Most read

KMSHZ me program fetar, kushtuar festave kombëtare të nëntorit

Të dielën pasdite, më 27 nëntor 2022, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, zhvilloi një tribunë me temë „Hoxhallarët, kontributi i tyre në pavarësinë e vendit“.
Ky aktivitet u zhvillua në xhaminë shqiptare „Al-Shems“ në Rebstein të Zvicrës.
Nën moderimin e Nimetulla ef. Veselit u bë hapja e programit me lexim të Kur’anit nga imami Enes ef. Koshi.
Kryetari i KMSHZ, hfz. Mehas ef. Alija, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi domosdoshmërinë e dashurisë dhe të kontributit të çdo besimtari ndaj atdheut. Ai tha: „Feja e kombi janë si trupi e shpirti, të pandashëm nga njëra-tjetra, pasi asnjëra pa tjetrën nuk e kryen funksionin që ka.“
Ai gjithashtu theksoi se ne shqiptarët që jetojmë në Zvicër jemi krenarë për kontributin e dhënë, jo vetëm për atdheun tonë, por edhe për kontributin që japim në të gjitha fushat e jetës, gjë për të cilën duhet të shprehim mirënjohje dhe falenderim shtetit hevletik për hapjen e dyerve për mikpritjen e shqiptarëve në ditët e vështira.
Më pas ishte kumtesa e radhës nga nënkryetari i KMSHZ, Dr. Besim ef. Nuzi, i cili foli për rolin që prijësit fetarë kanë pasur në shpalljen e pavarësisë.
Ai theksoi se „hoxhallarët, të frymëzuar nga Kur’ani dhe nga jeta e Pejgamberit Muhammed, kanë dhënë kontribut të vyer në edukimin e brezave dhe ndërgjegjësimin e myslimanëve për të dashur dhe mbrojtur vatanin.
„Hoxhallarët kanë dhënë një tjetër kontribut të madh e që kishte një rëndësi të veçantë për fatin e vendit në ato ditë të vështira. Fetvaja e Haxhi Vehbi Dibrës për flamurin ishte vula e bashkimit të shqiptarëve pa dallim mes përkatësisë fetare“.
Po ashtu tha: „Hoxhallarët ishin ata që kontribuan edhe në qeverinë e parë (qeverinë e Ismail Qemalit), po ashtu edhe në pushtetin qendror siç ishin Ismail ef. Ndroqi, i cili ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Tiranë, myftiu, e më pas kryetar i parë i Tiranës, Zyber ef. Hallulli, Ali ef. Derhemi në Tiranë, hafiz Ali ef. Podgorica, i cili ngriti flamurin në Durrës dhe më pas kryetar i parë i tij.“
Gjithashtu, imam Nuzi theksoi se shumë hoxhallarë dhanë një kontribut në edukimin e popullit siç ishin: Hoxha Tahsini, i cili hapi shtëpinë e tij për edukimin e studentëve shqiptarë në Stamboll, nxënës të tij ishin edhe vëllezërit Frashëri. Po ashtu, hoxhallarë të tjerë si haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Sherif Langu, Hafiz Ali Korça e Said ef. Najdeni (hoxhë Voka), hafiz Ali Ulqinaku, Rexhep ef. Voka e shumë të tjerë.
Kumtesën e radhës e kishte ish-profesori i Medresesë Isa Beu në Shkup Mr. Elez Ismaili, për rolin e medreseve në formimin e shtetit shqiptar. Ai theksoi se medresetë dhe mektebet kanë qenë shkollat e përhapura dhe më të njohura në atë kohë. Medresetë ishin vatra të dijes fetare e kombëtare. Ai citoi gjithashtu edhe rolin e medresesë Alauddin në Prishtinë, ku ishte vendtakimi i patriotëve për takime konferenca nga politikanë, ushtarakë e patriotë që udhëhiqnin lëvizjen për çlirimin e Kosovës.
Ai, gjithashtu, foli rreth librit të tij „Yjet e medresesë Isa Beu“, një vepër kjo në të cilën ka shpalosur mbi 150 medresatë, që pasi kanë dalë nga bankat e medresesë, kanë shkëlqyer duke dhënë shembullin dhe kontributin e tyre për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Programi u bë më tërheqës nën shoqërinë e Burim ef. Sherifit, që me zërin e tij të bukur kënaqi shpirtrat e të pranishmëve.
Të pranishëm ishin edhe hoxhallarët Veton ef. Tulla, Bekim ef. Alimi, kryetarë xhamishë, e shumë pjesëmarrës të tjerë, jo vetëm nga Rebstein, por edhe nga qytetet e tjera të Zvicrës.
Në fund, kryesia e xhamisë së Rebsteinit, për mysafirët e veçantë të tribunës, shtroi edhe një drekë. Allahu i shpërbleftë!

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP