Most read

Mbledhja e kryesisë së UBISHZ me imamë dhe kryetarë të xhamive

Me 05.05.2018 në lokalet e xhamisë së Wintherturit-Töss, kryesia e UBISHZ, organizoi mbledhje me imamë dhe kryetarë të xhamive anëtare të UBISHZ.

Mbledhjen e udhëhoqi kryetari i UBISHZ, Mehas ef. Alija, i cili në fillim u shprehi mirëseardhje pjesmarrësve dhe i falënderoi për pjesëmarrjen në mbledhje, si dhe paraqiti një raport të shkurtër për aktivitetet e deritashme të kryesisë së UBISHZ-së.

Po ashtu, paraqiti propozimin e përgatitjes së bexhave për imamët e UBISHZ-së, me qëllim që të mund të identifikohen me to para organeve të rendit dhe institucioneve të tjera përkatëse.

Të pranishmit njëzëri pranuan propozimin që mbledhja e kryesisë së UBISHZ-së me imamët dhe kryetarët e xhamive anëtare të UBISHZ-së, para muajit të Ramazanit, të bëhet mbledhje e rregullt, dhe të mbahet dy javë para fillimit të Ramazanit, në ditën e shtunë apo të diel, varësisht si do të vendoset pas konsultimeve të kryesisë.

Më pas, e prezantoi rendin e ditës në dy pika:

  1. Përgatitjet me rastin e muajit të Ramazanit
  2. Të ndryshme.

Pas miratimit të rendit të ditës nga të pranishmit, u kalua në diskutim për pikat e rendit të ditës.

Për pikën e parë të rendit të ditës, fillimisht u bë një hyrje nga kryetari ku u përmendën nënpikat vijuese:

– Vizitat e delegacioneve nga institucionet fetare islame nga vendlindja.

– Ndërrimi i imamëve gjatë Ramazanit.

– Shtrimi i çështjes së tubimit të fitrave dhe zeqatit nga ana e UBISHZ.

Pas diskutimeve për nënpikat e lartpërmendura, dolën rekomandimet vijuese:

  1. Me rastin e vizitave të përfaqësuesve të bashkësive fetare islame nga vendlindja, xhamitë të paraqiten për ftesat e mysafirëve, që të mund të bëhet koordinimi i shpërndarjes së tyre nëpër xhami. Me këtë rast, xhamitë që e bëjnë ftesën, obligohen që ta sigurojnë akomodimin, ushqimin dhe transportin e mysafirit. Xhamitë nuk janë të obliguara të paguajnë honorare për mysafirët në rastin konkret, por lehet në vullnetin e tyre nëse e shohin të arsyeshme t’u japin dhurata.
  2. Për sa i përket ndërrimit të imamëve gjatë Ramazanit, UBISHZ do të publikojë një listë në grupin e Whatsapp-it, dhe u bën thirrje imamëve që t’i shënojnë datat dhe imamët me të cilët e bëjnë ndrrimin gjatë Ramazanit në listën në fjalë. Po ashtu, në grupin e UBISHZ në Whatsapp, do të publikohet edhe një listë për aktivitetet, dhe u bëhet thirrje imamëve që në listën përkatëse t’i shënojnë aktivitetet e tyre gjatë Ramazanit, me qëllim që kryesia të ketë evidencë për aktivitetet, si dhe të mund të bëjë koordinim më të mirë të vizitave dhe aktiviteteve. Me këtë rast, UBISHZ u bën thirrje kryetarëve dhe kryesive të xhamive që të përkujdesen për pritjen, prezantimin para xhematit dhe përcjelljen e imamit që bën ndrrim me imamin e tyre gjatë Ramazanit, ashtu si i ka hije. Kryesitë nuk janë të obliguara të paguajnë honorare për imamin që bën ndrrim me imamin e tyre. Lehet në vullnetin e lirë të tyre çështja e dhuratave.

Për pikën e dytë të rendit të ditës, u zhvillua diskutim më i gjërë nga të pranishmit, si dhe u rrehën disa çështje.

Me këtë rast u dhanë rekomandimet vijuese:

UBISHZ është kundër veprimeve të papërgjegjshme dhe fetarisht të pa pranuara të disa individëve dhe klubeve, të cilët me vetë iniciativë dhe pa pëlqim nga institucione relevante fetare islame, bëjnë organizimin e faljes së teravive dhe namazit të xhumasë në lokalet e tyre komerciale në muajin e Ramazanit. UBISHZ konsideron se lajmërimet për veprime të këtilla, janë veprime të cilat e çrregullojnë zhvillimin institucional të jetës fetare në Zvicër, janë në kundërshtim me rregullat që dijetarët islamë i kanë konfirmuar për kushtet e vlefshmërisë së namazit të Xhumasë, dhe i konsideron veprime meskine të individëve të caktuar për përfitime personale të kamufluar me petk fetar.

UBISHZ u bën thirrje individëve dhe palëve të tyre të vetëdijësohen për përgjegjësinë fetare dhe morale të veprimeve të tilla, dhe u apelon që mos të bëjnë veprime për të cilat ata nuk janë kompetentë të gjykojnë fetarisht për vlefshmërinë e tyre. Po ashtu, UBISHZ u bën thirrje xhematlinjve që mos të bien pre e veprimeve të tilla të papërgjegjshme, me çka do ta bien në pikëpyetje edhe ibadetin e tyre – namazin e Xhumasë, konform parimeve të sheriatit islam për rregullat e vlefshmërisë së xhumasë, si dhe qarkores së BFI e Maqedonisë, që kohë më parë, ua ka drejtuar qendrave islame dhe hoxhallarëve të cilët drejtohen për të shërbyer nëpër xhami në Perëndim për kohë të caktuar.

Përkitazi me kërkesën e FIDS për grumbullimin e ndihmave, pas debatit që u zhvillua, ku u përmendën vërejtje për punën e FIDS dhe u fol për nevojën e rishikimit të mënyrës së punës së saj, u arrit në përfundim se:

FIDS është organizatë e rëndësishme për muslimanët e Zvicrës dhe ombrella e vetme që përfshinë numrin më të madh të unioneve fetare islame në Zvicër, dhe si e tillë, krahas vërejtjeve, duhet të mbështetet. Kryetari i UBISHZ të kontaktojë me kryetarin e FIDS dhe ta njoftojë me vërejtjet, si dhe në bashkëpunim me kryetarët e unioneve që janë pjesë e FIDS, të organizojnë takim me kryetarin e FIDS për sqarime rreth mënyrës së funksionimit dhe nevojës së reformimit.Grumbullimi i mjeteve ngelet në vullnetin e vetë xhamive, por marrë parasysh kërkesën që është një lutje për ndihmë nga FIDS, kësaj radhe u sugjerohet xhamive që ta mbështesin materialisht konform mundësive.

Përgatiti: Dr. Bashkim Aliu

 

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP