Most read

Ligjërimi fetar në kohë pandemie, xhamitë shqiptare në Zvicër si shembull

LIGJËRIMI FETAR NË KOHË PANDEMIE
– ligjërimi fetar në xhami të themeluara nga shqiptarët në Zvicër, si shembull –

Bashkim Aliji

Abstrakt

Në këtë punim trajtohet çështja e ligjërimit fetar në kohën e Pandemisë Covid-19, si fazë mjaft të ndieshme dhe sfiduese për udhëheqësit fetar dhe për gjithë njerëzimin në shumë rrafshe. Në këtë punim konstatohet se udhëheqësit fetar janë faktorë relevant në shoqëritë ku veprojnë, në veçanti është nënvizuar funksioni i tyre kyç në lidhjen e komunitetit me shoqërinë, orientimin e komunitetit në linjat e duhura të formimit të opinionit për dukuritë dhe ndodhitë e ndryshme, korrigjimin e pikëpamjeve dhe doktrinave të gabuara, dhe në të gjithë këtë, ligjërimi fetar i imamëve, zë vend primar.
Punimi sqaron se theksi i imamëve në komunikimin me xhematin u vu në mënyrën e ballafaqimit me pandeminë Covid-19, në mënyrën e ballafaqimit me pasojat e saj sociale, psikologjike, ekonomike, respektimin e masave të parapara nga autoritetet kompetente.
Në këtë punim konstatohet se ligjërimi i imamëve në kohë pandemie, është karakterizuar nga këto tipare më të rëndësishme: edukativ, motivimi, pragmatizmi teologjik i cili u veçua me dy standarde të rëndësishme: antifatalizmi dhe besimi i fortë, karakteri social i cili është fokusuar në rëndësinë e raporteve familjare në Islam, ndëshkueshmërinë morale të ndërprerjes së lidhjeve farefisnore dhe nevojën e komunikimit më të dendur me familjen.
Fjalët kyçe: Ligjërim fetar, imam, pandemi, xhemat, komunikim.

Hyrje

Pandemia Covid-19, si dukuri mjaft komplekse e cila pati shtrirje gati në tërë botën, diktoi tempo të veçantë të zhvillimit të ngjarjeve dhe pati ndikim në më shumë fusha të veprimtarisë njerëzore, në rend të parë në fushën e medicinës dhe shëndetit publik, duke vazhduar pastaj fuqishëm edhe me fushën e biznesit dhe ekonomisë me të gjitha degët e saj, jetën shoqërore, politike, etj. Në këtë kontekst, nuk ngeli anash as jeta fetare, ngase shtrirja e kësaj pandemie e preku edhe organizimin e jetës fetare, institucionet fetare, faltoret dhe adhurimet kolektive të pjesëtarëve të feve. Pandemia Covid-19 imponoi për njerëzit masa të
caktuara, të cilat u zbatuan në të gjitha institucionet, përfshi edhe ato fetare. Për atë, sikur edhe institucionet tjera, ashtu edhe institucionet fetare, u mobilizuan dhe ndërmorën hapa konkret që të përshtaten me ndryshimet që imponoi përhapja e Pandemisë Covid-19, në ballë të të
cilave qëndroi xhamia dhe estabilishmenti udhëheqës i xhamisë, i kryesuar nga imami.

Marrë parasysh se instrumenti kryesor dhe dominues i udhëheqësit fetar të xhamisë-imamit, është fjala, gjegjësisht ligjërata, gjë që paraqet vazhdimësi që nga koha e të Dërguarit të Zotit, Muhamedit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, e deri në ditët e sotme, dhe kështu do të vazhdojë2, edhe përskaj zhvillimit të teknikave të shumta të komunikimit me njerëzit, ligjërimi fetar i imamëve pati pozitë kyçe në menaxhimin e kësaj krize, sigurimin e stabilitetit shpirtëror dhe psikik të masës religjioze dhe më gjerë, ruajtjen e kohezionit shoqëror dhe mbrojtjen e bashkësisë nga pasoja negative të natyrave të ndryshme. Për këtë, ishte shumë e rëndësishme çfarë stili do të zgjedh thirrësi që të arrijë të prekë në botën e brendshme të njeriut. Trajtimi i temave që lidheshin me gjendjen e Pandemisë Covid-19, dhe përçimi i mesazhit fetar nën hijen e pandemisë në fjalë, kërkonte përzgjedhje precize, qasje
multidimensionale, formësim të ideve dhe pikëpamjeve mbi baza të mësimeve fetare autentike dhe komunikim aktiv.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në: http://centrum.mk/wp-content/uploads/2022/01/PJESA-7.pdf

Konkluzione

Pandemia Covid-19, e cila e kaploi mbarë botën, dhe që ndikoi në mbylljen gati të të gjitha institucioneve dhe pjesës më të madhe të veprimtarive ekonomike, ndikoi edhe në mbylljen apo pezullimin e ceremonive dhe ritualeve fetare kolektive në objektet e kultit të të gjitha feve.
Masat e ndërmara nga ana e autoriteteve për mbrojtje nga përhapja e Pandemisë Covid-19, në çdo shtet, i preki drejpërdrejtë edhe xhamitë, ngase këto masa konsistonin në pezullimin e faljes së namazit të Xhumasë, namazeve me xhemat dhe aktiviteteve tjera që tubonin një numër pjesëmarrësish.

Imamët me aktivitetin e tyre fetar on line, vazhduan ta mbajnë gjallë shpirtin e besimtarit duke e ushqyer me porosi fetare, me çka vunë imza në rolin e tyre kyç në orientimin e masës në drejtimin e duhur dhe në ruajtjen e stabilitetit dhe kohezionit në shoqëri në kohën e pandemisë Covid-19.

Imamët janë fokusuar në kultivimin e ndjenjës së optimizimit dhe shpresës, luftimin e pesimizmit dhe dëshprimit, nxitjen e njerëzve për solidaritet, bashkëpunim, ndihmë reciproke, përgjegjshmëri dhe respektim të masave të institucioneve shtetërore. U kanë ikur debateve doktrinare në çështjet e ngritura gjatë kohës së pandemisë Covid-19, por janë fokusuar në çështjet sociale, psikologjike, humanitare dhe fetare, të cilat kanë qenë të nevojshme për masën e gjërë dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.

Ligjërimi fetar në kohën pandemie, ka patur disa tipare, ku si më të rëndësishme janë:
Karakteri edukativ, Motivimi; Pragmatizmi Teologjik, e që në kuadër të këtij tipari, veçohet me dy standarde të rëndësishme: Antifatalizmi; Besimtari i fortë, goditet më fortë; Karakteri Social.

(DAIGS)

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP