Most read

DAIGS: URIMI ME RASTIN E FITËR-BAJRAMIT 2020

23.05.2020, e shtunë

Në emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit tonë, Krijuesit të gjthësisë dhe të botëve. Selamet dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Pejgamberin Muhammed a.s., mbi familjen e tij fisnike, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët e besimtaret që pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e fundit.

Të nderuar vëllezër e motra!

Shkoi edhe muaji më i dashur, miku më i njohur ndër muslimanët dhe ngjarja më e madhe ndër muajt e vitit – Ramazani, muaji i  agjërimit, mëshirës, lutjeve, muaji i shpalljes së Kur’anit, muaji i familjes dhe i dashurisë hyjnore.

Besimtarë e besimtare të nderuara, ju që i plotësuat ditët e caktuara të agjërimit, që madhëruat Zotin e Ramazanit, dhe që për këtë falënderuat shumë; ju që kur pyetni për Zotin, ai tha se është afër, dijeni se është koha të kënaqemi dhe të gëzohemi për afërsinë e Krijuesit tonë dhe të vazhdojmë tutje, në ditët dhe muajt e vitit, si adhurues të bindur ndaj Tij. Sepse ne nuk adhuruam Ramazanin, por Zotin e ramazanit.

Të urtët tanë kanë thënë se gjithëçka që është e mirë dhe e bukur, ajo kalon shumë shpejt. Kështu ndodhi edhe me këtë muaj të bekuar dhe kështu ndodh edhe me vetë jetën, por kanë fituar ata që ditën ta shfrytëzojnë kohën e bekuar të Ramazanit dhe morën nektarin dhe vlerat që ofroi ajo.

Vëllezër e motra të çmuara!

Ky ramazan ishte më ndryshe. Ramazani i kohës së pandemisë së virusit covid-19. Mundësitë për ta nderuar edhe më shumë ishin të kufizuara për ne, andaj e lusim All-llahun e Plotëfuqishëm të na plotësojë aty ku kemi munguar dhe të na shpërblejë për durimin dhe maturinë e treguar.

Edhe përskaj kësaj, Ramazani ishte dhe mbetet një mysafir i madh për të gjithë ne. Ndonëse nuk patëm mundësi që ta nderojmë si herave të tjera nëpër xhamitë dhe xhematet tona, e nderuam në forma të tjera. I ofruam mirëseardhjen më të ngrohtë në vatrat tona familjare, me ç’rast, në sofrën e ramazanit, patëm shanse shumë më të mira për t’u afruar njëri me tjetrin dhe për të vazhduar më tutje në frymën e mëshirës, dashurisë familjare dhe të respektit të ndërsjellë.

 Të nderuar vëllezër dhe motra!

Muajin e bekuar të Ramazanit e përcjellim me shpresën se Zoti i Madh ka pranuar prej nesh çdo vepër të mirë që e bëmë për vete dhe për të tjerët, si dhe ta ketë pranuar çdo pendesë dhe lutje tonën.

Sot, në prag të festës së madhe të Fitër Bajramit, urimin tonë, urimin e Kryesisë së Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare, e përcjellim, në radhë të parë te myslimanët në Zvicër, te xhematet dhe familjet tona, pastaj te të gjithë ata myslimanë që jetojnë dhe veprojnë në shtetet fqinje, për myslimanët tanë shqiptarë në vendlindjet tona dhe për të gjithë botën mbarë muslimane.

Po ashtu, le ta ndajmë këtë gëzim tonin edhe me të tjerët, me jomyslimanët, me fqinjët dhe bashkëpunëtorët tanë!

Zoti ynë, begatoje gjendjen tonë, ashtu që të jetojmë në paqe dhe në dashuri!

Zoti ynë, shëroi të sëmurët tanë, mëshiroi të vdekurit tanë, si dhe forcoi në rrugën e mbarë dhe lumturisë të gjithë ata që punuan për shëndetin dhe të mirën e njerëzimit. Amin!

Urime dhe me fat ju qoftë festa e Fitër – Bajramit!

 

Mehas Alija

Kryetar i DAIGS

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP