Seminari i KMSHZ-së me imamë, teologë, teologe, mualimë dhe mualime
Më 21.09.2024 në hapësirat e Xhamisë së Bardhë në Aarburg, KMSHZ mbajti seminar me imamë, teologë, teologe, mualimë dhe mualime, me titull: „Strategji dhe praktika për edukimin islam në mektebet e xhamive shqiptare në Zvicër”. Seminari iu dedikua mektebit dhe nevojës së zbatimit të metodave bashkëkohore pedagogjike në procesin mësimor në mektebe.
Seminari filloi në ora 9:30, me lexim të një pjese nga Kur’ani. Më pas, hapjen e seminarit e bëri moderatori Bashkim Aliu, i cili prezantoi para të pranishmëve programin e seminarit.
Më pas, participuesit në seminar i përshëndeti kryetari i KMSHZ-së, Mehas Alija, i cili e nënvizoi rëndësinë e seminareve trajnuese me imamët dhe udhëheqësit e xhamive shqiptare në Zvicër për t’iu përgjigjur në mënyrë sa më efikase sfidave të kohës, me theks të veçantë organizimin e seminareve trajnuese për aftësimin e bartësve të procesit të mësim-besimit në mektebet e xhamive shqiptare në Zvicër.
Pas fjalës përshëndetëse të kryetarit, vazhduan ligjëratat e parapara për këtë seminar.
Në këtë seminar u ftuan dy ligjërues:
Dr. Naser Ramadani, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, i cili referoi në temën: “Aspektet didaktiko-metodike për edukimin e fëmijëve në mektebe”.
Dr. Besnik Sinani, ligjërues i teologjisë islame në Universitetin e Tübingenit në Gjermani, i cili referoi në temën: “Pedagogji e aplikuar: Objektivat dhe metodologjia e edukimit islam në shkollat e fundjavës”.
Në këtë seminar morën pjesë 48 pjesëmarrës: 16 gra dhe 32 burra. Në këtë numër përfshihen edhe 8 anëtarë të kryesisë së KMSHZ-së, si dhe Irfan Agushi, të cilin kryesia e KMSHZ-së e ka angazhuar në cilësi të gazetarit për ta ndjekur zhvillimin e seminarit.
Seminari u zhvillua i ndarë në dy pjesë:
1. Pjesa e parë: Pati dy seanca, ku dy ligjëruesit u paraqitën me prezantimet e tyre.
2. Pjesa e dytë: Grupet punuese: Në këtë pjesë, pjesëmarrësit u ndanë në 6 grupe, dy grupe të grave dhe katër grupe të burrave. Këto grupe për gjysmë ore diskutuan rreth pyetjes: Çka do të kishit ruajtur, dhe çka do të kishit ndryshuar në mektebin tuaj?
Pas diskutimit, dhe para se grupet punuese t’i paraqesin propozimet e tyre në lidhje me pyetjen e parashtruar, u kërkua që dy pjesëmarrës vullnetarisht të bëjnë prezantim se si e zhvillojnë një orë mësimi në mekteb. U paraqitën dy pjesëmarrës vullnetar, dhe për 15 minuta bënë prezantim se si e zhvillojnë një orë mësimi në mektebin e tyre. Pastaj, u kalua në pyetje të pjesëmarrësve për ligjëruesit, dhe pasi u konsumuan pyetjet, u kalua në prezantimin e rezultateve të grupeve punuese.
Një përfaqësues nga çdo grup bëri prezantimin e propozimeve të grupit përkatës në lidhje me pyetjen e parashtruar.
Grupet paraqitën disa propozime, dhe nga ajo që prezantuan, mund t’i theksojmë propozimet vijuese, si propozime të përbashkëta të grupeve:
-Hartimin e një plan-programi të përbashkët për mektebet e xhamive shqiptare në Zvicër.
-Përpilimin e teksteve për mektebe konform plan-programit unik.
-Angazhimin e mualimëve/eve në mektebe krahas imamit. Normalisht duhet të merret parasysh kapaciteti financiar i xhamisë përkatëse.
-Sigurimin e hapësirave adekuate për zhvillimin e mësim-besimit.
-Mektebet të pajisen me mjete të nevojshme bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor në mektebe, përfshi këtu edhe pajisjet digjitale, që të përputhet mësimi-besimi në mektebe me standardet e zhvillimit të procesit mësimor në shkollat publike.
-Organizimin e seminareve trajnuese për ushtruesit e mësim-besimit në mektebe, me qëllim që të ngritet cilësia e mësimit në mekteb.
-Për një mekteb të suksesshëm, kërkohet bashkëpunimi: imam, këshill i xhamisë, prindër dhe KMSHZ.
-Kryesitë e xhamive të ndajnë buxhet të veçantë vjetor për mektebet.
-Të formohet komision për vlerësimin e nivelit të nxënësve të mektebeve të xhamive shqiptare në Zvicër, me rastin e certifikimit të kryerjes së nivelit përkatës.
-KMSHZ ta kryej hisen e obligimit të saj në transformimin e mektebit në xhamitë shqiptare në Zvicër.
-Mësimi në mektebe të zhvillohet në dy gjuhë: në gjuhën shqipe dhe në gjuhën e vendit përkatës.
-KMSHZ të ketë në strategjinë e vet edhe hapjen e një medreseje, duke i përfshirë në këtë projekt edhe përfaqësuesit e organizatave islame shqiptare në vendet përreth.
Pas paraqitjes së rezultateve, pati komente nga ana e ligjëruesve në lidhje me propozimet e prezantuara.
Pas prezantimit të ligjëratave, parashtrimit të pyetjeve për ligjëruesit dhe prezantimit të rezultateve të grupeve punuese, nga ky seminar dolën rekomandimet vijuese:
1. Hartimi i një plan-programi unik për mektebet e xhamive shqiptare në Zvicër duke marrë në konsideratë zhvillimet bashkëkohore dhe sfidën gjuhësore.
2. Angazhimi i Komisionit për Kulturë dhe Botim që të punoj në drejtim të hartimit të plan-programit unik dhe teksteve përkatëse në të gjitha nivelet duke i përfshirë edhe tekstet aktuale.
3. Formimi i komisionit për vlerësimin e ndjekësve të mësim-besimit dhe shpërndarjen e çertifikatave nga KMSHZ për nxënësit e mektebeve për kryerjen me sukses të nivelit përkatës të mësim-besimit konform plan-programit unik të KMSHZ-së.
Në fund, pjesëmarrësve në këtë seminar, KMSHZ u ndau certifikata.
Apel:
KMSHZ u apelon kryesive të xhamive shqiptare në Zvicër që t’i marrin seriozisht në konsideratë propozimet e grupeve punuese në seminar dhe të mundohen maksimalisht që t’i përkthejnë në realitet propozimet e grupeve punuese.
KMSHZ merr për obligim:
– Hartimin e një plan-programi unik për mektebet e xhamive shqiptare në Zvicër, përpilimin dhe botimin e teksteve mësimore për mësim-besimin në mektebe, duke marrë në konsideratë zhvillimet bashkëkohore dhe sfidën gjuhësore.
-Formimin e komisionit vlerësues për nxënësit e mektebeve dhe për hifz.
(KMSHZ)
Comments