Agjërimi që urtëson
Hfz. Mehas Alija
Sot ishte e xhumaja e dytë e Ramazanit të këtij vitit, 2021. Gati po i kalojmë dy javë nga se ia kemi filluar agjërimit, respektivisht ramazanit. Nga fillimi i kësaj hutbeje, do ta lusja All-llahun xh.sh. që të na i hap dyert e mëshirës, të magfiretit dhe të mirësive të Tij. Se sa i madh është Ramazani, na e tregon Pejgamberi ynë, a.s., ku thotë: „Sikur ta dinte ummeti im se sa të mira ka në Ramazan, do të dëshironte që i tërë viti të ishte Ramazan.“ Njerëzit e mençur kanë thënë se “njeriu është armik i asaj që nuk e njeh.” Prandaj dhe sot shohim njerëz të cilët nuk respektojnë madhështinë e këtij muaji të bekuar, shohim se si hanë dhe pinë në kohën kur duhet të agjëronin. Këta veprojnë kështu, sepse këta nuk ia dinë rëndësinë dhe vlerën këtij muaji.
Po ashtu, shohim edhe të tjerë që agjërojnë, por nga agjërimi i tyre nuk përfitojnë më shumë se uri dhe etje, lodhje e dobësim. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. na ka tërhequr vërejtjen nga ky agjërimin mekanik, formal dhe sipërfaqësor, ku përveç distancimit fizik nga ushqimi, pija dhe marrëdheniet intime, nuk ka distancim real nga epshet, pasionet dhe lakmitë e nefsit. Ai a.s. në një hadith thotë: “Ka prej agjëruesve që prej agjërimit të tyre nuk përfitojnë më shumë sesa uri dhe etje.
Një kategori tjetër e agjëruesve janë vënë në garë se kush më shumë do të përfitojë nga maratona e Ramazanit. Ata agjërojnë me të gjitha gjymtyrët e tyre. Ata në vend se të hidhërohen, pajtohen, në vend se të përgojojnë, heshtin, në vend se të urrejnë, dashurojnë dhe në vend se të ndahen, bashkohen, etj. Ky agjërim është agjërim i shpirtit, zemrës, trupit dhe mendjes. Pra, agjërim i plotë, me tërë qenien. Kur agjërohet kështu, shpirti pastrohet nga mëkatet, ndërsa karakteri pastrohet nga gënjeshtra, përgojimi, shikimi i ndaluar dhe nga të gjitha veset e liga dhe të shëmtuara.
Agjërimi është një ibadet aktiv, ku gjatë ditës edhe punohet edhe agjërohet. Është një ibadet që të urtëson dhe të bënë të dashur për të tjerët.
Teksa ne agjërojmë, le të ofrojmë komoditet dhe t’i qetësojmë të tjerët në prezencën tonë. Me sjelljen dhe disponimin tonë në Ramazan, le t’ua bëjmë të dashur agjërimin të rinjve dhe të rejave, bijve e bijave, nipërve e mbesave. Në vend se të na thonë: “Lëreni këtë se e ka zënë Ramazani”, le të na thonë: “Sa i butë që është, sa i dashur dhe i mirësjellshëm që është”, etj. Kështu thanë për Muhammedin a.s. Vetë familja e tij tregojnë se ai në Ramazan ishte më ndryshe, ishte më bujari se të gjithë, më i këndshmi dhe më i mëshirshmi se të gjithë dhe më aktivi prej të gjithëve.
Këto dy Ramazane të fundit na kanë dhënë një mësim shumë të madh, kështu që kemi kuptuar se sa nevojë kemi për Zotin, se sa të varur jemi prej Tij. Edhe pse ende jemi në kushte pandemie dhe rrethanat nuk na lejojnë që t’i shfrytëzojmë xhamitë ashtu siç ato e meritojnë, ibadetet dhe dhikret afruese me All-llahun xh.sh. mund t’i bëjmë në vatrat tona familjare, në shtëpitë dhe banesat tona. Fundja, le t’i bëjmë All-llahut vend në zemrat tona dhe dhe le t’i kthejmë ato në burime drite imanore, ashtu që të mos ngelet zemër pa u pastruar nga idhujt e kohës, nga mendjemadhësia dhe nga gjërat që largojnë nga Krijuesi ynë. Muhammedi a.s. na ka dhënë zemër dhe na ka motivuar kur na ka thënë se do të hyjë në xhennet gjithsecili që posedon në zemrën e tij qoftë edhe një thermi besimi, imani.
All-llahu ynë, mos na le pa fituar në këtë Ramazan. Na dhuro më shumë sesa të kërkojmë, na urtëso dhe na jep bekimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Na fal Xhennetin e premtuar dhe na mbrojë nga dënimi i zjarrit përcëllues! Amin!
(Hutbeja e xhumasë, 24.04.2021, e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen)
Comments