Covid-19 dhe reagimi i xhamive shqiptare në Zvicër
Rejhan Neziri
Që nga momenti i përhapjes fillestare të virusit Corona në shtetet evropiane, fillimisht në Itali e menjëherë më pas edhe në Zvicër, imamët dhe xhamitë në përgjithësi, por edhe ato shqiptare në veçanti, këtu në Zvicër, vepruan me syçeltësi e me seriozitet ndaj kësaj dukurie të veçantë, edhe pse mjaft komplekse dhe e ngarkuar me shumë paqartësi.
Për ta thuajse asnjëherë nuk u vu në pikëpyetje vërtetësia e virusit dhe e përhapjes së tij të shpejtë. Ka pasur dyshime rreth shkaktarëve, që akoma vazhdojnë të mbesin enigmë, por jo nëse kjo dukuri ishte e vërtetë ose jo. I gjithë fokusi u vu në parandalimin, kufizimin dhe pengimin e shtrirjes së kësaj pandemie, që e kaploi pjesën më të madhe të botës dhe e cila nuk kurseu asnjë fe, asnjë komb dhe asnjë kulturë.
Rol të madh në këtë drejtim, sa ka luajtur largpamësia e imamëve dhe e kryesive të xhamive, si dhe e organizatave islame, po aq, ndoshta rolin më kryesor, e ka luajtur vetë shteti, në fakt qeveria zvicerane, e cila edhe pse në fillim veproi pak si me nge, duke shpresuar në përgjegjësinë personale të çdo qytetari, por më vonë edhe ajo ndërmori masat jo të zakonshme për kulturën dhe stilin e jetës së këtushme, që për shumëkënd nënkuptonin kufizim të lirive dhe të të drejtave njerëzore, nënkuptonin prani apo përzierje të tepërt të shtetit. Duke u deklaruar pothuajse për çdo ditë rreth zhvillimit të ngjarjeve, ajo ndërkaq arriti ta ndalojë fillimisht pazarin e pakontrolluar të qytetarëve, duke i siguruar se industria ushqimore nuk do të pësojë as ngadalësim e as kufizime të tjera dhe se paniku i shkaktuar për këtë brengë ishte i pavend, por arriti të plasohet edhe si faktor stabilizues dhe orientues në kohë të duhur.
Kufizimet që i vuri qeveria zvicerane ishin vërtet të sikletshme për njerëz të rritur në demokraci të drejtpërdrejtë, ku shumëçka mbetet në dorë të individit, të komunave e të kantoneve e shumë pak në duar të shtetit. Kjo ishte një kthesë jo shumë e dëshirueshme, por të cilën qeveria arriti ta artikulojë drejt, duke i mënjanuar dyshimet rreth fuksionimit të sistemit, duke e ngritur gjendjen nga normalja në atë të veçantë dhe përfundimisht në të jashtëzakonshme. Ajo arriti të mbjellë dhe ta fitojë besimin e qytetarëve për seriozitetin e situatës, jo vetëm me miliarda frangat zvicerane që i vuri në dispozicion për mbështetjen e ekonomisë së vendit, por edhe nëpërmjet manifestimit të brengës reale, por pa krijuar panik dhe pas mos lërë hapësirë që kjo situatë të dalë nga binarët e vërtetësisë në ato të dyshimeve konspirative.
Ndër hapat konkretë, që për ne këtu është me rëndësi, ishte edhe çështja e kufizimeve nëpër faltoret e të gjitha feve. Ajo që vlente për të gjitha vendet ku tuboheshin njerëzit në masë të madhe, gjeti zbatim edhe nëpër xhamitë tona, e këto ishin: ruajtja e higjienës, ruajtja e distancës fizike, ikja e tubimit në masë në vendet publike, ndejtja në shtëpi dhe mosdalja jashtë pa nevojë, braktisja e përshëndetjes për dore, teshtitja në shami ose në lakun e krahut, vetizolimi në rast dyshimi dhe konsultimi me mjekun amë nëpërmjet telefonit etj. Më vonë, kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme, e cila kulmin e arriti kah fillimi dhe mesi i prillit, kur në ditë kishim më shumë se njëmijë infektime të reja, faltoret tona në fakt mund të qëndronin hapur, por që në to të mos merrnin pjesë përnjëherësh më shumë se pesë persona. Kjo nënkuptonte lënien hapur të dyerve të xhamive për lutje individulale, mirëpo ndalimin e lutjeve në grup (me xhemat), ndalimin e predikimeve e ligjëratave si dhe mësimin fetar të të gjitha niveleve e të gjitha grupeve në xhami.
Këto masa qeveritare u zbatuan pa mëdyshje dhe pa rezerva nga xhamitë tona – megjithëse me siklet e me mërzi -, sepse tanimë ekzistonte besueshmëria e plotë ndaj qeverisë dhe ndaj autoriteteve shëndetësore, por edhe ndaj organizatave islame të niveleve kantonale, siç ishin DIGO, VIOZ, VAM etj., por edhe të atyre nacionale, siç ishin DAIGS, FIDS etj., të cilat në mënyrë të denjë dhe proporcionale i artikulonin dhe i përshtatnin ato sipas kushteve të xhamive tona. Kjo ishte kështu në fazat e shtrëngimit të masave për pengimin dhe ngadalësimin e përhapjes së virusit, por vazhdon edhe sot në fazat e lirimit dhe të lehtësimit të masave.
Falë këtij besimi dhe bashkëpunimi reciprok, ne sot mburremi që në mesin e xhemateve tona kemi pasur shumë pak infektime, dhe pothuajse asnjë vdekje nga ky virus, dhe që sot edhe Zvicra qëndron në majën e piramidës së sheteteve më të sigurta në këtë drejtim. E gjithë kjo është arritur falë solidarizimit me njëri-tjetrin të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, ku bëjmë pjesë edhe ne si muslimanë.
Këtu dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë e më të përzemërt për të gjitha xhematet tona, për kryesitë e xhamive, për imamët tanë të zellshëm e vizionarë si dhe për të gjitha organizatat islame të të gjitha niveleve.
Po e ritheksoj se kjo kohë dhe situatë nuk ishte edhe aq e lehtë, përkundrazi e mbushur plot sfida, paqartësi, dyshime të vazhdueshme, kundërshtime, refuzime etj. Në këto pika në veçanti në qendër të vëmendjes mbetën imamët, si aktorët kryesorë në nivel lokal dhe si promotorët e mirëkuptimit dhe të mbjelljes së sigurisë te xhematet e tyre.
Angazhimin e xhamive, dhe në veçanti të imamëve, natyrisht në koordinim edhe me organizatat e ndryshme islame në vend, gjatë procesit të pandemisë mund ta trajtojmë në disa plane, edhe atë në planin emocional-psikik, teologjik, fetar-praktik, social etj.
Në planin emocional-psikik imamët arritën që nga situata e frikës, e panikut dhe e pasigurisë së shkaktuar nga paqartësia e rrezikut të situatës, të krijojnë një atmosferë besueshmërie në vetevete të ushqyer me mësimet fetare islame si dhe një klimë solidarizimi e mbështetjeje reciproke. Këtu u vu në pah edhe njëherë elementi shpresë- dhe jetëndërtues i fesë, i ndërlidhur me besimin në Zotin e Plotëfuqishëm dhe të Gjithëmëshirshëm, si një antipod i qëndrimeve pesimiste dhe apokaliptike që përhapeshin gjithandej. Ata i sqaruan me kohë rekomandimet dhe mësimet e Muhammedit a.s. lidhur me rastin e përhapjes së sëmundjeve epidemike, duke theksuar se Muhammedi a.s. qysh atëherë ka pasur njohuri për rastet e këtilla dhe se ai nuk ia ka lënë rastësisë apo determinizmit kryeneç trajtimin e këtyre rasteve si dhe duke i vënë në pah edhe premtimet profetike lidhur me shpërblimet shpirtërore të njerëzve që durojnë me besim në Zot dhe marrin masat e duhura për pengimn dhe tejkalimin e epidemive dhe pandemive. Durimi, rezistenca dhe qëndrueshmëria përballë sfidës së këtyre situatave në Islam barazohet me vetëflijimin më të madh të mundshëm.
Këtu nuk duhet harruar edhe ndikimin që pati përputhja në kohë midis rritjes së infektimeve dhe rrezikut të virusit me hyrjen në tre muajt e bekuar në Islam. Si zakonisht muajt Rexheb, Shaban bashkë me muajin Ramazan në botën islame njihen si të pandashëm kur është në pyetje ngritja e spiritualitetit të besimtarëve. Prandaj, kjo koincidencë në vetvete për besimtarët muslimanë luajti një rol shumë amortizues kur ishte në pyetje frika, pasiguria e dyshimet që kishin të bënin me thelbin e qenies njerëzore.
Në planin teologjik imamët tanë fillimisht u desh të merreshin me mënyrën e interpretimit të kësaj dukurie, duhej parë kjo si një dënim dhe mallkim nga Zoti apo jo; ishte kjo një sprovë apo një pasojë e mënyrës së gabuar të jetesës dhe e funksionimit të pakontrolluar të jetës njerëzore në planetin tokë, apo ishte diçka krejt tjetër…
Falë vizionit të imamëve shqiptarë të këtushëm, të furnizuar me dije, me kompetencë e me përgjegjësi, shumica e këtyre dyshmeve u mënjanuan nga kokat e besimtarëve të këtushëm dhe situata tanimë shihej si vërtet serioze, por që nuk duhej bërë panik, dhe se kjo do të kalonte duke vepruar secili prej nesh me përgjegjësinë e nevojshme personale dhe sociale. Këtu le të përmendim edhe parandalimin e prirjeve devijante për t’i dhënë drejtim të gabuar mënyrës së trajtimit dhe largimit të kësaj pandemie. Fjalën e kam për individë të caktuar, natyrisht nga jashtë Zvicra, por që mbërrinin shpejtë edhe këtu me anë të rrjeteve kryesisht sociale, të cilët ofronin „ilaçe“ popullore të mësuara në ëndërr kinse nga ana e pejgamberit Muhammed a.s.; pretendime kinse filan e filan duaja (lutja) e formuluar në një stil a formë të veçantë do ta largonte si me shkop magjik pandeminë si dhe dërdëllitje të tjera në emër të fesë. Një pikë tjetër që ata u desh ta trajtonin ishte edhe çështja e „dorëzimit“ dhe e „nënshtrimit“ të imamëve e të xhamive ndaj politikave qeveritare në raport me masat preventive, me ç’rast kryesisht imamët etiketoheshin si më lojalë ndaj shtetit dhe kurdisjeve globale sesa ndaj „caktimit“ të Zotit. Një çështje tjetër me të cilën ata u desh të merreshin ishte edhe ana e kundërt e kësaj që u përmend këtu, respektivisht pyetja se ku ishte Zoti në gjithë këtë krizë, pse ai nuk e ndalonte këtë? Pse në fakt Ai e lejonte këtë?! E pastaj edhe prirja tjetër se kjo krizë mund të tejkalohet vetëm me metoda shkencore dhe se feja nuk mund të luante asnjëfarë roli në këtë drejtim.
Pra, imamët tanë u desh të angazhoheshin me sqarimin e të gjitha këtyre pyetjeve në mënyrë të përgjegjshme e serioze, duke mos i lënë hapësirë përhapjes së besëtytnive, besimeve të kota, devijimeve dhe keqkuptimeve, keqinterpretimeve si dhe keqpërdorimit të fesë, nga njëra anë, dhe theksimit të rolit dhe funksionit pozitiv të fesë në trajtimin dhe konceptimin e kësaj dukurie, nga ana tjetër.
Në planin fetar-praktik imamët u desh që me xhematet e tyre të punonin në drejtim të sqarimit dhe të kthjellimit të shumëdimensionalitetit të konceptit të ibadetit, adhurimeve fetare; se ato nuk janë të kufizuara brenda objekteve të xhamive; se në raste nevojash e shtrëngimesh vlenin përjashtimet; se në raste të veçanta si kjo e pandemisë besimtarët liroheshin nga disa detyra siç ishte namazi i xhumasë ose ofroheshin mundësi të tjera, të kryerjes së tyre në shtëpi brenda rrethit familjar; se megjithëkëtë ruajtja e jetës së njeriut kishte prioritet karshi lutjeve të përbashkëta në xhami; se boshatisja e xhamive nuk nënkuptonte „zemërimin“ e xhamive me ne, siç pretendonin disa… pra i sqaruan alternativat dhe opcionet e tjera të fetarisë dhe të praktikimit të normave fetare. Kjo vazhdon edhe sot me rastin e daljes së përshkallëzuar nga gjendja e jashtëzakonshme në gjendjen e veçantë e drejt normales, ku duhet edhe më tej të tregohemi të kujdesshëm duke bërë dezinfektimin e duarve, duke e ruajtur distancën fizike jashtë dhe brenda xhamive – që më parë nuk ka qenë e njohur dhe as praktikë -, duke përdorur maskat higjienike etj.
Një përvojë e re për shumë prej imamëve ishte edhe bartja e ligjërimit dhe e komunikimit fetar nga bota reale në atë virtuale. Jo vetëm ligjëratat e së premtes, pastaj edhe të Ramazanit, por edhe mësimi fetar me fëmijët dhe të rriturit, këndimi i mukabeles (leximit me melodi e Kur’anit fisnik), kuizet me fëmijë, intervistat me personalitete të ndryshme fetare dhe të fushave të tjera kaluan të gjitha online, nëpërmjet internetit.
Në planin social xhamitë dhe kryesisht imamët kanë luajtur një rol si kurrë më parë. Duke qenë se ishte një përvojë e re që xhamitë të mbylleshin për namazet me xhemat, të mos dëgjoheshin ligjëratat dhe predikimet drejtpërdrejtë, të mos takoheshin me njëri-tjetrin disa herë në ditë në kafeteritë dhe në hapësirat e tjera të xhamisë, pra këtë boshllëk social kryesitë e xhamive dhe të organizatave islame, në veçanti imamët, u munduan ta plotësojnë nëpërmjet formave të tjera të komunikimit, si nëpërmjet letrave postare njoftuese e uruese për Ramazan e për Bajram, nëpërmjet telefonatave të kohëpaskohshme me anëtarët e xhamisë dhe interesimi në mos ata kishin ndonjë nevojë që nuk mund ta plotësonin vetë për shkak të moshës ose ndonjë sëmundjeje etj., ishin kanali i gjallë që i mbajti lidhjet sociale midis kryesisë dhe imamit me anëtarët e xhamisë.
Një segment shumë i rëndësishëm që meriton të përmendet këtu është edhe angazhimi i kryesive dhe i imamëve tanë në aktivitetet sociale dhe humanitare që i kërkonte shoqëria, konkretisht grupet punuese pranë komunave politike të themeluara enkas për përballjen me krizën pandemike. Me këtë rast, imamët dhe disa anëtarë të xhamive kanë marrë përsipër të kryejnë pazarin e artikujve ushqimorë, por edhe punë të tjera private, për familjet ose për personat që konsideroheshin si të rrezikuar nga infektimi eventual. Ky angazhim social e humanitar i tejkalonte kufijtë fetarë dhe etnikë, kështu që doli në pah një segment tjetër shumë me rëndësi i Islamit: vlerësimi i qenies njerëzore, pa marrë parasysh fenë, gjuhën a kulturën.
Segmenti i radhës në këtë drejtim është ai i forcimit të lidhjeve midis anëtarëve të familjes. Edhe pse fillimisht u përhap frika se në një situatë kur anëtarët e familjes për një kohë të gjatë do të rrinin në shtëpi bashkë, do të lindnin fërkime e kriza familjare, kjo nuk ndodhi me familjet fetare islame. Përkundrazi dhe për fat të mirë, ndër të tjera edhe nëpërmjet jetës fetare të praktikuar në familje në mënyrë të përbashkët, si namazet ditore dhe të teravive, i leximit të Kur’anit dhe i dëgjimit të ligjëratave online, lidhjet familjare rifituan në vlerë dhe dha shfaqën një përvojë të re fetare e sociale, e cila thoshte se megjithëkëtë familja ka peshë dhe luan rol të madh psikologjik, pedagogjik, sociologjik, fetar etj.
Në përmbyllje, themi se ishte, pra, një gamë e gjerë e fushës së veprimit të imamëve dhe e kryesive të xhamive si dhe e organizatave islame në këtë kohë të vështirë, për të cilën sot kur janë hapur xhamitë dhe kur shikojmë pas, ne shohim se bashkërisht, me përgjegjësi individuale e kolektive, ia arritëm ta takojmë sërish njëri-tjetrin shëndosh e mirë. Ne sot i gëzohemi bashkërisht tejkalimit të situatave të vështira e të sikletshme dhe i jemi mirënjohës njëri-tjetrit për nderin dhe respektin që ia bëmë vetvetes dhe tjetrit, kushdo qoftë ky tjetri, musliman ose jomusliman, shqiptar apo i ndonjë nacionaliteti tjetër.
Ne si muslimanë arritëm që në këtë kohë krize të dëshmojmë se feja islame nuk është thjesht besim dhe rituale, por edhe angazhim social, humanitar, kulturor, ekologjik etj.,; arritëm të dëshmojmë se ne, para se të jemi muslimanë, jemi njerëz dhe se i qëndrojmë pranë çdokujt, falë vlerave universale që na i mëson feja islame, të cilat na ngrejnë në nivelin e popujve seriozë e ndërtues së jetës së përnjëmendtë dhe të përgjegjshme në rruzullin tokësor. Pra, ra ky rast dhe ne i përjetuam dhe i shfaqëm edhe anët e tjera të shumta të fesë në raport me jetën e njeriut si individ, si bashkësi, si shoqëri dhe si mbarë familje njerëzore në tokë. Ne edhe njëherë e kuptuam se me gjithë diversitetin gjuhësor, racor, fetar etj. që e kemi, ne vlerë të përbashkët e kemi njerëzoren, shenjtërinë e jetës së njeriut si dhe dinjitetin e integritetin e tij. Kjo e fundit besoj se do të nënkuptojë tani e tutje, në të njëjtën kohë, edhe një paradigmë të re jo vetëm teologjike, por edhe mbarëshoqërore se, megjithëkëtë, ne si familje njerëzore dimë t’ia dalim bashkërisht jo vetëm kur është në pyetje virusi Covid 19, por edhe shumë „viruse“ të tjera njerëzore, etike, fetare, ekonomike, politike etj. Po, ne mundemi bashkërisht!
Kreuzlingen, 11. 06. 2020
Comments