Fetvaja nr. 7: Aborti dhe dhe pjesëmarrja e gjinekologes muslimane në këtë çështje
Një pyetje e parashtruar nga një motër muslimane:
P.sh., unë nëse dua te specializoj për gjinekologji, e dimë se nëse do të punoj në spital, duhet ti bëj edhe abortet, në disa raste, ato janë me vullnetin dhe dëshirën e nënës thjesht për faktin se s’don ta mbaje embrionin, gjë që në Islam është gjynah. Por, ndonjëherë, aborti duhet te kryhet domosdo, në rastet kur i rrezikohet jeta nënës. Sipas Islamit, a ka raste kur mua si mjeke me lejohet t’ia bëj nënës abortin, apo është e ndaluar rreptësisht ?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqja qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotërinë dhe të dërguarin tonë, Muhamedin s.a.v.s.
Departamenti për Fetva pranë UBISHZ e shqyrtoi çështjen e parashtruar ne pyetjen në fjalë dhe doli me shpjegimin vijues:
Së pari: Departamenti për Fetva pranë UBISHZ i kurajon muslimanët për shkollim, në veçanti femrat muslimane, ngase kërkimi i dijes është obligim fetar. Me këtë rast, kur janë në pyetje femrat muslimane, Departamenti për Fetva pranë UBISHZ e nënvizon nevojën e kuadrove femra në mjekësi, me theks të veçantë në gjinekologji, dhe i thërret femrat muslimane që ta marrin këtë çështje me seriozitetin më të madh.
Së dyti: Departamenti për Fetva pranë UBISHZ i thërret të gjitha institucionet relevante në shoqëri, përfshi këtu edhe mjekët dhe teologët, që të punojnë në senzibilizimin e popullatës për rreziqet e abortit, si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë shoqëror dhe fetar.
Së treti: Departamenti për Fetva pranë UBISHZ u bashkëngjitet atyre dijetarëve të cilët abortin e konsiderojnë të ndaluar nëse bëhet pas 120 ditë të shtatzënisë, ndërkaq të urrejtur-mekruh, nëse bëhet para kësaj periudhe, edhe pse edhe njëherë i thërret femrat që të mos abortojnë, pa shkak, në cilëndo fazë të shtatzënisë.
Konform këtij qëndrimi, edhe mjekja muslimane e ka të ndaluar që ta realizojë abortin për një femër nëse është në fazën e shtatzënisë që ka kaluar 120 ditë. Përjashtim nga kjo bën aborti i cili konstatohet nga mjekësia si i domosdoshëm për tu ruajtur shëndeti i nënës. Me fjalë tjera, nëse lindja e foshnjës e rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e nënës, atëherë tolerohet të bëhet aborti, dhe me këtë rast, lejohet edhe mjekja muslimane ta kryej këtë veprim te pacientja, nisur nga rregulla juridike në të drejtën islame “ad-Daruratu tubihu-l-mahdhurat- Gjërat e domosdoshme i lejojnë gjërat e ndaluara”, ndërkaq nëna ka përparësi ndaj embrionit, dhe nëse rrezikohet jeta e nënës, lejohet aborti si domosdoshmëri për mbrojtjen e nënës.
Kjo vlen edhe për abortin para 120 ditë, nëse kjo kërkohet nga mjekët për evitimin e rrezikut serioz për shëndetin dhe jetën e nënës.
Së katërti: Nëse aborti kërkohet nga nëna me dëshirë, gjegjësisht pa qenë shtatzënia rrezik për të, sipas ligjeve aktuale në Zvicër, kjo mund të bëhet deri në javën e 12, ndërkaq pas 12 javësh, pa arsye, aborti nuk lejohet.
Nëse aborti kërkohet nga nëna me dëshirë dhe pa rrezik nga shtatzënia para 12 javësh (84 ditë), këshillohet mjekeja muslimane që të gjejë zëvendësim dhe ajo personalisht mos e realizojë abortin te pacientja. Nëse nuk mundet të gjejë zëvendësim, duhet ta konsultojë rregulloren e punës në spital dhe kodin etik të mjekësisë, dhe të mos e kryejë abortin për pacienten duke u thirrur në kodin etik, nëse kjo është e mundshme. Por, nëse të gjitha këto nuk mund te realizohen dhe e kryen abortin për pacienten, e cila këtë e ka kërkuar me dëshirë dhe pa qenë shtatzënia rrezik për të, në periudhën e lejuar sipas ligjit në Zvicër, d.m.th., deri në 12 javë, atëherë ky është veprim i urrejtur. Por nuk ka dënim për të sipas Islamit. Ngase bëhet fjalë për abort të embrionit që ka formë por nuk ka ruh-shpirt ( me shpirt-ruh, nuk është për qëllim gjallëria dhe jeta për të cilën flet medicina).
Allahu e di më së miri.
(Referenca: Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame e Kuvajtit –Vizaretu-l-eukafi ve esh-shuuni-l-islamijje, el-Meusuatu-l-fikhijje, botimi i dytë, 1983-1404h, Kuvajt, f.56-62; Vehbe ez-Zuhajli, el-Fikhu-l-islami ve edil-letuhu, 2004, Damask: Daru-l-fikr; Muhamed Seid Ramadan el-Buti, Tahdidu en-nesl vikajeten ve ilaxhen, 2004, Damask: Daru-l-Farabi).
Departamenti për Fetva pranë Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër.
Comments