Most read

Sadakatu-l-fitri

Hfz. Mehas Alija

“Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut është si i një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është bujar i Madh, i di qëllimet.” (El-Bekare, 261).

Të nderuar vëllezër e motra!

Jemi në muajin Ramazan dhe po kalojmë gjysmën e tij. Kjo është hutbeja e xhumasë së parafundit për këtë muaj. Besimtarët vazhdojnë ta çmojnë kohën e këtij muaji mubarek, muaj i shumë ibadeteve, si ato trupore, ashtu edhe shpirtërore dhe ato që ndërlidhen me pasurinë, gjegjësisht kapitalin.

Në këtë muaj të bekuar zemrat, mendimet dhe dëshirat e besimtarëve urtësohen dhe i nxit ata që të mendojnë për vetveten, fëmijët dhe familjet e tyre, për farefisin, për fqinjët, për vëllezërit shqiptarë, si dhe për të gjithë muslimanët e botës, pasi që ne jemi një ummet, ummet që e bashkon Kur’ani dhe Sunneti, namazi dhe xhemati, ramazani dhe sadekatu-l-fitri, zekati dhe sadakaja, si dhe haxhi dhe kurbani. Pra, ummeti solidarë i Muhammedit a.s.

Ashtu sikurse që e kemi potencuar në fillim, se në Ramazan, përveç agjërimit, kemi edhe ibadete të tjera specifike, e që, ndër to, është edhe sadakaja e Fitrit, që sipas shkollës sonë juridike hanefite konsiderohet nga vaxhibet e fesë.

Dijeni, gjithashtu, se fenë tonë do ta plotësojmë kur do të veprojmë në dy drejtime: duke plotësuar detyrimet që kemi ndaj Zotit dhe duke plotësuar detyrimet që kemi ndaj njerëzve dhe krijesave të tjera. Nëse agjërimi dhe namazi i Bajramit janë detyrime ndaj Krijuesit, mund të themi se sadakaja e Fitrit është një detyrim ndaj njerëzve, pra, krijesave të Zotit. Kështu që, sadakatul-fitr është ndihma që u jepet njerëzve në nevojë përpara Fitër Bajramit, me qëllim që edhe ata të gëzojnë mundësinë ta festojnë Bajramin si çdokush tjetër.

Të respektuar të besimtarë, sot dua të ndaj me ju disa mësime dhe rregulla në lidhje me sadakanë e Fitrit.

Fillimisht, le të shohim hadithin që flet për sadakanë e fitrit dhe që na obligon me të. Muhammedi a.s. thotë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. obligoi sadakanë e fitrit për të pastruar agjëruesin nga veprimet dhe fjalët e kota e të pahijshme dhe për t’ua mundësuar nevojtarëve ushqimin. Ai që e jep përpara namazit të Bajramit, do të pranohet prej tij, kurse ai që jep pas namazit të Bajramit, sadakaja e tij do të llogaritet si sadaka tjetër e zakonshme”. (Ebu Davudi).

Pra, nga hadithi kuptojmë se sadakaja e fitrit e pastron agjëruesin nga fjalët ose nga veprat e këqija që kanë ndodhur gjatë agjërimit dhe plotëson mungesat e agjërimit, nëse agjërimi është me mangësi. Ashtu siç e plotëson sehvi sexhdeja namazin, ashtu e plotëson sadekatu-l-fitri agjërimin.

Kush e ka detyrim sadekatu-l-fitrin?

Secili musliman i lirë, që plotëson nisabin apo i tepron pasuria mbi nevojat e tij themelore, pavarësisht nëse është i vogël apo i rritur, mashkull ose femër, i shëndosh ose jo, ka agjëruar ose jo, duhet ta jap sadakatu-l-fitrin. Për ta lehtësuar, themi se çdo besimtar duhet që Fitrin ta jap për veten e tij, si dhe për ata që i ka nën kujdestari. Burri duhet të jap sadekatu-l-fitrin për gruan dhe fëmijët e tij dhe të tjerët që i ka në mbikëqyrje.

Sa është vlera e Sadakatu-l-fitrit?

Në kohën e Pejgamberit a.s. për fitër jepeshin katër lëndë ushqimore: grurë, elb, hurma dhe rrush i thatë, me një sasi që ka mjaftuar sa për të plotësuar ushqimin njëditor të një të varfri. Për vendin dhe kohën kur ne jetojmë (Zvicër), sadakaja e fitrit është e caktuar në të holla dhe kushton 15.-CHF për person.

Kur duhet të jepet Sadakatu-l-fitri?

Sadakaja e Fitrit duhet të jepet para namazit të Fitër Bajramit, madje mund të jepet para Bajramit, në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit apo edhe prej fillimit të Ramazanit, kështu që i varfri sigurohet më mirë për ditën e festës së Bajramit.

Kujt i jepet Sadakatu-l-fitri?

Këtë më së miri na e sqaron All-llahu xh.sh. në Kur’an, ku thotë: “Vërtetë, sadakaja (zeqati dhe s.fitri) është për: të varfrit, të ngratët, punonjësit (që e tubojnë atë), ata të cilëve duhet përfituar zemrat, për lirimin e robërve, për ata që kanë shumë borxhe, në rrugën e All-llahut dhe ata që kanë mbetur në rrugë pa mjete. Këto janë dispozita të All-llahut, e Allahu është i dijshëm, i Urtë.” (Teube, 60).

Me rastin e dhënies së sadakasë së fitrit duhet t’ju jepet përparësi të varfërve të vendit ku jetohet, gjegjësisht të varfërve të farefisit, si dhe atyre fukarenjve që posedojnë moral të mirë dhe janë të nevojtarë të vërtetë. Ai mund dhe duhet të jepet edhe për institucionet edukativo-arsimore, gjegjësisht për medresetë dhe fakultetet e studimeve islame, pasi këto konsiderohen sot si kategori që punojnë në rrugën e All-llahut xh.sh. (fi sebilil-lah)

Sadakatu-l-fitri nuk mund t’i jep gruas, e as gruaja burrit, pastaj nuk mund t’i jepet babait, nënës, gjyshit e gjyshes, e as nuk mund t’i jepet djalit, vajzës, nipit e mbesës dhe të tjerëve që i ka nën kujdestari. Të tjerëve, jashtë kësaj loze vertikale, mund dhe lejohet që t’ju jepet. Forma më e mirë e nxjerrjes dhe distribuimit të sadakasë së fitrit është ajo institucionale, respektivisht përmes xhamive dhe bashkësive islame.

(Hutbe e mbajtur sot në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen, 30.04.2021, e premte, Imam Hfz. Mehas Alija)

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP