Most read

Veprimtarët për rininë, patriotë të fesë dhe kombit

Bashkim Aliu

Është plotësisht i pakontestueshëm fakti se rinia paraqet boshtin kurizor të një shoqërie dhe zemrën e një populli,gjegjësisht forcën më të madhe dhe më serioze e më efikase dhe adekuate e të thirrur për të bërë ndryshime,reforma,kthesë dhe ndryshime serioze dhe kualitative në shoqëri,të cilat në fakt edhe paraqesin nevojë dhe diktim të kohës. Rinia është ajo forcë më vitale e shoqërisë e cila mund ti artikulojë drejtë dhe ti vë në jetë me sukses kërkesat e shoqërisë. Këto janë fakte të pa dyshimta dhe të qarta në mënyrë të kristaltë,sepse faqet e historisë botërore janë të mbushura plot shembuj ku demonstrohet angazhimi i rinisë në transformimin e shoqërive dhe prirjet e tyre kah e drejta dhe prosperiteti. Nuk mund të flitet për një revolucion ose kthesë me peshë në histori dhe instalim të vlerave të reja dhe cilësore në shoqëri dhe ndrimin e kursit të forcave të errta ,e të mos jetë e theksuar forca e re,gjegjësisht angazhimi titanik i të rinjëve të pa ngarkuar me paragjykime dhe stereotipe dhe elemente tjera destruktive të cilat e thellojnë edhe ma tepër hendekun e shkatërrimit dhe largimit nga e vërteta dhe e dobishmja.

Jo vetëm kaq, rinia e është e lidhur edhe për një çështje mjaft të rëndësishme, ekzistencën e një populli.Kjo,ngase një popull nëse dëshiron të jetojë dhe mos t‘i humbet emri e nami, ai patjetër të formojë rini shëndoshë e cila do ta mbart historinë,kulturën dhe civilizimin e atij populli nëpër periudha të ndryshme kohore,duke e trashiguar kështu thesarin e vet gjeneratë pas gjenerate, prej të parëve e deri te të vonshmit. Në këtë kontekst duhet shiquar edhe zhdukja e popujve,gjegjësisht,fatkeqësia e shkatërrimit të tyre duhet tu mveshet atyre që nuk arritën të lënë pas veti breza të shëndoshë e kreativ që do ta përcjell bajrakun e të parëve të tij me besnikëri dhe dinjitet nëpër shekuj. Në këtë kontekst, Ebu-l-A’la el-Mevdudi  ka thënë:“Popujt,të cilët kanë pushuar së ekzistuari,nuk do të thotë se patjetër kanë përjetuar shfarosje.Fakti se janë bërë joekzistues,nënkupton se karakteristikat e tyre kombëtare janë zhdukur.Kur flasim për shkatërrimin e babilonasve ose të egjiptasve të lashtë,të kohës së Faraonit,ne kemi parasyshë se bartësit e civilizimit babilonas si dhe ata të civilizimit të Faraonit,kanë humbur civilizimin dhe veçoritë e tyre dalluese.Ende ka njerëz,që i banojnë viset babilonase,mirëpo shenjat e identitetit të tyre të lashtë kanë humbur.Pasardhësit e egjiptasve të lashtë ende i banojnë tokat e Egjiptit,por civilizimi i Faraonit është i vdekur,për shkak se ata nuk patën sukses që pasardhësve të vet t’ua bartin trashigiminë e tyre kulturore në mënyrë të pagjymtuar…Që këtu,jeta e një populli varet nga ajo se në ç’mënyrë do t’i përgatisë ai pasardhësit e vet për t’i ruajtur karakteristikat e tyre“.

“Rinia është potencial i së tashmes, shpresa e së ardhmes, ajo është e gatshme ti mbart përgjegjësitë dhe ti përballojë problemet, sfidat e vështirësive si dhe ti tejkalojë të gjitha barierat dhe pengesat.Për këtë, patjetër duhet kushtuar kujdes formimit të rinisë në aspektin moral, human, ideologjik, kulturor, shkencor, social, ideor dhe civilizues, me qëllim që populli të mund të mbështetet në rininë e vet në ndërtimin e ekzistencës së vet njerëzore, përgatitjen e ardhmërisë që e lakmon si dhe ti mbështet të gjitha shpresat e veta në të:në ndërtimin e popullit, ngritjen e ardhmërisë, formimin e jetës në baza të shëndosha ashtu që ti mposht të gjitha faktorët e dekadencës dhe mbeturinat e saj.Kjo në terminologjinë shkencore njihet si ndërtim i njeriut, ndërkaq ndërtimi i njeriut duhet të fillojë prej rinisë…“

Kur’ani e përmend termin“i ri“dhe „të rij“, e poashtu, në disa ajete prezanton shembuj të shkëlqyeshëm të të riut i cili ka ideal dhe e di se pse jeton dhe cili është roli i tij në këtë jetë,gjegjësisht i cili i përveshet punës e cila rezulton nga përcaktimet e tij ideore dhe botëkuptimet e tij mbi botën,shoqërinë,jetën dhe fenomenet tjera. Kur’ani na tregon për As’habu-l-Kehfin, për njerëz të cilët nuk u gjunjëzuan para kufrit dhe shirkut,por e mbrojtën besimin me çdo gjë që kishin,dhe dëshmuan se janë të gatshëm ta japin edhe jetën dhe të sakrifikojnë çdo gjë për hirë të besimit.E këta njerëz ishin të moshës së re,gjegjësisht djelmosha sikur që thekson Kur’ani.

Jo vetëm Kur’ani,por edhe suneti flet për rininë dhe përmend të rinjtë,bile në sunet hasim ma tepër hadithe ku përmenden të rinjtë dhe jepen mesaxhe e këshilla për ata.
I riu musliman duhet të ketë besim të plotë në vetvete dhe mos ta nënçmojë veten e të mendojë se është i pa aftë.I riu musliman i posedon të gjitha cilësitë dhe vlerat e domosdoshme për të qenë në krye të bashkësisë dhe ti prijë shoqërisë, por mbetet që ai ti kultivojë dhe ti nxjerr në shesh që të bindet shoqëria se të rinjtë musliman nuk janë si tjerët të destinuar për veprime jo njerëzore dhe amorale.

Faqet e historisë Islame janë përplot shembuj të ndritshëm ku demonstrohet aftësia udhëheqëse dhe komanduese e të rinjve musliman.Kështu, nga jeta e të dërguarit të Allahut kemi shembullin e Usame ibn Zejdit të cilin i dërguari i Allahut e caktoi për komandant të ushtrisë Islame kur ai i kishte vetëm tetëmbëdhjetë pranvera, ndërkaq në këtë ushtri kishte edhe personalitete tjera madhështore në famë dhe në moshë:si Omeri r.a.,Othmani r.a.etj,pra, edhe përskaj asaj se në këtë ushtri prezentonin njerëz në moshë i dërguari i Allahut e caktoi për komandant të riun tetëmbëdhjetë vjeçar. Poashtu, çliruesi i Konstantinopolit (Stambollit), Mehmed Fatihu, kur e ka çliruar këtë qytet, për të cilin ka folur edhe Muhamedi s.a.v.s., ka qenë në moshë të re.
Në faqet e historisë madhështore Islame lexojmë biografinë e ndritshme të një të riu i cili la gjurmë të thella në historinë e arsimit dhe diplomacisë Islame, ky është Mus’ab ibn Umerji, i riu ambicioz dhe plot elan i cili i theu të gjitha paragjykimet dhe iluzionet e pa baza kinse i riu nuk mund të realizojë me sukses detyra të mëdha, si që është arsimimi i popullatës dhe misioni diplomatik. Pejgamberi s.a.v.s.e dërgoi Mus’ab ibn Umejrin pararojë të muslimanëve në Medine, dhe njëkohësisht e angazhoi me detyra konkrete në këtë mision. Mus’abi u dërgua në Medine me qëllim që familjet medinase ti njohtojë me Islamin, t’ua mësojë Kur’anin dhe parimet tjera madhështore të kësaj feje.Në këtë kontekst nuk mund të mos përmendet edhe ajo se misioni i Mus’ab ibn Umejrit ka patur edhe karakter diplomatik, gjegjësisht më për së afërmi të njohtohet popullata dhe opinioni medinas dhe më gjërë për opcionin dhe alternativën e re e cila nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e besimit dhe disa ritualeve praktike, por platforma që u shpalua në tokën e bekuar të Mekes, përfshinë të gjitha sferat e jetës, gjegjësisht e rregullon edhe aspektin ekonomik, politik, social etj,të shoqërisë.
Po rinia e shëndoshë, ka patur dhe akoma ka armiqë të cilët nuk ia kanë dashur asaj të mirën, dhe në vend që ta mbështesin, e pengojnë, po bile edhe e luftojnë. Këta janë të ngjyrave të ndryshme, bile, siç shprehet i Dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. në një hadith, janë nga “beni xhildetikum”(nga mesi i popullit tuaj), por që realizojnë plane të huaja, për preokupimin e muslimanëve me vetveten dhe luftimin e së mires, në vend që të preokupohen me të keqen dhe luftimin e dukurive negative.

Armiqt e Islamit e kanë ditur fort mirë se fuqia e një populli qëndron në rininë e tij, për këtë qëllim, ata i aktivizuan të gjitha potencialet e veta që ta pengojnë rininë Islame nga rruga e shpëtimit dhe lumturisë.Ata bënë çmos që rininë Islame ta devijojnë nga rruga e Islamit, t’i harxhojnë potencialet e saj dhe ta preokupojnë me probleme të ndryshme e ta fusin në kriza të thella, me qëllim që ajo të mbetet në margjina të jetës, të mvaret nga tjerët dhe të paraqet barrë për umetin Islam e jo krenari për të.

Rinia ka nevoje të ndihmohet dhe të udhëhiqet në shtigje të sigurta, duhet të bëhet çmos që të evitohen me sukses problemet e tyre ashtu që mos të shtresohen e ta shëndrrojnë rininë në faktor destruktiv në shoqëri. Duhet të hapen horizonte të reja para rinisë, të mësohet rinia të shiqon para dhe të jetë e vendosur në objektivat e saj. Për atë, ata të cilët punojnë me rininë për ta drejtuar atë në rrugën e vërtetë, për ta larguar nga e keqja dhe nga e dëmshmja, ata janë burrat e vërtetë të fesë dhe kombit, ata janë patriotët e vërtetë të cilët i duhen popullit, ata janë dashamirët e vërtetë të popullit dhe punëtorët e palodhshëm me të cilët krenohet populli. Populli ynë duhet të mburret me ata djemë dhe vajza të cilët e bartin lartë flamurin e prirjes së rinisë drejt shtigjeve të sigurta me besim dhe moral, të cilët i prinë rinisë dhe e thërrasin atë në rrugën e arsimit, edukimit dhe ngritjes shpirtërore e materiale të drejtë, me ata djemë dhe vajza të cilët ndajnë nga vetja, për t’u ndihmuar bashkëmoshatarëve të vet. Të tillët meritojnë çdo lëvdatë. Ata flasin me vepra, më tepër se sa flasin me fjalë. Fjalët i merr era, i fshinë dhe përbalt e vërteta me kalimin e kohës, nëse nuk janë të drejta, ndërkaq veprat e sinqerta, ngriten lartë dhe ngelin të pashlyeshme.

Rini e dashur veprimtare në rrugën e drejtë, vazhdo në këtë rrugë, mos u ndal, se Allahu i don ata të cilët-jaëmelune assalihat- bëjnë vepra të mira, e nuk ka si mos të jetë vepër e mirë puna me të rinjtë për orientimin e tyre në rrugën e Islamit dhe largimin e tyre nga rruga e keqe. Rini, kështu të don Allahu, edhe pse mund të të paragjykojnë disa njerëz.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP