Most read

Fjala përshëndetëse me rastin e promovimit të librit „Ekstremizmi në emër të Islamit“

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Hfz. Mehas Alija, me rastin e promovimit të librit „Ekstremizmi në emër të Islamit“.

Të nderuar mysafirë, ambasadorë, përfaqësues të organizatave islame dhe të shkollës shqipe

Të respektuar penalistë

Të nderuar pjesëmarrës në këtë promovim libri

Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu – Paqja, mëshira dhe begatitë e Zotit qoftë mbi ju!

Kam nderin që në emër të kryesisë së UBISHZ-së dhe në emër timin t’ju përshëndes, t’ju falënderoj, dhe t’ju uroj mirëseardhje në takimin tonë me rastin e promovimit të librit „Ekstremizmi në emër të Islamit“, i shkruar nga dy imamët tanë të dalluar dhe përparimtarë, si dhe të botuar nga UBISHZ.

Islami është fe, e cila diturisë dhe shkrimit i ka kushtuar rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Këtë e konfirmon fakti se urdhëri i parë, i cili iu shpall Muhammedit a.s. nga Zoti i Madhërishëm, ishte: „Lexo – studio në emër të Zotit tënd i cili krijoi.“ (Alek, 1). Gjithashtu një sure e Kur’anit quhet me emrin „El-Kalem“ (Lapsi), të cilën Zoti i Gjithëdijshëm e fillon me fjalët: „Nun! Pasha lapsin dhe atë çka shkruajnë.“ (Kalem, 1)

Betimi i Zotit në lapsin dhe atë çka shkruhet është një dëshmi e pakontestueshme për vlerën dhe rëndësinë e shkrimit të veprave të shkruara.

Të frymëzuar nga këto parime të larta të Islamit, një numër i konsiderueshëm i intelektualëve shqiptarë shkruan vepra të çmueshme si në gjuhë orientale ashtu edhe në gjuhën shqipe, me të cilat pasuruan jo vetëm kulturën shqiptare, por edhe atë botërore.

Sot, edhe për kundër faktit, që libri, shkrimi dhe leximi i tij, nuk e kanë përkushtimin e duhur nga njerëzit, përsëri mendojmë se duhet të ecim në rrugën e të parëve tanë, të cilët bënë çmos që librit dhe veprave shkencore t’ju sigurohet pesha dhe rëndësia e tyre.

UBISHZ ka kënaqësinë dhe nderin që ndërmori iniciativën që fillimisht të themelojë në kuadër të tij një komision për veprimtari botuese, ndërsa më pas të mbështes botimin e disa veprave sic janë „Elifabaja“ dhe vepra „Ekstremizmi në emër të Islamit“.

Të nderuar miq dhe dashamirë të penës dhe të asaj që shkruhet, sot na gëzon fakti se me ne janë bashkë njërëz të penës, të punës dhe të institucioneve të ndryshme kombëtare dhe fetare për ta shqyrtuar dhe disktuar një çështje tejet të rëndësishme siç është tema e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit në emër të fesë.

Duke shprehur falënderime, unë përshëndes entuziazmin, punën dhe angazhimin, në radhë të parë të vetë autorëve të librit, e pastaj edhe të refruesve të ditës së sotme, si dhe të gjthë juve që këni gjetur kohë dhe mundësi që të vini në këtë shënim dhe promovim të librit tonë.

Ne mbetemi me shpresë se sektori për veprimtari botuese në kuadër të UBISHZ-së do të vazhdojë edhe më tutje të ofrojë për lexuesit tanë shqiptarë vepra me vlera të veçanta, të cilat do të jenë ndriçuese të vërteta të mendjes dhe rrugës sonë drejtë formimit tonë të mirëfilltë si shoqëri, komunitet shqiptar dhe si bashkësi muslimane në Zvicër.

Po e mbyll fjalën time me një këshillë kuranore:

„Bashkëpunoni me njëri-tjetrin për të mira dhe mbarësi. E mosni në mëkate dhe armiqësi.“

Qoftë me mbarësi ky takim dhe ju faleminderit!

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP