Kur’ani në kohë sprovash dhe si ta lexojmë sot atë
Hfz. Mehas Alija
“Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.” (Hashër, 21)
“Vallë, a nuk mendojnë ata për Kur’anin, apo në zemrat e tyre ka dryna?” (Muhammed, 24).
Kur’ani është spirancë për në detin e jetës. Është libri në të cilin nuk ka kurrëfarë dyshimi; ai është shërim dhe mëshirë për besimtarët. Ai është udhëzues për të devotshmit, qortues i urtë, ekuilibër i vlerave, kriteri që dallon të mirën nga e keqja. Por, me gjithë këtë, ka zemra që janë më të forta se malet, shkëmbinjtë dhe gurët.
Kështu, Zoti i gjithësisë, kur flet për ata që kaluan përpara nesh, gjegjësisht për Beni Israilët, thotë: “Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.” (El-Bekare, 74).
Një kolos i mendimit islam, filozof dhe veprimtarë i dalluar, Muhamed Ikball, thotë: „Asnjë këshillë nuk më ka ndihmuar sa më ka ndihmuar këshilla e nënës sime kur isha i vogël dhe më thoshte: „Biri im, lexoje Kur’anin sikur të të ishte shpallur ty.“
Dikush në të kaluarën kishte pas thënë: “Në fillim nuk ndjeja kënaqësi tek e lexoja Kur’anin, por më vonë All-llahu xh.sh. më fali mirësi, dhe fillova ta lexoj atë sikur e dëgjoja nga Pejgamberi a.s., tek sa i mësonte shokët e tij, as’habët e nderuar. Më pas, All-llahu xh.sh. më ngriti në derexhe, andaj fillova ta lexoj atë sikur e dëgjoja Xhibrilin a.s., tek sa ia përcillte Pejgamberit a.s. Ndërkohë, All-llahu xh.sh. më ngriti edhe më lartë në derexhe dhe fillova ta lexoj Kur’anin sikur e dëgjoja prej vetë Atij xh.sh.”
Të nderuar vëllezër e motra, e shoh një defekt në raport midis nesh dhe librit tonë të shenjtë. Fletët e tij i lexojmë sikur të ishin letra të dedikuara dikujt tjetër, e jo neve. Sikur ato të letra të ishin relikte të shpallura për njerëz dhe popuj të tjerë, që kanë kaluar. Jo. Kur’ani është edhe për ne. Mësimet, udhëzimet, historitë, këshillat dhe qortimet duhet t’i lexojmë sikur të jenë dërguar enkas për ne, sepse edhe ashtu janë dërguar. Kur’ani është për të gjitha kohët dhe për të gjithë botët, pra, ai është univerzal dhe mesazhet e tij janë të përbotshme. Sikur ky Kur’an t’ju ishte shpallur sot gjermanëve ose japonezëve, ata sot nuk do të linin çast pa folur për të dhe me të.
Andaj, në këto ditë të sprovës dhe të izolimit, përveç shumë gjërave të tjera që duhet të bëjmë, le të bëjmë edhe një gjë: t’i kthehemi Kur’anit siç e meriton ai dhe ta bëjmë atë navigacion tonin shpirtëror. Tani është koha urgjente ta bëjmë atë shokun tonë të ditës dhe të natës, si dhe anije shpëtimi në rrugëtimin tonë jetësorë.
Në kohën e sahabëve, dikush ka thënë: “Ne aq shumë i ktheheshim Kur’anit, gati për çdo gjë, sa që edhe litari i devesë po të na humbte, e gjenim me Kur’an.”
Dikush, për provokim, e pyeti një hoxhë se pse thuhet se në Kur’an është gjithçka e përmendur, kur në të, për shembull, nuk ka ndonjë recept se si përgatit dhe gatuhet buka. Imam i nderuar i kishte thënë: “Po, edhe kjo përmendet. A nuk thotë Zoti i Madhërishëm: “Nëse ju nuk dini, atëherë pyetni pra ata që dinë.” (Nahl, 43). Kështu që, për bukën, i tha imami, shko dhe pyete bukëpjekësin.
Se Kur’ani posedon rrugëdalje dhe zgjidhje për gjërat tona të jetës së kësaj bote dhe të Ahiretit, nuk asnjë dilemë. Në një rrëfim që e përcjell hazreti Aliu r.a., i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin e Zotit duke thënë: Do të vijnë sprova dhe mundime të mëdha. E unë e pyeta: E, cila është rrugëdalja? Librai i All-llahut, – mu përgjigj ai, a.s.” (Timidhiu, Darimiu).
Ja, pra, Kur’ani është një udhëzues jete që të orienton me mësimet e tij, qoftë drejtëpërdrejt, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, indirekt.
Jo më kot kanë thënë të urtët tanë: Kur’ani është univerzi që flet, kurse univerzi është Kur’ani që heshtë.
Sot, le t’ia japim mundësinë Kur’anit që ai të na lexojë ne, ndërsa ne, pastaj, t’i flasim vetvetes dhe botës me gjuhët shëruese të tij.
Të gjitha falënderimet i takojnë Zotit të Kur’anit dhe të të gjithë botëve!
09.04.2020
St.Gallen, Zvicër
Comments