Most read

UBISHZ: Urimi me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit 2020

22.04.2020, Cyrih

Të nderuar vëllezër e motra!

Të dashur imamllarë dhe të respektuara kryesi të xhamive!

Esselamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berakatuhu

Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër njofton besimtarët muslimanë se dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit është ditën e premte, më 24.04.2020.

UBISHZ me këtë rast ju uron të gjithë besimtarëve muslimanë që jetojnë në Zvicër ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, duke e lutur All-llahun xh.sh. që netët dhe ditët e tij të jenë plotë begati, mirësi, harmoni, tolerancë dhe dashuri të ndërsjellë.

Koha në të cilën tani jetojmë karakterizohet me pandeminë e koronavirusit Covid-2019, gjë që edhe për besimtarët dhe institucionet fetare përbën një shqetësim. Mirëpo, nga ana tjetër, shpresa është shumë e madhe, kur kemi parasysh mësimin e Pejgamberit a.s., i cili për agjërimin ka thënë se është mburojë. Kështu është secili ibadet, e sidomos agjërimi është mbrojtje dhe forcë efikase kundër çdo të keqeje.

Ramazani është shans jete dhe duhet ta shfrytëzojmë atë. Vendimet dhe udhëzimet e organeve kompetete shtetërore kanë pamundësuar tubimin e njerëzve nëpër qendrat tona fetare. Kështu që, vendtakimi ynë familjar mbetet shtëpia dhe kanalet virtuale. Ndoshta do të jetë një rast i mirë që në këtë ramazan t’i kthehemi dhe ta shijojmë më tepër atmosferën dhe sofrën familjare në syfir dhe iftar.

Le të jetë ky Ramazan një periudhë kur ne do të ndriçojmë vendbanimet tona me agjërim, namaz, lexim kur’ani, dhikre, ndihmë nevojtarëve, reflektim e kthim kah vlerat themelore njerëzore dhe kah Zoti.

Duke e pasur parasysh se ky është një muaj i mëshirës, e ndiejmë se Krijuesi ynë e ka dërguar atë për ne që nga kjo sprovë të na nxjerr edhe më të fortë. Edhe përskaj pandemisë, i gëzohemi ardhjes së Ramazanit, sepse me të do të vijë mëshira, mirësia dhe shpresa për të gjithë botët.

Lusim Krijuesin tonë që të na i pranojë ibadetet e Ramazanit, të na forcojë në rrugën e Tij, të na falë e të na mëshirojë, si dhe të gjithë njerëzit mbarë, që vuajnë nga çdo lëngatë a sëmundje, t’i shërojë.

Për hajr muaji i bekuar i Ramazanit, muaji i pranverës sonë shpirtërore. Paçim një periudhë të begatë ramazani! Amin.

Me respekt dhe sinqeritet të thellë!

Mehas Alija
Kryetar i UBISHZ

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP