve fetare ne kohë pandemie, me shoqërinë dhe institucionet shtetërore”, foli Kryetari i BFI-së në Maqedoninë e Veriut, Shaqir ef. Fetahu.

Mehas ef. Alija, gjithashtu, shtoi se: “Konferenca e sotme është rezultat i situatës së krijuar nga Pandemia dhe se qëllimi i saj, pos tjerash, është dhe mundësia e shkëmbimit të përvojave tona në lidhje me aktivitetet fetare, gjatë kësaj periudhe.”

Në vazhdim Mehas ef. Alija, ftoi kryetarin e Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës, Naim ef. Tërnavën të merr fjalën. Si zakonisht, pas falënderimit dhe përshëndetjes, Muftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, u ndal në disa pika të veçanta, sa i përket situatës së Covid-19, për të vazhduar më pastaj të flet mbi temën e lartëcituar.

Mes tjerash ai tha se “virusi solli një Pandemi, e cila ka goditur gjithë njerëzim, ku nuk bëjmë përjashtim edhe ne. Objektivi ynë ka qenë dhe vazhdon të mbetet njeriu. Me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve kemi marrë vendime të vështira, por të domosdoshme, për të mirën tonë të përgjithshme. Nuk ka qenë shumë e lehtë mbyllja e xhamive, pezullimi i namazit edhe gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, mos falja e dy Bajrameve dhe mbyllja e objekteve arsimore islame në vend“ – theksoi Tërnava.

Ai më pastaj shtoi se vet Institucioni dhe njerëzit që udhëheqin atë, u përballën me kritika të ashpra sa i përket vendime që ato kishin marrë, por shton ai “nuk u dorëzuam pasi këtë e bënim për të mirën e njerëzve tanë dhe në fund doli që ne kishim patur të drejtë. Ne u angazhuam, gjithashtu, që përmes shoqatës Humanitare „Bereqeti“ t’ju ndalim në ndihmë edhe të varfëve në Kosovë dhe me këtë të zbusim, sadopak, varfërinë në familjet më të prekura, në kohën e Pandemisë.”

Si prioritet të BI-së në Kosovë, Muftiu Tërnava përmendi investimet si në aspektin intelektual, ashtu edhe në atë të ndërtimit të kushteve sa më solide të arsimit në Kosovë.

“Bashkësia Islame e Kosovës, në krye të prioriteteve të saja ka arsimin në Kosovës. Ne kemi një sërë Institucionesh arsimore në Kosovë duke filluar nga çerdhet, Medresetë dhe Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë“ –  tha Muftiu Tërnava.

Sipas Tërnavës, Shkolla e mesme fetare, Medreseja “Alaudin”, bën pjesë në mesin e 10 shkollave më të mira të mesme në Kosovë.

Për më tepër, Muftiu Tërnava foli gjerë e gjatë mbi temën “Institucionet fetare dhe sfidat e reja, si dhe konteksti juridik islam“.

“Medhhebi Hanfi (Shkolla Juridike Islame) vazhdon të mbetet burimi kryesor juridik që ne pasojmë dhe jo vetëm ne, por pjesa më e madhe muslimanëve në mbarë botën. Medhhebi Hanefi është fryt i djersës së dijetarëve që nga brezi i dytë e këndej”.

Duke folur në pjesën mbi Institucionet fetare dhe sfidat e reja që paraqiten kohë pas kohe, Tërnava nënvizoi nevojën e bashkëpunimit në mes vete. Në këtë pikë ai theksoi se “Bashkësia Islame e Kosovës është bërë anëtare në një sërë organizatash të ndryshme Islame me rëndësi të veçantë në Botën Islame”.

Toleranca ndërfetare konsiderohet si një nga vlerat më fisnike të popullit tonë

Tek pika mes bashkëpunimit të BI-së me komunitetet e tjera në Kosovë, Tërnava theksoi se: “Bashkësia Islame e Kosovës, gjithnjë ka qenë e përkushtuar dhe e angazhuar të kontribuojë në kultivimin e kulturës së bashkëjetesës dhe të tolerancës mes popujve dhe besimeve në vendin tonë. Këtë vlerë të madhe të kombit tonë duhet kultivuar tek brezat e rinj, ngase kjo konsiderohet si një nga vlerat më fisnike të popullit tonë dhe besoj se kjo vlerë u ka ndihmuar dhe bashkëkombësve tanë në diasporë, në rrugën e integrimit të tyre në vendet ku jetojnë.”

Pos shumë gjërave me rëndësi të veçantë, në fund të paraqitjes së tij, muftiu Tërnava u shpreh i gëzuar për unitetin e shqiptarëve musliman në Zvicër dhe gjithandej në Evropë.

„Gëzohem që po ju shoh unik si në Zvicër ashtu edhe në vendet e tjera. Për çdo gjë që keni nevojë dhe ne mund të bëjmë diçka, mua më keni në dispozicion“ – u shpreh në fund të fjalimit Naim ef. Tërnava, kryetar i Bashkësia Islame në Republikës së Kosovës.

Panelisti i dytë, Shaqir ef. Fetahu, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, foli gjërë e gjatë në temën: “Bashkëveprimi i Institucioneve fetare ne kohë pandemie, me shoqërinë dhe institucionet shtetërore.

Shaqir ef. Fetahu, u shpreh qartë se BFI, ka bashkëpunuar ngushtë me organet kompetente për të ndihmuar në zbutjen dhe tejkalimin e situatës së krijuar nga Covid 19. Ai tha se “fillimit Bashkësia Islame ka organizuar një Tribunë shkencore, në të cilën u vërtetua në praktikë, me argumente fataro-islame dhe shkencore, se vërtetë bëhet fjalë për një sëmundje të rrezikshme, e cila rrezikon gjininë njerëzore“.

„Nëse nuk dini si të veproni, atëherë pyetni kompetentët“

Kjo Tribunë, në njëfarë mënyre, ishte përgjigjja e BFI-së ndaj të gjithë skeptikëve që mendojnë se bëhet fjalë për një komplot apo një të pavërtetë kur është pyetje pandemia në fjalë.

“Menjëherë pas asaj Tribunë u nxorën konkluzione dhe vendime se Bashkësia Fetare Islame bashkë me të gjitha Institucionet e veta, duke filluar nga Rijaseti e më poshtë, do të jetë në shërbim të luftës kundër Pandemisë në fjalë“ – u shpreh Shaqir ef. Fetahu.

Fetahu gjithashtu, foli mbi takimet e shumta që ka patur me krerët e shtetit, duke filluar që nga Ministri i Shëndetësisë dhe Institucionet e tjera, të cilat ballafaqohen me sfidën që ka sjell pandemia.

Në lidhje me Vaksinimin e popullatës dhe dyshimeve nëse Vaksina është e lejuar sipas parimeve islame ose jo, nëse janë ose nuk janë efikase, Fetahu lexoi një rregull Islam për këtë çështje me ç’rast tha: “Nëse nuk dini si të veproni, atëherë pyetni kompetentët“. Ne nuk e dimë se çfarë përmbajnë ato vaksina dhe si ndikojnë tek njerëzit. Ne, thjeshtë, nuk jemi kompetentë për këtë çështje. Prandaj ne do të ndjekim atë çfarë thonë dhe sugjerojnë njerëzit kompetentë“.

Pas përfundimit të ligjëratës, nga ana e Kryetarit të BFI-së, Shaqir ef. Fetahu, erdhi dhe koha që në debat të kyçen edhe të pranishmit e tjerë. Në këtë rast u hapën shumë çështje për diskutim, ndërsa ne ua kemi sjellur dy më të rëndësishmet.

Rregullat e varrimit në kohën e Pandemisë

Njëri nga panelistët u pyet rreth procedurës së trajtimit dhe varrimit të kufomave të cilët janë diagnostifikuar me Covid 19, nëse ato ndryshojnë nga praktika e asaj që shohim në Zvicër.

Naim ef. Tërnava tha se edhe tek çështja e varrimit dhe procedurave që duhet të ndjekim, ndryshon nga ajo që ne jemi mësuar të shohim më parë. Numri i pjesëmarrjes në varrim është shumë i vogël, numri i njerëzve që shkojnë në të pame, gjithashtu, është zvogëluar, kufoma, pos tjerash, duhet të përcillet edhe nga policia, për të parë nëse respektohen rregullat dhe të gjithë këto e ndryshojnë mënyrën e zakontë të një varrimi.

Ndërsa Shaqir ef. Fetahu u ndal më shumë tek parimet islame konform të cilave lejohet varrimi edhe në këtë formë. Mes tjerash ai tha se „mënyra e varrosjes sipas rregullave të Spitalit për persona që kanë vdekur me Covid-19, është konform rregullave islame dhe këtë ua kemi sqaruar me kohë besimtarëve. Por brengosja e familjeve qëndron në faktin që nuk kanë mundur të bëjnë një varrim ashtu siç janë mësuar tradicionalisht. Megjithatë, edhe kjo sakrificë është pjesë e kontributit të popullatës sonë për dalje nga kjo krizë që na ka kapluar“ – tha në fund, Shqir ef. Fetahu.

Si çështje tjetër u diskutua edhe ajo e faljes ose mos faljes së Namazit të Xhumasë, në të cilin, si zakonisht, numri i pjesëmarrësve është më i madh. Në Zvicër në një hapësirë të vetme, e cila mundëson distancën e paraparë sipas rregullave, lejohen të marrin pjesë përnjëherë 50 persona. Dhe si pasojë në disa xhami, Namazi i Xhumasë, falet dy herë, ndërsa në Xhamitë më të mëdha, falja e Namazit të Xhumasë është anuluar krejtësisht.

Edhe në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut, Namazi i Xhumasë falet në çdo xhami, ku ka komoditet për tu falur dhe ku mund të respektohen rregullat që organet kompetente i kanë bërë obligative.

Në fund të debatit, anëtari i kryesisë së KMSHZ-së, Dr.Bashkim ef. Aliu, në pika të shkurtra paraqiti konkluzionet e Konferencës me ç’rast tha: “Qëllimi kryesor i Konferencës ishte që të sigurojë një platformë për panelistët dhe hoxhallarët pjesëmarrës si dhe kreun e KMSHZ-së që të diskutojnë për çështjet e shtruara në temat e prezantuara nga panelistët dhe për çështje të tjera aktuale të kontekstit përkatës.

Konferenca ofroi një rast të veçantë për shkëmbim pikëpamjesh midis panelistëve dhe pjesëmarrësve në lidhje me trende të reja në fushën e organizimit të jetës fetare në vendlindje dhe në diasporë.

Pjesëmarrësit prej palës së hoxhallarëve në Zvicër, patën mundësi të dëgjonin mendimet e zyrtarëve më të lartë të bashkësive fetare islame në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Konferenca ofroi mundësi komunikimi të drejtpërdrejtë të hoxhallarëve me krerët fetarë të institucioneve fetare islame të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të diskutimit për temat e konferencës dhe për çështje të tjera të rëndësishme.

KONKLUZIONET:

Konkluzione nga konferenca e organizuar Online me imamë nga Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ku panelistë ishin krerët e dy bashkësive fetare islame: Myftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnavën dhe Reis ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahu.

Konferenca ofroi mundësi komunikimi të drejpërdrejtë të hoxhallarëve me krerët fetarë të institucioneve fetare islame të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të diskutimit për temat e konferencës dhe për çështje tjera të rëndësishme.

KMSHZ ju shpreh mirënjohje panelistëve  dhe pjesmarrësve në këtë konferencë.

Konkluzionet e konferencës të poshtëshënuara, permbledhin mendimet dhe pikëpamjet  e pjesmarrësve në këtë konferencë, të detektuara nga fjalimet e panelistëve, diskutimet e pjesmarrësve dhe synimet e kryesisë së KMSHZ-së me organizimin e kësaj konference.

– Nevoja e komunikimit të ndërsjellë dhe mbështetjes nga ana e bashkësive islame të vendlindjes për kapacitetet fetare, intelektuale dhe organizative të diasporës komform kërkesave të organizatave islame shqiptare në diasporë në kontekst të zhvillimeve globale, metodave të reja të hulumtimit shkencor dhe ligjeve e zakoneve të vendit ku veprojnë.

– Me qëllim që të mund të ketë rezultate të qëndrueshme në organizimin e jetës fetare në diasporë, kërkohet bashkëveprim, konsultim dhe komunikim i vazhdueshëm dhe i nivelit të duhur në mes vendlindjes dhe diasporës.

– Bëjmë thirrje për bashkërendim në mes qendrava islame shqiptare të diasporës dhe Bashkësive Islame të vendlindjes për projekte që mund të kenë pika të përbashkëta për të dy palët, në veçanti i i veçojmë projektet që do të kontribuonin në avansimin dhe ngritjen e cilësisë së punës dhe të organizimit të jetës fetare në diasporë.

– Ofrimi i trajnimeve adekuate për imamët dhe për stafet drejtuese të xhamive nga ana e institucioneve profesionale të Bashkësive Islame të vendlindjes.

-Sugjerojmë që:

  • të caktohet një datë e cila do të quhet si dita e xhamive të diasporës, ku imamët, kryesitë e xhamive dhe xhemati, do ta vizitojnë Bashkësinë Islame dhe institucionet e saja, po bile edhe disa monumente të rëndësishme historike islame në territorin përkatës.
  • të formalizohet struktura e një trupi koordinues përfaqësues të organizatave përfaqësuese të komunitetit shqiptar musliman në diasporë.
  • të formohet një këshill kompetent për çështje fetare në nivel të institucioneve fetare të trojeve shqiptare, e që ndryshe njihen si “Komisione për Fetva”, që do të ishte në dobi të madhe për qëndrimin unik në nivel mbarëkombëtar në trojet etnike dhe në diasporë për shumë çështje të reja dhe të tjera që kërkojnë mendim fetar. Me këtë rast, vend të rëndësishëm do të kishte edhe diaspora.

– Në këtë konferencë u vu theks në nevojën e komunikimit intenziv të Institucioneve fetare islame përfaqësuese të komunitetit shqiptar musliman me autoritetet përkatëse vendore, dhe nevojën që të rriten  përpjekjet e tyre për një komunikim më të dendur me shoqërinë civile dhe organizatat tjera komunitare në Zvicër.

-Të dëshmohet prezenca jonë në Europë si muslimanë autokton të Europës, të dëgjohet zëri ynë, dhe të jetë një pikënisje për një të menduar islam shqiptar. Bashkëatdhetarët tanë ia dhanë Europës një vlerë të madhe dhe e paraqesin islamin si vlerë pozitive. Islami e gjen veten në çdo vend, përfshi edhe Europën e cila është vend i iluminizmit.

-Qasja kreative e jo fataliste ndaj fenomeneve, në veçanti semundjeve dhe sfidave tjera të kësaj natyre.

-Medhhebi Hanefi paraqet faktor të rëndësishëm të ndërtimit fetar kulturor dhe shoqëror të popullit tonë, si dhe nxit mendime inovative dhe kreative, komform kërkesave të kohës.

-Paraqitjet tona të jenë participuese dhe optimiste, e jo vetëm mbrojtëse, ta prezantojmë Islamin fuqishëm, që të jemi pjesëmarrës  në vlerat kulturore në Europë dhe kudo tjetër.

-Terrorizmi është ideologji,  nuk ka fe komb e racë, dhe ne e dënojmë.

 

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

Go to TOP