Most read

MBAHET KUVENDI VJETOR I KOMUNITETIT MUSLIMAN SHQIPTAR NË ZVICËR

Me 22 janar, 2023, në lokalet e xhamisë “Ebu Bekër Es Sidik” në qytetin Biel/Bienne, në kantonin e Bernit, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër i zhvilloi punimet e kuvendit të rregullt vjetor, ku ishin të parapra 8 pika të rendit të ditës.
Mbledhjen e shpalli të hapur kryetari i Kuvendit të KMSHZ-së, Azir Jusufi, i cili i përshëndeti kuvendarët e pranishëm dhe u dëshiroi mirëseardhje, kërkoi që hapja e punimeve të kuvendit të bëhet me lexim të një pjese nga Kur’ani.
Pas leximit të asheres nga Kur’ani, kryetari i kuvendit vazhdoi me konstatimin e kuorumit duke i lexuar xhamitë anëtarëve me radhë sipas renditjes së alfabetit. Nga 54 xhami anëtare, në këtë kuvend, morën pjesë kuvendarë nga 54 xhami. Më pas, u kalua në miratimin e rendit të ditës, të protokollit të mbledhjes së fundit të kuvendit të mbajtur në vitin 2022, si dhe në pikat e rendit të ditës.
Në pikën e parë të rendit të ditës, kryetari i KMSHZ-së, hafiz Mehas Alija, paraqiti raport të detajuar për aktivitetet e kryesisë gjatë vitit 2022, dhe nënvizoi se puna e kryesisë, si dhe e atij si kryetar, ka qenë intensive dhe është shtrirë në disa rrafshe, duke theksuar në veçanti organizimin e seminareve për imamët e KMSHZ-së, përfaqësimin e KMSHZ-së në evente të ndryshme të xhamive anëtare, dialogun inter-religjioz, si dhe komunikimin me institucione relevante në Zvicër dhe në vendlindje. Në veçanti e apostrofoi bashkëpunimin me përfaqësuesit e organizatave islame të mërgatës shqiptare në Evropën perëndimore. Kryetari Mehas Alija në fund të ekspozesë së tij për aktivitetet e kryesisë, i paraqiti edhe disa nga aktivitetet më të rëndësishme të cilat kryesia planifikon t’i realizojë gjatë këtij viti, duke i veçuar aktivitetet për festat e Nëntorit dhe ditët e mërgatës shqiptare në Zvicër. Ai e mbylli raportimin e tij me fjalët: “Puna intensive dhe kualitative e udhëheqësisë së KMSHZ-së, imamëve dhe e drejtuesve të xhamive anëtare, e ka ngritur reputacionin KMSHZ-së, si dhe e ka bërë një emër me respekt në shoqëri”.
Vend të rëndësishëm në punimet e kuvendit zuri edhe raportimi për finalizimin e projekteve të financuara nga KMSHZ pas tërmetit në Shqipëri, si dhe ndihmat për renovimin e konviktit të nxënësve në Medresenë Alauddin në Prishtinë, që u prezantua nga sekretari dhe përgjegjësi për këto projekte, Ismail Ademi.
Punimet e kuvendit kaluan në atmosferë konstruktive dhe kooperative, pasi delegatët treguan interesim dhe participuan me diskutimet dhe sugjerimet e tyre për çdo pike të rendit të ditës.
Në veçanti, për këtë kuvend, duhet theksuar miratimi i disa vendimeve që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të KMSHZ-së, si dhe angazhimin e kuvendarëve që kryesia e KMSHZ-së të punojë në drejtim të sigurimit të burimeve financiare të vazhdueshme për KMSHZ-në. Posaçërisht, fokusimi i kuvendarëve ishte në nevojën e formimit të bazës së sigurt financiare në Zvicër, nga kontributet e ndryshme të pjesëtarëve të mërgatës sonë në Zvicër, si dhe realizimin e projekteve të ndryshme në interes t komunitetit musliman shqiptar dhe të shoqërisë në përgjithësi, këtu në Zvicër.
Nga ana e kuvendareve femra, u dha një vërejtje në lidhje me përfaqësimin e vogël të numrit të femrave në kuvend, edhe përskaj rekomandimit që nga tre kuvendarë të xhamive anëtare, njëri të jetë femër. U kërkua që kryesia e KMSHZ-së, të angazhohet më tepër në aktivitete me gjininë femërore, aktivizimin e sektorit të femrës, si dhe senzibilizimin e xhamive për nevojën e përfaqësimit të femrave në strukturat udhëheqëse të xhamive dhe në KMSHZ.
Në këtë kuvend u miratuan edhe aplikimet e tre xhamive të reja për anëtarësim në KMSHZ, me çka numri i xhamive anëtare të KMSHZ-së arinë në 57 xhami.
Punimet e kuvendit i shpalli të mbyllura kryetari i kuvendit të KMSHZ-së, Azir Jusufi, i cili i falënderoi kuvendarët për pjesëmarrje në një numër kaq të madh në këtë kuvend, si dhe nikoqirin, imamin dhe kryesinë e xhamisë shqiptare në Biel/Bienne, për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyeshëm të hapësirës së mbajtjes së kuvendit.
(KMSHZ)

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP