Most read

Nxitja për bamirësi dhe solidaritet

Dr. Bashkim Aliu

Koncepti islam mbi shoqërinë dhe individin, ndërtohet mbi parimet e qarta kur’anore të formimit të individit të shëndoshë, e pas kësaj edhe shoqërisë së shëndoshë ku të gjitha elementet e saj do të jenë të barabartë dhe të gjitha segmentet jetësore unike. Kjo rezulton marrëdhënie specifike shoqërore dhe raporte shoqërore dhe raporte të spektrit të gjërë dhe kosmopolit në mes besimtarëve në shoqërinë islame. Qëndrimi islam ndaj shoqërisë i shlyen të gjitha predispozitat e mundshme për një egoizëm të llojit të vet i cili do ta copëtonte unitetin islam brenda shoqërisë me dominimin e filozofisë individualiste e cila do të pasqyrojë skena kundërthënëse me përcaktimet kur’anore në shoqërinë islame.

Nisur nga kjo, Islami i edukon bijtë e vet në frymën e zemërgjerësisë, fisnikërisë, bujarisë, solidaritetit me të gjithë vëllezërit e tij në shoqërinë islame. Besimtari është i ngarkuar me mesazhin e solidarizimit dhe ndihmës ndaj të gjithë vëllezërve të vet, dhe si i tillë, nuk mund të vijë në shprehje egoizmi apo individualizmi. Disponimi i tij nuk mund të bazohet ekskluzivisht mbi faktorët dhe rrethanat që kanë të bëjnë personalisht vetëm me të, por në ndjenjat, përshtypjet, mbresat, emocionet dhe disponimin e tij, do të ndikojnë rrjedhat e gjithmbarshme të shoqërisë, gjegjësisht nisur nga koncepti islam i unitetit të shoqërisë islame, individi musliman në shoqëri do të jetë i lidhur drejpërdrejtë me gjendjen e vëllezërve të vet, do ta gëzojnë dhe disponojnë sukseset e tyre, si dhe do ta dëshprojnë dhe pikëllojnë dështimet dhe fatkeqësitë e tyre. Por, muslimani gëzohet për sukseset e të gjithë njerëzve, jo vetëm të vëllezërve të tij, si dhe e dëshprojnë dhe pikëllojnë dështimet dhe fatkeqësitë e të gjithve, edhe nëse nuk e lidh me ta gjaku apo besimi.

Në burimet primare islame, Kur’an dhe Sunet, hasen shumë tekste që nxisin në  bamirësi dhe solidaritetit duke e treguar vlerën dhe shpërblimin e dhënies së pasurisë në rrugë të Allahut me qëllim të sinqertë për t’u ndihmuar njerëzve të cilët kanë nevojë. Fakti që në shpalljen e Allahut tregohet vlera e dhënies së pasurisë për t’u ndihmuar nevojtarëve, mjafton si motivim dhe bazë e fortë për kalitjen e shpirtit solidar. Me fjalë tjera, tekstet fetare në mënyra të ndryshme e thirrin muslimanin që të jetë solidar dhe human, të mendojë për hallin e tjerëve dhe mos të bëhet egoist e koprrac, që ta humb edhe këtë botë edhe botën tjetër. Tekstet e këtilla janë të shumta, por ne këtu do të përmendim vetëm disa prej tyre sa për ilustrim:

  • I Lartmadhërishmi ka thënë: „Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmëve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës.Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit„[1]. Pra, në këtë ajet, dhënia e pasurisë është cilësuar si mirësi e vërtetë, ndërkaq me dëshmi nga ana e Allahut të Madhërishëm, ata që e japin pasurinë janë cilësuar si njerëz të sinqertë dhe të devotshëm. Këto cilësime mjaftojnë motivim për besimtarin e vërtetë që t’u ndihmojë tjerëve dhe të kujdeset për gjendjen e tyre.
  • I Lartmadhërishmi ka thënë: „E, sa i përket atij që jep dhe ruhet. Dhe vërteton bindshëm për më të mirën. Ne do ta përgatisim atë për më të lehtën. E sa i përket atij që bën koprraci dhe ndien veten të pavarur (nga Zoti). Dhe që përgënjeshtron atë më të mirën. Ne do ta përgatisim për më të vështirën. E pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi, kur ai të zhduket.[2] Këtë mesazh kur’anor, praktikisht e ka jetësuar Ebu Bekri r.a. Ja sa çka flet rrëfimi vijues për ajetet në fjalë dhe solidaritetin e Ebu Bekrit r.a. Ibn Xheriri ka transmetuar prej Amir ibn Abdullah ibn Zubejrit se ka thënë: Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, lironte në Meke robër të cilët kishin kaluar në Islam. Kështu, lironte pleq dhe gra të cilët ishin bërë muslimanë. Në këtë, babai i tij i tha:”O bir, shoh se liron njerëz të dobët. Pse nuk liron burra të fuqishëm që të të ndihmojnë, të të mbrojnë dhe të luftojnë për ty?” Ebu Bekri i tha:”O baba, unë me këtë e synoj ta arrijë atë që është tek Allahu”. Amiri ka thënë:”Më kanë rrëfyer disa familjar se ajetet: „E, sa i përket atij që jep dhe ruhet. Dhe vërteton bindshëm për më të mirën. Ne do ta përgatisim atë për më të lehtën, kanë zbritur në lidhje me Ebu Bekrin”.[3]
  • I Lartmadhërishmi ka thënë: „E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rafshnaltë që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që veproni“.[4] Ky ajet fisnik, e thërret besimtarin që ta shpenzojë pasurinë e tij në rrugë të Allahut, e në këtë kontekst është edhe ndihma ndaj nevojtarëve, ngase çkado që jep besimtari, nuk humbet, edhe nëse është e paktë, por për çdo gjë e merr shpërblimin e merituar.
  • I Lartmadhërishmi ka thënë: „Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut, është si i një kokrre që i mbijnë shtatë kallinj, në secilin kalli  njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është Bujar i Madh, i di qëllimet“.[5] Ky ajet qartë e tregon vlerën e pasurisë që jepet në rrugë të Allahut, gjegjësisht besimtari i cili jep diç nga pasuria e tij në rrugë të Allahut, për këtë merr shpërblim të shumëfishuar, apo thënë sipas ajetit shpërblehet shtatëqind fish ma tepër, e bile edhe ma tepër, sipas dëshirës së Allahut të Madhërishëm. Ibn Kethiri, përkitazi me këtë ajet komenton:”Këtë shembull, Allahu e përmend për shtimin e shpërblimit të atij i cili harxhon nga pasuria e tij në rrugë të Allahut dhe duke synuar kënaqësinë e Tij.Ajeti në fjalë bën me dije se vepra e mire shtohet prej dhjetë deri në shtatëqind here, dhe tha:<<Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut…>>. Sei’d ibën Xhubejri thotë:Ka për qëllim, ata që japin në vepra që janë nënshtrim ndaj Allahut. Përmendja e këtij shembulli, len gjurmë më të thella në shpirtin e njeriut, se përmendja e numrit shtatëqind.Ky shembull sinjalizon se Allahu i Madhërishë i shton punët e mira për njerëzit që i bëjnë këto punë, ashtu sikur që e zhvillon (rrit) kokrrën për atë që e mbjell në tokë pjellore”.[6]
  • I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Secilën ditë kur zgjohen njerëzit, paraqiten dy melekë, nga të cilët njëri thotë:”O Zoti ynë, kompensoja atij që jep”, kurse tjetri thotë:”O Zoti ynë, shkatërroja pasurinë atij që nuk jep”.[7] Ky hadith qartë e potencon vlerën e dhënies së pasurisë në rrugë të Allahut të Madhërishëm, dhe në të njejtën kohë stimulon për dhënien e pasurisë ngase dëshmon se për atë që jep pasuri luten edhe melekët, si dhe kundër atij që nuk jep nga pasuria e tij, poashtu luten melekët.
  • I dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë se Allahu i Lartmadhërishëm ka thënë:”Jep robi Im, e Unë do të të jap ty”.[8] Në këtë hadith dëshmohet se Allahu i Madhërishëm i premton atij që jep pasuri se do t’ia shtojë pasurinë. E a thua ka nxitje më të madhe për dhënien e pasurisë në rrugë të Allahut të Madhërishëm se sa premtimi i vetë Allahut të Madhërishëm?!
  • Është transmetuar prej Aishes r.a. se ka thënë:”Më erdhi një grua para dere dhe më kërkoi lëmoshë. Me vete kishte dy djem. Nuk pata asgjë t’i jepja përveç një hurme, të cilën ia dhashë. Gruaja e mori hurmën në dorën e saj, e ndau në dy pjesë dhe ua dha djemve të saj, e për vete nuk mori fare. U ngrit, falënderoi dhe shkoi. Kur erdhi Pejgamberi, i tregova e ai më tha:”Kush vepron kështu në një situatë të ngjashme, kjo do t’i bëhet perde e mirë nga zjarri”.[9] Ai që u ndihmon tjerëve sinqerisht për hirë të Allahut, bile edhe me një hurmë, ka shpërblim të madh te Allahu, kjo ndihmë e dhënë për tjerët i bëhet perde prej zjarrit të Xhehenemit.

Në këtë drejtim flasin edhe shumë ajete e hadithe, por besoj se edhe kaq mjafton për ta kuptuar vlerën e dhënies së pasurisë në rrugë të Allahut, e në këtë kontekst është edhe ndihma që ua jep njerëzve të nevojshëm, qoftë kjo ndihmë morale apo materiale.

E këtillë pra duhet të jetë shoqëria islame, shoqëri ku të gjithë individët do të jenë të njësuar, të solidarizuar mes vete, të formojnë shoqëri të fortë, humane, progresive, shoqëri e cila do të jetë shembull për tjerët në çdo gjë:sinqeritet, përparim, bujari, fisnikëri, ndihmë të ndërsjellë, bashkëpunim të dendur për një të ardhme më të mirë. Po këta njerëz fisnikë, do të ofrojnë ndihmë dhe do të jenë solidar me të gjithë që kanë nevojë, edhe nëse nuk janë të gjakut, racës apo të besimit të tyre, ngase humaniteti ndaj njeriut, nuk lidhet me përkatësinë.

Pasi i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se muslimanët janë vëllezër mes vete, dhe i ka krahasuar me pjesët e një ndërtese të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën; dhe pjesët e një trupi, që nëse një pjesë është e sëmurë, i gjithë trupi është i sëmurë, atëherë duhet ta dimë se kjo nuk është fjalë boshe e pa kuptim, nuk është utopi e iluzion, por kjo është realitet dhe kjo e obligon muslimanin me detyra ndaj vëllaut të vet musliman, e obligon muslimanin t’ia shtrijë dorën vëllaut të vet, t’i ndihmojë kur ai ka nevojë, t’i japë kurajo dhe ta vizitojë e përkrah kur ai është në hall. Me një fjalë, duhet t’i gjendet dhe t’i dalë zot vëllaut të vet në çdo kohë e çdo situatë, dhe çdo herë t’ia shtrijë dorën e ndihmës, e jo t’i gjindet vetëm kur ka interes dhe dobi, kur dëshiron t’i marrë diçka dhe ta shfrytëzojë për ndonjë punë e pastaj t’ia kthejë shpinën dhe kur ky të ketë ndonjë vështirësi të ik dhe të sillet se gjoja nuk e njeh. Mesazhi i të qenit të muslimanit i mëshirshëm, duhet të merret edhe nga vetë përbërja e sureve të Kur’anit. Me përjashtim të një sureje, gjegjësisht sures Et-Tevbe, të gjitha suret fillojnë me Bismil-lahir-rahmanir-rahim, e që do të thotë:Në emrin e Allahut, Mëshiruesit të Përgjithshëm, Mëshirbërësit. Pra, në fillim të sureve bëhet thirrje për mëshirë, që duhet të jetë mesazh i qartë se muslimani duhet të jetë i këtillë.

____________________

[1] El-Bekare: 177.

[2] El-Lejl: 5-11.

[3] Cituar sipas:Ibn Kethir,Tefsiru-l-Kur’ani-l-adhim, vëll.IV, fq.555.

[4] El-Bekare: 265.

[5] El-Bekare: 261.

[6] Ibn Kethir,Tefsiru-l-Kur’ani-l-adhim, vëll.I, fq.324.

[7] Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi.

[8] Hadithin e kanë shënuar Buhariu dhe Muslimi.

[9] Hadithin e ka shënuar Buhariu.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP