Most read

Israja dhe Miraxhi në kohën e pandemisë së virusit Korona

Hfz. Mehas Alija

Të nderuar lexues!

Sipas kalendarit të përgatitur nga Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, por edhe sipas takvimeve të bashkësive islame, nata e vlefshme e Lejtu-l-miraxhit për vitin 2020 fillon sonte, pra më 21.03.2020.

Kjo natë është një ngjarje e madhe dhe e veçantë, si për nga koha, ashtu edhe për nga karakteri. Në këtë natë Muhammedi a.s., me ndihmën e All-llahut, u ngjit në sferat më të larta qiellore, ku askush tjetër përpara tij, por edhe pas, nuk do të arrijë dot. Kjo ngjarje e mrekullueshme, me gjasë, ka ndodhur në natën e 27 të muajit Rexhep, të vitit 621.

Muhammedi a.s., me ndihmën e melekut dhe me pajisje të posaçme udhëtoi, me një mjet me emrin Burak, brenda një kohe të shkurtër nate, nga Qabeja e Madhërishme, gjegjësisht nga Meka, deri në Jeruzalem, konkretisht në Mesxhidi Aksa, e pastaj prej aty u ngjit për në sferat më të larta qiellore, qiell më qiell, deri në Sidretu-l-munteha, shumë pranë Zotit.

Gjatë ngjitjes, Pejgamberi a.s. u takua me disa pejgamberë, ndërsa kulminacioni ishte bashkëbisedimi me vetë Zotin e Lartë. Po në Miraxh, si dhuratë nga takimi, Muhammedit a.s. iu shpallën dy ajetet e fundit të sures El-Bekare, u urdhërua ai dhe ummeti i tij me pesë vaktet e namazit, iu dha premtimi se do të falen e mëshirohen të gjithë ata që nuk do të bëjnë shirk ndaj Zotit, si dhe premtimi tjetër se për çdo një vepër të mirë, shpërblimi do të jetë nga 10 deri në 700 sevape.

Pas këtij takimi, Muhammedi a.s. kthehet sërisht në tokë, duke treguar kështu se ai i përket tokës dhe llojit njerëzor në tokë. Pejgamberi a.s. i pa botët që vetëm i kishte besuar dhe paramenduar, dhe kështu, disa perde të gajbijateve (fshehtësive) për të ranë njëra pas tjetrës. E njëjta gjë do të ndodh edhe me secilin njeri.

Disa gjëra që nuk duhet t’i harrojmë, e që janë urtësi nga urtësitë e natës së vlefshme të Israsë dhe Miraxhit:

  • Gjatë Israsë u bë lidhja horizontale e vendeve të shenjta
  • Në këtë natë u bë lidhja vertikale fizike dhe shpirtërore midis qiellit dhe tokës
  • Miraxhi është takim i posaçëm midis Krijuesit dhe krijesës
  • Në Miraxh njeriut iu bë nderimi më i madh që dikujt ia ka bërë Krijuesi nga të gjitha krijesat
  • Në natën e Miraxhit, Muhammedit a.s. iu ngritën vlerat edhe më shumë dhe iu bë me dije se ai nuk është vetëm pejgamber i tokës, por edhe i qiellit; jo vetëm i kohës së tij, por edhe i të gjitha kohëve
  • Kjo Natë është edhe nata e takimit familjar, e bashkëbisedimit dhe këshillimit vëllazëror, bashkëshortor e prindëror, pasi vetë Muhammedi a.s. bashkëbisedoi me Zotin e vet dhe u konsultua me vëllai pejgamber, Musain a.s.
  • Israja dhe Miraxhi do të mbetet si sprovë për njerëzimin, deri në fund të jetës, për aq sa do të ekzistojë Kur’ani, etj.

Kush është miraxhi ynë njerëzor? Çfarë kuptimi ka miraxhi në kohën e pandemisë së virusit Korona?

Miraxhin tonë duhet ta kuptojmë si një mundësi përparimi për tek afërsia dhe kënaqësia e All-llahut xh.sh. Këtë mund të arrijmë duke respektuar me disiplinë abdesin, namazin, dhirkin, tesbihin dhe duatë. Ky është miraxhi ynë ruhani (shpirtëror).

Duke e shfrytëzuar këtë terapi miraxhi, sot, kur bota mbarë, dhe muslimanët në veçanti, janë sprovuar me sëmundjen e kohës, të pandemisë së virusit korona, dhe kur duhet t’i respektojnë kufizimet dhe restriksionet e vendeve të tyre, me qëllim të mbrojtjes nga virusi në fjalë, duhet që çdo familje muslimane ta pres këtë natë si një mundësi të rrallë lartësimi shpirtëror dhe të përjetimit të miraxhit pejgamberik.

Le ta kalojmë këtë natë duke lexuar nga faqet e bardha e të bekuara të Kur’anit fisnik; duke falur ndonjë namaz nafile, e shoqëruar me dhikre, istigfare pendimi e madhërimi dhe vazhduar me lutje të sinqerta drejtuar më të Madhit, më të Fuqishmit dhe Mbrojtësit e Krijuesit tonë, All-llahut të Lartë.

Pasur parasysh se në Natën e Israsë dhe të Miraxhit u caktua falja e pesë kohëve të namazit nga ana e muslimanëve, mendojmë se është momenti më i rëndësishëm që të rishqyrtojmë lidhjen dhe raportin tonë me namazin, shtyllën e fesë sonë dhe ibadetin i cili na mbron nga të këqijat, të ligat dhe të shëmtuarat. Pra, namazi le të jetë ilaçi i sëmundjeve tona, i brengave tona dhe i çlirimit tonë, shpirtëror e fizik nga gjithçka e keqe që na rrethon.

Për fund, porosi e kohës do të ishte: besimtarë, ju që mendoni se u janë mbyllur kufinjtë, botët dhe mundësitë, mos harroni se Zoti ynë është po Ai që robit të tij, Muhammedit a.s., në momentet më kritike të jetës së tij, ia hapi horizontet dhe rrugët e reja, ia shpalosi botët dhe mundësitë e tjera. Është koha dhe momenti të reflektojmë dhe të bëjmë një kthim të sinqertë nga Zoti i botëve, të dukshme dhe të padukshme që janë.

Për hajr Nata e Israsë dhe Miraxhit dhe lum për besimtarët për vlerat që i posedojne dhe i rrethojnë!

21.03.2020
St.Gallen, Zvicër

Comments

be the first to comment on this article

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Go to TOP