NË REGENSDORF TË ZVICRËS KMSHZ PROMOVON LIBRIN „MUHAMMEDI A.S. PROFETI ISLAM“
Të shtunën që kaloi, më 27.05.2023, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ) organizoi promovimin e Librit “Muhamedi a.s., Profeti Islam”, me autor Imam Vehbi Ismaili (Allahu e mëshiroftë). Ky aktivitet u realizua në ambientet e xhamisë shqiptare në Regensdorf, në saje të një bashkëpunimi mes Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër dhe Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.
Ky aktivitet pati një rëndësi të veçantë pasi ishte i pari i këtij lloji që zhvillohej në bashkëpunim mes dy institucioneve përkatëse, gjë e cila tregon fillimin e një nisme të re, të ndërmarrë nga dy bashkësitë fetare përkatëse, nga KMSHZ dhe BIK. Delegacioni i BIK-ut përfaqësohej nga Mr. Sabri ef. Bajgora, drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Ramadan Shkodra, drejtor për kulturë dhe veprimtari botuese, dhe Bashkim ef. Mehani, redaktor artistik në shtëpinë botuese “Dituria Islame” pranë BIK.
Në këtë aktivitet morën pjesë shumë imamë të xhamive shqiptare në Zvicër, të shoqëruar nga kryetarë apo përfaqësues të xhamive shqiptare në shtetin hevletik.
Aktiviteti i moderuar nga Dr. Besim Nuzi u hap me leximin e një pjese nga Kurani Fisnik, që u lexua me një zë të ëmbël dhe melodik nga Nimetulla ef. Veseli, Imam i xhamisë Schaffhausen dhe njëherit anëtar i kryesisë së KMSHZ-së.
Kryetari i Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, Mehas ef. Alija, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi mysafirët dhe njëkohësisht theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me institucionet si motra në vendlindje për të vazhduar më tej në pasurimin e bibliotekave me kërkime dhe studime islame, gjë e cila ngelet si një trashëgimi për brezat e ardhshëm dhe njëkohësisht një sadaka rrjedhëse për kontribuesit e kësaj fushe. Njëkohësisht ai shprehu falënderimet e tij për të gjithë shqiptarët në Zvicër të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të vyera në këtë fushë. Ai gjithashtu falënderoi të gjithë organizatorët dhe të pranishmit në këtë aktivitet.
Mr. Sabri ef. Bajgora në kumtesën e tij me temë: “Shëmbëlltyra e Pejgamberit Muhamed a.s. në edukimin e fëmijëve”. Ai theksoi rëndësinë e edukimit të rinisë dhe brezave të ardhshëm, gjë e cila është një domosdoshmëri për një rini dhe të ardhme të sigurt dhe të shëndoshë. Ai tha, gjithashtu, se kjo arrihet duke mësuar rreth jetës së Pejgamberit Muhamed a.s. i cili ishte modeli më i mirë për mbarë njerëzinë.
Ramadan Shkodra në fjalën e tij u përqendrua duke pasqyruar rëndësinë e botimit të librit “Muhamedi a.s., Profeti Islam” me autor Imam Vehbi Ismaili (Allahu e mëshiroftë). Ky libër ka rëndësi të veçantë sepse është shkruar nga një autor shqiptar, i cili emigroi në SHBA dhe dha një kontribut të çmuar për komunitetin shqiptar në Detroid, ngjashëm me të gjithë imamët që sot shërbejnë në Zvicër apo në shtetet e tjera perëndimore. Gjithashtu tha se ky libër është botuar në vitet e 60-ta, vite kur Shqipëria, e izoluar nga komunizmi, e kishte ndaluar fenë, por edhe në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare vazhdonte censura sllavo-komuniste. Së treti, ky libër është trajtuar në formën e tregimeve të cilat autori ia tregon mbesës së tij. Ai njëkohësisht shprehu rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy institucioneve tona.
Dr. Bashkim ef. Aliu, në kumtesën e tij “Veprimtaria e qendrave islame dhe e imamëve në Zvicër në fushë e botimeve islame”, vlerësoi punën e kryer nga shumë xhami dhe qendra islame të cilat kanë sponsorizuar botimin e shumë librave në gjuhën shqipe dhe atë gjermane. Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e shumë imamëve që shërbejnë në Zvicër të cilët janë autorë të mbi 40 botimeve të tyre si autorë dhe njëkohësisht mbi 60 libra të përkthyer vetëm në këto 20-të vitet e fundit. Gjithashtu ai dha disa rekomandime si: domosdoshmëria e botimit të historisë së xhamive dhe qendrave islame në Zvicër, e cila ngelet si trashëgimi për historinë dhe kulturën e shqiptarëve në Zvicër, si dhe unifikimin e botimeve nën mbikëqyrjen e komisionit për botime pranë KMSHZ-së.
Bashkim ef. Mehani bëri një paraqitje vizuale të disa botimeve të fundit nga shtëpia botuese “Dituria Islame” pranë BIK.
Në përfundim Kryetari i Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, Mehas ef. Alija shpërndau mirënjohje për penalistët dhe mysafirët.
Më pas aktiviteti u mbyll me një darkë të përbashkët, e cila u shtrua nga KMSHZ, dhe që u përgatit nga xhamia shqiptare në Regensdorf, për të cilën, kryesia e KMSHZ-së, shprehu falënderimet e saj ndaj kryesisë së kësaj xhamie, si dhe imamit të saj Ferid ef. Zeqiri për organizimin e këtij evenimenti.
Duke shpresuar që evenimentet e tjera të jenë sa më të dobishme për ne dhe për mbarë shqiptarët në Zvicër, lusim Allahun xh.sh. që të jetë i kënaqur dhe të lëshojë mirësitë e tij popullin tonë dhe institucionet tona!
(KMSHZ)
Comments