Most read

Ramazani, shkollë dhe mësime

Dr.Bashkim Aliu

Ramazani është shkollë e madhe në jetën e njeriut, sepse krahas asaj që ndikon drejtpërdrejtë në jetën e muslimanit, i cili këtë veprim e bën për shkak obligimit dhe bindje të fortë se Allahu do ta shpërblejë e ai do të reflektohet pozitivisht në jetën e tij, agjërimi në një mënyrë ndikon dhe len mbresa edhe në jetën e jo muslimanëve sepse edhe ai e sheh ndikimin pozitiv të muslimanit dukshëm në shoqëri, e me këtë ndryshon botëkuptimi i tij ndaj agjërimit si ritual islam po bile edhe ndaj Islamit në përgjithësi. Muaji i bekuar i Ramazanit është një thesar i çmueshëm që  e pasuron dhe stolis jetën e besimtarit me margaritarë të lloj-llojshëm dhe përfshinë një gamë të gjërë dimenzionesh në të cilat është evident reflektimi i vlerave të këtij muaji të bekuar. Në këtë thjerrëz duhet shiquar dhe analizuar përshkrimet e muajit të Ramazanit në Kur’an dhe Sunet, gjegjësisht nga kjo perspektivë duhet parë ajetet dhe hadithet e të dërguarit të Allahut që flasin për këtë muaj të bekuar, e që u përgjasojnë buqetave me lule të ndryshme të cilat e kanë të përbashkët aromën e këndëshme. Muaji i bekuar i Ramazanit është muaj i freskisë shpirtërore dhe ngjalljes së ndjenjave fetare dhe aspiratave për një të ardhme më të lumtur, sepse e ndez në shpirtin e besimtarit shkëndinë e fitores dhe ngadhnjimit. Në këtë kontekst duhet vënë edhe interesimin e madh të gjeneratave të dalluara të Islamit, shokëve të të dërguarit të Allahut dhe pasuesve të tyre, të cilët mezi se pritnin të vijë muaji i Ramazanit dhe bënin dua-lutje që t’ua mundësojë Allahu që ta arrinë dhe ta kalojnë me adhurim, ashtu si i ka hije besimtarit të vërtetë.

Ramzani me adhurimin e agjërimit është një eveniment madhështor me tërë përmbajtjen dhe gjallërinë e tij që ia jep botës islame, si dhe ngërthen në vete kuptime madhështore dhe përçon mesazhe të shumta, jo vetëm për muslimanët por edhe për mbarë botën. Me këtë rast, do të ndalemi në disa nga mësimet që mund të mësojë njeriu nga shkolla e Ramazanit:

♦Ramazani mësim i paqes: Marrë parasysh kontekstin kohor dhe preokupimin e mbarë njerëzimit me çështjen e mostolerancës dhe tendecave ekstremiste në rritje, në veçanti në Europë, do ta theksojmë mesazhin e paqës në muajin e Ramazanit. Muaji i bekuar i Ramazanit e përçon në shoqëri mesazhin e paqës, qetësisë dhe mirësisë, edhe atë duke u mbështetur në shumë fakte dhe dëshmi, e që ne do të veçojmë mësimin e Ramzanit për paqën përmes humanitetit. Muaji i Ramazanit, mes tjerash, është edhe muaji i humanitetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve. Pikërisht duke mos ngrënë e mos pirë, njeriu e kupton më mirë se ç’do të thotë të jeshë i urritur dhe të mos keshë të hashë e pishë. Në fakt, në këtë mënyrë, më mirë e kupton njeriun që vuan nga uria dhe je më i ndieshëm ndaj popujve të cilët janë të kapluar nga uria.

Shiquar nga këndi i fetares, Ramazani është muaj kur preferohet në veçanti lëmosha, bujaria si dhe të gjitha llojet e mirësisë ndaj njerëzve. Bile, ai që agjëron duhet të japë edhe lëmoshën e fitrit në fund të Ramazanit, e cila destinohet për të varfurit. Vetë i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, na ka nxitur që të jemi më human dhe më bujar në muajin e Ramazanit, e edhe ai vetë ka qenë më bujar në këtë muaj. Shokët e tij pohojnë se i Dërguari i Allahut ka qenë njeriu më bujar nga të gjithë, e në garë me vetveten, edhe më bujar ka qenë në muajin e Ramazanit. Kjo flet se besimtari i cili e merr shembull të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin paqja e Zotit qoftë mbi të, duhet të jetë i këtillë, gjegjësisht bujar, human dhe solidar, në veçanti në muajin e Ramazanit.

Të gjitha studimet sociologjike dhe ato të fushës së kriminalistikës faktojnë se një nga shkaqet e përhapjes së krimeve, vjedhjeve dhe formave tjera të rrezikimit të pasurisë së njerëzve, është edhe papunësia, varfëria dhe uria. Së këtejmi, duke qenë human ndaj njerëzve, duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj skamnorëve dhe duke i ushqyer të urriturit e duke u përkujdesur për ata që kanë nevoja, ne ndërtojmë paqë në shoqëri. Kjo, ngase duke u ndihmuar materialisht, ne e pengojmë apo e zbusim krimin në shoqëri, në veçanti vjedhjet dhe rrezikimin e pasurisë. Poashtu, krijojmë ura lidhëse mes të pasurve dhe të varfurve, ngjallim dashuri dhe simpati në zemrat e të varfurve ndaj të pasurve, e jo urrejtje dhe zili.

Në këtë mënyrë, përmes humanitetit, Ramazani e përçon mesazhin e paqës.

Në përmbyllje, ajo që duhet të jetë e veçantë të theksohet është se Ramazani edhe në përmasa globale i then botëkuptimet e gabuara, pikërisht përmes asaj që përmendëm dhe shumë gjërave tjera që nuk arritën t’i përmendim. Edhe përskaj propagandave të pamëshirshme dhe qëllimkëqija e joobjektive kundër Islamit dhe muslimanëve duke i paraqitur ata si burim të frikës, sherrit dhe terrorit, muaji i Ramazanit e promovon filozofinë e vërtetë të Islamit dhe mesazhet e mësimeve të tij. Muaji i Ramazanit ven përpara syve të botës personalitetin e muslimanit durimtar, të matur, human e solidar, të devotshëm dhe paqëdashës.

♦Mësimi i Ramazanit për afrimin familjar : Është e vërtetë e pamohueshme se Ramazani rrezaton fuqishëm në rrafshin e afrimit familjar, edhe atë si në aspektin e familjes së ngushtë, po ashtu edhe në atë të familjes së gjërë.

Në kohën moderne, kur çdo gjë është dinamike dhe e ngutshme, gjegjësisht gara për jetën ka kapluar në çdo anë dhe ka ndikuar që të largohen edhe anëtarët më të afërt të familjes, ashtu që terminet e ndyshme i kanë bërë që shumë rrallë të jenë së bashku në familje, Ramazani vin si promotor i afrimit familjar. Kjo, ngase edhe biznismenët më të mëdhej muslimanë, në muajin e Ramazanit bëjnë çmos që bile disa iftare ti bëjnë së bashku me familjen. E mos bëjmë fjalë më për njerëzit e kalibrit më të ulët në fushën e biznesit.

Në këtë mënyrë, Ramazani e rikthen kompaktësinë e gjirit familjar që modernizmi është duke shkatërruar egërsisht, e afron prindin me fëmijën dhe me nipat, i bën ta ndjejnë afërsinë e njëri tjetrit dhe ta shijojnë kënaqësinë e të qenit së bashku, që edhe vetë ata e pranojnë se jeta e sotme ua ka rrëmbyer pamëshirshëm. Përmes iftarit e syfirit, Ramazani realizon afrimin e familjes dhe kjo është një nga funksionet më të theksuara shoqërore të Ramazanit, e që vërtet meriton të quhet “Muaj i familjes”.

Në planin e familjes më të gjërë, po ashtu, Ramazani ngjall shpresë dhe gëzim, ngase vazhdon praktika e vizitave familjare në muajin e Ramazanit. Nëse gjatë muajve tjerë të vitit nuk është zakon të shkohet te njëri-tjetri, që nuk duhet të jetë në mesin e muslimanëve, në muajin e Ramazanit është zakon që familja më e gjërë dhe kushërinjtë e shokët ta thirrin njëri-tjetrin në iftare.

♦Mësimi i Ramazanit për liri nga robërimi ndaj pasioneve të ulta: Njeriu, në jetën e tij të përditshme, në një mënyrë bëhet rob i pasioneve dhe epsheve të veta, ngase posa sheh diçka të këndshme, ushqim të shijshëm, apo i jepet rasti ta shfryj epshin, ai e bën këtë. Me nji fjalë, lakmia pas ushqimeve, kënaqja e epshit, shijimi i çdo kënaqësie në çdo kohë, etj., nuk e lënë të lirë njeriun, dhe si zakonisht, ngadhnjejnë mbi prirjet shpirtërore të njeriut. E kur besimtari agjëron, ai e dëshmon dëshirën e tij të flaktë për të qenë i lirë nga robëria e pasioneve të ulta, nga dhuna e epshit dhe lakmia pas çdo gjëje që ia ka ënda, gjegjësisht me agjërim lirohemi nga kjo dhunë e epshit, dëshirave të ulta dhe kënaqësive të shijimit të çdo gjëje, në çdo kohë, kur e lakmon atë.

Liria e personit nga këto forma robërimi, të preferuara për aspektin material, hap rrugë dhe i ngjall ambicjet për liri nga të gjitha llojet e robërimeve, në veçanti atë ideologjike, duke e dëshmuar kështu aspektin revolucionar dhe rezistues të adhurimeve në Islam. Agjërimi në muajin e Ramazanit, si adhurim i obligueshëm, nuk është thjesht një veprim dogmatik, por reflekton në shumë sfera dhe nxjerr në pah aspekte të mahnitshme të ngritjes së qenies njerëzore në piedestale të larta dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, përfshi këtu edhe mbrojtjen e besimtarit nga robërimi ndaj pasioneve të ulta dhe epsheve.

♦Mësimi i Ramazanit për ngadhnjim mbi epshin dhe pasionet e ulta: Kryerja e agjërimit me sukses, si në raport me agjërimin e ditës prej syfiri e deri në iftar, poashtu edhe në raport me agjërimin e gjithë muajit, është tregues shpresdhënës se njeriu ka fuqi dhe afinitet të dominojë mbi epshet dhe pasionet e ulta, dhe kjo shpresë e bën besimtarin dinjitoz, ia kthen besimin në vetvete, të vendosur në parimet e besimit, ambicioz dhe të fortë dhe të vendosur në rezistimin e sfidave në rrugën e besimit. Agjërimi është promovuar nga ana e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. se është mbrojtës i njeriut nga nështrimi dhe shndërrimi i tij në rob të epshit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:” O ju të rinjë! Kush prej jush ka mundësi të martohet, le të veproj ashtu, sepse ajo i ndihmon atij ta ulë shiqimin dhe ta mbroj dinjitetin(nderin). Kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse ai (agjërimi) do të jetë mburoja e tij.

Rruga e besimtarit është e rëndë dhe plot vështirësi, bile, herë-herë merr ngjyra pesimizmi për të mund t’u dilet mbanë barierave të epshit dhe shtytjeve të pasioneve. Por, muaji i Ramazanit përmes agjërimit dhe namazit, e sforcon bindjen e besimtarit për mundësinë e tejkalimit të suksesshëm të barierave të jetës të ngritura nga djalli, dhe e etablon besimin për ngadhnjimin e besimtarit mbi epshin dhe pasionet e ulta, ngase besimtari i ka para veti të gjitha gjërat të cilat i lakmon, ballafaqohet me gjëra të cilat i dëshirojnë epshet e tij, por për hirë të Allahut të Madhërishëm, besimtari i cili agjëron, i tejkalon të gjitha këto lakmi dhe dëshira, nuk e shijon atë që e lakmon dhe e dëshiron, e me këtë agjërimi ngjall shpresë për fitore dhe ngadhnjim mbi epshin në veçanti, dhe ngadhnjim të besimtarit në të gjitha sferat e jetës, në përgjithësi. Kjo, ngase shpresa për fitore, në këtë muaj të bekuar, sforcohet edhe nga revokimi i ngjarjeve dhe historisë që lidhet me këtë muaj madhështor për nga përmbajtja dhe për nga rezultatet. Në këtë muaj, muslimanët të udhëhequr nga Muhamedi s.a.v.s. korrën fitoren e parë më të dalluar dhe më me jehonë që nga emigrimi i tyre në Medine dhe formimi i shtetit, fitoren në betejën e Bedrit, e cila betejë u zhvillua me 17 Ramazan të vitit të dytë të Hixhretit. Poashtu, në këtë muaj, në dhjetë ditët e fundit, muslimanët e çliruan Meken, me çka qartë u pa dominimi i imanit mbi shirkun dhe shuarjen e shpresave të idhujtarëve për një të ardhme të tyre në Gadishullin Arabik dhe më gjërë, nga njëra an;, dhe shtimin e vullnetit dhe shpresave të muslimanëve për ngjitje në maje të larta të fushave të ndryshme dhe fitore të mëdha, në të gjitha fushat e jetës, nga ana tjetër.

♦Mësimi i Ramazanit  për ngritje në pidestale të larta: Agjerimi e pastron shpirtin, e korigjon sjelljen, e konsolidon shoqërinë duke e pastruar njeriun nga veset e liga. Agjërim nuk don të thotë thjesht vetëm largim nga haja, pija dhe epshi, edhe pse këto elemente e përbëjnë aspektin juridik të vlefshmërisë së agjërimit, por esenca e agjërimit shkon përtej braktisjes së hajes, pijes dhe epshit, duke  e larguar njeriun nga çdo gjë e keqe që e dëmton dhe turbullon pastërtinë e moralit. Në këtë drejtim është i qartë edhe ajeti i cili flet për agjërim, ku Allahu i Madhërishëm thotë:<<O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm>> [El-Bekare, 183]. Poashtu, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Kush nuk i len fjalët e këqija dhe veprat e liga, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai ta len hajen dhe pijen.

Me këtë, agjërimi shndërohet në shpresngjallës për ngritje në piedestale të larta morale, por edhe kulturore dhe shkencore.

♦Mësimi i Ramazanit për arsimim dhe hapërim në shkencë: Muaji i bekuar i Ramazit, nuk trajtohet dhe nuk reflekton vetëm në planin shpirtëror, por rezet e tij shtrihen edhe në sferën e arsimit dhe fushave shkencore. Në fakt, Ramazani, me plot të drejtë, mund të quhet muaj i iluminizmit të vërtetë, ngase Ramazani është muaji i shpalljes së librit të fundit të Allahut, Kur’anit. Në natën e Kadrit, që shumë dijetarë e pohojnë se ka qenë nata e 27 e Ramazanit, filloi shpallja e Kur’anit. Ky privilegj i madh, gjegjësisht fillimi i shpalljes së librit të fundit të Allahut për njerëzimin, i takoi Ramazanit, dhe me këtë, Ramazani me të drejtë mund të quhet simbol i dijes, arsimit, librit, lapsit, shkronjave dhe shkrimit. Nuk ka më mirë se këto komponente të mishërohen në personalitetin dhe jetën e besimtarit si individ, dhe në jetën e umetit islam si bashkësi. Kuptimi i drejtë dhe thelbësor i këtij karakteri të Ramazanit, sjell dobi jo vetëm për umetin islam, por edhe për mbarë njerëzimin, ngase të arriturat shkencore nuk janë monopol i popujve të caktuar, por janë vlera të përgjithshme nga të cilat përfitojnë të gjithë njerëzit.

Nisur nga kjo, Ramazani është muaj i shpresës për umetin islam, për ngritje në aspektin arsimor dhe shkencor, për rihudhje të hapave gjigant në fusha të ndryshme shkencore, pas letargjisë shekullore që i kaploi muslimanët në  fushën e shkencës dhe arsimit. Gjendja e palakmueshme e muslimanëve në dekadat, po bile edhe në shekullin e fundit, në aspektin shkencor, nuk duket të shndërrohet në nyje të pazgjidhur dhe mbyllje në vetvete, pesimizëm dhe dëshprim nga jeta, por Ramazani për çdo vit, duhet të kuptohet si mundësi për të fituar besim në vetvete se edhe kjo gjeneratë mund ta bëjë atë që e bënë gjeneratat e mëhershme të umetit në shkencë, kur muslimanët ishin mësuesit e botës, dhe në veçanti të Evropës, në të gjitha lëmejtë shkencor.

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP