Protestat studentore, përtej kurrikulave dhe syllabuseve
Bashkim Aliu
Fundi i 2018 do të shënohet nga zëri i protestave studentore në trojet shqiptare, duke filluar nga toka mëmë-Shqipëria, e pastaj duke vazhduar edhe në qytetin simbol të martirizimit për dije dhe shkencë në shekullin XX-Tetovë, dhe duke përfunduar në Kosovë.
Protestat e studentëve, në veçanti ato në Shqipëri, për nga aparenca dhe fiziku i jashtëm i protestës dhe slloganeve, duket se janë protesta për tarifa e konvikte, për kushte më të mira në amfiteatre dhe salla, për laborator e kabinete për praktikë efektive, por nëse analizohen më thellë dhe ndiqen në mënyrë konvergjente me realitetin ekzistues gjithandej në trojet shqiptare dhe më gjërë në Ballkan, pritet që këto protesta të krijojnë forca sinergjie për reforma që do të reflektohen në jetën politike, ekonomike, kulturore dhe administratën publike. Kjo, ngase duket një lidhje e qartë organike mes asaj që i gjithë populli pret të ndodh, dhe asaj që duhet, apo që do të duhej ta shtyjnë përpara studentët. Nisur nga kjo, mund të thuhet se dështimi i parë i qeverisë në Shqipëri, si dhe klasës politike udhëheqëse në trojet etnike shqiptare, jashta shtetit shqiptar, të cilat u përfshitën nga protestat studentore, është simpatia e popullit ndaj studentëve, dhe në pamundësi të formave tjera të ndihmës, hapja e zemrës për ta nga ana e të gjitha shtresave të popullit. Normalisht, ky është dështimi më i dhimbshëm i strukturave qeverisëse, edhe pse, duhet pranuar, është afatshkurt. Me këtë, nuk kam ndërmend të bëj apologjinë e protestave të studentëve, por ndoshta këto protesta janë një mundësi, sado e vogël, për ta thërrmuar atë që, unë, do ta quaja apostazi të imponuar ndaj kredos së dashurisë ndaj vatanit dhe epos i gurbetit dhe të huajve, e që thënë më thjeshtë do të ishte: largim nga vendlindja, dhe jo vetëm, por edhe bezdisje nga toka ku të ka rënë koka, për shkak anarkisë dhe megallomanisë së kastave të politikanëve, të cilët kur përmenden, për realitetin tonë, aludojnë në kastat e të korruptuarve. Ngritja e zërit dhe protestat studentore, nuk duhet kuptuar si inat dhe instrumentalizim, por, marrë parasysh rrethanat aktuale në vendet tona dhe fenomenin e punës në “McDonald’s të Gjermanisë”, ky zë duhet pranuar si zë i shpresës dhe brengës për vendin, popullin dhe rininë në veçanti. Për këtë edhe debati me aparatin qeveritar është delikat, ngase turmat e studentëve në sheshe, nuk kanë dalur të mjaftojnë me pikat e paraqitura për universitetet, por të shprehin presionin popullor përballë fajtorëve që i sollën universitetet, dhe popullin, në përgjithësi, në këtë gjendje. Për rrjedhojë, palët që racionalisht e shohin problemin, jo se nuk kanë alternativa, por preferojnë që mos të flasin, ngase lehtë mund të rreshtohen në krahun e pushtetit nga ata që u ka ardhur deri në maje të hundës nga klani qeverisës, dhe për më tepër, të shihen si megafon të pushtetit.
Dëshpërimi është evident gjithandej në popull, ngase pamjet e seancave të parlamenteve, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, janë shndërruar në show të vërtetë, si në kuptim strukturor, ashtu edhe në kuptim procedural dhe përbmbajtësor. Në fakt, po qese ndiqen me kujdes, do të shihet se pak janë përfaqësuesit e popullit të cilët e përdorin drejtë autorizimin e popullit, përmes votës, që t’i përfaqësojnë interesat e tyre në pushtetin ligjvënës, por, më tepër, me sjelljet e tyre, ato figura u ngjajnë robotëve me shpirt, cilët operojnë vetëm në bazë të programit që u është instaluar dhe senzorëve, por jo me arsye dhe ekspertizë. Bile, edhe vetë ata njëri-tjetrin e quajnë shpifës të çertifkuar dhe koka të krimit. Por, ky show, nuk është monopol i parlamentit, ngase shfaqje më të vogla, për nga skena, kemi edhe në nivelet përfaqësuese më të ulta, si që janë këshillet komunale. Mirëpo, krejt kjo, do të ishte më pak e dhimbshme, nëse bindeshim se show-ut e këtillë nuk janë pjesë e organeve të institucioneve akademike, senatit, dekanateve, etj., që për fat të keq, protestat e studentëve, japin sinjale të fuqishme në këtë drejtim.
Së këtejmi, protestat studentore, nuk janë ofshama thjeshtë vetëm ndaj kaosit në institucionet arsimore, por janë protestë kundër arrogancës qeverisëse, protestë kundër gjithë sistemit, si dhe përvojë se të bërit opozitë ka forma shumë më diverse, të cilat do të prodhojnë efekte të shumta anësore, se sa thjeshtë të qenit në taborin opozitar, i ulur në ulëse të shënuara për opozitën në parlamente.
Protestat e studentëve japin mesazhin se për t’u drejtuar politikanët kah populli dhe për të punuar për popullin, si dhe për t’u përmendur organet e institucioneve akademike për rolin e madh dhe me përgjegjësi historike që e kanë, duhet të mbyllen shtigjet për të bërë goditje selektive, por të konvertohet ajo, që në vokabullarin e përditshëm, quhet sistem.
Comments