Most read

COVID 19, ANTIMODERNISTI “PROTURKA”

Bashkim Aliu

Shpërthimi i virusit pandemik Covid 19, i cili shkaktoi pasoja globale, kryesisht po trajtohet në kontekst medicinal dhe farmaceutik, por nuk mungojnë as qasjet sociale, psikologjike, teologjike, etj., të cilat në një mënyrë apo tjetrën, ndihmojnë që të zbutet ankthi nga ky banor më i globalizuar, më i shpejtë, më ndikues dhe më i padëshirueshëm i globit. Ndodhin gjërat me shpejtësi të madhe, dhe presim orë e momente të cilat nuk dihet se çka do të sjellin me vete. Qëndrojnë njerëzit të myllur në shtëpitë e tyre, larg rutinës ditore, që deri më tash i dëgjoje të thonë për disa “çuditem filani si rrin në shtëpi”, e tjerë thonin “çuditem filani sa herët shkon në shtëpi”. Por, ja tash, jo vetëm që herët duhet të shkojnë në shtëpi, bile nuk mund të dalin prej shtëpie, jo se i kanë frikë gratë, por se i ka kapur paniku nga një armik të cilin as e kanë parë dhe as që e njohin, por vetëm e kanë dëgjuar.

Krahas frikës, panikut dhe dëmeve në fushën e ekonomisë dhe financave në veçanti, por duke mos i neglizhuar aspak fushat e tjera, ky virus na bëri të kthehemi në disa vlera të cilat, o nuk i kuptonim si duhet, o nuk i merrnim si të rëndësishme, o i kishim harruar si rezultat i jetës tejet dinamike, kur duke qëndruar para monitorit të kompjuterit, nuk ke të hapur vetëm një faqe, por më tepër faqe, dhe vazhdimisht je i zënë me shtypjen e butoneve apo prekjen e ekranit. Na bëri për një moment të mendojmë se si paska qenë gjendja më herët, për të cilën vetëm se kishim dëgjuar si rrëfim, kur nuk kishte ekzistuar kompjuteri, celulari, rrjetet sociale, mediumet elektronike, etj., që për ne të epokës digjitale, ishte vetëm një rrëfim i kaluar. Por, tash, kur Covidi 19 është top temë, pse mos të mendojmë për ato kohë kur më të vjetrit janë mbyllur në shtëpi që kur ka rënë muzgu, ngase nuk ka patur rrymë dhe nuk ka patur ndriçim rrugor. Por çka nëse sot ka ndriçim rrugor, kur nuk mund të dalish në rrugë, po edhe nëse del, të duket çdo gjë bajat dhe e frikshme, mu si në filmat apokaliptik të Hollywood-it, ngase që nga ora gjashtë e darkës sheh lokale të mbyllura, sheshe të boshatisura, xhami të mbyllura, qendra tregtare të mbyllura, dhe pyet veten: Ku jam nisur? Ku jam duke shkuar dhe çka do të bëj përpara një pamje të këtillë? Vendos të kthehesh në shtëpi apo banesë, dhe të qëndrosh brenda, sikur haxhi baba në kohën e tij, dhe nëse e ke një foto të tij dikund, e merr dhe fillon të bisedosh me të përmes fotos, sikur të ishte gjallë e ta shihte si u kthye, në një mënyrë, koha e vjetër. Mirëpo, haxhi baba, sikur të ishte gjallë do të thoshte:Po bre bir, por ne në atë kohë kishim arat tona që i punonim, e ju tash, nuk mblidhni domate, speca, lakra, patate, etj., në arat tuaja, ngase nuk keni mbjellë, por i bleni në dyqan, gjegjësisht në markete, në Migros, Coop, Denner etj., ngase ti kur do të shkoje për pushime në shtëpi, nëse ishe në Zvicër, do t’i thoje se këto çokollada të shijshme i ke blerë në Migros, Coop etj., me çka haxhi baba do të mësonte për këto “dyqane të mëdha”. Dhe për një moment, shkon dhe i sheh raftet boshe, ngase kolona njerëzish duke pritur para këtyre marketeve, kanë fshirë çdo gjë, njejtë si në disa kohë më herët, në ish RSF të Jugosllavisë, kur shpesh humbej vaji, detergjentet, sheqeri, mielli, etj., dhe i shihje raftet e shitoreve të boshatisura. Kthehesh pa arritur të marrish sot atë që deshte, ngase tjerët i kanë marrë para teje, jo sa kanë nevojë, por më tepër, nga frika se nuk dihet çka sjell e nesërmja.

Covid 19, test dhe sfidë e solidaritetit

Biseda me fotografinë e haxhi babës dhe përgjigjet e tij imagjinare për arat në kohën e pleqve dhe marketet në kohën e të rinjve, shpalosin një dimension të rëndësishëm të kësaj qenie mikroskopike: testin dhe sfidimin.

Covid 19, si asnjëherë më parë, e sfidoi solidaritetin dhe humanitetin tonë dhe na vuri në test. Na bëri ta shohim vetë me prova konkrete sa jemi human, solidar dhe të vetëdijshëm për kujdesin që duhet ta kemi ndaj tjerëve. Paniku nga Covid 19, bëri që ne t’i harrojmë tjerët, por të mendojmë vetëm për vete dhe aspak mos të tregohemi solidar. Drejtohemi në markete dhe mbledhim sa të mundemi nga artikujt që gjejmë para nesh, jo sa kemi nevojë, por sa s’kemi nevojë, me çka jo Covid 19, por ne që jemi futur në panik dhe që kemi harruar të mendojmë se edhe tjerët duhet të ushqehen e jo vetëm ne, shkaktojmë krizë dhe mungesë artikujsh.

Shumë kanë ndihmuar të varfërit, jetimat, gratë e veja dhe nevojtarët në përgjithësi, por, para se të del në skenë Covid 19, e tash, pas shfaqjes së tij në skenë, çdo njëri e ka më afër veten dhe aspak nuk çanë kokën për tjetrin. A thua kaq shpejtë mbaroi ndjenja dhe dhimbja për nevojtarët? A thua mendojmë se një nënë me jetima, apo e vetme, një e vejë, apo disa fëmijë që nuk kanë prindër, si do të mund të gjinden në krejt këtë panik dhe garë ku shpejtësia e vrapimit për të mbledhur artikuj ushqimor, ka thyer çdo rekord të mëparshëm? Po, tash e kuptojmë se sa paskemi sakrifikuar deri më tani me donacione, nëse mund të quhet ajo që kemi dhënë, në dioptrinë e sjelljes në kohë krize nga Covid 19, sakrifikim.

Për atë, Covid 19 është edhe një test konkret, sa human dhe solidar jemi ne në kohë të vështira, se në kohë bollëku dhe rehatie, e kemi parë. Së këtejmi, ky virus antimodernist që i kthen kujtimet e vjetra për mënyrën e jetës në kohën e haxhi babës, na jep mundësi që, duke qëndruar brenda në shtëpi, në pushim të detyruar nga puna, nën masa kontrolli nga organet e shtetit, gjegjësisht duke na mbyllur në vetvete, të rishikojmë shumë bindje, botëkuptime, qasje, qëndrime dhe pikëpamje tona, si dhe të mësohemi të veprojmë në mënyrën e duhur në të gjitha situatat. Me pak fjalë, na testoi të na tregoj sa jemi human në kohë të vështira, me çka edhe na edukon.

Covid 19, “osmanliu” i përbetuar “proturka”

Covid 19, si duket, “hakmerret” për zakonet e vjetra dhe jo vetëm shmangien, por edhe marrjen me sarkazëm të së vjetrës nga ana e njeriut modern. Sot, bile në proviniencën ballkanike, por jo vetëm, dëgjon të mvarur nga kafeja, të thonë se “ah si nuk ia dita shiqirin makijatos”. Dhe ja, vjen ky virus “osmanli” me tendenca “proturka”, të na privojë nga makijato duke e goditur fortë Italinë, epiqendrën e makijatos dhe espresos, që të na bëjë të mendojmë për alternativa tjera. Pasi jemi bërë gati të varur nga makijato, dhe nuk kemi shumë aparate kafeje në disponim në shtëpitë tona, duhet të mendojmë për alternativë. Biseda me haxhi babën përmes fotos, mund të na ndihmojë, ngase ai mund të na flet për përvojën e tij me “kafen turka”, ashtu që do të duhet t’i kërkojmë “xhevzet”, e ta pyesim ku i ka lënë.

Nuk është larg mendjes që të fillojmë ta shajmë këtë virus, se sa i keq paska qenë, na la pa makijato. Po nuk është larg mendjes që dikush të mendoj se qenka “osmanlij”, ngase e sulmoi fuqishëm Italinë dhe kafenetë, me çka na detyroi të kthehemi në “kafe turka”, në shtëpitë tona.

Kur jemi te “kafe turka”, pozitivja është se pimë kafe bashkë me anëtarët e familjes, që para daljes në skenë të këtij virusi antimodernist, vazhdimisht kemi thënë se jemi mësuar me makijato, e nuk na shkon për shije “kafe turka”. Dhe kjo është ana pozitive që sforcoi ky antimodernist. Po ashtu, ana tjetër pozitive është se, na shtyu të mendojmë se kafja e ka kajden e vetë, edhe në lokale hotelerike, Ne, kur kemi dalur për kafe, nuk kemi dalur vetëm që të pimë një kafe, por edhe të takojmë një shok e të bisedojmë. Më e ëmbël është biseda me shokë dhe miq, se sa kafeja me sheqer. Së këtejmi, ky antimodernist, na mëson ta vlerësojmë shoqërinë dhe takimet, që neve muslimanëve shumë më parë na i ka mësuar i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të.

Covid 19, dushmani i “like” botës dhe “touch” shokëve

Covid 19 na bëri që t’u rikthehemi shumë vlerave të cilat ne i tjetërsuam nga forma e tyre e vërtetë si rezultat i kohës digjitale në të cilën jetojmë. Rjetet sociale dhe digjitalizimi i gjërave, bëri që ne të harrojmë shumë vlera të rëndësishme të cilat na i mësoi Islami, e i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, në shumë thënie të tij na foli për shpërblimin e madh që kanë te Allahu, si: vizita e të sëmurit, farefisit, miqve, urimet dhe ngushëllimet e drejpërdrejta, etj. Por, ja që rrjetet sociale na bënë që këto vlera t’i tjetërsojmë nga forma e tyre e vërtetë dhe të mjaftohemi me shokë të botës virtuale që i kemi bërë përmes touch teknologjisë, e të mjaftojmë me një like dhe urim elektronik për miqt, të afërmit dhe shokët tanë, apo me nji ngushëllim elektronik. Bile, preferojmë që një nga touch shokët virtual të publikojë live varimin e një shoku e miku, e ne të shprehim ngushëllime nga larg, apo t’i dëshirojmë shërim një të afërmi apo një miku, përmes urimit digjital, e pastaj pala tjetër të sheh sa like ka marrë. E gjithë kjo botë virtuale dhe ky shoqërim elektronik na largoi realisht nga njëri tjetri dhe na bëri t’i tjetërsojmë vlerat e vërteta nga kuptimi i tyre i drejtë. Por, ja që Covidi 19, ky antimodernist, dushman i botës virtuale, likeve, fansave dhe touch miqve e shokëve, na bëri të ndalemi e të mendojmë, derisa jemi shndërruar në një shoqëri të mbyllur, e ta kuptojmë sa na mungon afërsia e vërtetë me të afërmit, miqt dhe shokët tanë, kafja dhe bisedat me shokë dhe kolegë, shakat dhe dertet që i qajmë kokë më kokë me të dashurit tonë, edhe pse, edhe nga “karantina” mund të japim like, të bëjmë touch shokë e në mënyrë elektronike të bëjmë shaka dhe të qajmë halle.

Kufoma e njerëzve nuk pasohet dhe nuk bartet në mënyrë virtuale dhe nuk merren sevapet për bartjen dhe pasimin e kufomës përmes ndjekjes live nga Iphone apo një tip tjetër celulari, por duhet prezantuar fizikisht. As vizitën e të sëmurit dhe ngushëllimin e personit që e ka goditur ndonj fatkeqësi, nuk do ta realizojmë përmes ngushëllimeve elektronike dhe likeve. Mesazhet elektronike nuk e zëvendësojnë vizitën e farefisit, miqve dhe shokëve. Po të njejtat, nuk e zavendësojnë mungesën e prindit për fëmijët.

Pra, Covidi 19, na doli antimodernist, fanatik dhe konservativ, sipas të gjitha gjasave “pro turka”, megjithatë, nuk mund të mohohet se na bëri të kthehemi në botën reale, nga ajo virtuale. Fotoja e haxhi babës vazhdon të qëndrojë e varur në mur, edhe në dhomë, por në kohën digjitale edhe në ekran si wallpaper dhe cover photo, nga nostalgjia.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP