Most read

Iftari i personit që udhëton me Aeroplan

Pyetja:

I nderuari dijetar i madh, Dr.Jusuf el-Kardavi. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.

Më intereson mendimi juaj për ata që udhëtojnë me aeroplan gjatë Ramazanit, dhe agjërojnë. Kur të perëndojë dielli, ekuipazhi i aeroplanit ndodh të lajmërojë se ka hyrë koha e Akshamit sipas kohës së qytetit mbi të cilin janë duke fluturuar për momentin, edhe pse udhëtarët e shohin ende diellin nga dritaret e aeroplanit. Ndodh që udhëtarët, për një kohë të shkurtër apo të gjatë, ta shohin diellin, në veçanti nëse aeroplani fluturon në drejtim të perëndimit.

Ngjashëm me këta, ndodh edhe me banorët të cilët banojnë në katet e larta të rrokaqiejve, si dhe ata që gjinden në majet e bjeshkëve apo ata që punojnë në objekte të larta. Kjo, ngase mjetet e informimit lajmërojnë për hyrjen e kohës së Akshamit, po ashtu, nëpër xhami thirret ezani i Akshamit, mirëpo, këta persona, ende vazhdojnë ta shohin diellin duke lëvizur kah perëndimi. Për atë, pyes: këta persona, do të çelin iftar sipas asaj që e dëgjojnë nga mjetet e informimit dhe për shkak ezanit, apo sipas asaj që e shohin?

Ngelemi me shpresë se ju i nderuari profesor, do të na sqaroni qëndrimin e të drejtës islame për çështjen e shtruar. E lusim Allahun që t’jua shton jetën, t’jua zbukurojë me punë të mira dhe t’ju bëjë të dobishëm.

Dërguar nga: A.K.

 

Përgjigjja:

Dr.Jusuf el-Kardavi

I tërë falënderimi i takon Allahut, përshendetjet dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Agjërim, sipas Islamit, është braktisja e gjërave që e prishin agjërimin, si: ngrënia, pija, marrëdhëniet intime dhe gjëra tjera që lidhen me këto, nga agimi i ditës, deri në perëndimin e diellit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: „…Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu dhe hani e pinin derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje...“[1]

I Dërguari i Allahut s.a.v.s., i ka sqaruar fjalët e të Lartmadhërishmit: „ile-l-lejli – ( deri në mbrëmje)“, me hadithin vijues:“Kur të vjen nata nga kjo anë, dhe të largohet dita nga kjo anë, dhe të perëndon dielli, agjëruesi bën iftar.”[2]

Është e njohur gjithandej se dielli as nuk perëndon dhe as nuk lind në kohë të njejtë në të gjithë botën, për shkak se toka është e rrumbullakët dhe sillet rreth diellit. Së këtejmi, dielli në çdo vend perëndon në kohë të caktuar konform Longitudës së vendit përkatës. Bile, qytetet dhe krahinat brenda të njejtit vend, dallojnë mes veti në kohën e perëndimit të diellit. Kështu, fjala vjen, dallimi i perëndimit të diellit ndërmjet Kajros dhe Aleksandrisë në Egjipt është 6 minuta, poashtu në Arabinë Saudite, dallimi ndërmjet Rijadit dhe Xhedes, në perëndimin e diellit është 15 minuta, e keshtu me radhë.

Së këtejmi, mjetet e informimit, kur e emitojnë ezanin, pas ezanit, potencojnë se ky është ezani sipas kohës së qytetit përkatës, p.sh., Kajros, Rijadit etj. Poashtu, i porosisin ata që banojnë jashtë këtyre qyteteve t’i kenë parasysh dallimet në kohë mes qyteteve.

Ky dallim në kohë për sa i përket perëndimit të diellit, e që vlenë edhe për agimin, është i qartë për sa i përket shtrirjes horizontale. Mirëpo, ajo që për shumë nuk është e qartë, ka të bëjë me shtrirjen vertikale, gjegjësisht ka të bëjë me atë se sa i lartë dhe sa i ulët është vendi.

Këtë e kam vërejtur edhe unë personalisht. Derisa banoja në katin e katërmbëdhjetë në një ndërtesë në Aleksandri të Egjiptit, kur thirrte ezani i Akshamit në xhamitë afër nesh, ne ende e shihnim diellin, dhe dielli për ne nuk kishte perënduar plotësisht. Nëse kjo ndodhte me ne që ishim në katin e katërmbëdhjetë, atëherë, çka mund të thuhet për ata që banojnë në katin e tridhjetë apo katërdhjetë, apo edhe më lartë?

Për këtë shkak, që atëherë u thashë disa miqve se mjetet e informimit, kur e transmetojnë ezanin, duhet të theksojnë se duhet të mirren parasysh dallimet në kohë për ata që banojnë jashtë qytetit në fjalë, si dhe ata që banojnë në katet e larta, në krahasim me ata që banojnë në katet e ulëta.

Këtë status e kanë edhe ata që banojnë lartë në bjeshkë, si dhe të tjerë të ngjashëm me ta.

Unë kam hasur që juristët islamë (Fukahatë), qartë e kanë theksuar këtë çështje. Kështu, juristi i famshëm i shkollës juridike Hanefite, Ibn Abidin, në librin e tij të njohur “Hashijetu Ibn Abidin”, përjcjell nga autori i librit “el-Fejd” se ka thënë:”Kush gjindet në një vend të lartë si Kulla e Aleksandrisë, nuk do të bëjë iftar derisa nuk perëndon dielli për të. Ndërkaq, banorët e Aleksandrisë që janë në qytet, dhe jo në një vend të lartë si Kulla, do të bëjnë iftar kur të perëndon dielli për ta, para këtij që gjindet lartë në Kullë. Kjo vlen edhe për lindjen e Diellit dhe agimin e ditës përkitazi me namazin e Sabahut dhe Syfirin”.[3]

S’do mend se ata të cilët udhëtojnë me aeroplan dhe ngjiten në lartësi të mëdha disa kilometra mbi sipërfaqen e tokës, e marrin po të njejtin status, gjegjësisht edhe për ta vlejnë këto dispozita, njejtë si vlejnë këto dispozita për ata që banojnë në rrokaqiej të lartë, në bjeshkë të larta, etj. Për këta vlen agimi i veçantë pë ta, sikur që vlenë edhe lindja dhe perëndimi i diellit i veçantë për ta. Kështu, kur të lind agimi në horizont dhe ata i shohin shenjat e agimit, obligohen ta fillojnë agjërimin e asaj dite, si dhe prej atij momenti, për ata, fillon koha e faljes së namazit të Sabahut. Ata nuk mund ta falin Sabahun para kësaj kohe, dhe nuk lejohet të hanë dhe të pinë pas kësaj kohe, ngase për ta, ka filluar dita.

Kjo vlen edhe për perëndimin e diellit. Kështu, udhëtarët që udhëtojnë me aeroplan, nuk lejohet ta falin  Akshamin sipas kohës së qytetit mbi të cilin fluturojnë, dhe as që të çelin iftar sipas kohës së qytetit përkatës, gjegjësisht nuk lejohet të hanë dhe të pinë derisa e shohin ende diellin.

Më duhet të nënvizoj se vërehet një gabim i përhapur që e bëjnë disa pilotë në disa vende arabe. Kështu, disa pilotë i lajmërojnë pasagjerët për hyrjen e kohës së namazit të Akshamit, si dhe të kohës së Iftarit gjatë agjërimit, bazuar në një fetva (qëndrim juridik islam) që e ka dëgjuar nga disa dijetarë. Mirëpo, ky është një gabim që duhet korrigjuar dhe njerëzve duhet t’u tërhiqet vërejtja për këtë gabim. Kjo, ngase koha e Akshamit për ata që udhëtojnë me aeroplan, dallon nga koha e Akshamit për ata të cilët gjinden në tokë. Ne e sqaruam se thelbi i kësaj çështje është se: koha e namazeve dhe Iftarit, ashtu si dallon për nga shtrirja horizontale, dallon edhe për nga shtrirja vertikale.

I tërë falënderimi i sinqertë i takon Allahut, Zotit të botëve.

(FETAVA MUASIRE-FETVA BASHKËKOHORE-pjesa e 4. Libri eshte ne perkthim e siper ne gjuhen shqipe).

Përktheu: Bashkim Aliu

________________

[1] El-Bekare: 187.

[2] Hadithin e transmeton Buhariu në Sahih-un e tij në Librin e Agjërimit (nr.1954) dhe Muslimi në Sahih-un e tij në Librin e Agjërimit (nr.1100). Poashtu, këtë hadith e transmeton edhe Ahmedi në El-Musned (nr.338), Ebu Davudi në Sunen-in e tij në Librin e Agjërimit (nr.2351) dhe Tirmidhiju në Sunen-n e tij në Librin e Agjërimit (nr.698), prej Omerit.

[3] Shih:Hashijetu Ibn Abidin, vëll.VI, fq.343. Botim i verifikuar nga Husamuddin Ferfur.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert.

Go to TOP