Xhamia „El-Hidaje“ nis iniciativën për një xhami të re në qytetin e St. Gallenit
Në pasditen e ditës së dielës, me datë 25.03.2018, u mbajt kuvendi i rregullt vjetor, i njëzeteteti me radhë, i Bashkësisë Islame “El-Hidaje” të qytetit të St. Gallenit, në të cilin u raportua dhe u bë prezantimi i punës njëvjeçare e kryesisë dhe imamit të xhamisë.
Ndër pikat e rendit të ditës ishin paraqitja e raportit vjetor nga ana e imamit, kryetarit dhe arkëtarit të xhamisë.
Kureshtjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm e zgjoi edhe më shumë paraqitja e kërkesës nga ana e kryesisë që të miratohet nisma për ndërtimin e një xhamie të re, me motën “të gjithë për një xhami, për breza të tërë”.
Fillimisht, kryetari i xhamisë paraqiti idenë dhe nevojën për një xhami të re në qytet, e cila do t’i plotësonte kushtet dhe nevojat e xhematit të xhamisë El-Hidaje. Më pas e hapi çështjen për diskutim në mesin e anëtarëve të kuvendit, ku u diskutua rreth formës, mënyrës dhe çështjeve të rëndësishme që duhet pasur parasysh sa i përket një nisme të tillë. Nisma u përkrah në mënyrë absolute dhe mori mbështetjen e fuqishme nga të pranishmit, duke vendosur që, në një kuvend të afërm të jashtëzakonshëm, të prezantohen edhe hapat konkret për vendin dhe planin e xhamisë e re.
Dje, në ditën e xhuma, para fillimit të faljes së namazit, kryetari i xhamisë, Ejup Emini, u paraqit edhe njëherë përpara xhematit, me qëllim të informimit për zhvillimet në kuvend në kuvendin e fundit.
“Përshëndetje të nderuar dhe shumë të respektuar vëllezër e motra të pranishme! Ju përshëndes të gjithëve që në këto çaste jeni prezent në brendi të kësaj xhamie, ku jemi grumbulluar për të falë namazin e xhumasë dhe ku lus Zotin që të gjithëve të na e bëj kabull namazin e xhumasë! Përshëndetje edhe për ju i nderuari hoxhë Mehas ef. Alija! I nderuari xhematë desha të ju njoftoj se ditën e diel mbajtëm Kuvendin vjetor dhe, sipas të gjithë të pranishmëve, konkluduam se ky kuvend ishte shumë i suksesshëm në çdo aspekt, që e gjithë kjo ne na bënë që në të ardhmen të jemi shumë më shumë më të suksesshëm edhe atë, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete, por të gjithë këtë ne mund ta arrijmë vetëm së bashku me ju i nderuari xhematë. Pra, të nderuar vëllezër, po ju njoftoj se gjatë këtij kuvendi u diskutua dhe u miratua edhe kërkesa për iniciativën për ndërtimin e një xhamie të re. I nderuari xhematë ua bëjë me dije se në një të afërme do të mbajmë një kuvend të posaçëm që do të jetë si kuvend i jashtëzakonshëm, ku edhe do të fillojmë me formimin e një grupi udhëheqës punues për këtë projekt. Besoj se kjo iniciativë, të cilën e kemi marrë vullnetarisht, me ndihmën e Zotit edhe do ta realizojmë që në një të ardhme ky projekt të realizohet dhe të kemi një xhami të re. Na priftë e mbara! Zoti na bekoftë!”, u shpreh ndër të tjerash zt. Emini, kryetar i xhamisë El-Hidaje.
Nga ana tjetër, imami i xhamisë, Hfz. Mehas Alija, nga hutbeja e xhumasë u bëri thirrje xhematit që ta përkrahin këtë iniciativë dhe të bëhen gati për shtytjen e projektit përpara. Ai falënderoi xhematin që deri më tani e ka përkrahur xhaminë dhe nevojat e saja dhe se shpreson dhe beson shumë në vullnetin dhe fuqinë e xhematit të xhamisë El-Hidaje.
“Qyteti i St.Gallenit e meriton një xhami të re, më të madhe, të ndërtuar prej themeli. Xhamia do ta zbukuronte qytetin dhe do t’i plotësonte nevojat e xhematit, burrave, grave, fëmijëve, si dhe të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve të qytetit të St. Gallenit”, u shpreh imami.
Pas namazit të xhumasë, kryesia e xhamisë organizoi edhe një sergi për ta ndihmuar xhaminë, me ç’rast mjetet e dhuruara ishin vërtetë të paparashikuara, ashtu që ky akt i përkrahjes u vlerësua si një sinjal i parë për gatishmërinë e xhematit për ndërtimin e xhamisë së re.
31.03.2018, e shtunë
Comments