Most read

Brishtësia intelektuale midis lirisë së mendimit dhe mënyrës së të shprehurit

Hoxhë Nehat Ismaili

Liria e të menduarit dhe shprehurit është vlerë e padiskutueshme që shenjtërohet nga të gjithë por në disa momente keqinterpretohet në praktikat e saj në terren. Brishtësia e të menduarit dhe mënyra e të shprehurit janë rezultat i iluzioneve ideologjike, politike, i kufizimeve të decizioneve juridike religjioze, pse jo edhe kompleksit të lartë të sistemit të vlerave kundrejt të tjerëve.

«Liria» si një frazë është e lehtë për tu shqiptuar dhe përmbajtja e saj është aq e madhe saqë mund të ndryshojë rrjedhën e historisë për popujt që përmirësojnë zbatimin e tyre dhe përfitojnë nga përparësitë e saj të mëdha. Liritë janë të shumta; liria e të shprehurit, liria e besimit fetar, liria e fjalës, liria e informacionit, me fjalë tjera liria nuk ka kufij në të cilat kufizohet, dhe është një shpatë me dy tehe që përfiton prej saj me anë të metodave shkencore dhe në kohezion me të arriturat kulturore të shoqërive. Në momente të caktuara karakterizohet nga disa aspekte negative që mund të dëmtojnë duke shkaktuar rrëmujë të vërtetë dhe mosrespektim të sistemit të vlerave bazuar në kodin ligjor, siç mund të bëhet justifikim për kryerjen e mizorive kundër njerëzve të pafajshëm.

«Liria e të menduarit dhe të shprehurit» që nuk ka kufij shpesh ngatërrohet me «mënyrën e të shprehurit», e cila duhet t’i nënshtrohet një sërë kontrollesh etike. Me të drejtë njerëzit pyesin se kush i përcakton këto standarte dhe kontrolle etike? Qëllimi i lirisë së mendimit duhet të jetë futja në funksion e procesit të të menduarit, dhe për këtë arsye gjithçka që parandalon të menduarit dhe ndikon negativisht në procesin e të menduarit konsiderohet si një nga kontrollet morale që nuk duhet të bien ndesh me të, siç janë paragjykimi për njerëzit në bazë të përkatësisë religioze,  racore, etnike, gjiore etj.

Ne kemi të drejtë të diskutojmë për vërtetësinë e mesazhit të ndonjë profeti, kemi të drejtë të shpjegojmë «pavlefshmërinë» e tij, por në emër të lirisë së mendimit dhe shprehjes nuk kemi të drejtë të tregojmë ndonjë figurë të shenjtë të religjioneve në rastin aktual të Islamit, Muhammedin, paqa qoftë mbi të, në një situatë etikisht të pamoralshme. Përkundrazi, ne në këtë mënyrë vrasim lirinë e mendimit tek të tjerët duke e portretizuar Profetin lakuriq dhe duke hapur derën gjerë për të gjitha llojet e përgjigjeve emocionale të pakontrolluara nga individ të ndryshëm.

Beteja mes Zotit dhe djallit e materializuar në lirinë e të menduarit dhe shprehurit

Nëse i lejojmë vetes të zgjerojmë rrethin e pikëpamjes dhe të pyesim veten, a konsiderohet djalli (ar.shejtan) të cilin e mallkojnë besimtarët udhëheqës i mendimit tjetër dhe fiksimi më i madh me ato që disa i konsiderojnë ide shkatërruese?! Djalli filloi me mosbindje ndaj Zotit para se të merrte përgjegjësinë për shkaktimin e rrëmujës në tokë. A nuk ishte Zoti i  Lartësuar në gjendje t’i jepte fund ekzistencës së tij në radhë të pare?! Sigurisht që po! Por Zoti i Plotfuqishëm donte t’i jepte djallit (shejtanit) besëlidhjen e sigurisë deri në Ditën e Ringjalljes pasi Zoti i Lartmadhërishëm negocioi me djallin, kështu që Zoti e la të lirë të veprojë si të dëshiroj.

O Zoti im, – tha, – më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen!” “Të qoftë dhënë afati, – i tha Ai. – Deri në atë ditën e caktuar”. “O Zoti im, – tha, – për atë që më ke shpjerë në humbje, unë atyre në tokë do t’ua zbukuroj punët e tyre, do t’i shpiej gjithsesi në humbje, Përveç atyre robërve të tu të sinqertë”. (Kurani Fisnik,Kaptina El Hixhr,39-40).

Platforma e islamit përkitazi me ofendimin dhe abuzimin e besimeve dhe perëndive të popujve tjerë dhe anasjelltas

Zoti i madhërishëm na ndaloi të fyejmë perënditë e të tjerëve në mënyrë që ata të mos e fyejnë Zotin. Ai na ka urdhëruar në kuran në suret Mekase dhe Medinase që të tregohemi të durueshëm ndaj ofendimeve dhe përçmimeve.

Në Suren Ali Imran, Zoti i madhërishëm ka thënë :“Ju me siguri do të viheni në provë me pasurinë tuaj dhe me jetën tuaj dhe ju do të dëgjoni shumë fyerje nga ana e atyre që u është dhënë Libri pra jush dhe nga paganët. Nëse jeni durimtarë dhe i druani Perëndisë, me të vërtetë, ajo është vendosmëri (e madhe) në vepër.”Ali Imran, 186.

Në suren En Nisa që është sure medinase, Zoti i madhërishëm ka thënë :

«Ai, juve, madje, ua ka shpallur në Libër (Kur’anin): kur të dëgjoni se mohohen argumentet e Perëndisë dhe bëjnë tallje me to, atëherë mos rrini me ata, përderisa të rrokin tjetër temë (përndryshe nëse rrini me ta), – ju atëherë (në dënime) jeni si ata. Perëndia do t’i tubojë në xhehennem të gjithë hipokritët dhe mohuesit.» (Nisa,140).

Në suren En’am që pjesa dërmuese e saj është mekase, Zoti i madhërishëm ka thënë :

«Kur t’i shohësh ata që thellohen (në nënçmim) në dokumentet Tona, largohu prej tyre, deri sa të (mos) kalojnë në bisedë tjetër. E, nëse, djalli të mashtron, mos rri me zullumqarë të përkujtohesh.» En’am,186.

Në suren Ahzab, e cila është sure medinase, Zoti i madhërishëm ka thënë :

«Me të vërtetë, ata që e ofendojnë Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij, Perëndia i mallkon (edhe) në këtë botë edhe në tjetrën, dhe për ta ka përgatitur ndëshkim poshtërues.» Ahzab,57.

Në suren Furkan e cila është sure Mekase, l Lartëmadhërishmi ka thënë : «E, kur xhahilat i sulmojnë këta, me fjalë – përgjigjen: “Qetësia qoftë!» Furkan,63.

Politeistët kurejshit e përshkruanin të Dërguarin e Zotit si një magjistar, njeri i çmendur dhe gënjeshtar. Sidoqoftë, Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, nuk urdhëroi vrasjen e asnjërit prej tyre.

Dhe në Suren et-Teubeh, e cila është Madinase, Zoti na tregoi për hipokritët të cilët u tallën me Zotin dhe Profetin e Tij, kështuqë Zoti gjykoi për mosbesimin e tyre dhe nuk urdhëroi vrasjen e tyre.

Në Medinë, hebrenjtë ditë e natë përgënjeshtronin mesazhin e profetit Muhammed, Paqa qoftë mbi të, këtë mësë miri e pasqyron ajeti kuranor në suren Ali Imran :

«Nëse ata ty (o Muhammed!) të konsiderojnë për gënjeshtar, mos u hidhëro! Se janë përgënjeshtruar edhe pejgamberë të tjerë që kanë ardhur para teje dhe kanë sjellë dokumente, broshura dhe Libër ndriçues.» Ali Imran,184.

Profeti Muhammed ishte ai që fali Abdullah bin Ebi Selul, liderin e hipokritëve të Medinës, i cili e kishte përshkruar profetin si mashtrues, përçarës dhe etiketime denigruese duke komplotuar edhe ndaj autoritetit të tij moral, megjithëkëtë nuk urdhëroi vrasjen e tij, por e fali atë. Profeti Muhammed ishte ai që fali Abdullah bin Abi Sarh të njëjtën ditë dhe pranoi kalimin e tij në Islam. Profeti Muhammed ishte ai që fali në të njëjtën ditë Ikrimah bin Ebi Xhehl, i cili organizoi vrasjen e tij në Medine me një hanxhar të helmuar.

Të gjitha dispozitat mbi sanksionet penale kanë të bëjnë me gjyqësorin në Islam, dhe kur juristët shkruanin mbi jurisprudencën për të zbatuar atë e kishin në konsideratë jetësimin e tyre në saje të shtetit të khilafetit e jo diku tjetër. Askush prej tyre nuk tha që një individ ose grup do të zbatonte hududin ose kisasin, veçanërisht në vendet jomuslimane. Andaj kush vendos dhe nxit në vrasje, ai nuk e pason dhe nuk e do Profetin, paqa e Zotit qoftë mbi të.

Vrasja e njerëzve në emër të islamit përfaktin që kanë përfolur dhe satirizuar imazhin e profetit Muhammed, paqa qoftë mbi të, është e papranuar dhe e ndaluar.

Revista satirike Charlie nga një anonimus në fener për lirinë e shprehjes

Unë besoj se vizatimet e revistës satirike Charlie, teknikisht dhe intelektualisht, kanë vlerë zero, por kjo mënyrë e reagimit rreth tyre në të kaluarën e ngriti statusin e tyre në një nivel që i bëri ata një fener për lirinë e shprehjes dhe simbol i shprehjes së lirë në Republikën e Francës, dhe më vonë mund të jetë një shprehje e vlerave të Evropës dhe Perëndimit madje edhe më shumë se kaq.

Çdo reagim i dhunëshëm dhe brutal ditëve të sodit, për mendimin tim, i dhuron asaj famën dhe prestigjin në ndërkohë që kanë krijuar një rrymë që do t’i mbrojë dhe shfrytëzojë ato, dhe le të vëmë re se si ato shfrytëzohen tani e tutje.

Në anën tjetër përdorimi i përgjithësimeve populiste në trajtimin e temave të ndjeshme, veçanërisht në kohë krizash dhe tensionesh, rrit frekuencën e zgjimit të emocioneve dhe mbizotërimin e iracionaleve, gjë që hap rrugën për reagime më provokuese që, nga ana e tyre, kontribuojnë në tensionin e atmosferës dhe shtytjen drejt më shumë zjarreve dhe trazirave.

Islami në krizë apo mosnjohje realiteti

Fraza „Islami në krizë“ e përdorur nga Presidenti francez Macron nuk ofron një përshkrim të pranueshëm të gjërave në realitet, për të mos përmendur që ajo u kthye në material për një valë debatesh të stuhishme dhe akuzash të ndërsjella midis atyre që e shohin Islamin si një zgjidhje dhe atyre që e konsiderojnë atë problem. Dhe midis këtyre dhe atyre, shumica dërrmuese e muslimanëve në pjesë të ndryshme të botës qëndrojnë të hutuar dhe memece për ato që thuhen për fenë e tyre dhe për atë që e ardhmja kërcënon me rreziqe dhe përplasje.

Islami është një fe e më shumë se një miliard njerëzve, dhe, si të gjitha fetë e tjera, ai mishëron besimet e pasuesve të tij. Ajo që e dallon fenë në përgjithësi nga shkenca dhe politika është se ajo bazohet në të vërteta absolute që besimtarët i marrin si të mirëqena bazuar në fakte përfundimtare.

Feja në këndvështrimin e besimtarëve mbetet në atë që përcakton dhe kërkon, sublime e përqëndruar në marrëdhëniet e njeriut me Zotin e tij dhe Ai detajon detyrat që duhet të kryejë njeriu, në mënyrë që njeriu të marrë bekimin dhe aprovimin e Zotit, qoftë në këtë botë apo në ahiret.

Komunikim dhe veprim i përbashkët në interes të shoqërisë njerëzore

Por problemi kryesor shfaqet kur ne fusim fenë në botën e politikës, ose anasjelltas, për të arritur përfitime politike, ose për të mbuluar qëllimet politike me parulla fetare të përdorura për ushtri dhe mobilizim, ose për të marrë mbështetjen e fetarëve në betejat elektorale, ose për të forcuar pozicionet e brendshme përballë kundërshtarëve të vërtetë, dhe madje imagjinare.

Prandaj, është shumë e nevojshme që intelektualët dhe liderët politikë të mendojnë mirë dhe të jenë vigjilent në përdorimin e shprehjeve dhe termave, në mënyrë që të parandalojnë çdo abuzim të besimeve dhe ndjenjave të njerëzve dhe të parandalojnë nxitjen e çdo reagimi të fortë që shpesh kthehet në një material të ri që mund të shfrytëzohet nga agjenda të caktuara.

Kjo është arsyeja pse çdo thirrje për dialog ndërfetar dhe bashkëjetesë duhet të bazohet në parimin e respektimit të bindjeve të besimit të pasuesve të secilës fe. Secila fe ka të vërtetat e veta absolute që mbeten absolute në pikëpamjen e besimtarëve dhe ajo që duhet të bëjmë nëse duam mirëkuptim, komunikim dhe veprim të përbashkët në interes të mbarë njerëzimit është respektimi i besimeve të të tjerëve.

“Nuk mund të ketë paqë mes popujve pa patur paqë mes besimeve. Nuk mund të ketë paqë mes besimeve pa patur dialog mes besimeve.» Hans Küng.

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP