Most read

Bashkësia islame “El-Hidaje” mbajti kuvendin e rregullt vjetor të saj

Në pas ditën e ditës së djeshme, 25.03.2018, e diel, u mbajt kuvendi i rregullt vjetor, i njëzeteteti me radhë, i Bashkësisë Islame “El-Hidaje” të qytetit të St. Gallenit, në të cilin u raportua dhe u bë prezantimi i punës njëvjeçare e kryesisë dhe imamit të xhamisë.

Kuvendin e shpalli të hapur kryetari i xhamisë, zt. Ejup Emini, i cili përshëndeti kuvendarët e pranishëm dhe u uroi punë të mbarë në mbarëvajtjen e kuvendit. Ai, fillimisht, ftoi imamin e xhamisë, Hfz. Mehas Alija, që ta hap mbledhjen me një asher nga Kur’anit fisnik.

Më pas, nga ana e kryetarit, u paraqitën pikat fillestare që kishin të bënin me shpërndarjen e listës së anëtarëve dhe me pranimin e pikave të rëndit të ditës.

Në raportin e tij, imami i xhamisë, Hafiz Mehas Alija, prezantoi punën dhe angazhimin e tij, ku ndër të tjerash, paraqiti mënyrën e punës, modalitetin dhe vizionin. Ai gjithashtu dha pasqyrë rreth aktiviteteve të tij brenda dhe jashtë xhamisë. Me parimin se “Mektebi është shpirti i një xhamie”, imami njoftoi të pranishmit për gjendjen e mësim-besimit, për hatmetë e bëra, për aktivitetet e ndryshme që bëhen me nxënësit, si dha disa statistika në lidhje me prezencën e talebeve të xhamisë. Sipas imamit, viti 2017, ka qenë i qëndrueshëm dhe i suksesshëm, si në gjallërinë dhe shtimin e anëtarëve të rinj të xhamisë, por edhe në regjistrimin e talebeve të rinj në Mekteb. Një segment tjetër shumë i rëndësishëm është edhe angazhimi i grave në xhami, ku edhe ato zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe mbajnë mësimin e rregullt javor te mualimja e xhamisë, znj. Nazlije Memeti.

Pas paraqitjes së imamit, raportin vjetor për aktivitetet e kryesisë e prezantoi vetë kryetari i xhamisë, Ejup Emini. Ai paraqiti të gjitha punët dhe aktivitetet e bëra gjatë vitit të kaluar, ku përfshiheshin mbledhjet e rregullta të kryesisë, organizimet e tribunave, tubimeve, takimeve, aktivitetet kulturore, sportive, shënimin e datave të rëndësishme fetare dhe kombëtare, pritjen dhe përcjelljen e mysafirëve dhe vizitorëve të xhamisë, etj. Kryetari i xhamisë falënderoi anëtarët e kryesisë dhe të xhamisë për besimin dhe përkrahjen e dhënë në të gjitha këto zhvillime dhe punë të kryera. Më pas ai foli rreth filozofisë së tij të punës, ku si vlera të posaçme përmendi tolerancën dhe transparencën përpara xhematit dhe shtetit, si dhe frikën ndaj Zotit. “Unë dhe anëtarët e tjerë të kryesisë morëm përsipër përgjegjësinë e obligimeve dhe detyrimeve të xhamisë sonë dhe u betuam se këtë përgjegjësi dhe këto obligime do t’i kryejmë me ndërgjegje të pastër, duke pasur besim te vetvetja dhe duke besuar fuqishëm në llogaridhënie te Zoti”, u shpreh ai përpara të kuvendarëve të pranishëm.

Çështja e financave ishte pika e radhës, me ç’rast u raportua rreth ecurisë dhe gjendjes së kontabilitetit dhe financave të xhamisë. Me një transparencë dhe prezantim të detajuar të buxhetit, sekretari Mr. Muharem Muharemi, raportoi për të hyrat dhe të dalurat vjetore, si dhe për gjendjen aktuale të buxhetit. Ajo që e dallon vitin 2017, nga të gjitha vitet e kaluara, është se në këtë vit mbështetja financiare e anëtarëve të xhamisë ka qenë shumë e lartë, me ç’rast buxhetin e vitit 2017 e shpalli si më të suksesshmin në dhjetë vitet e fundit.

Ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe çështja e renovimit të tre banesave që gjenden ngjitur në krah të xhamisë, si dhe për punimet në pjesën e kafiterisë së xhamisë.

Kureshtjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm e zgjoi edhe më shumë paraqitja e kërkesës nga ana e kryesisë që të miratohet nisma për ndërtimin e një xhamie të re, me motën “të gjithë për një xhami, për breza të tërë”.

Fillimisht, kryetari i xhamisë paraqiti idenë dhe nevojën për një xhami të re në qytet, e cila do t’i plotësonte kushtet dhe nevojat e xhematit të xhamisë El-Hidaje. Më pas e hapi çështjen për diskutim në mesin e anëtarëve të kuvendit, ku u diskutua rreth formës, mënyrës dhe çështjeve të rëndësishme që duhet pasur parasysh sa i përket një nisme të tillë. Kjo nismë u përkrah në mënyrë absolute dhe mori mbështetjen e fuqishme nga të pranishmit,  duke vendosur që, në një kuvend të afërm të jashtëzakonshëm, të prezantohen edhe hapat konkret për vendin dhe planin e xhamisë e re.

Një tjetër vendim që u morë me këtë rast është edhe lejimi i imamit të xhamisë, që pasditen e së dielës dhe ditën e hënë ta ketë pushim dhe të lirë.

Në fund, pas shqyrtimit të të gjitha pikave të rendit të ditës, u diskutuan edhe disa çështje të ndryshme, të shtruara nga xhemati.

E bukura dhe e veçanta e këtij kuvendi ishte se diskutimet nuk ishin të gjata, mbledhja përfundoi në kohë, si dhe debati i diskutimeve ishte i qetë dhe kryesisht në nivel.

 

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP