Most read

Kurorat e qëndisura me gjuhën e urrejtjes

Bashkim Aliu

Me 2 Gusht, Republika e Maqedonisë, festoi Ditën e Republikës dhe dy Ilindenët historik, 115 vjetorin e fillimit të Kryengritjes së Ilindenit dhe 74 vjetorin e KAÇKM-së. Ilindeni në shqip d.m.th., “Dita e Ilisë, dhe është festë fetare e cila lidhet me Shën Ilinë te sllavët-ortodoks, gjegjësisht ky personalitet, sipas besimit të tyre, lidhet me kultin e rrufesë. Kjo festë u shënua gjithandej në RM, por tre manifestime ishin pikat kryesore ku u përqëndrua vëmendja e opinionit dhe mediave. E para ishte në Meçkin Kamen në Krushevë, ku u organizua manifestim me rastin e ditës së Republikës nën patronazhin e presidentit të RM-së Gjorge Ivanov, tjetri manifestim i rëndësishëm ishte në Pelince ku morri pjesë kryeministri Zoran Zaev, dhe manifestimi i tretë ishte në Shkup, ku morri pjesë kryetari i Parlamentit të RM-së Talat Xhaferi.

Manifestimi i 2 Gushtit, kaloi në sajë të vënies së kurorave me lule. Kështu, presidenti Ivanov vendosi kurorë me lule në varrin e Nikolla Karevit, në Monumentin e Heronjve në vendin Sliva, dhe në Meçkin Kamen, ku  mbajti edhe fjalim. Në Pelince, kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev dhe delegacioni i qeverisë, vendosën lule në Qendrën përkujtimore, ndërsa më pas, kryeministri mbajti fjalim. Në manifestimin e organizuar  në Shkup,  kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe delegacioni qeveritar, vendosi lule para monumenteve të KAÇKM-së, të Nikolla Karevit dhe para monumentit të Metodija Andonov-Çento, kryetari i parë i Prezidiumit të KAÇKM-së.

Mirëpo, edhe pse në këto manifestime u theksua vënia e luleve, dhe pritej që fjalimet e zyrtarëve shtetëror të përqëndrohen në të ardhmen e Maqedonisë multietnike dhe qytetare, ku të gjithë qytetarët e saj do të ndjehen të barabartë, ngase integrimi në strukturat evro-atlantike, që i synon Maqedonia, që kuptohet nga ajo që publikohet nga sondazhet, nuk ka kuptim ndryshe dhe nuk do të jetë kuptimplotë nëse vazhdohet me avazin e deritashëm që komuniteti i cili përbën më së paku një të tretën e banorëve të vendit, pra Shqiptarët, të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, të cilët edhe 18 vjet pas luftës së 2001-shit, kërkojnë të drejtat e tyre themelore, imagjinoni, ende nuk është arritur e plotë e drejta e gjuhës, realiteti i 2 Gushtit, në manifestimin qëndror në Meçkin Kamen, ku morri pjesë presidenti Ivanov, qe ndryshe dhe nuk e reflektoi vizionin unik të estabilishmentit politik të proviniencës etnike maqedonase për një Maqedoni evropiane dhe qytetare, siç e synojnë, bile deklarativisht.

Në Meçkin Kamen në Krushevë, para syve të Presidentit, Gjorge Ivanov, buçisnin thirrjet antishqiptare dhe raciste. Për fat të keq, vendosja e luleve nga ana e presidentit Ivanov, i cili sipas Kushtetutës duhet të jetë figurë unifikuese në shtet, u përcoll me thirrje antishiqptare, ksenofobe dhe raciste, që tregon se nji pjesë e banorëve të etnisë maqedonase, ende nuk janë liruar nga paragjykimet dhe urrejtja ndaj shqiptarëve. Ka qenë e pritshme që fjalimet t’i qasen çështjes së referendumit dhe marrëveshjes për emrin me Greqinë, mirëpo, nuk ka qenë e logjikshme, edhe pse për rrethanat ballkanike mund të jetë e pritshme, që mllefin ndaj Greqisë, ta shfryejnë duke e derdhur mbi shqiptarët. Në prani të presidentit të vendit, në festën e Republikës, derisa ai vendoste kurora lulesh, grupe rrugaçësh bërtisnin “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, dhe imagjinoni, presidenti nuk gjeti guxim që t’i dënojë këto thirrje. Bile, në bazë të TV Alsat M, Alsat ka kontaktuar Presidencën, e cila ishte organizatore e manifestimit, por nga ky institucion nuk e panë të udhës as edhe të distancohen nga thirrjet raciste antishqiptare.

Edhe pse shqiptarët nuk u kanë kontestuar gjë maqedonasve, ata përsëri mllefin e vetë e kanë derdhur mbi shqiptarët. Greqia ua kontestoi emrin dhe prejardhjen, i detyroi në marrëveshje, që nji pjesë e maqedonasve, nuk e pranojnë dhe e konisderojnë të dëmshme, bile, sipas presidentit Ivanov, me këtë marrëveshje, juridikisht, nuk ka Maqedoni, megjithatë, vdekje u kërkua për shqiptarët, edhe pse shqiptarët nuk i detyruan ta ndrrojnë emrin, bile Shqipëria prej të parëve e ka pranuar Maqedoninë si shtet. Serbia ua konteston autoqefalitetin e kishës, megjithatë, në sondazhe, shtet mik konsiderohet Serbia, ndërkaq shtet armik Shqipëria. Ky është kulmi i asaj që do ta quaja idili i miqësisë së albanofobëve.

Fjalimi i presidentit Ivanov krejt mllef dhe urrejtje ndaj faktorit ndërkombëtar dhe marrëveshjes me Greqinë, në prani të korit diplomatik, dhe të zyrtarit  amerikan Metju Palmer, si dhe thirrjet ksenofobe dhe raciste kundër shqiptare, ravijëzojnë orientimin e  fuqishëm të një pjese të politikës dhe disponimit të një pjese të bashkësisë etnike maqedonase në Maqedoni. E gjithë kjo duhet të jetë një zile alarmi për faktorin ndërkombëtar, si dhe një vërejtje se nji pjesë e kësaj provinience në Maqedoni, e duan Evropën dhe Naton sipas masave të tyre të trashiguara nga ish sistemi komunist ku jo sllavët u duhen atyre për t’ua kryer punët që ata vetë s’mund t’i kryejnë, dhe për t’i përdorur para botës se janë shoqëri multietnike, por jo vërtetë për të ndërtuar një shoqëri multietnike, e lene më një shtet multietnik. Ata duan ta mjelin Evropën, e ta ushqejnë Rusinë. Dhe që është më e rëndësishme, në këtë vend vazhdon avazi i vjetër se për çdo dështim, fajtor kujdestar janë shqiptarët.

Mua më rastisi që këtë vit, me 1 Gusht, pra vetëm nji ditë para 2 Gushtit, në kuadër të delegacionit të Federatës së Organizatave Islame Ombrellë në Zvicër (FIDS) të marrë pjesë në manifestimin e 1 Gushtit, festës nacionale të Zvicrës, ku presidenti i Zvicrës Alain Berset mbajti një fjalim të fuqishëm për nevojën e kohezionit shoqëror, tolerancës dhe kompromisit në shoqëritë multietnike. Por, lene fjalimin, nëse do të kërkohej të bëjë një krahasim dhe të japë një vlerësim për fjalimet e dy presidentëve, të cilët nuk mund të krahasohen, do të thoja, shihni vetëm fytyrat e tyre gjatë mbajtjes së fjalimeve, çfarë çehre kishte presidenti Berset gjatë fjalimit, dhe çfarë çehre kishte Ivanovi gjatë fjalimit. Ky i dyti, me pamjen e fytyrës, foli shumë më tepër për qëndrimet e tij, se sa me fjalimin e lexuar.

Thirrjet antishqiptare dhe raciste në ditën e shënimit të 2 gushtit, u dënuan nga qeveria, ngase edhe delegacioni qeveritar qe cak i huliganëve të cilët gjuajtën gjësende kundër tyre, megjithatë, këtë nuk e bëri presidenca. Kjo tregon se kurorat e luleve që u vunë nga ana e presidentit, u thurrën dhe ngjyrosën me gjuhën e urrejtjes dhe racizëm.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP