Most read

Golat, shqiponja dhe falënderimi ndaj Zotit, si shembull suksesi dhe integrimi

Bashkim Aliu

Mbrëmja e ditës së Premte, kur u përball Zvicra me Serbinë në futboll, në kuadër të kualifikimeve për në të tetën e finales në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi, ishte në fokus të interesit të më shumë palëve dhe për më shumë aspekte, e jo thjeshtë vetëm për aspektin sportiv apo kualifikues për në xhiron vijuese. Kjo përballje, ashtu edhe siç pritej, u shoqërua me disa specifika, si në fillimin, zhvillimin, përfundimin, po edhe në komentet që pasuan.

Lojë që zgjoi interesim të madh

Nëse shihet thjeshtë me sy sportiv, kjo ishte përballje krejt e zakonshme ndërmjet dy ekipeve që u kishte rënë shorti të luanin në të njejtin grup për t’u kualifikuar për në xhirot vijuese të këtij botërori në Rusi. Mirëpo, nëse hiqen për një çast syzat sportive, përballja e këtyre dy ekipeve, zgjon interes të madh, ngase kombëtarja zvicerane ka në përbërjen e vetë disa shqiptarë, gjë që e ngre lartë interesin për ndeshjen e kësaj kombëtare kundër Serbisë. E gjithë kjo, është rezultat i të kaluarës së hidhur të Serbisë, si dhe pozicionimit të saj armiqësor në planin politik, diplomatik, human, si dhe në plane të tjera, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, e në veçanti ndaj Kosovës. Politika e egër serbe ndaj popullit shqiptar, nuk manifestohet vetëm në krimet që ka bërë në të kaluarën ndaj nesh, dhe as vetëm në bllokadën që në kohën më të re ia bën Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por, kjo manifestohet edhe në shumë forma tjera, fjala vjen, plaçkitja e udhëtarëve në pikat e karburantit përgjatë autostradave, si dhe arroganca dhe provokimet e punonjësve të doganave dhe policisë gjatë kalimit të kufirit të Serbisë, posa ta kuptojnë nga emri se je shqiptar.

Këto janë disa nga aspektet e shumta që këtë lojë e vunë lartë në agjendën e lojrave me interes të veçantë, ngase u implikuan shumë faktorë, e jo vetëm ai sportiv.

Zvicra shembull i suksesshëm i mundësive kompetitive

Përbërja multietnike dhe multireligjioze, si dhe multiracore e kombëtares zvicerane-Mannschaft-it, është tregues i fuqishëm i një politike të mençur zhvillimore dhe stabilizuese që  ndjek klasa politike e këtij vendi, e që tipar themelor dallues ka respektimin e vlerave dhe kuadrove. Në këtë shoqëri, kualiteti pranohet dhe promovohet, pa marrë parasysh etninë, fenë, vendin e origjinës, racën, ngjyrën partiake, etj., të protagonistëve të cilët janë në gjendje të bëjnë diçka dhe të sjellin rezultate për shtetin Helvetik.

Po qe se këtë e zbresim në realitetin tonë në vendlindje, pra në trojet shqiptare prej nga vinë golashënuesit dhe heronjtë e fitores së ekipit helvetik ndaj Serbisë, dhe mundohemi të bëjmë krahasime, do të bëhemi pelin, ngase veten do ta gjejmë para një pasqyre të thyer krahasimi, që vetëm se do të na shtojë nervozën pse nuk mund ta shohim veten si duhet. Derisa Mannschaft-i i Zvicrës mburret me zogjtë e shqipes të cilët i sjellin fitore, në vendlindje, atje ku guri peshon rëndë, sepse është në vendin e vet, vërtet peshon rëndë dhe nuk mund të lëvizet prej vendi, por ri në vend. Që të lëvizet, sipas standardeve të realitetit të hidhur ekzistues, duhet të jetë me ngjyrë të partisë në pushtet, ngase avcansimi i njerëzve nuk bëhet sipas kualiteteve dhe aftësive, por sipas ngjyrave partiake, afërsisë familjare me ndonji eksponent të lartë të partisë në pushtet apo zyrtar, në bazë të shoqërisë me dikë, ryshfetit etj. Dhe pikërisht kjo logjikë e të bërit politikë dhe e udhëheqjes së vendit, i la vendet tona aty ku janë, i shprazi vendbanimet nga shtresa më  vitale e popullit-rinia, pa dajak dhe pa thundra policie armiku, e uli numrin e nxënësve dhe studentëve nëpër shkolla dhe universitete, dhe bëri që të gjithë të bien e të zgjohen me ëndrën për të shkuar në Gjermani apo gjetiu në Europë në kërkim të vendit të punës dhe jetesës më të mirë, ndërkaq, në vend, ngelën të përkdhelurit e politikës dhe disa tjerë që dinë të gjinden në ujra të turbullta, normalisht me përjashtime, ngase jo të gjithë që kanë ngelur, janë të tillë.

Golat, vazhdimësi e traditës dhe mburrje

Stadiumet ku kanë ushtruar Shaqiri, Xhaka dhe shqipet tjera, janë përplot me kujtime nga fillimi i  migrimit të shqiptarëve në Zvicër nga mesi i shekullit të kaluar. Këto vende, ku ushtrojnë këta djelmosha, që arritën kaq suksese të mëdha në historinë e futbollit zviceran, në fakt, janë të ndërtuara me djersën dhe nga krahët e prindërve dhe vëllezërve të tyre shqiptar. Kuptohet bashkë edhe me tjerë. Shqiptarët erdhën në Zvicër si punëtorë krahu dhe u angazhuan në ndërtimin e rrugëve, spitaleve, stadiumeve, sallave, etj., dhe sot, pasardhësit e këtyre pridërve, gjeneratat e reja shqiptare, po bëjnë histori për Zvicrën, ngase prindërit e tyre me punën dhe djersën e derdhur, ua rrafshuan dhe ua shtruan rrugën e suksesit. Për atë, duke shënuar për Zvicrën, lojtari i Mannschaftit i gjakut shqiptar, mburret me atë që për të bëri prindi i tij, pikërisht në Zvicër, e ngre lartë emrin e babait të tij dhe të popullit të tij, dhe jep mesazh se ky popull është punëtor, por, për fat të keq, në vendin e vet, udhëheqin më pak faqebardhë, e më shumë faqezinj.

Shqiptarët, nuk është hera e parë që arrinë suksese jashtë trojeve të tyre. Për fat të keq, pjesa më e madhe e popullit nuk ka dëgjuar nga kanale institucionale, me përjashtim të hoxhallarëve, për kontributin e madh dhe namin e madh që arritën dijetarët shqiptarë në botën islame. Shuajb Arnauti, Vehbi Gavoxhi, Abdu-l-Kadir Arnauti, Nasiruddin Albani dhe tjerë, janë emra me nam botëror të cilët lanë gjurmë në zhvillimin e shkencave islame në kohën më të re. Mirëpo, për fat keq, jo vetëm që nuk përmenden, por bile, nga disa që duhet dhe që e kanë detyrë, as nuk njihen, e lëre më të promovohet veprimtaria e tyre shkencore. Sikur ndonji popull tjetër të kishte patur emra të këtillë të mëdhej të kalibrit botëror në shkencat islame, me siguri do të bënte shumë për ta.

Nuk dua ta them, por, kam dyshime, dhe pyes, nëse këta djelmosha dhe shumë figura tjera që kanë arritur rezultate në fusha të ndryshme, qoftë në sport, shkencë, sipërmarrësi, etj., do të kishin qenë në trojet tona, a thua do të ishin lodhur së prituri para ambasadës gjermane për vizë, apo a thua do t’i luteshin ndonji shoferi të ndonji kryetari partie në pushtet t’u shikojë ndonji vend pune? Nuk dua të paragjykoj, por ka mundësi të kishte qenë kështu.

Loja e futbollit si mësim politik

Në futboll, lojtarët, edhe pse luajn në të njejtin ekip dhe në të njejtën fushë dhe kundër të njejtit ekip kundërshtar, nuk i kanë të njejtat role. Edhe pse të gjithë janë lojtarë të nji ekipi, megjithatë dikush luan mbrojtës, dikush mesfushor, dikush sulmues, njëri rrin portier, ka edhe lojtarë rezervë, varësisht prej vlerësimit të trajnerit për performancën e tyre gjatë ushtrimeve. Ky është mësimi që duhet ta merr shoqëria dhe klasa politike nga loja e futbollit. Nëse dikush ka qenë i suksesshëm në luftë, nuk don të thotë domosdo ta njeh edhe politikën dhe të dijë të menaxhojë në mënyrë të suksesshme me institucione shtetërore dhe të mund të kryej funksione politike me përgjegjësi. Përvoja ka treguar se dështimet kanë ardhur nga kjo logjikë e gabuar e kuptimit të pozitave politike dhe ndarjes së përgjegjësive. Nëse ndonjëri e ka treguar veten si komandant në luftë, në shoqëritë tona i hapen të gjitha dyert dhe nuk i bën kush zë, as që i thonë se nuk je për këtë punë, bile, ndodh edhe i japin të drejtë për çdo veprim, bile politik, edhe pse i njejti mund të jetë me diplomë, por që shkollimin e lartë e ka filluar dhe mbaruar, pasi ka bërë nam si komandant, pa e ditur fare ku është dera e sallave të ligjëratave në universitet. Normalisht, kjo nuk vlen për ata që çdo gjë e kanë bërë me mund dhe çdo gjë e kanë arritur me meritë.

Për atë, jemi aty ku jemi dhe i kemi punët ashtu si jemi, ndërkaq tjerët, janë atje ku janë dhe i kanë punët ashtu si janë.

Falënderimi i Zotit, shenjë e kulturës dhe vetëdijes së lartë

Njëri nga herojtë e mbrëmjes së përballjes së Zvicrës me Serbinë, lojtari shqiptar me prejardhje nga Gjilani i Republikës së Kosovës, qyteti i mulla Idriz Gjilanit legjendar, që luftoi për fe dhe atdhe, siç është e zakonshme për njerëzit të cilët janë të shkarkuar nga bagazhet e së kaluarës moniste, ekstremizmi ateist dhe islamofobia, me vetëdije të plotë, me krenari dhe me vullnet të lirë, e ka falënderuar Zotin që i mundësoi fitore. Këtë e ka shprehur publikisht. Po kjo është normale për ata që e dinë se kush janë dhe çfarë identiteti kanë, për ata që janë të edukuar në shoqëri të lira dhe progresive ku respektohen identitetet e tjerëve dhe ku multikulturalizmi është vlerë dhe mburrje. Ky lojtar e di se kush është dhe çka është, e di se ku jeton dhe çfarë fryme ka në atë vend, e di kujt i drejtohet dhe çfarë mentaliteti kanë publiku me të cilët komunikon, ngase edhe ai vetë është rritur dhe edukuar aty. Për atë, ai e falënderon Zotin dhe bën sexhde, ngase për një njeri me identitet të profilizuar, kulturë të lartë dhe tolerant e respektues ndaj tjerëve, kjo është krejt normale. Bile, ai me këtë u jep mesazh tjerëve se ka respekt për kulturën e lartë të tolerancës që kanë dhe për respektin e tyre ndaj multikulturalizmit dhe diversitetit fetar. Për këtë, ai nuk e fsheh identitetin e tij fetar. Ndërkaq, disa që u paska shkuar keq buka, sa e paskan parë statusin e këtij lojtari në rrjetet sociale se e falënderon Zotin,  japin mesazh të keq, ngase duke e denoncuar këtë veprim, sikur i akuzojnë tjerët se nuk janë tolerantë në fe dhe nuk e kuptojnë multikulturalizmin si vlerë.

Këta nuk meritojnë të humbet kohë më tepër, Zoti i udhëzoftë. Përpara djema…..

Comments

be the first to comment on this article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Go to TOP