Statuti
DAIGS / KMSHZ
DACHVERBAND DER ALBANISCH-ISLAMISCHEN GEMEINSCHAFTEN IN DER SCHWEIZ
Communauté musulmane albanaise en Suisse
KOMUNITETI MUSLIMAN SHQIPTAR NË ZVICËR
STATUTI – 2021
PËRMBAJTJA:
Preambula. 3
- Dispozitat e përgjithshme. 3
- Anëtarësia. 5
- Mjetet financiare. 7
- Organet 8
1.. Kuvendi 8
2.. Kryesia. 10
3.. Revizorët 11
- Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare. 12
***
Me emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirmit, Mëshirëplotit
„O ju njerëz, me të vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.“ (Kur’ani, 49:13)
Xhamitë (shoqatat, qendrat ose bashkësitë islame) shqiptare në Zvicër,
- të vetëdijshme për përgjegjësitë e tyre si institucione shpirtërore, sociale dhe kombëtare,
- të vendosura për të jetësuar bashkimin dhe përforcimin e organizimit të jetës fetare, sociale, kulturore dhe kombëtare,
- të vendosura për prosperitet dhe solidaritet,
- të vendosura për respektim të secilës shoqatë përbërëse dhe secilit/es anëtarë/e të saj,
- të vendosura për promovimin e barazisë gjinore në drejtimin e instuticioneve të lartpërmendura,
- të vetëdijshme për të arriturat dhe integrimin si komunitet,
- të vetëdijshme për të përmbushur përgjegjësitë për gjeneratat e ardhshme,
- si dhe të vendosura për çdo hap institucional,
Emri dhe selia
Neni 1
- Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (shkurt: KMSHZ) është një shoqatë në kuptim të nenit 60 ff. të Kodit Civil të Konfederatës Zvicerane (ZGB).
- KMSHZ-ja është një shoqatë (organizatë) e themeluar nga bashkimi (fuzionimi) i dy organizatave islame shqiptare paraprake në Zvicër: Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare dhe Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër.
- KMSHZ-ja selinë e saj e ka në Cyrih.
- KMSHZ-ja është e regjistruar në regjistrin tregtar të Zvicrës.
- KMSHZ përbëhet nga xhamitë e etnikumit shqiptar dhe të etnikumeve të tjera që pajtohen me këtë Statut dhe që jetojnë në Zvicër.
Synimet
Neni 2
- KMSHZ-ja përfaqëson xhamitë shqiptare që shtrihen në të gjitha kantonet e Zvicrës.
- Realizimi i synimeve të saj për organizimin e xhamive shqiptare në Zvicër mbetet angazhim i përhershëm i KMSHZ-së.
- Synon ruajtjen dhe avancimin e interesave të anëtarëve të saj në mbarë territorin e Zvicrës.
- Përfaqëson shqetësimet dhe çështjet e anëtarëve të saj në shoqërinë zvicerane e në veçanti pranë institucioneve fetare dhe politike në nivelin federal, kantonal dhe komunal.
- Veprimtarinë e vet e mbështet në burimet e shëndosha të Islamit, në kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Zvicrës, si dhe në këtë statut.
- Angazhohet për integrim dhe pjesëmarrje aktive të muslimanëve dhe muslimaneve* në shoqërinë zvicerane duke e ruajtur integritetin e tyre fetar. Me këtë rast, ajo bart qëndrimin e mesëm në interpretimin e Islamit.
- Ekstremizmi dhe/ose fanatizmi i çdo lloji as nuk tolerohet e as nuk mbështetet nga ana e KMSHZ-së.
- Angazhohet dhe kërkon respektimin e vlerave të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë si lirinë, barazinë, drejtësinë dhe të drejtat njerëzore.
- Nxit pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e të gjithë muslimanëve jo të organizuar, veçanërisht të familjeve, grave, të rinjve dhe fëmijëve, në pjesëmarrje aktive dhe vetëqeverisje në Zvicër.
- Angazhohet për themelimin dhe funksionimin e shërbimeve sociale muslimane dhe të një infrastrukture islame në Zvicër, si p.sh. ofrimi i mësimit fetar islam nëpër shkollat publike, puna sociale, varrimi adekuat për muslimanët, organizimi i haxhit dhe umres etj.
- Angazhohet për një bashkëpunim të mirë e të ngushtë me të gjitha organizatat islame në Zvicër, që ndajnë të njëjtën filozofi veprimi me të KMSHZ-së.
- Angazhohet për një bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e religjioneve dhe kulturave të tjera në vend me qëllim që ta nxisë dialogun dhe mirëkuptimin e Islamit dhe të muslimanëve kundrejt publikut.
- I ruan marrëdhëniet shpirtërore me Bashkësitë Islame të vendlindjes: Maqedoni e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe Lugina e Preshevës.
- Nuk ndjek synime politike dhe është shoqatë jofitimprurëse.
Pranimi i anëtarëve
Neni 3
- Xhamitë shqiptare në Zvicër, të cilat janë të gatshme të ndjekin synimet e KMSHZ-së dhe të veprojnë nën çatinë e saj, mund të shtrojnë kërkesë për anëtarësim. Kërkesa me shkrim i drejtohet kryesisë së KMSHZ-së. Kësaj kërkese i bashkëngjitet edhe procesverbali i mbledhjes së kuvendit të xhamisë kur është vendosur pro anëtarësimit të saj në KMSHZ.
- Bashkë me kërkesën me shkrim për anëtarësim xhamia në fjalë i emëron edhe tre përfaqësues (delegatë) të saj për në kuvendin e KMSHZ-së: imamin, një anëtar kryesie dhe një delegat tjetër (shiko nenin 6).
- Në rast të ndërrimit të kryesisë së xhamisë, delegati i saj nga radhët e kryesisë që eventualisht mund të jetë zgjedhur që më parë në ndonjë organ ose komision (sektor a departament) të KMSHZ-së, ky mbetet deri në mbarimin e mandatit (afatit) të tij në atë post, por pa të drejtë vote në Kuvendin e KMSHZ-së. Xhamia në fjalë përfaqësohet nga anëtari i ri i kryesisë. E njëjta vlenë edhe në qoftë se xhamia e shkarkon imamin ose imami jep dorëheqje nga detyra në xhaminë e tij, ai vazhdon të mbetet në postin e KMSHZ-së, në të cilin eventualisht mund të jetë zgjedhur që më parë, deri në përfundimin e mandatit të tij, pa të drejtë vote në Kuvendin e KMSHZ-së. Me këtë rast kjo xhami përfaqësohet nga imami i ri. Këto ndryshime xhamia në fjalë duhet t’ia kumtojë kryesisë së KMSHZ-së në një afat prej 15 ditësh nga data e ndryshimeve në xhami.
- Xhamitë që nuk kanë imam të punësuar, në Kuvendin e KMSHZ-së përfaqësohen me dy anëtarë kryesie dhe me një delegat tjetër nga radhët e xhamisë së tyre.
- Kryesia e KMSHZ-së e analizon kërkesën në fjalë dhe ia paraqet kuvendit në takimin e parë të radhës me propozimin e vet të arsyetuar. Kuvendi pastaj vendos për kërkesën, me këtë rast pranimi në anëtarësi kërkon pëlqimin e më së paku 2/3 të kuvendarëve të pranishëm me të drejtë vote. Refuzimi eventual duhet të arsyetohet me shkrim.
Dorëheqja ose largimi
- Largimi i një xhamie nga KMSHZ-ja mund të bëhet me një afat 6 mujor para përfundimit të vitit kalendarik.
- Largimi duhet t’i drejtohet kryesisë së KMSHZ-së me letër rekomanduese, ku do të theksohen edhe arsyet e largimit.
- Kompensimi apo rikthimi i tërësishëm ose i pjesshëm i anëtarësisë tanimë të paguar nga xhamia që jep dorëheqje, nuk mund të realizohet.
Përjashtimi
- Një xhami mund të përjashtohet me efekt të përnjëhershëm bazuar në një vendim konkret të kuvendit të KMSHZ-së, nëse:
- xhamia në fjalë nuk i plotëson detyrimet statutare, sidomos pagesën e anëtarësisë vjetore, edhe pas dy vërejtjeve me shkrim,
- ajo pa arsye nuk merr pjesë radhazi në dy mbledhje të kuvendit,
- ajo vepron në kundërshtim me interesat e KMSHZ-së.
- Vendimi i kuvendit për përjashtim duhet të bëhet me pëlqimin e më së paku 2/3 të kuvendarëve të pranishëm me të drejtë vote. Xhamia e theksuar për përjashtim, në këtë mbledhje të kuvendit nuk ka të drejtë vote.
- Para dhe gjatë marrjes së vendimit për përjashtim nga ana e kuvendit, xhamisë në fjalë duhet t’i mundësohet e drejta e dëgjimit juridik. Kryesia e KMSHZ-së në raste të këtilla, para se të mbahet seanca e kuvendit, mund ta ftojë xhaminë në fjalë të deklarohet rreth arsyeve të përjashtimit.
- Kryesia e KMSHZ-së ka të drejtë që para se kuvendi të vendosë për përjashtimin e një xhamie, këtë xhami ta suspendojë deri në mbajtjen e mbledhjes së radhës së kuvendit, nëse konstaton se janë përmbushur arsyet për përjashtimin e saj. Gjatë kohës së suspendimit xhamia në fjalë nuk ka të drejtë vote në kuvend dhe nuk mund të bashkëveprojë në punët e KMSHZ-së.
- Anëtarët e larguar vetvetiu apo të përjashtuar, me përfundimin e anëtarësimit të tyre në KMSHZ, i humbasin të gjitha të drejtat dhe obligimet e tyre. Pas kësaj ata nuk mund të pretendojnë asnjë të drejtë në pronën e KMSHZ-së.
- Anëtarësimi i një xhamie përfundon në mënyrë automatike me mbylljen, likuidimin apo përfundimin për çfarëdo arsye të tjera të ekzistimit të saj.
- Në qoftë se një xhami shkrihet në një organizatë tjetër, e cila nuk është anëtare e KMSHZ-së, përfundon anëtarësimi i saj në KMSHZ po ashtu me shkrirjen definitive, pa marrë parasysh nëse organizata në fjalë në këtë shkrirje fiton rol dominues ose të dominuar.
- Një xhami anëtare e KMSHZ-së mund të jetë anëtare edhe në ndonjë shoqatë a organizatë tjetër islame këtu në Zvicër, me kusht që organizata e tretë të ndajë synime dhe një filozofi të përafërt me të KMSHZ-së. Nëse ky kusht nuk plotësohet, atëherë kërkohet nga xhamia anëtare e KMSHZ-së të përcaktohet për njërën prej tyre.
Autonomia e anëtarëve
- Secila xhami anëtare e KMSHZ-së, sa i takon organizimit dhe menaxhimit (sidomos të financave) të saj të brendshëm, mbetet plotësisht autonome.
- KMSHZ-ja nuk mund të mbahet përgjegjëse në asnjë formë për veprimet e papërgjegjshme të xhamive anëtare të saj.
Detyrimi i lojalitetit dhe i informimit
- Secila xhami anëtare e KMSHZ-së obligohet:
- ta respektojë statutin e KMSHZ-së dhe të veprojë nën çatinë e saj,
- t’i zbatojë në mënyrën më të mirë të mundshme vendimet e marra nga ana e kryesisë ose e kuvendit të KMSHZ-së,
- t’i paguajë të plota dhe në kohë kontributet vjetore të anëtarësisë,
- ta informojë me kohë dhe me shkrim KMSHZ-në për çdo ndryshim të statutit të saj, të shkrirjes (fuzionimit) eventuale në ndonjë organizatë tjetër si dhe ndryshimet në strukturën e kryesisë së saj.
Burimet financiare
Neni 4
- KMSHZ-ja financiarisht nuk varet nga asnjë organizatë e vendit apo nga jashtë.
- KMSHZ-ja financohet kryesisht nga:
- kontributet vjetore të anëtarësisë,
- donacionet/dhuratat e pakushtëzuara,
- kontributet e afaristëve vendas,
- testamentet dhe trashëgimitë,
- një pjesë e kontributeve fetare si zekati, sadakatul-fitri, kurbanat, haxhi etj.,
- të ardhurat nga organizimet dhe aktivitetet personale.
- KMSHZ-ja nuk pranon donacione/dhurata nga persona a organizata të dyshimta.
Lartësia e kontributeve të anëtarësisë
- Lartësinë e kontributeve vjetore të anëtarësisë e cakton kuvendi i KMSHZ-së.
- Xhamia detyrohet që anëtarësinë ndaj KMSHZ-së ta paguajë të plotë sa e ka vendosur Kuvendi i KMSHZ-së dhe në kohë, respektivisht në 3 muajt e parë të vitit kalendarik.
- Viti i shoqatës korrespondon me vitin kalendarik.
Garancia
- Për obligimet e veta KMSHZ-ja përgjigjet ekskluzivisht vetëm me pasurinë e vet.
- Prona dhe pasuria private e anëtarëve përjashtohet nga përgjegjësitë e KMSHZ-së.
Neni 5
- Organet e KMSHZ-së janë:
- Kuvendi,
- Kryesia, dhe
- Revizorët.
Neni 6
- Kuvendi i të gjithë anëtarëve të KMSHZ-së është organi më i lartë normativ i saj.
- Kuvendin e përbëjnë delegatët nga xhamitë anëtare. Çdo xhami anëtare ka të drejtë të dërgojë tre delegatë, e që janë: imami (në rast se xhamia ka më shumë se një imam: imami kryesor; në rast se xhamia nuk ka imam: kryetari i xhamisë apo një anëtar i kryesisë), një anëtar i kryesisë si dhe një delegat tjetër – mundësisht femër – nga radhët e familjeve anëtare të xhamisë përkatëse dhe i/e arsimuar në Zvicër. Në mbledhjet e Kuvendit marrin pjesë edhe anëtarët e kryesisë si dhe revizorët. Të drejtë vote në Kuvend kanë vetëm ata anëtarë të kryesisë, anëtarë komisionesh ose revizorë, të cilët janë delegatë të ndonjë xhamie.
- Emrat e delegatëve duhet t‘i dorëzohen me shkrim kryesisë së KMSHZ-së. Këta vlejnë si delegatë për aq kohë sa nuk zëvendësohen me emra të tjerë nga ana e xhamisë së vet të cilën e përfaqësojnë.
- Çdo kandidat, për të qenë pjesë e organeve dhe e komisioneve të KMSHZ-së, duhet ta nënshkruajë deklaratën e përpiluar paraprakisht nga KMSHZ-ja për pafajësinë juridike të tij (shiko shtojcën 2).
- Mandati i kuvendarëve zgjat katër vjet me të drejtë për rizgjedhje.
- Kuvendi ka kryetarin (jo imam) dhe nënkryetarin e tij (imam), të cilët duhet ta kenë të kryer së paku një arsim të mesëm (gjimnaz etj.) dhe të cilët zgjidhen nga mesi i anëtarëve të kuvendit. Mandati i kryetarit dhe i nënkryetarit të kuvendit zgjat katër vjet me të drejtë edhe për një rizgjedhje.
- Kryetari, në mungesë të tij nënkryetari, udhëheq mbledhjet e kuvendit.
- Kuvendi thirret aq shpesh sa ka nevojë veprimtaria e KMSHZ-së, por më së paku një herë në vit.
- Kuvendi thirret nga kryesia e KMSHZ-së me kërkesë të: kryetarit të kuvendit; kryetarit të kryesisë; shumicës së anëtarëve të kryesisë ose të 1/5 së anëtarëve të kuvendit të KMSHZ-së. Ftesa bëhet me shkrim, duke ia bashkëngjitur edhe rendin e ditës, në afat prej 15 ditësh para mbajtjes së kuvendit.
- Kuvendi mbahet në qoftë se prezent është më së paku gjysma e të gjitha xhamive anëtare. Një xhami quhet se është prezente në qoftë se më së paku një delegat i saj është i pranishëm në këtë kuvend.
- Kuvendi mund të marrë vendime me shumicën absolute të delegatëve të pranishëm me të drejtë vote. Në rast të barazimit të votave kryetarit të kuvendit i njihet vota e dyfishtë.
- Anëtarët (secila xhami) kanë nga tre vota. E drejta e votimit ushtrohet vetëm nga ana e delegatit të paraqitur me shkrim paraprakisht me emër dhe mbiemër. Të tjerët nuk kanë të drejtë vote.
- Kryesia e Kuvendit obligohet që në secilin kuvend (mbledhje të kuvendarëve) ta verifikojë listën e të pranishmëve si dhe të caktojë dy numërues të votave.
- Për secilin kuvend (mbledhje të kuvendarëve) mbahet procesverbal në gjuhën shqipe (në rast nevoje edhe në ndonjërën gjuhë zyrtare në Zvicër) nga ana e nënkryetarit të kuvendit ose nga ana e sekretarit të kryesisë së KMSHZ-së.
- Anëtarët e kuvendit punën e tyre e kryejnë pa pagesë.
Neni 7
- Kuvendi ka këto kompetenca:
- ndryshon dhe miraton statutin e KMSHZ-së,
- vendos për anëtarësimin e ndonjë anëtari të ri (xhamie të re),
- zgjedh, respektivisht shkarkon kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit,
- përcakton numrin dhe zgjedh, respektivisht shkarkon anëtarët e kryesisë,
- përcakton numrin dhe zgjedh, respektivisht shkarkon revizorët,
- propozon dhe miraton rregulloret e posaçme për punën e organeve dhe të departamenteve të KMSHZ-së,
- jep udhëzime dhe sugjerime për punën e kryesisë dhe të revizorëve,
- miraton raportin dhe llogarinë vjetore,
- miraton buxhetin vjetor të propozuar nga kryesia,
- cakton lartësinë e kontributit vjetor të anëtarësisë,
- miraton projektet e kryesisë që kushtojnë më shumë se 10’000.- Fr. Për projekte që kushtojnë më pak se 10’000.- Fr., kryesia ka të drejtë të veprojë e pavarur,
- krijon komisione (departamente a sektorë) të përhershme dhe/apo të përkohshme për punë të caktuara të KMSHZ-së dhe të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm me kryesinë e KMSHZ-së,
- sjell vendime – në përputhje me ligjet e Zvicrës – për të gjitha çështjet e tjera që nuk janë paraparë me këtë statut,
- shpall dhe organizon zgjedhjet brenda KMSHZ-së,
- vendos dhe miraton shpërbërjen e KMSHZ-së sipas nenit 12.
Neni 8
- Kryesia është organi ekzekutiv i KMSHZ-së. Numrin e anëtarëve të saj e përcakton sipas nevojës dhe ata i zgjedh, respektivisht i shkarkon kuvendi. Kryesia e KSHMZ-së përbëhet prej më së paku shtatë anëtarëve: kryetari, dy nënkryetarë (njëri imam dhe tjetri jo imam), sekretari, arkëtari, zëdhënësi për medie si dhe një anëtar i lirë.
- Për anëtarë kryesie mund të zgjidhen vetëm përfaqësuesit (delegatët) e xhamive që janë anëtare të KMSHZ-së.
- Kuvendi e zgjedh kryetarin dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, kurse konstituimin e brendshëm e bëjnë vetë anëtarët e kryesisë sipas aftësive dhe zotësive të tyre duke e pasur parasysh edhe përfaqësimin adekuat.
- Punët e kryesisë i udhëheq kryetari. Në mungesë të kryetarit, atë e zëvendësojnë nënkryetarët. Punët e tjera të anëtarëve të kryesisë rregullohen me rregullore të posaçme.
- Kryetar zgjidhet personi që së paku ka kryer studime të larta/universitare islame, që e njeh mirë gjuhën shqipe si dhe së paku një gjuhë të vendit dhe që në pesë vitet e fundit është imam aktiv në Zvicër.
- Mandati i anëtarëve të kryesisë zgjat katër vjet me të drejtë vetëm për një rizgjedhje.
- Në rast të dorëheqjes së parakohshme të ndonjë anëtari të kryesisë, kryesia ka të drejtë ta nominojë vetë një pasardhës të tij nga radhët e kuvendarëve, mandati i të cilit do të vazhdojë deri në zgjedhjet e radhës. Dorëheqja me shkrim duhet t’i deponohet kryesisë së KMSHZ-së. Në rast se e mbarë kryesia jep dorëheqje të parakohshme, atëherë kjo i dorëzohet me shkrim Kuvendit të KMSHZ-së, i cili pastaj shpall zgjedhje të parakohshme të kryesisë.
Neni 9
- Kryesia i kryen këto detyra:
- i kryen punët e KMSHZ-së dhe e përfaqëson atë në publik,
- zbaton vendimet e kuvendit të KMSHZ-së,
- kujdeset për realizimin e plotë dhe konsekuent të synimeve të KMSHZ-së,
- siguron mjetet financiare për funksionimin e KMSHZ-së,
- udhëheq racionalisht me pasurinë e KMSHZ-së dhe mban kontabilitet,
- propozon buxhetin dhe bën llogarinë vjetore të KMSHZ-së,
- me kërkesë të kryetarit të kuvendit, të kryetarit të kryesisë, të shumicës së anëtarëve të kryesisë ose të 1/5 së anëtarëve të kuvendit të KMSHZ-së, kryesia fton mbledhjet e rregullta dhe të jashtëzakonshme të kuvendit,
- paraqet raport dhe program vjetor për punën e vet në kuvendin e KMSHZ-së,
- i propozon kuvendit krijimin e komisioneve (departamenteve a sektorëve) të përhershme dhe/apo të përkohshme për punë të caktuara të saj,
- ka të drejtë të angazhojë njerëz kompetentë për realizimin e projekteve ose kryerjen e punëve të caktuara të saj që kërkojnë aftësi dhe zotësi të veçanta. Këta paguhen dhe janë përgjegjës para kryesisë së KMSHZ-së.
- Jep mendimin me shkrim për pranimin (punësimin) ose refuzimin me arsyetim të imamëve të rinj në xhamitë shqiptare në Zvicër.
Neni 10
- Kryesia mban mbledhje aq shpesh sa këtë e kërkon nevoja, më së paku një herë në muaj. Mbledhjet e saj i fton kryetari me kërkesë të vet ose me kërkesë të më së paku 3 anëtarëve të kryesisë. Mbledhjet i udhëheq kryetari, kurse në mungesë të tij, njëri nga dy nënkryetarët.
- Vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash, me këtë rast secili anëtar kryesie ka të drejtë një votë. Në rast të barazimit të votave, kryetarit i njihet vota e dyfishtë. Kryesia mund të sjellë vendime në rast se të pranishëm janë së paku gjysma e të gjithë anëtarëve të kryesisë. Vendimet mund të merren edhe me shkrim përmes postës normale ose asaj elektronike. Edhe vendimet e këtilla duhet të protokollohen.
- Për secilën mbledhje të kryesisë mbahet procesverbal në gjuhën shqipe (sipas nevojës edhe në ndonjërën gjuhë zyrtare të Zvicrës) nga ana e sekretarit dhe i njëjti arkivohet.
- Dokumentet zyrtare të KMSHZ-së nënshkruhen gjithnjë nga dy persona: kryetari dhe një anëtar i kryesisë.
- Anëtarët e kryesisë punën e tyre e kryejnë pa pagesë. Atyre u kompensohen vetëm harxhimet e rrugës, ato postare dhe të tjerat që kanë të bëjnë me punët e KMSHZ-së.
Neni 11
- Kuvendi i KMSHZ-së e cakton numrin e revizorëve dhe i zgjedh ata për një periudhë katërvjeçare.
- Revizorët mund të zgjidhen nga mesi i delegatëve të kuvendit ose edhe nga njerëz të jashtëm që janë kompetentë për këtë punë.
- Revizorët e kontrollojnë llogarinë vjetore dhe për këtë i raportojnë me shkrim kuvendit.
- Ndryshimi dhe plotësimi i këtij statuti bëhet vetëm në kuvend me vendim të 2/3 të kuvendarëve të pranishëm.
- Shuarja eventuale e KMSHZ-së mund të bëhet vetëm në mbledhje të jashtëzakonshme të kuvendit, e cila thirret vetëm për këtë çështje dhe me lajmërim të vendimit të propozuar së paku një muaj përpara. Për këtë nevojitet prania e më së paku 2/3 të kuvendarëve dhe me së paku vota e shumicës absolute të kuvendarëve.
- Në rast shuarjeje, pasuria ekzistuese e KMSHZ-së i dhurohet ndonjë organizate islame në Zvicër, e cila ndjek synime dhe filozofi të përafërt me të KMSHZ-së. Për këtë vendos kuvendi.
- Gjuhë komunikimi brenda KMSHZ-së është gjuha shqipe, sipas nevojës edhe ndonjë gjuhë tjetër zyrtare e vendit. Gjithashtu, dokumentacioni i KMSHZ-së mbahet në gjuhë shqipe dhe sipas nevojës, ai përshtatet në një prej gjuhëve zyrtare të vendit.
- Në rast të mosmarrëveshjeve midis organeve të ndryshme të KMSHZ-së mund të angazhohet një gjykatë arbitrazhi në qytetin e Cyrihut. Vendimet e kësaj gjykate janë përfundimtare.
- Për të gjitha çështjet e tjera që nuk janë përmendur në këtë statut vlen e drejta civile zvicerane (ZGB).
- Ky statut hyn në fuqi në datën e miratimit nga ana e kuvendit.
Miratuar më 31.10.2021, në Reinach, AG.
Kryetari i KMSHZ-së: Sekretari i KMSHZ-së: Kryetari i Kuvendit të KMSHZ-së:
Hfz. Mehas ef. Alija Enes ef. Koshi Abdullah Mustafa
Ky statut është përgatitur nga Komisioni juridik pranë KMSHZ-së:
- Ismail Ademi – anëtar
- Lulzim Lecaj – anëtar
- Mustaf Veseli – anëtar
- Nehat ef. Ismaili – anëtar
- Rejhan ef. Neziri – kryetar
- Sherif Tupani – anëtar
- Zeadin ef. Mustafi – anëtar
* Për shkak të lehtësimit të lexueshmërisë së tekstit, ne këtu e përdorim vetëm gjininë mashkullore. Mirëpo gjithnjë bashkë me këtë nënkuptohet edhe gjinia femërore.